Javën e kaluar, mediat në Kosovë dhanë lajmin tronditës se një dhunues seksual i një vajze 15-vjeçare ishte dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim. Dhunuesit, gjykata ia kishte shqiptuar dënimin nën minimumin e përcaktuar në Kodin Penal.
Këtë dënim të ulët, Gjykata e kishte arsyetuar me konstatimin e një mori rrethanash “posaçërisht lehtësuese”, që në raste të veçanta e lejojnë uljen e dënimit nën nivelin e përcaktuar me ligj. Ndërkaq, nuk kishte marrë parasysh asnjë, as edhe një rrethanë rënduese që do ta impononte një dënim më të ashpër.
Kodi Penal
Kodi Penal e përcakton për secilën vepër penale minimumin dhe maksimumin e dënimit. Dhunimi i një personi nën moshën 16-vjeçare është i dënueshëm me 5 deri në 20 vite burgim.
Gjykata e cakton lartësinë e dënimit brenda kufijve të përcaktuar me Kodin Penal dhe i merr parasysh mes tjerash, rrethanat lehtësuese dhe rrethanat rënduese.
Rrethana lehtësuese përfshijnë: moshën e personit të dënuar, pranimin e fajësisë, aftësinë e zvogëluar mendore, etj.
Rrethanat rënduese përfshijnë: prezencën e dhunës ose kanosjes gjatë kryerjes së veprës penale, faktin se viktima ka qenë posaçërisht e pambrojtur apo e ndjeshme, shkallën e lartë të dashjes dhe të pjesëmarrjes në kryerjen e veprës penale, etj.
Për shkak të presionit mediatik, reagimeve të qytetarëve dhe kërkesave për llogaridhënie të aktivistëve dhe organizatave feministe, institucionet përgjegjëse nisën hetimet disiplinore ndaj prokurores dhe gjykatëses së rastit. Përkundër kësaj, Gjykata po vazhdon t’i refuzojë kërkesat zyrtare të mediave dhe të më shumë se 30 aktivistëve të shoqërise civile që kërkuan qasje në vendimet lidhur me rastin. Këtë Gjykata po e bën nën pretekstin e mbrojtjes së privatësisë së të miturve dhe të drejtës së të akuzuarit për t’u harruar, pavarësisht se aktivistët kishin kërkuar anonimizimin e vendimeve dhe mbulimin e informatave që i bëjnë personat të identifikueshëm.
K2.0 ka siguruar dy vendime të rastit: Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të marsit 2014 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të korrikut 2021. Bazuar në këto dy dokumente, këtu janë përmbledhur disa nga gabimet kryesore të Prokurorisë dhe Gjykatës gjatë procesit penal të të akuzuarit P.K. për dhunimin e vajzës 15-vjeçare.
Çka ka ndodhur?
Sipas Aktgjykimit të korrikut 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë, në janar të vitit 2012, një vajzë 15-vjeçare ishte duke dalë nga spitali i Gjakovës kur ia prenë udhën dy persona, P.K., 21-vjeçar dhe një i mitur. Ata me dhunë dhe duke e kërcënuar me thikë “e morën” vajzën dhe e dërguan në një shtëpi të pabanuar. Nga aty, e ftuan edhe një person të tretë me telefon dhe së bashku “gjatë tërë natës” e dhunuan seksualisht vajzën 15-vjeçare. Herët në mëngjes, ajo ia doli të ikte nga shtëpia dhe ta paraqiste rastin në polici. P.K. qëndroi në paraburgim nga shkurti deri në nëntor 2012, gjithsej 8 muaj dhe 8 ditë.
Në nëntor 2012, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli fajtor P.K. dhe dy të miturit për “dhunim në bashkëkryerje” të personit nën moshën 16-vjeçare. P.K. u dënua me 2 vite burgim, ndërsa dy të tjerët me nga 1 vit burgim për të mitur. (Ekziston një mospërputhje në mes të dy vendimeve që posedon K2.0: në vendimin e Apelit thuhet se P.K. është dënuar me 2 vite burgim, kurse në vendimin e vitit 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë thuhet se P.K. është dënuar me 1 vit burgim).
