Blogbox | Sporti

Fadil Vokrri… s’na duhej kurrgjë tjetër

Nga - 14.11.2019

Reflektim mbi heroin tim dhe heroin e babait tim.

Është 9 qershor 2018.

Jam në kuzhinë duke biseduar me nënën, e cila është duke përgatitur drekën. Jam pothuajse gati me përgatitjen e tavolinës, dhe kur ta përfundoj, do të shkoj në dhomë të ditës e ta thërras babin. E shoh të ulur në kauç, duke shikuar ekranin e telefonit të mençur, mjaft i përqendruar. Ai e ngre kokën dhe më thotë diçka. Nuk i dalloj fjalët e para, por të fundit i kuptoj qartë: “…ka vdekë.”

“Kush ka vdekë?”

Zëri i thyhet nga emocioni. Me kokë të ulur thotë: “Vokrri ka vdekë.” 

Nuk dua ta besoj. Nxitoj për t’ia parë ekranin e telefonit. E ka hapur një artikull dhe vazhdon të shkojë lart e poshtë nëpër të. Por është e vërtetë, Fadil Vokrri paska vdekë.

Shkoj në banjo, që babi të mos më shohë duke qarë. Shikoj veten në pasqyrë dhe e shoh fytyrën e skuqur, sytë me shkëlqim, plot hidhërim. “Çfarë po bën?” e pyes veten. Po qan për dikë që s’e ke takuar kurrë, një futbollist të cilin kurrë nuk e ke parë duke luajtur.

Unë qaj përsëri; qaj më zëshëm.

Fadil Vokrri gjithmonë ka qenë idhulli im, heroi im, edhe pse kurrë nuk e kisha fatin ta njihja.

20 nëntor 2018, Prishtinë. Kosova po luan kundër Azerbaixhanit. Djemtë po luftojnë për fitore në grupin e Ligës së Kombeve; mbase është ndeshja më e rëndësishme për ekipin tonë kombëtar. Menjëherë dalim në epërsi me golin e Zenelit, dhe stadiumi veç sa nuk eksplodon.

Pastaj, në minutën e nëntë, diçka ndodh, gjithçka ndalet. Një fotografi e madhe e fytyrës së Vokrrit del në ekran, dhe e gjithë audienca duartroket për një minutë. Në minutën e nëntë, si numri i fanelës së tij.

Unë prapë qaj; qaj më zëshëm. Këtë herë, nuk jam te shtëpia e prindërve, por jam në dhomën time në konvikt. E falënderoj Zotin që jam vetëm dhe mund të qaj sa të dua, pa u detyruar të shkoj në banjo për t’u fshehur.

Ne e fitojmë ndeshjen, e shkatërrojmë Azerbaixhanin dhe dalim të parët në grup. Gëzim i papërshkrueshëm, arritje që nuk do ta kishte pritur askush, përveç ndoshta ai. Ai, babai i këtij ekipi kombëtar. Ai gjithmonë ka besuar tek ne. Veçmas kur nuk kemi ekzistuar, kur nuk ishim as shtet, vetëm një rajon i vockël autonom, për ekzistencën e të cilit s’dinte askush. Nëse dikush e ka merituar të kënaqet me këtë, ka qenë ai.

Vazhdoj t’ia ngul sytë ekranit, t’i shoh fytyrat e lumtura të bashkëkombasve. Ndërkohë, më kujtohet një skenë nga filmi Interstellar, kur flitet për Ligjin e Tretë të Newton-it:

“E vetmja mënyrë që njerëzit e kanë zbuluar për të lëvizur përpara është duke lënë diçka mbrapa.”

Gjithmonë i kam thënë vetes se sa më e madhe ëndrra që synon ta realizosh, aq më shumë gjëra duhet të jesh i gatshëm t’i humbësh. Falë djemëve të ekipit tonë kombëtar, kemi arritur një moment të mrekullueshëm dhe historik, dhe ende kemi shpresa të arrijmë në Kampionatin Evropian falë lojës së shkëlqyer të tyre në grupin e kualifikimit – por fatkeqësisht, e kemi humbur heroin tonë.

Tani stadiumi mban emrin e tij dhe nuk mund të ishte ndryshe; ky është falënderimi më i vogël që ia kemi borxh si popull. Do ta kujtojmë përgjithmonë. Të gjithë do të flasim për Fadilin me fëmijët, nipat e mbesat tona; s’do ta harrojmë kurrë. Ky është falënderimi më i mirë që mund t’ia japim, të flasim gjithmonë për atë që arriti ta bëjë për vendin tonë.

Fadili i babit tim

Fadil Vokrri gjithmonë ka qenë idhulli im.

Unë jam rritur duke e dëgjuar babin që më tregonte për aktet heroike të tij, për vitet e arta të KF Prishtina, fitoren në Ligën e Dytë dhe mrekullitë në Ligën e Parë Jugosllave. Fitorja kundër Crvena Zvezda-s në Beograd, një vit i parë i mrekullueshëm, në fund të të cilit e përfaqësuam Jugosllavinë në Kupën Mitropa, dhe ditët e diela në Prishtinë, ku dëgjoheshin daullet nga orët e hershme të mëngjesit, e stadiumi mezi e përballonte nxehtësinë e tifozëve.

