Vesa, shqiptare nga Kosova, dhe Anita, serbe nga Serbia, aktualisht në Teksas si studente të programit Fulbright. Për shumëkënd, ne jemi një dyshe e pamendueshme, megjithatë për ne ishte një lidhje e atypëratyshme që i ka mbijetuar një pandemie, vitit të parë të studimeve postdiplomike, dy sezoneve të uraganëve, dhe një takimi ndërmjet vendeve tona në Shtëpinë e Bardhë.
Pak pasi u takuam në vizitën orientuese për studentët e Fulbright-it në Nevada, bëmë një udhëtim për të përcjelluar Oktoberfest-in në stilin e Teksasit, afër San Antonios. Morëm një Uber bashkë me shoqen tonë amerikane Tyler, dhe po e përjetonim pamjen në heshtje. Rruga ishte e gjatë dhe hëna e plotë ndriçonte. Papritur, Vesa tha, “Betohem që sa herë e shikoj hënën e plotë nga vetura, më kujtohet nata kur familja ime iku nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999. Unë isha vetëm tri vjeçe, por më kujtohet qartë që e shikoja hënën dhe mendoja se kur do të përfundonte e gjitha”.
Kjo fjali hapi një bisedë të vështirë dhe të sinqertë rreth përvojave tona gjatë luftës, atëherë kur Vesa fillimisht ishte në Kosovë e pastaj u largua si refugjate, ndërsa Anita ishte në Beograd gjatë bombardimeve. Biseda ishte një lloj katarze që çuditërisht na bëri të ndiheshim më të afërta se sa të ndara.
Në zemër të miqësisë sonë unike është të kuptuarit e përvojave të njëra-tjetrës dhe të qenët në gjendje të shprehim empati. Kur mbërrimë në festival, Tyler ishte e shashtisur ndërsa vozitësi i Uberit na tha se ajo bisedë e jona ishte më interesantja që kishte dëgjuar ndonjëherë gjatë vozitjes.
Mikesha të ngushta, shoqe dhome të pazakonta
Lidhja e menjëhershme dhe të bërit shoqe të ngushta nuk ishin të çuditshme për ne. Anita ka shumë miq shqiptarë dhe ka qenë në Prishtinë disa herë. Vesa është e hapur ndaj njerëzve të rinj, pavarësisht origjinës së tyre, dhe ka punuar me komunitetin serb në Kosovë. Tani në shkollë të dyja njihemi si dyshja e pandarë. Apo siç na thërrasin miqtë tanë: Double Trouble.
Për muaj të tërë, kemi qeshur me reagimet e njerëzve kur u tregonim prej nga vijmë. Disa tronditeshin, disa qeshnin, dhe disa ndiheshin dukshëm jo rehat, por përgjigja e përgjithshme ishte befasia.
Pas udhëtimit të parë, filluam të kalonim më shumë kohë së bashku duke u lidhur përmes shakave tona krejt të papërshtatshme, bisedave serioze për jetën dhe burrat, dhe pikëpamjes sonë të përbashkët për një të ardhme paqësore të rajonit. Shumë shpesh, problemet me të cilat përballemi janë të ngjashme, dhe kjo na e përkujton që në fund të ditës të dyja jemi njerëz.
Kemi kaluar një muaj duke udhëtuar në jugun e SHBA-së, pa asnjë zënkë. Jemi të bindura që kemi sjellë fat të keq për vitin 2020 me gjithë atë argëtim në natën e Vitit të Ri në Miami. Tani jemi shoqe dhome, dhe përkundër gjithë kundërthënieve rreth miqësisë sonë, ne arrimë që ajo të funksionojë.
Ndonjëherë rrimë zgjuar natën vonë duke u përballur me qëndrimet e njëra-tjetrës rreth politikës ndërmjet vendeve tona — dhe këto nuk janë biseda të lehta për t’u bërë në orën dy pas mesnate … apo kurdo qoftë. Por të qenët mendjehapura është çelësi për të kuptuar se nga burojnë ato qëndrime. Më pak serioz është përdorimi ynë i përditshëm i një përzierje fjalësh angleze, serbe, dhe shqipe. Në banesën tonë, nuk është e pazakontë të dëgjosh diçka të tillë si: “Hey, check fijoka for the scissors” (“Shiko mos janë gërshërët në sirtar”).
Nga personalja te politikja
Nuk synojmë të tërheqim paralele mes jetëve tona dhe situatës politike ndërmjet dy vendeve tona. Është e qartë se gjërat janë shumë më të komplikuara se sa një serbe dhe një shqiptare që mbërrinë të jetojnë së bashku 10,000 kilometra larg shtëpive të tyre. Por dëshirojmë të theksojmë se duke marrë parasysh historinë tonë të gjatë të armiqësisë, luftën e vitit 1999, dhe raportet e sotshme të tensionuara, skenari më i mundshëm është se nuk do të takoheshim kurrë. Në një skenar shumë më pak të pritshëm, ne nuk do të bëheshim kurrë shoqe kaq të ngushta.
Shoqëritë tona janë aq të ndara dhe të shkëputura saqë rrëfimi ynë është i vlefshëm të tregohet. Do të ishte turp nëse një miqësi e tillë nuk do të ndodhte kurrë, dhe nuk do të ndodhte po qe se Vesa nuk do të ishte e hapur ta bënte shoqe një serbe, apo nëse Anita do të mendonte për shqiptarët ashtu siç mendon shumëkush në vendin e saj. E gjithë kjo nuk do të ekzistonte, dhe jetëve tona do t’i mungonte kjo miqësi e bukur dhe pasuruese.
Ne jemi provë e gjallë se miqësia e bazuar jo vetëm në pranim të dallimeve, por në eksplorim të tyre përmes diskutimeve të hapura dhe të sinqerta për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën, me një dozë respekti të dyanshëm, janë të mundshme. Ndoshta kjo është diçka të cilën duhet ta kenë parasysh shtetet tona kur ulen në tavolinën e negocimit. Në një mënyrë, miqësia jonë përfaqëson atë që do të mund të ishte ndërmjet dy vendeve tona.
Teksa një ditë tjetër përfundon, Vesa shkon në dhomën e saj duke thënë “laku noć”, dhe Anita ia kthen “natën e mirë”.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.