Pothuajse 26 vjet pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë e akuzoi për herë të parë, Ratko Mladiqit iu konfirmua dënimi i përjetshëm.
Të martën (8 qershor), Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale e vërtetoi vendimin e Dhomës Gjyqësore të GJNPJ-së, e cila e më herët e kishte shpallur Mladiqin fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-komandanti 78 vjeçar i njësisë kryesore të Ushtrisë Boshnjake Serbe tani do të transferohet në burg, ku do të qëndrojë deri në fund të jetës së tij.
Vëzhgimi i gjykimit
E kam përcjellur gjykimin e Ratko Mladiqit nga shtatori i vitit 2013 deri në fund të vitit 2014, si pjesë e hulumtimit për projektin Gjinia e Drejtësisë. Vëzhgimi im filloi në një fazë më të vonshme të tij, por sërish pata mundësi t’i pëcjell të dyja, dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë dhe të ato mbrojtjes.
Pasiqë projekti përqendrohej në ndjekjen penale të dhunës seksuale gjatë konfliktit, fokusi kryesor i vëzhgimit tim ishin dëshmitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe dëshmitarëve të krimeve të ngjashme, si dhe dinamikat gjinore përbrenda sallës së gjyqit.
Si feministe e angazhuar në hulumtim pjesëmarrës, vrojtimet e mia asnjëherë nuk kanë qenë neutrale. Për më tepër, si dikush që e ka përjetuar dhe mbijetuar Rrethimin e Sarajevës, nuk isha dhe nuk mund të isha vështruese e distancuar emocionalisht nga ngjarja: unë jam një nga shumë njerëzit që i shpëtuan luftës; që iu nënshtruan fushatave të pandërprera të terrorit të përditshëm; isha një nga njerëzit që ishin shënjestër e snajperëve dhe granatimit arbitrar të qytetit; një prej atyre që u detyruan të jetojnë në kushte mizore dhe çnjerëzore, pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje, pa ushqim, me liri të kufizuar ose gati tërësisht të mohuar të lëvizjes; isha një prej njerëzve që kishin jetë të tejmilitarizuara pasi detyroheshim të jetonim në luftë.
Asnjë nga kryesit e drejtpërdrejtë nuk është gjykuar për mbajtjen e njerëzve në Sarajevë nën rrethim dhe për terrorizimin e tyre të përditshëm.
Në kontekstin e ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe Rrethimit të Sarajevës, ne — njerëzit që jetuam në Sarajevë gjatë rrethimit — jemi të vetëdijshëm se një numër i vogël i kryesëve të drejtpërdrejtë të krimeve do të “sillen para drejtësisë”. Për ne, pjesa më e madhe e tyre ishin persona pa fytyra, që na terrorizonin dhe na gjuanin nga largësia.
Është kryesisht aksidentale kur të dyshuarve për krime lufte i gjendet fytyra, si në rastin e fundit në Sarajevë ku snajperistët u identifikuan nga xhirimet dokumentuese. Por, asnjë nga kryesit e drejtpërdrejtë nuk është gjykuar për mbajtjen e njerëzve në Sarajevë nën rrethim dhe për terrorizimin e tyre të përditshëm.
Për shumicën prej nesh që e jetuam rrethimin, fytyrat e terrorit dhe krimeve të luftës ishin po ato që i shihnim në televizion, të cilët kishin pushtet (qoftë politik apo ushtarak) për t’i urdhëruar apo për t’i ndalur sulmet ndaj nesh. Në këtë kontekst, gjykimi i Mladić-it ka qenë i rëndësishë për mua, në rrafsh personal.
Distanca e Hagës
Shkuarja ime për vëzhgim të gjykimeve në GJNPJ në shtator të vitit 2013 ishte njëkohësisht hera ime e parë në Hagë. Atje, çdo gjë ishte e re dhe e huaj për mua, pavarësisht asaj se në mendjet e boshnjakëve si puna e ime ishte krijuar përfytyrimi se Haga ishte vendi simbolik i përndjekjes së krimeve të luftës.
