Pikëpamje | Kosova

As Gazivodë e as Ujman, por Liqeni Trump

Nga - 29.09.2020

Roli i rajonit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në negociatat mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Washington, nën mbikëqyrjen e administratës së tanishme të ShBA-së, ishte e qartë se marrëveshja e mundshme nuk është as për Beogradin e as për Prishtinën, por vetëm për fushatën zgjedhore të Donald Trump-it.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po presin zgjedhjet e tyre presidenciale më 3 nëntor, në një gjendje polarizimi të plotë, pa një favorit kryesor për fitore. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se kandidati demokrat Joe Biden udhëheq në disa prej shteteve kyçe. Ekipi i Trump-it është përpjekur që humbjen në pikët e përqindjes ta kompensojë përmes përmirësimit të imazhit të presidentit, duke e promovuar atë si diplomat të zotin. 

Megjithatë, nuk ka shumë material për këtë gjë.

Paqebërës dhe ndërtues urash

Përgjatë mandatit të tij, Trump ka njoftuar në disa raste se kishte për qëllim zgjidhjen e çështjes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë, pas publikimit të këtij plani më 28 janar, shpejt u kuptua se kjo ishte një tjetër situatë joserioze me rezultate të dobëta. Prandaj, gjatë muajve të fundit, iu kthyen nënshkrimit të shpejtë të disa marrëveshjeve më pak të rëndësishme: Izrael – Bahrejn, Izrael – Emiratet e Bashkuara Arabe dhe marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo ishte e mjaftueshme që presidenti amerikan të fitonte nominimin për Çmimin Nobel për Paqe, dhe ishte e dobishme për rangimin e tij. 

Që nga nënshkrimi i saj, marrëveshja e Uashingtonit është shpallur — me pak bazë —  si “historike”, teksa mediat bashkëpunëtore të Trump-it në mënyrë aktive po sajojnë historinë e konflikteve “shekullore” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Kështu gjërat kanë rrëshqitur më thellë në sferën e surreales.

Disa analistë në ShBA, të prirur për ta mbështetur presidentin përmes komenteve në rrjete sociale mbi tema lokale për të cilat nuk kanë njohuri, po i vendosin shkaqet kryesore të konfliktit në vitin 1389, në Betejën e Kosovës. Trumpi po prin në këtë drejtim, me vlerësime gjatë tubimeve zgjedhore se ishte ai që i dha fund një konflikti aktiv.

Në Karolinën e Veriut ai foli rreth nominimit të tij për Çmimin Nobel, duke thënë se “u ndalën vrasjet masive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Për vite të tëra kanë qenë duke u vrarë mes vete. Ata do t’i ndërpresin vrasjet. Në të vërtetë, këtë kanë qenë duke e bërë për qindra vjet, nën emra të ndryshëm”.

Në këtë mënyrë, gjatë tubimeve zgjedhore, Karolina e Veriut, Uiskonsin dhe Pensilvania kanë dëgjuar rrëfimin se si një paqebërës me aftësi negociuese po parandalon një luftë ndërmjet dy fiseve të paarsyeshme luftuese. Megjithatë, kjo nuk mjafton: është gjithashtu e nevojshme që dy fiset ta admirojnë paqebërësin për këtë gjë. 

Kështu gjërat kanë rrëshqitur më thellë në sferën e surreales.

Më 24 shtator, Richard Grenell shkroi në Twitter: “Si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe në Serbi, i cili është pikë serioze mosmarrëveshjesh përkundër kompromisit të nxitur nga ShBA-ja për fillimin e një studimi fizibiliteti për krijimin e më shumë vendeve të punës dhe energjisë për rajonin… kështu të dy palët janë pajtuar për një emër të ri: Liqeni Trump”.

Ledhatimi i sqimës

Në të njëjtën ditë, afër digës së liqenit të Ujmanit u shfaq një poster i madh me mbishkrimin “Liqeni Trump”; ura e afërt e Bërnjakut u zbukurua me shenjat “Ura e Trump-it” dhe “Presidenti Trump, serbët e Kosovës ju falënderojnë për sjelljen e paqes”.

Të gjitha mesazhet u tha se gjoja ishin vendosur aty “spontanisht” nga serbët e komunës së Zubin Potokut. Tabloidët kryesorë serbë, që shiten mirë dhe janë nën kontrollin e presidentit serb Aleksandar Vučić, si “Informer”, “Kurir” dhe “Alo”, përkundër traditës së tyre të gjatë të propagandës anti-ShBA dhe rusofilisë, e kanë pranuar lajmin me entuziazëm elegant.

Njëkohësisht, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti publikoi postime në faqet e tij në Twitter dhe Facebook, duke e glorifikuar sugjerimin e të dërguarit të posaçëm presidencial Grenell për ta riemërtuar Ujmanin si Liqeni Trump, “në nderim të rolit të tij të jashtëzakonshëm në arritjen e marrëveshjes historike për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një hap i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje politike përfundimtare, e cila duhet të rezultojë në njohje të dyanshme”.