Megjithëse P.K. u shpall fajtor për dhunim seksual, atij nuk iu vazhdua paraburgimi dhe u la i lirë në ditën kur u shpall fajtor. (Sipas të dy vendimeve të lartpërmendura, nuk është e qartë nëse Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit të P.K. pas shpalljes fajtor për dhunimin e vajzës 15-vjeçare).
P.K. dhe njëri nga të akuzuarit tjerë u ankuan në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit që i shpalli fajtorë.
Gjykatës së Apelit iu deshën plot 492 ditë ose 1 vit, 4 muaj e 8 ditë për ta marrë vendimin, me të cilin u anulua Aktgjykimi i vitit 2012 dhe lënda u kthye në rivendosje te Gjykata Themelore në Pejë. Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore në Pejë kishte shqiptuar dënimin me burgim nën minimumin e dënimit të përcaktuar me Kodin Penal për dhunim seksual të një personi nën moshën 16-vjeçare dhe se këtë do të kishte mundur ta bënte vetëm pas konstatimit të rrethanave posaçërisht lehtësuese, të cilat nuk ishin konstatuar në vendim.
Pas një viti, Gjykata Themelore në Pejë e ndau procedurën e personit P.K. nga procesi ndaj dy të miturve sepse P.K. gjendej jashtë Kosovës.
Kaluan plot 2679 ditë ose 7 vjet e 4 muaj pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit deri kur u mbajt seanca e rishqyrtimit gjyqësor, sipas kërkesës së avokatit të të akuzuarit P.K. Më 23 korrik 2021, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli sërish fajtor P.K. për dhunimin seksual të 15-vjeçares.
Kësaj radhe, gjykata ia uli dënimin në vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, saktësisht aq ditë sa i kishte kaluar i akuzuari në paraburgim në vitin 2012 dhe atij s’iu shtua asnjë ditë burgim. Prokuroria nuk ushtroi ankesë ndaj këtij vendimi.
Gabimet e prokurorisë
Që nga fillimi i procesit, kur Prokuroria ngriti aktakuzën, dështoi t’i trajtojë të gjitha aspektet kriminale të rastit. Aktakuza i ngarkonte të akuzuarit vetëm për dhunimin seksual duke shpërfillur krejtësisht përgjegjësinë e tyre penale për dy vepra tjera: rrëmbim dhe privim i kundërligjshëm nga liria. Përpos që e kishin dhunuar seksualisht viktimën, të akuzuarit e kishin rrëmbyer atë duke e kanosur për vdekje me thikë dhe e kishin mbajtur kundërligjshëm të mbyllur në një shtëpi të pabanuar.
Përderisa Prokuroria nuk i ka përfshirë si pika të akuzës rrëmbimin dhe privimin e kundërligjshëm nga liria, më e pakta që ka mundur të bëjë është që këto t’i paraqesë si rrethana rënduese te matja e dënimit. Mirëpo, s’e ka bërë as këtë.
Pastaj, sipas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria nuk kishte ushtruar fare ankesë ndaj Aktgjykimit dënues të vitit 2012, pra nuk kishte kërkuar dënim më të lartë, por vetëm ishte përgjigjur ndaj ankesave duke kërkuar vërtetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë.
Si rrethanë rënduese, Prokuroria është dashur po ashtu ta paraqesë faktin që të akuzuarit “gjatë tërë natës” e kishin dhunuar seksualisht viktimën, siç e ka pranuar vetë P.K. para gjykatës e siç konstatohet edhe në Aktgjykim. Përpos kësaj, Prokuroria është dashur të kërkojë që si rrethanë rënduese të merret fakti se viktima ka ikur nga vendi ku po mbahej kundër vullnetit të saj një ditë pas rrëmbimit. Pra, ka ikur, nuk është liruar.
