Në thelb | Zgjedhjet Lokale 2021

Prapë në zgjedhje

Me 21 komuna në balotazh, garat politike për kryetarë vazhdojnë.

Me fushatën jozyrtare që filloi herët në verë, valën e fundit të pandemisë COVID-19 në gusht dhe masat parandaluese që ndrroheshin çdo dy javë, tensionet në veri gjatë muajit shtator dhe zgjedhjet lokale që po afroheshin, për qytetarët e Kosovës, ishte kohë e ngarkuar.

 Me 17 tetor, 42.5% e tyre morën pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat janë të dytat këtë vit, me ato të përgjithshmet të mbajtura në shkurt. 

Përderisa zgjedhjet e 14 shkurtit qartazi shënuan fituesin, rezultatet e zgjedhjeve lokale të së dielës nuk përcaktuan gjithçka. Me 21 komuna nga gjithsej 38 që do të shkojnë në balotazh — 19 me shumicë shqiptare, 1 me shumicë turke dhe 1 me shumicë serbe — se kush do t’i udhëheqë komunat për katër vitet e ardhshme dihet vetëm për gjysmën e komunave. 

Që prej vitit 2007, rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme ishin në përputhje pothuajse të plotë me njëra-tjetrën, përveç në vitin 2017 kur gjërat filluan të ndryshojnë.

Por, ndryshimi më i madh ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të këtij viti, ku LVV fitoi shumicën e votave në 23 komuna, AAK dhe PDK fituan shumicën e votave në 2 komuna dhe LDK në asnjërën. Me këtë rrjedhë, zgjedhjet lokale të këtij viti morën vëmendje të veçantë për të parë se si do të performojnë partitë në nivelin lokal.  

LVV nuk arriti të tregojë rezultate të njëjtja këtë herë. Ndërkaq, PDK dhe LDK, me kryesi të reja qendrore, premtime për reforma të brendshme, fytyra të reja në garë, një frymë entuziaste për rikthim të fuqisë elektorale, me performancën në zgjedhjet lokale rikthyen vëmendjen kah vetja.

Fitoret, humbjet dhe përballjet e reja  

Përkundër fitores së thellë në zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme në shkurt të këtij viti, LVV nuk arriti ta fitojë asnjë komunë në zgjedhjet e djeshme lokale dhe tani do të shkojë në balotazh në 12 komuna. 

Në Prishtinë, me vetëm 12% diferencë në vota në favor të kandidatit të tyre, Arben Vitia, LVV do të përballet me LDK-në në raundin e dytë të zgjedhjeve në nëntor. Përparim Rama po tenton ta kthejë Prishtinën nën pushtetin e LDK-së, siç kishte qenë deri në vitin 2013. Që kur humbi Prishtinën atë vit ndaj Shpend Ahmetit atëherë pjesë e LVV, LDK-ja ka qenë në garë të nxehtë me për të parin e Prishtinës. 

Gara ndërmjet LDK-së dhe LVV-së është e ngushtë posaqërisht në Podujevë, ku LVV-ja pati befasuar me një fitore prej 51% në zgjedhjet e jashtëzakonshme të kësaj komune në nëntor të vitit 2020, duke e marrë bastionin e moçëm të LDK-së. Këto zgjedhje, Ekrem Hyseni i LDK-së po prin me një diferencë prej më pak 200 votash. 

Gjilani është një vend tjetër ku LDK dhe LVV do të përballen sërish. Kandidati i LVV-së, Alban Hyseni, i cili merr pjesë në zgjedhje për të parën herë, po e sfidon kryetarin qe dy mandate, Lutfi Hazirin me rreth 3% më shumë vota. Gara midis LDK dhe LVV për Gjilanin është thelluar këtë vit, krahasuar me zgjedhjet e kaluara në 2017, ku Lutfi Haziri në raundin e parë printe me 15.7% më shumë se sa kundërkandidati i atëhershëm nga LVV Sami Kurteshi.  