Në fakt, gjatë komunikimeve të zakonshme, mendimi i parë që boshnjakët kishin kur dëgjonin se dikush ishte në Hagë (dhe veçanërisht në zonën Scheveningen) ishte se ai person po mbahej në paraburgim nga GJNPJ-ja, përkundër plazheve të bukura dhe atraksioneve turistike në atë zonë.
Për dallim nga kjo, sa isha duke ecur drejt GJNPJ-së në ditën time të parë të vëzhgimit të gjykimit, e gjeta veten duke menduar nësse njerëzit që jetonin në Hagë të paktën e dinin se në qytetin ku ata jetonin bëhej ndjekja penale e krimeve të luftës. (Më vonë, do ta kuptoja se po qe se një banor nuk kishte lidhje me rrethin e gjerë të komunitetit ndërkombëtar në Hagë, kishte pak gjasa që të preokupohej me përndjekjen e krimeve të luftës që bëhej në qytet.)
Aktakuza
Aktakuza fillestare kundër Ratko Mladiqit u lëshua më 24 korrit, 1995 dhe më pas u ndryshua katër herë.
Mladić përfundimisht u akuzua dhe u gjykua për 11 pika të aktakuzës për krime në cilësinë e tij si komandant i shtabit kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska, Bosnjë e Hercegovinë. Akuzat përfshinin:
- dy pika të aktakuzës për gjenocid;
- pesë pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit; dhe
- katër pika të aktakuzës për shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Krimet e përfshira në aktakuzë ishin kryer ndërmjet 12 majit 1992 dhe nëntorit të vitit 1995 në vende që përfshinin Sarajevën, Srebrenicën dhe 15 komuna të tjera në Bosnjë e Hercegovinë.
Zakonisht, në literaturën e drejtësisë tranzicionale mund të lexohet se sa e rëndësishme është që dëgjimet publike të kenë një audiencë sa më të gjerë që është e mundur dhe sa e rëndësishme është për një shoqëri të ballafaqohet me të kaluarën duke u bazuar në fakte të vërtetuara. Mirëpo, për të shkuar në Hagë, deri në dhjetor të vitit 2010, qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës dhe shumica e atyre nga rajoni duhej të kishin vizë — për qytetarët e Kosovës kjo kërkesë ende vlen.
Kjo nënkuptonte se përgjatë shumë viteve të gjykimeve — në 15 vite e gjysmë pas fillimit të gjykimit të parë më 16 prill, 1995 — nuk ishte e mundur për boshnjakët që spontanisht të shkonin në gjykimet që ishin të hapura për publikun. Edhe pasi kërkesa për viza u hoq, shkuarja në Hagë kushtonte shtrenjtë. Shumica e boshnjakëve thjesht nuk mund ta përballojnë një “teke” të tillë.
Është e vërtetë se detyra kryesore e GJNPJ-së është vendosja e përgjegjësisë penale dhe se pajtimi ishte thjesht mendim i mëpasshëm, mirëpo duhet të shtrohet pyetja nëse është humbur mundësia për të pasur dëgjime publike gjerësisht të qasshme që do të mund të kishin ndikim të vërtetë në ballafaqimin me të kaluarën në shoqërinë boshnjake, përmes nxitjes së dialogut publik, krijimit të njohjes dhe parandalimit të mohimit.
Vendimet, transkripat, raportimet mediale dhe transmetimi i gjykimeve në webfaqen e GJNPJ-së (nëse keni qasje në internet dhe e flisni gjuhën angleze), e madje edhe themelimi i një departamenti për komunikim, u përdorën për t’i sjellur senacat e gjykatës më afër njerëzve që jetojnë në këtë rajon. Por, në fund të ditës, distanca e krijuar me zhvendosjen e gjykatës nuk mund të zhbëhej me transferimin e mëpasshëm të shumë ndjekjeve penale në gjykatat vendore në Bosnjë.