Përkundër të gjitha këtyre fakteve, gjatë rishqyrtimit gjyqësor në korrik të këtij viti, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që të marrë parasysh vetëm rrethana lehtësuese, shumica prej të cilave s’do të duhej të merreshin fare parasysh gjatë matjes së dënimit.
Prokuroria ka kërkuar që si rrethanë lehtësuese të merret fakti se kanë kaluar 10 vjet nga kryerja e veprës penale. Gjykata Supreme në Udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore thekson se gjykatat duhet të jenë shumë të kujdesshme në njohjen e kësaj rrethane lehtësuese dhe t’i qasen me skepticizëm.
Sipas Gjykatës Supreme, gjykatat “nuk duhet të kenë kurrëfarë konsiderate” nëse vetë i akuzuari i ka shkaktuar vonesat. Sipas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore në Pejë kishte marrë vendim për ndarjen e procesit ndaj P.K. nga ai i dy të miturve tjerë për shkak se P.K. kishte shkuar jashtë Kosovës. Nga kjo mund të kuptohet se P.K. vetë ka kontribuuar në vonesën e procesit gjyqësor, me ç’rast Prokuroria nuk është dashur t’i kërkojë Gjykatës ta marrë kohën e gjatë të procesit si rrethanë lehtësuese e as Gjykata nuk është dashur ta pranojë atë si arsye për zbutjen e dënimit.
Si ka mundësi që për Prokurorinë të jetë më e rëndësishme mungesa e lëndimit gjatë dhunimit seksual e jo kërcënimi me vdekje, rrëmbimi dhe mbajtja e kundërligjshme e vajzës 15-vjeçare?
Prokuroria ka kërkuar që si rrethanë lehtësuese të merret edhe fakti se P.K. është shoqëruar me dy persona që kanë qenë të mitur duke thënë se “këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale”. Prokuroria nuk mundet, nuk duhet dhe asaj nuk i takon të japë vlerësime për zhvillimin psiqik të të akuzuarit. Kjo kompetencë u takon ekspertëve të psikologjisë e psikiatrisë, të cilët duhet të angazhohen në proces gjyqësor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Angazhimi i një eksperti të tillë nuk përmendet në asnjërin prej dy vendimeve që K2.0 i posedon.
Prokuroria ka kërkuar që si rrethanë lehtësuese të merret edhe fakti se viktima në Polici dhe në Prokurori ka deklaruar se nuk ka pasur lëndime – mungesa e lëndimeve gjatë dhunimit seksual nuk mund të jetë dhe nuk është rrethanë lehtësuese. Dhunimi seksual paraqet mungesën e pëlqimit për aktin seksual, jo lëndimin gjatë aktit seksual pa pëlqim. Si ka mundësi që për Prokurorinë të jetë më e rëndësishme mungesa e lëndimit gjatë dhunimit seksual e jo kërcënimi me vdekje, rrëmbimi dhe mbajtja e kundërligjshme e vajzës 15-vjeçare?
Për më shumë, në Aktgjykim, në disa raste ku citohen kërkesat e Prokurorisë, dhunimit seksual i referohet si “marrëdhënie seksuale”. Nuk ka marrëdhënie seksuale kur nuk ka pëlqim. Aktit seksual pa pëlqim duhet t’i thuhet gjithmonë dhunim seksual, përndryshe relativizohet vrazhdësia e kësaj vepre penale.
Prokuroria më tej ka kërkuar që si rrethanë lehtësuese të merret fakti se “në shkresat e lëndës nuk figuron ekzaminimi mjeko-ligjor” – por, është kompetencë e Prokurorisë të nxjerrë vendim për realizimin e ekzaminimit mjeko-ligjor të viktimave.
