Në mars të vitit 2018, prorektorja e atëhershme e Universitetit të Prishtinës (UP) Teuta Pustina-Krasniqi, ua bëri një koment studenteve të reja, që në fund i kushtoi me vendin e punës: “U bëj apel të mos bëhen provokative, të mos vishen në mënyrë provokative”.
Ndërsa po diskutohej për rastet e ngacmimeve seksuale brenda universitetit publik, në një dokumentar në kanalin televiziv T7, Pustina-Krasniqi u kishte bërë thirrje vajzave të kishin kujdes për dukjen, sepse sipas saj veshja e tyre “ka efekt psikologjik dhe mund të ndikojë negativisht në ambientin ku studentët mbajnë ligjërata”.
Komentet e saj, të cilat sugjeronin fajësimin e viktimave të ngacmimit seksual, dhe jo të autorëve të krimit, u pritën me reagim të menjëhershëm. Studentët dhe shoqëria civile në Kosovë me një varg aksionesh simbolike e protestash pranë Rektoratit kërkuan dorëheqjen e saj, si dhe kërkimfalje publike nga universiteti për mungesën e reagimit institucional në rastet e ngacmimit seksual.
Më 29 mars 2018, Këshilli Drejtues i Universitetit me anë të një kumtese për media njoftoi se prorektorja është shkarkuar dhe se ky institucion distancohet nga deklaratat e saj.
Por, kërkesat e studentëve protestues nuk do të ndaleshin këtu. Nën parullën “Institucion arsimor me intelektualë seksistë”, ata shtynë me ngulm idenë e krijimit të mekanizmave për trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale brenda universitetit.
Presioni i madh publik bëri që ato ditë Rektorati të fillonte angazhimin për të krijuar një grup punues, i cili do ta përpilonte një rregullore të brendshme për t’i adresuar rastet e ngacmimeve seksuale.
Sot, pas një viti e gjysmë, rregullorja tashmë është në formën e projektit përfundimtar.
Megjithatë, rrugëtimi i grupit punues – i përbërë nga profesorë universitarë, anëtarë të shoqërisë civile dhe Parlamenti Studentor – nuk ka kaluar pa polemika të shumta, e as pa vënë edhe njëherë në pah përpjekjen për ta heshtur temën e ngacmimeve në universitet.
I papranuar dhe i paadresuar
Vendimi që UP-ja të ketë politika të brendshme për këtë çështje nuk rezultoi i mirëpritur nga të gjithë dhe hasi në rezistencë që në fillim. Madje, një pjesë e personelit ngurrojnë ta trajtojnë ngacmimin seksual si fenomen të pranishëm brenda institucionit më të lartë arsimor në vend.
“Unë më shumë e kam pa këtë si një lloj percepcioni dhe paragjykimi, por nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë ngacmime”, thotë Flamur Hyseni, këshilltar ligjor i rektorit të UP-së. “Personalisht kam dëgjuar vetëm thashetheme”.
Madje edhe personi përgjegjës për udhëheqjen e grupit punues, prorektorja Myrvete Badivuku-Pantina, heziton të pranojë se ngacmimet seksuale ndodhin brenda kampusit universitar.
“Unë nuk mundem me thënë ka apo nuk ka”, thotë ajo. “Nuk është mirë të nisemi nga paragjykimet”.
Qasja shpërfillëse ndaj ngacmimeve brenda UP-së u vu në pah edhe gjatë protestave të studentëve në pranverën e 2018-ës që çuan te krijimi i grupit punues.
Kjo sidomos u shpërfaq kur protestave iu bashkëngjit aktvistja Jeta Berisha, e cila foli publikisht për përvojën e saj të ngacmimit seksual sa ishte studente në Fakultetin e Arteve. Gjatë protestës ajo shpalosi se për rastin e saj të ngacmimit seksual nga një profesor i arteve e kishte njoftuar edhe personelin e fakultetit. Por shtoi se vetë dekani e kishte këshilluar të mos fliste për atë që i kishte ndodhur, e as nuk kishte marrë përgjigje për ankesën e drejtuar në Rektorat.
I kontaktuar nga Kohavision, Agim Selimi, dekani i Fakultetit të Arteve, kishte thënë “nuk kam pranuar letër nga studentja e përmendur”. Në atë kohë, zyra e komunikimit të rektoratit nuk i ishte përgjigjur K2.0 në lidhje me akuzat për ngacmime seksuale.