Prishtina ishte në Ligën e Parë, dhe më së shumti merita për këtë kishte ai, Fadili. Edhe ata që e kishin nderin të luanin me të, thonë: “Detyra jonë ishte t’ia pasonim topin, pastaj ai kujdesej për të tjerat.”

Babi gjithmonë ka qenë tifoz i flaktë i futbollit përgjithësisht, por favorit e kishte Fadilin. Çdo të diel mundohej ta gjente një mënyrë për të hyrë në stadium e për ta parë. Ndonjëherë s’kishte para të mjaftueshme dhe gjëja e fundit që bënte ishte të shkonte që t’u kërkonte gjyshit e gjyshes sime para për ta parë një ndeshje futbolli.

Djemtë e rinj duhej t’i ndihmonin familjes, në vend se të humbnin kohë duke shikuar futboll. Sa herë që gjente zgjidhje, ai kënaqej me këto momente të mrekullueshme. Njerëzit, kur e shihnin Fadilin, e dinin se populli kosovar ishte i gjallë. Mbase kjo është e vetmja gjë që s’pati nevojë të ma thoshte kurrë: se ndihej i gjallë në ato momente.

Ndonjëherë hyja në fushë si Fadili, duke e sillur topin siç bëjnë portierët kur e kanë në duar.

Ai gjithmonë më thoshte se as nuk mund ta imagjinoja çfarë lloj futbollisti kishte qenë Fadili, sa i fuqishëm ishte, çfarë golash shënonte dhe sa ekipet donin ta blenin, përfshirë edhe Juventusin. Unë jam rritur në Itali dhe Juventusi gjithmonë ka qenë ekip i interesuar vetëm për lojtarët më të mirë: Platini, Zidane, Ibrahimović dhe Cristiano Ronaldo.

Pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke e imagjinuar Prishtinën në ato vite, çfarë futbollisti kishte qenë Fadili, sa i talentuar ishte, çfarë golash shënonte. E përdora imagjinatën shumë, por nuk kisha ku ta shihja përnjëmend. Një kohë të gjatë, nuk u besoja tregimeve të babit, edhe pse kur shkoja të luaja futboll, ndonjëherë hyja në fushë si Fadili. Babi më thoshte se ai ishte i lojtari i fundit që dilte në fushë dhe e gjuante topin duke e sillur, siç bëjnë portierët kur e kanë topin në dorë, dhe e gjuajnë në tokë për ta goditur me këmbë.

E bëja për t’ia realizuar babit ëndrrën, për ta bërë edhe atë t’i ndjente emocionet e njëjta. Kurrë nuk e kam pyetur nëse e ka vërejtur këtë gjë ose jo. Me plot zemër, shpresoj se po, edhe nëse është e pamundshme t’ia bëj sytë t’i shndërisin sikur kur flet për vitet dhe golat e Fadilit.

Pastaj erdhi YouTube-i, dhe një ditë, gabimisht, e kërkova Fadilin dhe u mahnita nga ato që më dolën para syve: golat e Fadilit, me fanelë të Prishtinës, e pastaj të Partizanit të Beogradit dhe të ekipit kombëtar jugosllav. Duhet të ketë qenë talent i madh, pasi ishte pjesë e ekipit kombëtar. Do me thënë babi kishte të drejtë; tregimet për të nuk ishin të ekzagjeruara.

Edhe unë do ta kisha dashur Fadilin; do të më kishte çmendur nga gëzimi po ta kisha nderin për ta parë në jetën reale. Ai e përfaqësoi popullin tim, e solli Prishtinën në Ligën e Parë, luajti për Partizanin e Beogradit dhe me sukses i bëri bashkë serbët e shqiptarët ndërsa luante në ekipin kombëtar të shkëlqyer të Jugosllavisë.

Edhe ne mund të jemi të mirë në ato që bëjmë, siç ishte heroi im.

Populli im e kupton çfarë do të thotë të mos ekzistosh, të mos jesh në hartë, por ta kesh dikë që të mban gjallë. Në shumë mënyra jemi munduar të mos vdesim, të vazhdojmë të marrim frymë, të mos na përpijnë, dhe Fadili ka qenë thelbësor në gjithë këto përpjekje. Ai na mbajti gjallë duke luajtur futboll, duke e treguar talentin e vet, duke i lënë njerëzit ta admirojnë dhe duke e përhapur emrin e vet anembanë Evropës. Njerëzit e dinin që ai tipi i talentuar ishte nga Kosova.

Unë jam rritur duke u treguar njerëzve që jam nga Kosova, e ata më kanë pyetur ku është Kosova, ose kanë thënë se Kosova nuk është në hartë. Prandaj përfundova duke heshtur, por vazhdova t’i premtoja vetes se një ditë do t’i tregoja gjithë botës që Kosova ekziston, që edhe ne jemi në hartë.

Edhe ne mund të jemi të mirë në ato që bëjmë, siç ishte heroi im.

Mbase Fadili kurrë nuk e ka ditur sa njerëz i ka bërë të lumtur duke bërë art me topin. Unë gjithmonë i mbaj në mend fjalët e babit, ato që i thotë çdo herë për ta përfunduar tregimin.

“Ne ishim të varfër në atë kohë, nuk kishim ushqim, por ishim me fat sepse çdo të diel mund ta shikonim Fadilin duke luajtur futboll. S’na duhej kurrgjë tjetër.” 

Foto kryesore: Ilustrim nga K2.0.