Prokuroria në procedurë penale i përfaqëson interesat publikë para gjykatës dhe e ka për detyrë t’i marrë parasysh provat fajësuese dhe shfajësuese. Është e qartë se në këtë rast nuk i ka trajtuar të gjitha provat fajësuese ndaj të të akuzuarit P.K.
Gabimet e Gjykatës
Pavarësisht kërkesave të Prokurorisë, është Gjykata ajo që e vlerëson përgjegjësinë penale të të akuzuarit dhe vendosë për lartësinë e dënimit. Sipas Kodit Penal, gjykata, aktgjykimin e bazon në faktet e provat që paraqiten në proces dhe detyrohet që ato t’i vlerësojë me ndërgjegje.
Matja e dënimit
Kodi Penal e përcakton për secilën vepër penale minimumin dhe maksimumin e dënimit me qëllim që dënimi të caktohet duke marrë parasysh rrethanat dhe veçoritë e secilit rast.
Gjykata e matë dënimin brenda kufijve të përcaktuar duke ia përshtatur rrethanave të kryerjes së veprës penale, motivit të kryerjes së veprës penale, shkallës së përgjegjësisë penale dhe rrethanave personale të kryesit, ashtu që dënimi të jetë në proporcion me veprën penale si dhe me sjelljen dhe rrethanat e kryesit.
Në arsyetimin e Aktgjykimit për dënimin me 8 muaj e 8 ditë, Gjykata Themelore në Pejë nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese. As edhe një. Përkundër faktit se në Aktgjykim ka konstatuar se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për: kanosjen me thikë të viktimës dhe rrëmbimin e saj; mbajtjen e viktimës në një shtëpi të pabanuar për një natë; dhunimin seksual të viktimës “gjatë tërë natës” në bashkëkryerje me dy persona; dhe faktin se viktima ka ikur nga shtëpia ku kanë qenë duke e mbajtur, pra nuk është liruar. Pra, Gjykata ka vendosur që t’i shpërfillë të gjitha këto rrethana faktike që e bëjnë më të rëndë përgjegjësinë penale të të akuzuarit dhe që t’i vë në pah vetëm “rrethanat lehtësuese”.
Një ndër gabimet më të mëdha të gjykatës gjatë matjes së dënimit është konstatimi se i akuzari është përgjegjës penalisht e se e ka kryer dhunimin me dashje dhe njëherësh konstatimi i “papjekurisë së tij psiqike”.
Të jesh përgjegjës penalisht sipas Kodit Penal i bie të jesh mendërisht i aftë, ndërsa ta kryesh me dashje veprën penale i bie të jesh i vetëdijshëm për veprën që po e kryen dhe ta dëshirosh kryerjen e saj. Pra, Gjykata në njërën anë konstaton se P.K. ka qenë mendërisht i aftë ta kuptojë se ka dashur dhe e ka dhunuar seksualisht një vajzë 15-vjeçare, ndërsa në anën tjetër konstaton se ai ishte “i papjekur psiqikisht” sepse është shoqëruar me dy persona të mitur në kohën e kryerjes së veprës penale.
Kjo e bën jo-logjik dhe kundërthënës arsyetimin e Aktgjykimit. Për të dhënë konstatime mbi zhvillimin psiqik të të akuzuarit, Gjykata do të duhej të ftojë ekspertë sipas Kodit të Procedurës Penale për ta kryer vlerësimin e zhvillimit psiqik të tij e jo të japë vlerësime për pjekurinë psiqike të të akuzuarit duke u mbështetur në supozime apo paragjykime kulturore.
Edhe Gjykata Themelore në Pejë, njëjtë si Prokuroria në disa raste i referohet dhunimit si “marrëdhënie seksuale” dhe jo si dhunim seksual dhe konstaton si rrethanë lehtësuese mungesën e lëndimeve të viktimës. Prapë: dhunimi seksual është akti seksual pa pëlqim dhe nuk ka të bëjë me lëndime trupore, ndërkaq fjalët “marrëdhënie seksuale” nënkuptojnë pëlqimin e ndërsjelltë të dy personave madhorë për akt seksual, prandaj dhunimi seksual nuk mund të quhet “marrëdhënie seksuale”.