Ndërkaq, LDK-së po i sfidohet pushteti që ka gëzuar që nga viti 2007 në Fushë Kosovë dhe Istog, teksa LDK-ja po e sfidon pushtetin e AAK-së në Junik për tri mandate rresht. 

Në Gjakovë, për herë të dytë brenda 8 vitesh shkojnë në raund të dytë të zgjedhjeve kryetari aktual, Ardian Gjini nga AAK dhe ish-kryetarja Mimoza Kusari Lila nga LVV. Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve të kaluara lokale, LVV-ja ka perfomuar më dobët këtë vit. Në vitin 2017, Mimoza Kusari Lila me Alternativën kishte vetëm 7.8% më pak vota se kundërkanditati Ardian Gjini, ndërsa tash, diferenca është pothuajse 10%.

PDK ndërkaq po tenton ta rikthejë Prizrenin, të cilin pas tre mandate qeverisjeje, në vitin 2017 e mori Mytaher Haskuka i LVV. 

Ndryshe nga 19 komunat që i pret një raund i ri zgjedhjesh, në nëntë komunat tjera me shumicë shqiptare u zgjodhën kryetarët me shumicë vote që në raundin e parë; pesë nga ta janë rizgjedhur. 

PDK e riktheu Mitrovicën e Jugut me Bedri Hamzën, duke e marrë atë nga Agim Bahtiri, i cili e kishte udhëhequr si pjesë e AKR-së dhe gjatë mandatit të fundit u bë pjesë e LVV-së; ndërkaq PDK e fitoi sërish Ferizajn me kryetarin aktual, Agim Aliu. 

Pos Mitrovicës së Jugut dhe Ferizajit, PDK për herë të parë fitoi në Han të Elezit, komunë e cila ishte udhëhequr për 3 mandate rresht nga kandidati i pavarur, Rufki Suma dhe e rifitoi Skënderajin nga kandidati i pavarur, Bekim Jashari, i cili zgjedhjet e kaluara i pati fituar me 85.52% të votave.

AAK humbi një elektorat të rëndësishëm ndaj listës së pavarur për Obiliqin, të cilën e formoi kryetari i zgjedhur nga AAK në zgjedhjet e 2017 dhe la pas AAK-në duke shkuar në balotazh më LVV-në. 

Rezultatet e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe e kanë rikonfirmuar Listën Serbe si fituese dominante. E përkrahur nga Beogradi zyrtar, LS fitoi në nëntë nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë. Komuna e Kllokotit është e vetmja ku LS do të shkojë në balotazh.

Komuna burrash 

Gara në zgjedhje në Kosovë vazhdon të jetë kryesisht garë midis burrave. Edhe pse kandidatët e patën gojën plot “fuqizim të gruas” në fushatat e tyre e programet televizive, numrat tregojnë se partitë politike, përtej fjalëve, nuk janë gati ta pasqyrojnë këtë premtim përbrenda. Këto zgjedhje lokale, vetëm 10 kandidate gra u vunë nga partitë më të mëdha, PDK, LDK, LVV dhe AAK, në garë për kryetare komunash. PDK nominoi katër, LDK tri, LVV dy, dhe AAK një. Kandidatja e 11 erdhi nga Partia Balliste. Në tërësi, në 38 komunat e Kosovës nga 165 kandidatë për kryetar komune, vetëm 13 ishin gra, respektivisht 7.8%

Ndërkaq nga 5239 kandidatë për asamble komunale, vetëm 1943, pra 37%, ishin gra. 

Përpos Mimoza Kusari-Lila, e cila do të shkojë sërish në balotazh në Gjakovë përballë Ardian Gjinit të AAK-së, asnjë kandidate tjetër për kryetare komune në komunat me shumicë shqiptare nuk u votua as për t’iu afruar postit të së parës së komunës. Kandidatja për të parën e Gjakovës nga radhët e PDK-së, Arbënesha Kuqi, mori vetëm 3.39% të votave.