Për Rina Kikën, avokate për të drejtat e njeriut, sugjerimet e vazhdueshme nga stafi i universitetit se ngacmim seksual nuk ka brenda UP-së, nuk qëndrojnë.
Kika është këshilltare ligjore e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) – organizatë pjesëmarrëse e grupit punues për draftimin e rregullores – dhe po ashtu ka përfaqësuar OJQ-në për zhvillim shoqëror “Admovere” në përpjekjen e kësaj të fundit për t’i analizuar shkeljet e ndryshme dhe ndërmarrjet e masave ndëshkuese nga Këshilli i Etikës brenda UP-së.
“Së fundi Këshilli i Etikës i është përgjigjur kërkesës për qasje në dokumente publike të OJQ Admovere, në të cilën ka konfirmuar se disa nga denoncimet për shkelje etike të paraqitura në periudhën 2017-2019 kanë qenë për ngacmim seksual”, thotë Kika.
Mohimi i ngacmimeve seksuale bie ndesh edhe me rezultatet e nxjerra nga anketa “Barazia Gjinore: Sfidat dhe zbatimi i standardeve relevante në UP”, realizuar nga Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në kuadër të UP-së. Sipas raportit të marrë përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ngacmimi seksual është njëra ndër pengesat potenciale të studenteve/stafit gra, me të cilat ballafaqohen ato në UP.
Dëshmi të mëtejshme të ngacmimeve seksuale në universitet mund të gjenden në raportin e vitit 2017, të publikuar nga OJQ-ja Artpolis, i cili tregon se studentet e intervistuara kanë pranuar se janë në dijeni të shfaqjes së rasteve të ngacmimit seksual, por nuk i raportojnë sepse nuk i besojnë institucionit.
“Ka pasur raste që studentet janë bindur të mos i çojnë rastet më tej, për shkak të pasojave të mundshme dhe/ose turpit publik që i vihet studentes në rast të raportimit”, thuhet në këtë raport.
Përplasje për rregulloren
Në një mjedis ku vetë ekzistenca e ngacmimit seksual nuk pranohet plotësisht nga figurat udhëheqëse, mbase nuk është befasuese se procesi i hartimit të mekanizmave të brendshëm për të luftuar fenomenin ishte larg nga të qenit i drejtpërdrejtë.
Njëri nga kundërshtimet ndaj rregullores për ngacmimet seksuale në UP, sipas anëtarëve të grupit punues, ishte argumenti se nuk ka nevojë për një rregullore të brendshme, meqë me Ligjin për Diskriminim, ngacmimi është vepër penale dhe studentët mund të drejtohen në Polici kur ndodhin raste të tilla.
Hyseni, këshilltari ligjor i rektorit, thotë se nuk ka qenë kundër rregullores, por qëndrimi i tij ishte që ajo të kishte qëllim vetëm të udhëzonte denoncuesit e ngacmimeve seksuale se si t’i paraqisnin rastet në institucionet e rendit.
“Unë jam pro luftimit të kësaj dukurie devijante shoqërore por nuk jam sa për ta bërë një punë, jam për ta bërë një punë saktë”, thotë Hyseni. “E unë nuk besoj se UP-ja është më e fuqishme sesa shteti për ta bërë këtë. Këtë e shoh si përgjegjësi të shtetit më shumë sesa si të UP-së”.
Kundërshtimin nën arsyetimin se Universiteti nuk ka kompetencë të nxjerrë rregullore për mbrojtje nga ngacmimi seksual, sepse ai si vepër penale duhet të trajtohet nga autoritetet e drejtësisë, Rina Kika e sheh si të paqëndrueshëm. Ajo thotë se UP-ja nuk duhet të privohet nga e drejta e përcaktimit të ngacmimit seksual si shkelje e rëndë dhe rrjedhimisht e sanksionimit të tij sipas rregullave të veta.
“Nuk ka asnjë argument ligjor të vlefshëm që do ta mbështeste pretendimin se Universiteti i Prishtinës nuk ka kompetencë të nxjerrë një rregullore për mbrojtje nga ngacmimi seksual”, thotë ajo duke shtuar se brenda universiteteve ndërkombëtare është praktikë e zakonshme të ketë politika të tilla. “[Ata kanë] rregulloren për mbrojtje nga ngacmimi seksual në universitet, që përcakton se procedura disiplinore në universitet zhvillohet pavarësisht prej procedurës penale”.