Kur Gjykata elaboron arsyet për shqiptimin e dënimit nën minimumin ligjor, thekson se viktima dhe përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale nuk kanë shkuar në proces të rishqyrtimit, duke lënë të kuptohet se mungesa e tyre është konsideruar si shkas që të mos konsiderohet shqiptimi i një dënimi më të ashpër.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, viktima ka të drejtë të marrë pjesë në proces gjyqësor, por prania e saj nuk është e domosdoshme për mbajtjen e gjykimit. Mungesa e viktimës në proces nuk e bën më pak të rëndësishëm faktin se ajo është dëmtuar me veprën penale, se i është cenuar integriteti trupor e seksual dhe nuk e liron gjykatën nga detyrimi i shqiptimit të dënimit që duhet të jetë proporcional me dëmin e shkaktuar ndaj viktimës.
Gjykata si rrethanë lehtësuese e ka cilësuar sjelljen korrekte të të akuzuarit gjatë shqyrtimit fillestar. Sjellja korrekte dhe e rregullt me gjykatën është diçka që pritet prej secilit person që ndërvepron me gjykatën. Ata që nuk i binden gjykatës gjatë procesit gjyqësor mund të përballen me gjoba për pengim të procesit gjyqësor, ndërsa të akuzuarit që s’i përgjigjen ftesave të gjykatës për seancë, sillen në gjykim me forcë. Gjykata Supreme në Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore thekson se bashkëpunimi me gjykatën mund të jetë rrethanë lehtësuese, por zbutja e dënimit do të duhej të bëhej për “aktivitete që shkojnë përtej sjelljes së pritshme apo të duhur në përgjithësi”.
Gjykata si rrethanë lehtësuese dhe si arsye për shqiptimin e dënimit nën minimumin ligjor e ka konsideruar edhe pranimin e fajësisë nga i akuzuari “në të gjitha fazat” e procesit. Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, P.K. përmes ankesës ndaj Aktgjykimit me të cilin është shpallur për herë të parë fajtor për dhunimin, ka kërkuar që në mungesë të provave të lirohet nga akuza. Kjo e bën të dyshimtë konstatimin e Gjykatës Themelore se i akuzuari e ka pranuar fajësinë “në të gjitha fazat e procedurës”.
Dënimi me 8 muaj dhe 8 ditë burgim, përpos që është dukshëm jo-proporcional, është edhe i kundërligjshëm.
Në Udhëzuesin për Politikat Ndëshkimore të Gjykatës Supreme po ashtu theksohet se për ta konsideruar pranimin e fajësisë si rrethanë lehtësuese ka rëndësi të madhe se kur bëhet pranimi i fajësisë – për shembull nëse bëhet në fillim të procesit, kjo mund të konsiderohet si rrethanë lehtësuese. Ndërkaq, nëse i akuzuari e pranon fajësinë në mes ose në fund të procesit, atëherë gjykata mund t’ia zbusë të dënuarit dënimin minimalisht ose të mos ia zbusë fare. Prandaj, pranimi i fajësisë nga P.K. në procesin e rishqyrtimit gjyqësor nuk do të duhej të merrej si rrethanë posaçërisht lehtësuese.
Dënimi me 8 muaj dhe 8 ditë burgim, përpos që është dukshëm jo-proporcional në raport me krimin ndaj një vajze 15-vjeçare, është edhe i kundërligjshëm. Dënimi më i ulët për dhunimin e një personi 15-vjeçar është 5 vite burgim. Kufiri i zbutjes së dënimit nën këtë minimum është 1 vit burgim sipas Kodit të Përkohshëm Penal që ka qenë i zbatueshëm kur është kryer vepra penale. Prandaj dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim bie nën minimumin më të ulët të zbutjes së dënimit.