Gjatë pjesës më të madhe të një viti e gjysmë që e kalova duke vëzhguar gjykimin, ulesha e vetme në pjesën e publikut.
Megjithatë, këtë distancë përfundimisht fillova ta shihja më shumë si distancë klasore, me punjonjësit e GJNPJ-së si pjesë e një komuniteti klasor më të lartë ndërkombëtar që përparonin karrierat e tyre, teksa viktimat ishin punëtorë të eksploatuar, puna e të cilëve (pra, dëshmitë e tyre) shfrytëzohej për të mirën “ndërkombëtare” dhe të cilët më pas liheshin të vetëm për t’ia dalë mbanë në një vend të pasluftës, të goditur nga varfëria.
Gjatë pjesës më të madhe të një viti e gjysmë që e kalova duke vëzhguar gjykimin, ulesha e vetme në pjesën e publikut. Kur kishte njerëz të tjerë të pranishëm, ishin kryesisht studentë të drejtësisë apo të drejtësisë tranzicionale nga e gjithë bota. Vinin në grupe të organizuara por edhe të vetëm. Disa hulumtues, si dhe gazetarët, i përcillnin disa nga dëgjimet. Në disa raste, delegacione të ndryshme (jo domosdoshmërisht avokatë ose aktivistë ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut) vinin për një gjysmë ore dhe më pas iknin.
Ndonjëherë, për shkak të ndërveprimit me të akuzuarin dhe avokatët e tij, mund të vija në përfundim se njerëzit e ulur në pjesën e gjykatës të paraparë për publikun ishin në të vërtetë të afërm ose shokë të të akuzuarit apo të avokatëve mbrojtës. Me raste, vëreja punonjës të GJNPJ-së që e ndiqnin gjykimin nga galeria publike.
Sidoqoftë, asnjëherë nuk e kam vërejtur dikë nga popullata e të mbijetuarve — njerëzit e prekur nga lufta në Bosnjë e Hercegovinë — që ishin të pranishëm në sallën e gjykimit. Shumica e dëgjimeve që shikoja ishin dëshmi të dëshmitarëve ekspertë, kështu që ndoshta gjatë dëshmive të dëshmitarëve okularë dhe të të mbijetuarve ka pasur më shumë interesim nga njerëzit e prekur nga lufta. Mirëpo, kjo më bënte të pyesja se për kë mbaheshin ato dëgjime.
Nuk e them këtë për ta kritikuar punën e GJNPJ-së. Është vendosur dhe është arritur shumë: shumë nga më përgjegjësit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid janë sjellur para drejtësisë; shumë fakte për krimet e kryera gjatë luftës janë vërtetuar; shumë viktima kanë pranuar një formë të drejtësisë retributive; drejtësia ndërkombëtare penale ka përparuar; dhunimi është bërë krim i procedueshëm; dhe ka pasur zhvillime të tjera pozitive.
Megjithatë, në Bosnjë, ende përballemi me mohim të gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe realiteti se faktet e vërtetuara për krimet e luftës të trajtuara në GJNPJ asnjëherë nuk kanë arritur sa duhet te shoqëria boshnjake, e lë një shije të hidhur.
Kalimi i kohës
Një çështje tjetër, që është reflektuar në rastin e Mladiqit, gjithashtu ka ndikuar në mënyrën se si gjetjet e GJNPD-së janë pranuar në Bosnjë e Hercegovinë.
Pjesa më e madhe e atyre që ishin më përgjegjësit për krimet e luftës nuk u gjykuan nga GJNPJ-ja për vite me radhë. Rasti i Mladiqit në të vërtetë filloi në stadet më të vonshme të ekzistencës së GJNPJ-së, kur diskutimet për mbylljen e saj veçse kishin marrë dhenë.
Kur arrita në Hagë në shtator të vitit 2013, ishte vetëm një rast tjetër përveç atij të Mladiqit, në të cilin prokuroria ende ishte duke e paraqitur rastin e vet — ai i Goran Hadžić-it. Dy rastet e vetme të tjera të mbetura në fazën e gjykimit ishin rasti i Radovan Karadžić-it, i cili ishte caktuar ta rifillonte paraqitjen e mbrojtjes së tij muajin e ardhshëm, dhe ai i Vojislav Šešel-it, i cili po e priste vendimin e gjykatës. Shtatë raste të tjera ishin në fazën e apelimit.