Ndërsa një pjesë e diskutimit përqendrohej në kompetencat e UP-së në lidhje me adresimin e ngacmimeve seksuale, pjesëmarrësit e grupit punues thonë se një pjesë tjetër e stafit akademik ishte tërësisht kundër krijimit të rregullores.
Nita Luci, profesoreshë në Fakultetin Filozofik, e cila ishte edhe pjesëtare e grupit punues të kësaj rregulloreje, tregon se askush nuk ka qenë i interesuar të fliste për përvojat e studenteve, por vetëm për mbrojtjen e profesorëve, madje sipas saj, shumë prej tyre rregulloren e kanë marrë si sulm ndaj pushtetit vetjak.
“Njëri prej komenteve ka qenë: ‘Po nëse unë e shpjegoj figurën e renesansës dhe ka trupa të zhveshur, studentet munden me e marrë këtë si ngacmim. Kështu neve po na e mohoni lirinë akademike në klasë’, thotë Luci, duke dhënë shembull të asaj që thotë se ishte diskutim banal i vazhdueshëm.
Duke theksuar se njëra prej pasojave të ngacmimit seksual është ndërprerja e arsimimit, Luci thotë se ka besuar që stafi akademik ishte i vetëdijesuar mbi nevojën e mbrojtjes dhe të sigurisë së studentëve, por që fatkeqësisht ishte dëshmuar e kundërta gjatë procesit të përpilimit të rregullores.
“Ka pasur tentativa vazhdimisht me e blloku”, thotë ajo. “Kanë krijuar grup në rrjete sociale dhe janë takuar fshehtazi për të krijuar strategji se si me e kundërshtu rregulloren”.
Ariana Qosaj, aktiviste nga Rrjeti i Grave të Kosovës, si dhe pjesëtare e këtij grupi punues, thotë se kur është dorëzuar drafti për komente ka pasur një mobilizim “sidomos të profesorëve burra nga fakulteti juridik, të cilët kanë qenë pjesë e rezistencës dhe kanë dashtë me e rujtë atë status quo”.
Ajo tregon se një nismë për një rregullore të tillë e kishte pasur shoqëria civile edhe gjatë viteve 2005-2006, por se udhëheqësia e UP-së nuk e kishte marrë asnjëherë seriozisht, duke treguar rezistencë të fshehtë që të mos ndërmerrte ndonjë hap drejt rregullimit të kësaj çështjeje.
Ndërkohë, kundërshtimin për t’i adresuar si duhet ankesat e ngacmimit seksual në universitet nga profesorët burra, Hyseni nuk e sheh si diçka të bazuar në gjini. Ai thotë se grupi punues dominohej nga gratë dhe beson se profesoreshat insistonin aq fort në bindjet e tyre për shkak të pasigurive vetjake.
“Ka pasur konkurrencë në ide [brenda grupit punues]”, thotë ai. “Nuk e kam pa këtë si diferencim gjinor asnjëherë, por çka mua nuk më është dukur pozitive ishte insistimi me çdo kusht, që për mua tregonte një lloj pasigurie, edhe pse në atë përballje ishin 98 përqind gra dhe 2 përqind burra”.
Debatimi i detajeve
Me gjithë pengesat gjatë procesit të grupit punues, u miratua një projekt përfundimtar i rregullores për ngacmimin seksual. Sidoqoftë, rezistenca ndaj saj vazhdon.
Sipas draftit final të rregullores, kur bëhet denoncimi për ngacmim seksual në Universitet, barra e provës i bie subjektit të dyshuar në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi. Nën arsyetimin se kjo hap rrugë për denoncime të paqëndrueshme e të paqena, u shkaktua njëri nga mospajtimet kryesore gjatë hartimit të rregullores.
Sipas Flamur Hysenit, sigurimi i provave për ngacmim seksual është sfidë e madhe dhe është vështirë të sigurohen dëshmitarët.
“Cila është logjika, ta denoncojmë dikë për ngacmim seksual dhe t’i themi ‘silli provat për shfajësim’”, thotë ai. “Kjo është logjikë komuniste. Në sistemin bashkëkohor demokratik nuk ndodh diçka të tillë”.