Sindikatat e pavarura u krijuan edhe në qendrat më pak tradicionale të organizimit të punës. Sindikata “Solidariteti” u krijua në sallat e kompanisë më të madhe të qendrës së thirrjeve në Shqipëri për shkak të pushimit nga puna. Siç tha drejtuesi i “Solidariteti”, Tonin Preci, “Nuk ke pasur asnjë mbrojtje si punëtor i qendrës së thirrjeve” dhe ata nuk kishin asnjë shpresë nga sindikatat klasike ekzistuese.
Gjatë pandemisë, “Solidariteti” udhëhoqi një përpjekje kundër instalimit të kamerave në shtëpitë e punëtorëve, të cilat niveli menaxherial i kërkonte për ta monitoruar punën e tyre. “Bëmë të gjitha lëvizjet e nevojshme sindikale dhe kjo u anulua si rregull”, tha Preçi, duke e cilësuar këtë përpjekje si një nga fitoret më të mëdha të “Solidariteti”.
Më vonë gjatë pandemisë, Preci u pushua nga puna në qendrën e thirrjeve për shkak të organizimit sindikal. Ai përmendi edhe tetë raste të tjera të kolegëve që janë shkarkuar që nga dalja publike si anëtarë të sindikatës. Ata kanë nisur rastin në gjykatë për ndërprerje të parregullt të kontratës, por ndërkohë Preci po ballafaqohet me vështirësi që të punësohet në ndonjë qendër tjetër të thirrjeve.
Arlind Qori thotë se mund të jetë e vështirë për punëtorët t’i krijojnë sindikatat e tyre, të pavarura nga kompanitë apo autoritetet. “Ekziston një periudhë e ndërmjetme, që është mjaft e rrezikshme mes nismës për ta krijuar një sindikatë dhe të pasurit një sindikatë mjaftueshëm të fortë dhe të përhapur mes punëtorëve që do t’i mbronte të gjithë punëtorëve, veçanërisht drejtuesit e sindikatave, nga largimi i padrejtë nga puna”, tha ai.
“Këto janë dhoma të torturës sadiste”
Fabrika e kabllove “Yura Corporation”, në pronësi të Koresë së Jugut, filloi prodhimin në Serbi në vitin 2010. Shumë shpejt filluan të operonin me nën-degë në të gjithë jugun e vendit, në Leskovac, Niš dhe Rača. Fabrikat, të krijuara nëpërmjet një marrëveshjeje me qeverinë, u reklamuan si burim i mijëra vendeve të punës për një pjesë të vendit me rënie të aktivitetit ekonomik. Por shpejt pas hapjes, nga punëtorët filluan të shfaqeshin ankesat. Siç pretenduan disa gjatë protestave të 1 majit të këtij viti, “Këto nuk janë fabrika — janë dhoma të torturës sadiste”.
Ndonëse punëtorët e fabrikës “Yura” ia dolën të bashkohen në sindikatë pak para pandemisë në vitin 2020, si anëtarët e sindikatave të “Solidariteti” në Shqipëri, anëtarësimi në sindikatë duket se vendos vetëm një shënjestër në kurrizin e përfaqësuesve më të zëshëm. Pasi Predrag Stojanović, organizator sindikal nga Leskovac, foli haptazi nëpër medie për problemet e fabrikës, atij iu dha një paralajmërim para shkarkimit, që thoshte se ai kishte “zbuluar sekrete të fabrikës”.