As dënimi 1 vit nuk do të ishte i arsyeshëm në këtë rast meqë shumica e rrethanave posaçërisht lehtësuese të konstatuara nga Gjykata nuk qëndrojnë.
Çka do të thotë e gjithë kjo?
Në procedurë penale, gjykatat i marrin aktgjykimet në emër të popullit, prandaj secili vendim për shpalljen fajtor ose lirimin nga akuza fillon me: Në emër të popullit.
Qëllimi i dënimit, sipas Kodit Penal, përveç kompensimit të viktimës për dëmet e shkaktuara, forcimit të detyrimit për respektimin e ligjit, parandalimin e kryesit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe rehabilimin e tij ka të bëjë edhe me parandalimin e personave tjerë nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.
Në rastin e dhunimit të 15-vjeçares, Gjykata ka konstatuar, në emër të popullit, se dënimi 8 muaj dhe 8 ditë është “në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë”. Madje Gjykata thekson se është e bindur se ky dënim do të arrijë qëllimin që t’i pengojë të tjerët nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.
Mbetet e paqartë se si konsideron gjykata që ky dënim do të pengojë të tjerët nga kryerja e veprave penale të tilla në të ardhmen, jo vetëm për shkak se është i ulët dhe jo-proporcional me krimin e kryer, por edhe për shkak të mbajtjes fshehur të vendimit dhe refuzimin e lejimit të qasjes së publikut në të.
Në fakt, mesazhi i këtij procesi gjyqësor dhe këtij dënimi të ulët është ky:
Për dhunuesit potencialë seksualë: edhe po e kanose me thikë një person tjetër, edhe po e rrëmbeve, edhe po e mbajte të burgosur, edhe po e dhunove seksualisht tërë natën, edhe po që se ky person është nën moshë, ditën që shpallesh fajtor do të të lirojnë nga burgu. Do të kalojnë rreth 10 vjet e kur të mbahet procesi gjyqësor për së dyti, do të dënohesh vetëm për një pjesë të vogël të përgjegjësisë penale, jo për krejt veprimet kriminale që i ke kryer dhe do të dënohesh nën minimumin e minimumit të dënimit.
Për vajzat dhe gratë: edhe po e raportuat dhunimin seksual, rrëmbimin dhe privimin e kundërligjshëm nga liria në Polici e Prokurori, procesi gjyqësor do të përfundohet 10 vite më vonë kur ndoshta s’do të kesh as më të voglin motiv të shkosh në seancë. E kjo do të merret si njëri prej shkaqeve për t’ia shqiptuar dhunuesit tënd dënimin përfundi minimumit më të ulët të mundshëm.
Në një lajm të publikuar dy ditë më parë (më 3 nëntor 2021), Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar një dhunues përsëritës me vetëm 18 muaj burgim dhe kishte marrë parasysh disa rrethana lehtësuese të ngjashme me ato në këtë rast. Këto janë vetëm dy raste që dolën në sipërfaqe së fundmi, që tregojnë për mundësinë e një problemi sistematik të qasjes së gjykatave ndaj dhunuesve seksualë.
Shkelja e dinjitetit të viktimës përmes favorizimit të paarsyeshëm të dhunuesit do të kalonte pa u vërejtur në rastin e 15-vjeçares po të mos ishte për raportimin e mediave dhe reagimin e shoqërisë civile. Ky rast dëshmon edhe një herë rëndësinë e rolit të mediave dhe mobilizimit qytetar në rritjen e llogaridhënies së sistemit të drejtësisë ndaj publikut dhe nevojën për përmirësimin e qasjes institucionale në vënien para përgjegjësisë të dhunuesve të grave e vajzave.
Ndërsa kërkesat për përgjegjësi ndaj prokurores dhe gjykatëses së rastit do të duhej t’u shërbenin të gjithë zyrtarëve publikë si rikujtim se ligjet vlejnë edhe për ta.
Imazhi i ballinës: K2.0.