Se zgjedhjet janë ende në duar të burrave e konfirmuan edhe modelet e votimit nga qytetarët, të cilët nuk përkrahën gratë mjaftueshëm sa për të hyrë në balotazh e lëre më për t’i udhëhequr komunat e Kosovës. Përpos Gjakovës, gratë kandiduan në Deçan, Pejë, Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Drenas e Dragash. Drena Podrimqaku nga Partia Balliste në Pejë mori vetëm 0.23%, që është përqindja më e ulët e marrë nga kandidatet gra, ndërsa Hyri Dobrunaj e PDK-së në Deçan, mori 18.86% të votave, që është më e larta, pas Mimoza Kusari Lila.   

Ndër vite, gratë mbesin ende thellësisht të nënpërfaqësuara. Në vitin 2007, vetëm dy gra kandiduan në zgjedhjet lokale, në vitin 2009, nëntë. Në zgjedhjet e vitit 2013, ky numër shkoi në shtatë, ndërkaq në ato të 2017-tës, vetëm tetë gra garuan. 

Më shumë se gjysma e qytetarëve nuk votuan, të tjerët festuan 

Rreth 1.9 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote, por vetëm 42.5% e tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë. Dalje më të ulët në votime nuk ka pasur që nga viti 2007, kur votuan vetëm 39% e qytetarëve.

Këto zgjedhje e gjetën Kosovën me një sërë masash kundër Covid-19. Në raport me zgjedhjet, sipas vendimit të fundit të Qeverisë, në hapësira të mbyllura nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 20 personave, të cilët duhet të paraqesin dëshmi të vaksinimit. 

Partitë politike në Kosovë, respektivisht PDK, AAK dhe LDK u morën vesh që fushatën në terren ta zhvillojnë për vetëm 5 ditë. Njëherit, kryetarët  Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK, njëzëri u përkushtuan se do të respektojnë masat e qeverisë kundër Covid-19. Ndërsa Albin Kuri i LVV, në emër të parandalimit të përhapjes së Covid, ishte për shtyerje të zgjedhjeve.

Megjithatë, në fund, masat kundër Covid-19 nuk u respektuan. Sami Lushtaku, kryetari i dikurshëm i Skenderajt dhe Fadil Nura, kandidati i tanishëm për kryetar të kësaj komune përmbyllën fushatën në një sallë të mbushur qindra simpatizantë të partisë, pa maska, pa distancë fizike e në hapësirë të mbyllur. 

Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku i LDK-së që po ashtu premtoi respektim masash, nuk iu qëndroi pas fjalëve të tij, duke mbushur hapësirë të mbyllur në Podujevë, në mbështetje të kandidatit për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni. Më vonë, mbyllja e fushatës vazhdoi në rrugë, po ashtu të mbushur, përkundër masave kundër përhapjes së virusit. Mbledhi pati edhe në Gjilan, ku kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri përmes një selfie të një grumbulli njerëzish, pa maska e pa distancë, në hapësirë të mbyllur falenderoi qytetarët për besimin, anipse ai mbeti në balotazh.

Albin Kurti i VV-së, i cili ishte për shtyerje të zgjedhjeve për shkak të pandemisë, me 15 tetor, bashkë me kandidatin për kryetar të kësaj komune Shpejtim Bulliqi, mbushi rrugët e Podujevës plot njerëz, që ngjitur me njëri-tjetrin, dëgjuan fjalimet e njëpasnjëshme përmes së cilave u përmbyll fushata. 

Pas votimit, më 17 tetor, festa nisi nëpër shumicën e komunave. Edhe në festë, ashtu si në fushatë, partitë politike e mbyllën njërin sy ndaj Covid-19, duke mbushur rrugët e qyteteve, selitë e partive e lokalet me njerëz e duke festuar fitoret, përkundër faktit që deri tash, 19 komuna me shumicë shqiptare duket se do të shkojnë sërish në zgjedhje. 

Rezultatet e fundit që do të përcaktojnë kryetarët e këtyre komunave përfundimisht do të dihen pas 14 nëntorit kur edhe do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.