Në kohën kur u soll në sallën e gjykimit, një pjesë e madhe e shpresës që boshnjakët kishin pasur në drejtësinë retributive ishte zëvendësuar me zhgënjim.
Mladiqi ishte arrestuar dhe sjellur para GJNPJ-së më 26 maj, 2011, pothuajse 16 vite pas lëshimit të aktakuzës fillestare dhe gati 15 vite pas lëshimit të një urdhëri ndërkombëtar për arrestimin e tij. Për vite me radhë, ai ishte nën mbrojten e Beogradit zyrtar dhe përgjatë kohës së tij në fshehje, ai u lavdërohej si hero nga shumë njerëz, të cilët identifikohen si serbë. Kjo ka vazhduar gjatë gjithë gjykimit të tij deri në ditët e tanishme.
Në kohën kur u soll në sallën e gjykimit, një pjesë e madhe e shpresës që boshnjakët kishin pasur në drejtësinë retributive ishte zëvendësuar me zhgënjim, jo vetëm për paaftësinë e GJNPJ-së për të siguruar arrestimin e Mladiqit dhe të tjerëve, por gjithashtu për fokusin më të madh në kryesit e krimeve dhe të drejtat e tyre se sa në viktimat.
Gjykimi i Mladiqit gjithashtu u mbajt sipas rregullave të strategjisë së përfundimit, që nënkuptonte shkurtimin e qëllimshëm të kohëzgjatjes së gjykimit dhe përqendrimin në akuzat kryesore kundër të akuzuarit. Për këtë shkak, shumë prej dëshmitarëve viktima që mund të kenë dashur të dëshmonin drejtpërdrejt dhe ta shihnin Mladiqin në sallën e gjykimit, asnjëherë nuk e patën këtë mundësi.
Teatër i militarizuar
Ishte edhe një element tjetër i GJNPJ-së që alienoi gjykimet e krimeve të luftës nga njerëzit dhe shoqëria që do të duhej t’i shërbente. Përshtypja që në vazhdimësi më rikthehej gjatë kohës sa vëzhgoja gjykimet në GJNPJ ishte ajo e një teatri të militarizuar.
Ndërtesa ku ishte vendosur GJNPJ-ja ishte ri-funksionalizuar pasi më herët ishte përdorur nga një kompani e sigurimit. Nga jashtë, ndërtesa nuk duket si teatër.
Sidoqoftë, holli me portretet e protagonistëve kryesorë (gjyqëtarët), shkallët që dërgojnë në galerinë publike, litari që nuk të lejon të hysh në galerinë publike para fillimit të gjykimit, hapësira për materialet informuese (si informatat për GJNPJ-në dhe arritjet e saj dhe shënimet informuese për rastet), afishet dhe posterët (që duket sikur njoftojnë për performancat, por në fakt e lartësojnë GJNPJ-në dhe suksesin e së drejtës penale ndërkombëtare), dyqani i dhuratave me produktet e GJNPJ-së, hyrja për në dhomat e medias dhe radios, makinat e shitjes dhe televizorët që transmetojnë drejtpërdrejt nga sallat e gjyqit — të gjitha i ngjajnë auditoriumeve bashkëkohore.
Megjithatë, për dallim nga shumicave e teatrove, për të pasur qasje në galerinë për publikun, duhet të kalohen dy skanime sigurie — një në hyrje të ndërtesës dhe tjetri në hyrjen e vetë galerisë.
I ngjante biletave të vjetra për kinema apo teatër dhe u kërkohej të gjithëve që donin të hynin në hapësirën e publikut.
Gjatë skanimit të parë duhej ta lije telefonin, e madje edhe çantën, pasi nuk lejoheshin mjete regjistruese në sallën e gjykimit. (Procedurat e tilla të sigurisë mund të jenë normalizuar në aspekte të tjera të jetës sonë, por nuk duhet t’i pranojmë pa kritikë — ato i kufizojnë liritë tona dhe mund të përdoren si pengesë për të marrë pjesë në ngjarje të caktuara, si përcjellja e një gjykimi).
Në mes këtyre dy skanimeve të sigurisë, atyre që dëshironin të hynin në ndërtesë u kërkohej të regjistroheshin në recepcion. Aty, rojat e sigurimit ta skenonin letërnjoftimin, e vulosnin datën dhe ta jepnin një biletë të vogël ngjyrë rozë. I ngjante biletave të vjetra për kinema apo teatër, dhe u kërkohej të gjithëve — përfshirë punonjësve të GJNPJ-së — që donin të hynin në hapësirën e publikut.
Skena e sallës së gjyqit ndahej nga audienca me një perde, e cila ngritej kur ftuesi njoftonte hyrjen e gjykatësve dhe i urdhëronte të gjithë të ngriteshin. Kjo përsëritej sa herë që gjykatësit hynin ose dilnin nga salla e gjykimit me mimikrinë e një performance të ushtruar mirë, të mbikëqyrur nga roja te dera që kontrollonte biletat, i cili hynte në galeri gjatë këtyre pjesëve për t’u siguruar se të gjithë i përmbaheshin skenarit.
Kur gjykatësit futeshin në sallën e gjykimit, performanca vazhdonte me çështjet procedurale dhe rrëfimet e dëshmitarëve.
Nuk kishte shumë veprim në sallën e gjykimit, pasi pjesa më e madhe e vëmendjes përqendrohej te dialogu, te ajo që thuhej. Qetësia më së shpeshti prishej në periferi. Çdo gjysmë ore rojat që ruanin të akuzuarin — gjithmonë të armatosur — ndërroheshin: dy që hynin përkuleshin dhe pastaj i ndërronin pozicionet me ata që ishin në detyrë, të cilët më pas përkuleshin para se të dilnin.
Ndonjëherë, avokati mbrojtës përpiqej të fliste me të akuzuarin, një shoqërues futej për të marrë postën apo ndonjë dokument, ose sekretari ngrihej për të lexuar numrat e caktuar për provat e fundit. Por dinamika e vetme e vërtetë krijohej përmes dialogut.
Në mes të së gjithës, fjalët ishin përkujtues të zymtë se gjykimet nuk ishin performancë, por seanca që vërtetonin faktet dhe përgjegjësinë për krimet, të cilave unë dhe shumë të tjerë nga Bosnjë e Hercegovina iu kishin mbijetuar.
Arrestimi
Ratko Mladić u arrestua më 26 maj 2011, në fshatin Lazarevo afër Zrenjaninit, në zonën e Vojvodinës në Serbi. Ai u arrestua në shtëpinë e kushëririt të tij.
Për një kohë sa fshihej, Mladiqi jetoi nën pseudonimin Milorad Komadić.
Pesë ditë pas arrestimit të tij, më 31 maj, ai u transferua në Hagë me aeroplan të qeverisë së Serbisë.
Më 4 korrik, 2011, ai u paraqit për herë të parë në sallën e gjykimit ku u deklaua i pafajshëm para Dhomës Gjyqësore.
Edhe pse kjo ishte larg nga të qenit një gjykatë ushtarake, ishte e pamundur t’i shpëtoje ndjesisë së militarizimit të sallës së gjykimit: rojat e armatosura, muri prej xhami antiplumb, gjuha ushtarake — dhe salla e gjykimit pothuajse e gjitha vetëm me burra. E vërtetë, ishte gjykim në lidhje me krimet e kryera gjatë luftës dhe Mladiqi po gjykohej në rolin e tij si udhëheqës ushtarak. Por megjithatë, në vazhdimësi pyesja veten, pse ajo mungesë e vërejtshme e grave?
Disa nga dëshmitarët ekspertë dhe në veçanti dëshmitarët e mbrojtjes ishin persona që kishin grada ushtarake. Por, pse ishte përbërja e stolit dhe ekipeve të mbrojtjes e prokurorisë pothuajse e tëra me burra?
Të vetmit zyrtarë me të cilët ndërveproja rregullisht — rojat e sigurimit — ishin gjithashtu në të shumtën e herave burra. Në rast se ishin të pranishme, gratë kishin kryesisht role të ndihmëseve në administratën e sallës së gjykimit dhe në ekipet e prokurorisë dhe mbrojtjes. Dhe duket se sërish, të kuptuarit e vjetër patriarkal të luftës dhe ushtrisë e ndikonte gjykimin, pasi gratë nuk mund të shiheshin si eksperte apo dëshmitare të rëndësishmë për vërtetimin e krimeve.
Hapësira e vogël që u ishte dhënë grave ishte që ato të shiheshin si viktima. Por kjo ishte vetëm për shkak se gratë nuk mund të injoroheshin tërësisht si viktima. Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë gratë e kanë përdorur hapësirën publike dhe kanë diskutuar hapur për krimet të cilave i kanë mbijetuar. Megjithatë, nuk mund t’i ikje përshtypjes se salla e gjykimit ishte ende e rezervuar për t’i dëgjuar vetëm burrat, ndërsa gratë shiheshin si dëshmitare më pak të besueshme të krimeve të kryera.
Teknologjia si ndërmjetësuese
Veçoria kryesore e enterierit të ndërtesës ishin muret prej xhami.
Ato fillonin në të dy anët e hollit hyrës, të kalueshme vetëm nga punjonjësit e autorizuar, dhe gjithashtu e ndanin audiencën në galerinë publike nga salla e gjykimit. Muret kishin për qëllim të simbolizonin “transparencën” e gjykatës me xhamat e tyre të tejdukshëm, por efekti i barrierave antiplumb ishte izolimi i atyre në botën e gjykatës nga bota e “zakonshme” jashtë dhe parandalimi i ndeshjes së këtyre dy botëve.
Muri prej xhami ishte gjithashtu i papërshkueshëm nga zëri. Mjetet e dëgjimit që të jepeshin nga rojat e sigurimit e përçonin atë që ndodhte në sallën e gjykimit, por vetëm pasi ndizeshin mikrofonët.
Gjykimi
Gjykimi i Mladiqit filloi më 16 maj, 2012, dhe paraqitjet përmbyllëse u mbajtën më 5 dhe 15 dhjetor, 2016.
Në ato katër vite e gjysmë, ishin 530 ditë gjykimi dhe 591 dëshmitarë. Nga ta, 377 dëshmitarë u paraqitën në gjykatë.
Kur u dha vendimi i gjykatës më 22 nëntor, 2017, Mladiqi u shpall fajtor për 11 pika të aktakuzës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Ai u dënua me dënim të përjetshëm në burg.
Apelimi i vendimit të Dhomës Gjyqësore u dorëzua nga prokuroria dhe nga mbrojtja më 22 mars, 2018.
Më 8 qershor, 2021, Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale vendosi ta vërtetojë vendimin e Dhomës Gjyqësore të GJNPJ-së.
Si kudo tjetër në botën bashkëkohore, teknologjia luante një rol të rëndësishëm gjatë dëgjimeve; ishte jo më pak se ndërmjetësuese ndërmjet sallës së gjykimit dhe galerisë publike: kushdo që fliste në sallën e gjykimit duhej të fliste në mikrofon dhe ata që dëshironin ta dëgjonin (dhe ta kuptonin) folësin duhej të kishin dëgjuese, me mundësinë për ta zgjedhur zërimin drejtpërdrejt nga salla e gjykimit apo përkthimin e atypëratyshëm.
Gjykimet do të kishin qenë virtualisht të pamundura pa përkthim të atypëratyshëm. Edhe nëse mund të prisnim nga ushtruesit dhe administratorët ligjorë të flisnin rrjedhshëm në gjuhën angleze, kjo nuk mund të pritej nga dëshmitarët e as nga të akuzuarit.
Për më tepër, teknologjia e avancuar mundësonte qasje të shpejtë publike në dokumentet e kategorizuara si të qasshme për publikun dhe i bënte traskriptat e gjykimit shpejt të gatshme për publikun — sidoqoftë, këto ishin vetëm në gjuhën angleze dhe në atë frënge, jo në gjuhët e folura në vendet prej nga vinin viktimat, gjë që sërish e shtron pyetje se për kë ishte GJNPJ-ja.
Paralel me sistemin e zërimit, ishte sistemi i videos dhe transmetimit, me kamerat e vendosura në sallat e gjykimit dhe në galerinë publike. Edhe pse ishte e mundur që salla e gjykimit të shihej përmes murit prej xhami, televizorët ishin të vendosur në të dy anët e tij. Transmetimi kryesisht përqendrohej në atë që fliste, por edhe dokumentet publike që diskutoheshin në sallën e gjykimit zakonisht tregoheshin në ekran.
Xhirimi transmetohej edhe në televizorët e vendosur në hollin e gjykatës dhe në webfaqen e GJNPJ-së — në të dy rastet me 30 minuta vonesë. Shumica e njerëzve në vendet e prekura mund t’i përcillnin gjykimet vetëm përmes kësaj teknologjie.
Në vend të përfundimit
Në ditën e parë që mora pjesë në gjykim në vitin 2013, teksa ecja drejt gjykatës, mendoja se si ndihesha. Ja pranova vetes se ndihesha jorehat thjesht kur mendoja se do ta shihja personalisht Mladiqin. Për mua, ai ishte njeriu i ligë nga televizori që kishte fuqi të ndikonte në jetën time — tani, do ta shihja si person të vërtetë.
Disi, kisha frikë ta shihja. Apo, në të vërtetë, i frikësohesha traumës që mund të më ngjallej kur do ta shihja atë. Po, kishte logjikë: ai ishte prapa grilave dhe pas dëgjimit të asaj dite do të dërgohej sërish në burg, ndërsa unë mund të largohesha lirshëm. Prapëseprapë, ndjehesha çuditshëm.
Pavarësisht se sa shumë përpiqesha të shtiresha se nuk isha prekur nga përcjellja e gjykimit, ishte fakt se jeta ime ishte ndikuar shumë nga veprimet, urdhërat dhe vendimet ushtarake të bëra nga Mladiqi.
Gjatë katër viteve të jetës nën rrethim, kam menduar se cili do të ishte dënimi më i duhur për Mladiqin dhe të tjerët. Dhe në një mënyrë, unë isha në mesin e “të privilegjuarve” pasi nuk kam vuajtur lëndime fizike gjatë luftës dhe nuk kam humbur asnjë anëtar të të familjes së afërt. Por, kam humbur miq dhe kam jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të vdekjes.
Përvoja e të shikuarit të Mladiqit në sallën e gjykimit ishte e çuditshme. Kur perdja u ngrit, nuk e kërkova me sy — thjesht e shikova sallën e gjykimit. Kur e vërejta, nuk ndjeva asgjë. Mendova: pse duhet kjo të jetë traumatike për mua, kur në të vërtetë duhet të jetë traumatike për të. Sërish, i rikujtova vetes se unë mund të ngritesha dhe të largohesha në çdo moment — ai jo.
Dhe, për shkak të ndarjes ndërmjet sallës së gjykimit dhe publikut, ende nuk e ndaja të njëjtën hapësirë me të. Sërish po e shihja përmes ndërmjetësimit; muri prej xhami i ngjante ekranit televiziv, ndërsa dy monitorët e vendosur në galerinë publike ndonjëherë e shfaqnin futyrën e tij nga afët.
U gjenda e papërgatitur në udhëtimin tim traumatik teksa e shihja personin që kishte qenë komandant i forcave që gjuanin drejtpërdrejt në mua të dëshmonte për ngjarjet në një mënyrë që dallonte plotësisht nga ajo që unë kisha mbijetuar.
Mirëpo, mendoja se sa e vështirë duhej të ishte për dëshmitarët viktima të gjendeshin në të njëjtën dhomë me të dhe të dëshmonin. Çfarë traume duhej të ishte ajo për ta jo vetëm duke qenë i pranishëm i akuzuari, por edhe duke u dashur t’i rijetojnë përvojat më traumatike të jetëve të tyre!
Pas disa ditësh të vëzhgimit të gjykimit, u mësova ta shihja Mladiqin në sallën e gjykimit. Si vëzhguese e trajnuar e gjykimeve, që kisha përcjellur shumë sosh në Gykatën e Bosnjë e Hercegovinës, e përcillja gjykimin, mbaja shënime dhe bëja analizën. Megjithatë, përcjellja e dëshmitarëve mbrojtës ishte veçanërisht sfiduese në këtë rast.
Në angazhimet e mia të mëparshme kisha qenë dëshmitare e traumës së përjetuar nga dëshmitarët viktima gjatë paraqitjes së mbrojtjes dhe dëshmive të dëshmitarëve mbrojtës.
Megjithatë, sërish u ge e papërgatitur në udhëtimin tim traumatik teksa e shihja personin që kishte qenë komandant i forcave që gjuanin drejtpërdrejt në mua të dëshmonte për ngjarjet në një mënyrë që dallonte plotësisht nga ajo që unë kisha mbijetuar. Dhe përjetova emocione të trazuara kur e pashë shokun e klasës së shkollës së mesme si dëshmitar të mbrojtjes. Para kësaj, nuk e kisha ditur as fytyrën e as emrin e komandantit, e as që shoku i klasës i shkollës së mesme ishte në një nga pozicionet mbi Sarajevë duke gjuajtur njerëzit që jetonin nën rrethim.
Kur i kthehem përvojës së vëzhgimit të gjykimit të Ratko Mladiqit, ende kam ndjenja të përziera.
Unë jam një nga shumë njerëzit që i kanë mbijetuar Rrethimit të Sarajevës të cilët nuk do të dalin në gjykatë si dëshmitarë viktima në asnjë gjykim në lidhje me luftën. Sidoqoftë, përmes angazhimit tim profesional, unë kam mundur të paktën ta përcjellë gjykimin e një prej personave më përgjegjës për krimet që drejtpërdrejt më kanë prekur. Mirëpo, e di se jam një nga njerëzit e pakët që do t’i lexoj vendimet e analizoj transkriptat. Pjesa më e madhe e njerëzve në Bosnjë e Hercegovinë përfundimisht do t’i formësojnë qëndrimet e tyre duke u bazuar në titujt medial ose në deklaratat e politikanëve.
Gjykimi në rastin e Mladiqit sigurisht se do të jetë trashëgimi e rëndësishme e GJNPJ-së dhe hap i rëndësishëm në zhvillimin e drejtësisë ndërkombëtare penale. Por kur shohim situatën në Bosnjë e Hercegovinë, ku njerëz të caktuar ende e çmojnë atë duke e bërë hero, duhet të shtrohet pyetja nëse gjerat do të mund të ishin bërë ndryshe. A la distanca e gjykatës nga Bosnjë e Hercegovina, arrestimi i vonshëm dhe gjykata e militarizuar ku protokolli është më i rëndësishëm se përmbushja e viktimave, hapësirë për glorifikimin e kriminelëve të luftës si Mladiqi?
Sigurisht, shpallja e vendimit përfundimtar është e rëndësishme — edhe pse me kaq vonesë. Por mësimet duhet të merren — të paktën për kontekstet e ardhshme — për atë se sa e rëndësishme është që të kryhen me kohë gjykimet e krimeve të luftës që janë në gjendje t’ia komunikojnë faktet e vërtetuara një shoqërie që rimëkëmbet nga lufta.K
Imazhi i ballinës: nga arkiva e GJNPJ-së.