Mentorimi | COVID-19

Të diskriminuar në shërbimet sociale dhe shëndetësore

Nga - 22.06.2021

Pandemia ka vënë në pah se si sistemi nuk ofron shërbime për të gjithë.

Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës ia afirmoi të drejtën Blert Morinës për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet e identifikimit, duke shënuar kështu një vendim të rëndësishëm për Blertin, personat transgjinorë dhe gjithë lëvizjen LGBTQ në Kosovë.

Me aktgjykim në dorë, në janar të vitit të kaluar, ai shkoi në Komunën e Gjakovës për të kërkuar zyrtarisht dokumente të reja. Ai u kthye në institucionin që ia refuzoi kërkesën për ta ndërruar emrin nga “Blerta” në “Blert”, dhe shënuesin e gjinisë nga F (Femër) në M (Mashkull), duke e shtyrë që për gati dy vjet të merrej me beteja gjyqësore. 

Derisa po kalonte në fazat e ndryshme të betejës së tij me shtetin, ai po vazhdonte edhe terapinë hormonale si pjesë e tranzicionit të tij të planifikuar që e kishte nisur para vitit 2018, kur e dorëzoi kërkesën për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në Zyrën e Regjistrimit Civil në Gjakovë, qytetin e tij të lindjes. Dy vite më vonë kur ai mori dokumentet e reja, tiparet mashkullore tashmë theksoheshin në paraqitjen e tij – terapia hormonale filloi të manifestohej në zë më të thellë, mjekërr të dalluar dhe duar me qime. 

Por me të gjithë fitoren ndaj shtetit dhe hapat e suksesshëm të tranzicionit të tij, shërbimet e munguara sociale dhe shëndetësore po ndikojnë që Morina, së bashku me indidvidët dhe grupet e përjashtuara në shoqëri – siç janë personat LGBTQ – të ballafaqohen me sfida dhe vështirësi shtesë.

Ndërlikimi i tranzicionit 

Prej konfirmimit të rasteve të para shumë shpejt u bë e qartë që pandemia e COVID-19 po i thellon pabarazitë duke neglizhuar në veçanti të gjithë ata që hasin në diskriminim sistematik institucional. Terapia hormonale, që për disa persona trangjinorë është kyçe gjatë tranzicionit të tyre, asnjëherë nuk është adresuar si nevojë e rëndësishme e komunitetit transgjinor.

"Krejt atë rrugëtim që e ke bërë gjatë tranzicionit, e ke kthyer në pikën zero”,

Blert Morina.

Morina thotë se si terapia për transgjinorë nuk ka qenë e disponueshme ndonjëherë në Kosovë, dhe kështu ai dhe të tjerë janë detyruar të gjejnë alternativa nëpër vendet fqinje. Ai vetë ka filluar terapinë hormonale në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë Veriore, si zgjidhje më e mirë për të, për shkak të afërsisë. Por kur u vendosën masat e para të ngujimit në mes të marsit të vitit të kaluar për ta luftuar përhapjen e COVID-19, Morina u detyrua ta ndalë tranzicionin per tre muaj, aq sa ishte në fuqi masa e mbylljes së kufijve. 

“Mandej nuk është problemi që ti po e ndalon një shërbim, por ai shërbim ndikon në shëndetin tënd fizik, sepse nuk mundesh ta fillosh një shërbim dhe ta ndërpresh, duke e ditë që shërbimi duhet të vazhdojë tërë jetën, e sidomos terapia hormonale”, thotë ai. “Pastaj pasojat me ndalimin e këtyre shërbimeve munden me qenë super të mëdhaja”.

Blert Morina thotë që terapia hormonale për personat trangjinorë duhet të mundësohet në spitalin publik. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Ai thotë se si pandemia e ka bërë të qartë më shumë se asnjëherë nevojën për ofrimin e shërbimit të terapisë hormonale në institucionet shëndetësore vendore. Ai shpjegon që secila dozë e terapisë hormonale caktohet çdo tre muaj, pas analizave paraprake dhe përshkrimit të endokrinologut, varësisht prej trupit dhe gjendjes emocionale.

“Ka pasur të tillë që kanë rrezikuar dhe i kanë marrë [dozat gjatë ngujimit] edhe pa e pasur atë përshkrim, që është shumë e dëmshme, ose edhe e kanë ndërprerë, çfarë është prapë e dëmshme. Sepse krejt atë rrugëtim që e ke bërë gjatë tranzicionit, e ke kthyer në pikën zero”, thotë ai. “Edhe kjo për trupin është një lloj shoku, sa herë që ti bën ndryshime”.

Ai shton se komplikimet e tilla e marrjes së terapisë hormonale jashtë vendit kanë bërë që aktvistët për të drejtat LGBTQ të këmbëngulin vazhdimisht që shërbimet e tilla të merren në spitalin publik. Ai thotë se një mbrojtje e tillë më e madhe shëndetësore do të zëvendësonte edhe shërbimet e shtrenjta nëpër spitale private, që për shumë persona transgjinorë mbesin të papërballueshme.

Në mëshirë të shoqatave

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar frikë dhe pasiguri të konsiderueshme pasi ka ndikuar negativisht pothuajse në të gjitha aspektet e shoqërisë duke rezultuar në vështirësi dhe stres gati universal. Ngjajshëm me personat transgjinorë, dhe LGBTQ në përgjithësi, janë pikërisht individët në pozitë më të cënueshme që janë ndikuar nga ngujimi dhe urdhërat e qëndrimit në shtëpi, mbyllja e shërbimeve thelbësore dhe standardet e distancës sociale.

"Puna bëhët sfiduese kur takohesh me prindër për herë të parë, pa e takuar dhe pa e obzervuar fëmijën direkt",

Jeta Deva, psikologe

Prindi i një fëmije 12 vjeçar me autizëm, e që shërbimet i siguron nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë (ANAK) thotë se pandemia ka rritur numrin e sfidave që djali të marrë shërbimet e duhura.

“Nuk është njëjtë t’i marrësh shërbimet aty ku je, nuk është njëjtë sikurse online”, thotë gruaja e cila nuk dëshiron të identifikohet. “Tre muaj i ka rënë fëmijës të mos shkojë në qendër, edhe pse qendra ka shprehë gatitshmërinë dhe vazhdimisht terapistët e qendrës kanë qenë në kontakt me ne, duke u munduar që djali të mos bëjë hapa mbrapa”.

Jeta Deva, drejtoreshë dhe themeluese e ANAK-ut në vitin 2012, thotë se si i tërë stafi i shoqatës kanë punuar nën stres të vazhdueshëm, sidomos gjatë periudhave kur virusi shënonte rritje të rasteve.

“Natyra e punës me fëmijë është e tillë që … ti e mban maskën por në disa momente ti e hjek se ke punë me shqiptim”, thotë ajo. “Pastaj shumë vlerësime janë shtyrë. Me kolegë shpesh je takuar online, mirëpo puna bëhët sfiduese kur takohesh më prindër për herë të parë, pa e takuar dhe pa obzervuar fëmijën direkt”.

Deva shpjegon se si fëmijët me autizëm trajtohen me terapi shkencore, siç është terapia e sjelljes, e cila ndihmon fëmijët brenda spektrit të autizmit të ndërtojnë aftësi dhe të zvogëlojnë sjelljet që ndërhyjnë në të mësuar dhe komunikim. 

Jeta Deva, psikologe dhe drejtoreshë e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë, thotë se shërbimet për personat me autizëm duhen të lehtësohen përmes ndihmës së shtetit. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Ajo thotë se si puna me fëmijë duhet të jetë urë lidhëse që përgatit fëmijët për shkollë, meqenëse çerdhja është esenciale për shkak të vështirësive në komunikim, socializim dhe në sjellje te përsëritura. Në mungesë të përkrahjes financiare nga shteti, ANAK-u, por edhe organizatat tjera të autizmit në Kosovë, e kanë vështirë të përballojnë ekipet multidisiplinare – pediatri, psikologu, logopedi, psikiatri – e që do duhej të ishin prezent në seanca me fëmijë.

 “Kjo është shumë e vështirë ngase duhet të bëhët roli i dy a tre profesionistëve”, thotë ajo.

Në fakt, prindërit e fëmijëve me autizëm vazhdimisht kanë theksuar vështirësitë me të cilat përballen për të mbuluar shpenzimet, e që e arrijnë shumën e disa qindra eurosh në muaj, për shërbimet e domosdoshme për fëmijët e tyre. Disa nga këto shërbime janë seancat me psikologë, terapitë, e deri te asistentët në shkollë.

Një gjë të tillë e pohon edhe nëna e djalit 12 vjeçar që është pjesë i ANUK-ut. 

“Shërbimet psikologjike që i merr djali, mësuesja mbështetëse janë të kushtueshme. Krejt të ardhurat i sigurojmë na”, thotë ajo. “Është një shumë e papërballueshme për të ardhurat e familjes, sepse i siguron vetëm një prind, punon veç burri. Është e papërballueshme sepse është diçka afatgjate e jo diçka afatshkurtër”.

Ndërkohë studimet dhe raportet e ndryshme janë duke vënë në pah se si edhe globalisht, fëmijët dhe të rriturt me autizëm ishin të prekur nga pabarazitë edhe para goditjes së pandemisë, ndërsa në vitin e fundit po përballen me rrezik të rritur të diskriminimit, dhe qasje të kufizuar në shërbime ekzistuese dhe mbështetje.

Edhe në Kosovë pandemia ka varfëruar shumë familje, por ende nuk është bërë ndonjë vlerësim se si papunësia ka prekur prindërit e fëmijëve me autizëm.

Pa shërbime shëndetësore

Afrim Maliqi, aktivist që në vitet ‘90, duke qenë dëshmitar për shumë vite i dështimit institucional për mirëqenien e personave me aftësi kufizuar, nuk ka pasur ndonjë pritshmëri për politikat që do të adresonin këtë kategori të shoqërisë.

“Këto janë disa nga standardet të cilat i ka obligim shteti, dhe jo shoqatat",

Afrim Maliqi, drejtor i Handikos-it

Drejtori i Handikosit – Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës – thotë se si shërbimet që menaxhohen nga organizata që ai e drejton kanë filluar që para luftës.

“U kry lufta, në dhjetor të 2001 përfundoi edhe emergjenca, dhe ne patëm menduar që institucionet do të marrin përgjegjësinë, por realisht ende nuk e kanë marrë”, thotë ai. “Unë po flas për pajisjet [për personat me aftësi të kufizuar] që ne i ofrojmë. Asnjë institucion ende nuk i ka ofruar [deri tani], përkundër faktit që ne instititucioneve tona i kemi ofruar pajisje, respektivisht Ministrisë së Shëndetësisë, QKUK-së, Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, të cilat ne i sigurojmë në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare me donacione”.

Maliqi thotë se personat e aftësitë të kufizuar vazhdojnë të ballafaqohen në përditshmëri me mungesë të shërbimeve profesionale e pajisjeve ndihmëse, mungesë të kontrollave dhe medikamenteve, mungesë të asistentëve në shkollë, si dhe transport dhe infrastrukturë të papërshtatshme. 

“Këto janë disa nga standardet të cilat i ka obligim shteti, dhe jo shoqatat, si në këtë rast Handikos-i që mundohet të ju dalë në ndihmë personave me aftësi të kufizuara me disa lloje të shërbimeve, të cilat i kemi pilotuar deri tash, por që nuk mjaftojnë e të cilat bazohen vetëm në projekte”.

Ai thotë se si organizata ofron shërbime të rehabilitimit fizikal dhe psiko social, qëndrimi ditor për fëmijë dhe të rritur dhe pajisje ndihmëse.

Afrim Maliqi, drejtor i Handikos-it, thotë që organizata në krye të cilës është ai, po e luan rolin e shtetit dhe i ofron pajisje institucioneve të ndryshme. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

“Këto ne këtë rast quhen vetëm shërbime sociale jo shërbime mjekësore … në krahasim me vendet në rajon apo edhe ne perëndim, ku është një qasje multisektoriale”, thotë ai. “Punojnë ekipe me profile të ndryshme rehabilituese mjekësore që personin ta bëjnë të pavarur për aktivitetet e tij ditore”.

Maliqi shton që pandemia ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve në mënyrë fizike, dhe që kjo ka keqësuar gjendjen e personave me aftësi të kufizuar. Shumë individë gjithashtu është dashur të shoqërohen me familjarët e tyre për të shkuar deri te Qendrat e Mjekësisë Familjare ose klinika të ndryshme për të marrë ndonjë shërbim shëndetësor, gjë që ka shkaktuar shpesh frikë nga ekspozimi më i lartë ndaj virusit. 

Por ndryshe nga shumë individë e grupe tjera që edhe gjatë pandemisë po diskriminohen nga sistemi i cili do të duhej t’i mbështiste, personat me aftësi të kufizuara janë të përfshirë brenda pakos emergjente të qeverisë në vendimin e marsit të vitit 2020. Në masat e qeverisë ishin përfshirë edhe përfituesit e skemave pensionale që në baza mujore përfitojnë më pak se 100 euro, përfshirë këtu edhe përfituesit e pensioneve për persona me aftësi të kufizuar. Qeveria ndau nga 30 euro shtesë për tre muaj rend. 

Sidoqoftë raportet nga universitetet botërore sugjerojnë që personat me aftësi të kufizuar janë ballafaquar me izolim dhe përjashtim në shërbimet sociale dhe shëndetësore, duke paralajmëruar nevojën për hulumtimet e nevojshme në vend ku do të jepej një pasqyrë e saktë për ndikimin e pandemisë te çdo person me aftësi të kufizuar.K

Imazhi i ballinës: K2.0. 

 

 

 

 

 

 

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.