Ky ledhatim i sinkronizuar i sqimës së Trumpit mund të shpjegohet vetëm në një mënyrë. Si më servilët që mund të jenë përballë liderëve botërorë, politikanët kosovarë e serbë nxituan ta kënaqin lajkatimin e Grenell-it ndaj shefit të tij. 

Kundërmimi i neokolonializmit  

Riemërtimi i liqenit në shenjë “mirënjohjeje të thellë” për presidentin Trump, falë të cilit nuk do të vazhdojmë të vritemi masivisht ndërmjet vete “siç kemi bërë me shekuj”, duket si material kryesor për titujt që tërheqin vëmendjen në makinerinë e fushatës.

Falë një kombinimi bizar të rrethanave, historia dhe gjeografia e popujve të Ballkanit është shndërruar në vegël dytësore në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të një presidenti i cili nuk do të ishte i aftë t’i gjente në glob të dy vendet të cilat pandeh se i ka pajtuar. 

Shkalla e marrëzisë bëhet edhe më e madhe nëse e rikujtojmë se si ka nisur e gjitha.

Në një podkast të bërë ndërmjet 4 dhe 10 shtatorit e shohim Richard Grenell-in teksa ua tregon historinë e liqenit dy moderatoreve, si të ishte shaka.

Me një sjellje si të një babai që flet për një zënkë të kotë ndërmjet dy fëmijëve të tij budallenj, Grenell fillimisht shpjegon se si përfaqësuesit amerikanë në negociata provuan të mendonin për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të liqenit, duke përfunduar më pas se në vend të kësaj, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po grindeshin se si ta quanin liqenin.  

Gratë qeshin, derisa Grenelli i shikon me një mimikë që thotë: “Ja me çfarë marrëzie më duhet të merrem”. Ai shton: “Një nga zgjidhjet që kam propozuar ishte: a e dini çka, nëse nuk mund të pajtoheni rreth emrit, thjesht do ta quajmë Liqeni Trump”. Në këtë pikë, të tretë fillojnë të qeshin.

E gjithë situata e tanishme vjen erë të keqe kolonializmi, sepse është vështirë e besueshme. Pretendimi se Vučić dhe Hoti me të vërtetë janë grindur nëse do ta quajnë liqenin Gazivodë apo Ujman është i besueshëm vetëm për dikë që nuk e di se të gjitha toponimet kosovare kanë emërtime edhe serbe edhe shqiptare. 

Prishtina dhe Beogradi e njohin mirë rëndësinë ekonomike të Ujmanit.

Edhe nëse mund të besohet se në takimet pas luftës ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës kishte veprime të kota të përballjes rreth asaj se si duhej të quhet një vend, vetëm njerëzit naivë do të mund të besonin se të dy delegacionet zihen për gjëra të tilla dy dekada më vonë. 

Në anën tjetër, Prishtina dhe Beogradi e njohin mirë rëndësinë ekonomike të Ujmanit. 

Liqeni u krijua ndërmjet viteve 1973 dhe 1978 me fondet e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe kreditë nga Banka Botërore — përmes vendosjes së një dige në lumin Ibër — dhe u konceptua si burim elektriciteti për ish-krahinën autonome, por edhe si pikë kryesore e furnizimit me ujë.

Thelbi i mosmarrëveshjes nuk ka të bëjë me përballjen rreth emrit, por me zotërimin e një burimi strategjik. Reduktimi i tij në simbolikë e përmbledh infantilizimin që Grenell vetëdijshëm ua bën të dy palëve.

Fatmirësisht për gjeografinë lokale të vendeve të varfra, The New York Times publikoi taksat e shumëpritura të Trump-it. Krahas problemeve të tjera aktuale me të cilat përballet shoqëria amerikane, çështja e taksave padyshim se do të mbetet një temë qendrore deri në fund të fushatës zgjedhore. 

Kosova, Serbia, dhe marrëveshja e tyre e çuditshme do të zhvendoset në margjina, duke u përvjedhur ndoshta në mes të ndonjë fjalie në tubime zgjedhore, dhe nuk do të jetë mjaftueshëm interesante në krahasim me cirkun e tanishëm më të madh në botë — zgjedhjet presidenciale amerikane. Liqeni do t’i mbajë të dy emrat që i ka trashëguar përgjatë historisë, edhe pse ne ishim të gatshëm ta sakrifikojmë në altarin e fushatës zgjedhore në një kontinent tjetër.

Do të ishte mirë nëse do të mund ta shihnim veten në pasqyrë dhe të nxirrnim disa mësime.

Megjithatë, nëse fiton Biden, mbase për çdo rast dhe si shenjë vlerësimi duhet t’ia ndërrojmë emrin Bujanocit në Bidenoc. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO