Në shkurt të vitit 2020, vetëm një muaj para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi për shkak të shpërthimit të pandemisë, në Beograd u mbajt koncerti i parë i grupit bjellorus “Molchat Doma”.
Ai janë njëri nga një varg grupesh muzikore alternative që — në mes të ringjalljes së përgjithshme të viteve të ’80-ta në kulturën pop gjatë dekadës së fundit — frymëzohen nga njëri nga zhanret kryesore të skenës underground të periudhës: post-punk.
Tingujt e papërpunuar, që do të prisje t’i dëgjosh nga një kasetë, zërat e thellë dhe pamjet plot arkitekturë brutaliste tërhoqën edhe ata që veç ishin të ekspozuar ndaj grupeve si “Joy Division” në vitet e tyre rebele të adoleshencës, ashtu edhe mbështetësit e rinj, që i tërhiqte ekzotizmi i teksteve në gjuhën ruse.
“Molchat Doma” i njohur ndërkombëtarisht, është vetëm njëri nga një numër grupesh nga vendet që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe që kanë lundruar nëpër New Wave dhe post-punk, që nga fillimi i viteve 2010.
Grupe të tjera, përfshirë “Ploho” dhe “Electroforez”, kanë mbushur klubet dhe sallat e koncerteve për një dekadë në Rusi dhe në mbarë botën. Më shumë se dy vjet pas performancës së “Molchat Doma” në “Drugstore” në Beograd në shkurt të 2020, të cilin shumë mbështetës e kujtojnë si koncertin e fundit përpara izolimit nga pandemia, për Viktor Uzhakov dhe shokët e tij të grupit “Ploho” ishte mundësia e tyre e parë për të performuar në Serbi.
“Pasi mbërritëm në Beograd, ishim të dëshpruar për shkak të situatës”, tha ai. “E dija se më duhet t’ia filloja punës”, tha Stepan Kazaryan. Fotografia: Tanja Drobnjak / K2.0
Dy koncerte, me gjithë biletat e shitura në fund të vitit të kaluar, në lokalin e Beogradit “Elektropionir”, ishin surprizë për grupin dhe organizatorin Stepan Kazaryan, njëri nga themeluesit e kompanisë “Connected Agency”.
Me mbi një dekadë përvojë në organizimin e festivaleve muzikore në Rusi, që nga pushtimi rus në Ukrainë vitin e kaluar, Kazaryan i është kthyer skenës në Serbi.
Mbledhitë në ikje
Në mars të vitit 2022, Kazaryan mbërriti në Serbi me valën e parë të emigrantëve rusë, të cilët kishin vendosur të largoheshin nga vendi i tyre, ose më saktë, u detyruan ta bënin këtë për shkak të rrethanave.
“Një natë para se trupat ruse të futeshin në Ukrainë, disa prej nesh ishin ulur në një kafene, duke biseduar nëse lufta do të ndodhte në të vërtetë”, kujton ai. “Edhe atëherë e dija se do të largohesha [nga Rusia] nëse do të vinte puna deri aty. Por s’ishte diçka e lehtë të bëhej. Vetëm një ditë më vonë, në një pushim mes sulmeve të panikut, unë dhe atëherë e dashura ime, sot bashkëshortja ime, blemë biletat për në Beograd dhe fluturuam më 1 mars”.
Si shkencëtar politik për nga përgatitja akademike, Kazaryan ishte i vetëdijshëm për opsionet e kufizuara që kishte në dispozicion. Nuk iu desh shumë ta zgjidhte Beogradin. Vendimi i vështirë për t’u shpërngulur u ndërlikua për shkak të punës së tij. Pas dhjetëra koncertesh dhe festivalesh të organizuara në Rusi dhe një sërë ngjarjesh të anuluara e të planifikuara fillimisht për vitin 2022, u gjend në një mjedis pjesërisht të njohur duke punuar në Serbi, por pa plane të qarta apo siguri për punën e tij.
“Menjëherë pasi mbërritëm në Beograd, ishim të dëshpëruar për shkak të situatës”, tha ai. “E dija se më duhej t’ia filloja punës, si dhe duke qenë se tashmë i njihja disa grupe nga rajoni, nuk ishte e vështirë për mua të bija në kontakt me skenën vendore. Që në verë filluam të organizonim koncerte më të vogla në Beograd”.
“Connected Agency” gjeti vendin e vet në hartën e skenave alternative të Beogradit në gjysmën e parë të tetorit, kur u zhvillua Festivali i Muzikës “Changeover”.
Festivali priti grupe nga 19 vende për të performuar në hapësira të njohura, përfshirë “Drugstore” dhe “Dom Omladine”. Megjithatë, festivali nuk u harmonizua aq mirë, pasi që shumë muzikantë hezitonin të ngjiteshin në skenë të njëjtë me performuesit rus.
Zemërimi ndaj pushtimit rus në Ukrainë në shkallë të gjerë ka ngjallur reagim të fortë anti-rus, veçanërisht në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Thirrjet për ta sanksionuar Rusinë politikisht dhe ekonomikisht janë shndërruar edhe në argumente më të gjera kundër artit, kulturës dhe sporteve ruse. Muzikantët rusë anti-Putin ose kundër luftës, shumë prej të cilëve kanë ikur nga Rusia, e kanë gjetur veten në një situatë të vështirë në këtë ndryshim kulturor.
Nacionalizimi i artit dhe koncertet e anuluara
Kur grupi rus ”Ploho” publikoi albumin e vet të ri vitin e kaluar dhe nisi përgatitjet për një turne, realiteti i ri politik dhe kulturor i priti në një aeroport gjerman. Biletat e grupit për në Meksikë, ku kishin disa koncerte të planifikuara, u anuluan nga linja ajrore “Lufthansa” me arsyetimin se politika aktuale kërkon që të mos transportojnë shtetas rusë.
“Albumi ynë “Kur shpirti fle” është i mbushur me nota jashtëzakonisht paqësore”, shpjegoi Victor Uzhakov. Fotografia: Tanja Drobnjak / K2.0
Turneu i tyre kishte shitur të gjitha biletat nëpër shumë hapësira dhe gjithçka ishte në rregull me vizat e tyre, por Victor Uzhakov dhe shokëve të tij të grupit iu desh të ktheheshin nga Gjermania në Serbi për të pritur për zhvillimet e mëtejshme.
Kjo çeli dyert për një fenomen të ri në Beograd: që nga nëntori i vitit të kaluar, të paktën çdo javë mbahet një koncert i artistëve rusë, si dhe shpeshherë disa koncerte dhe festa më të vogla. Organizatori Kazaryan tha se atij nuk i duhet t’i sjellë këto grupe në Beograd. Ata veç ndodhen aty dhe me plot vullnet për të performuar.
Victor Uzhakov i “Ploho” ka ndërtuar një imazh në skenë, në përputhje me muzikën e tij, të një melankoliku të errët me një zë të thellë — një Ian Curtis rus, megjithëse më delikat në kërcim, si dhe modest dhe i këndshëm gjatë bisedës. Ndonëse ndihet gjithmonë në siklet përpara një performance, publiku inkurajues i Beogradit e ndihmon ta tejkalojë frikën e tij në skenë.
Turneu i “Ploho” kishte për qëllim promovimin e albumit të tyre të publikuar së fundmi “When the Soul Sleeps” (shq. Kur shpirti fle), i publikuar vitin e kaluar. Regjistrimi dhe miksimi u bë në pranverën dhe verën e vitit 2022, në një studio ku grupe të panumërta underground ruse incizonin muzikën e tyre në vitet e ’80-ta.
“Unë erdha në Beograd ‘tek’ në shtator dhe ndjeva një lloj gjykimi prej anëve të ndryshme pse nuk e kisha braktisur Rusinë më herët”, tha Uzhakov. Familja dhe shoqëria e mbajtën atë në Rusi, si dhe dëshira për ta përfunduar incizimin e albumit në punim e sipër të grupit.
Pasi mbërriti në Beograd, u detyrua ta shiste studion e tij në Rusi dhe s’ishte e lehtë ta gjente hapësirën e re në Beograd, që nënkuptonte se puna për incizimet e reja duhej të ngadalësohej. Përveç kësaj, turneu i tyre u ballafaqua me pengesa në çdo hap.
Ploho @ Festivali Retronouveau. Fotografia: Arkivi i Fralgeri.
Pas anulimit të turneut në Meksikë, një festival në Evropën Lindore në fillim i mirëpriti, por pastaj mendoi t’ua anulonte performancën pasi organizatorët u pushtuan me komente negative në rrjetet sociale. Shumë shpejt edhe grupe tjera artistësh e bojkotuan festivalin, duke mos dashur të ndërlidheshin me artistë nga Rusia.
“U ndiem shumë keq kur dëgjuam rreth kësaj. Ndonëse e kuptojmë se organizatorët e festivalit duhet të përkujdeseshin edhe për artistët e tjerë, sepse nuk ishim të vetmit që do të performonim aty, por albumi “When the Soul Sleeps” (shq. Kur shpirti fle) është i mbushur me nota jashtëzakonisht paqësore”, tha Uzhakov.
Në fund festivali nuk ua anuloi performancën. Turneu i tyre ka nisur që nga fillimi i vitit dhe pas një koncerti që mbajën në shkurt në Novi Sad, “Ploho” do të vazhdojë me koncerte edhe në Evropën Perëndimore.
Edhe Vitaly Talyzin dhe Ivan Kurochkin, anëtarë të dyshes ruse synth-pop/post-punk “Electroforez”, iu desh t’i anulonin koncertet.
Tani të ndarë gjeografikisht — Kurochkin jeton me familjen e tij në Gjeorgji, ndërsa Talyzin ndodhet në Beograd — që të dy kishin synuar të zhvillonin turne në Rusi vitin e kaluar për ta shënuar përvjetorin e tyre të dhjetë si grup. Koncertet nuk u mbajtën sepse artistët u larguan nga Rusia pas shkurtit të vitit 2022. Ky ishte vazhdimi i anulimeve tjera. Turneu i tyre në Siberi, i planifikuar disa vite më parë, u anulua fillimisht për shkak të pandemisë dhe më pas prapë për shkak të luftës.
Vizaly Talyzin ndihet optimist për ardhjen në Serbi. Fotografia: Tanja Drobnjak / K2.0
Kazaryan ka paralajmëruar për vetëm një koncert të “Electroforez” në Beograd, por Talyzin është optimist. Ai ka gjetur një përparësi sa i përket ardhjes së tij në Serbi. Dy vjet më parë ai mbajti një turne në Ballkan dhe megjithëse kthimi i tij në rajon ndodhi në rrethana të pakëndshme, ai ia doli të lidhej me artistë dhe muzikantë të rinj nga Rusia dhe rajoni më i gjerë.
Një skenë ndërkombëtare e rimbushur
Ndoshta personi më përgjegjës për zhvillimin e skenës së artistëve rusë në ikje dhe popullarizimin e skenës alternative ruse në Beograd është Vasily Yakovenko, i cili u bart në Beograd në vitin 2015.
Yakovenko është programer, muzikant dhe ish-anëtar i grupit popullor rus post-punk “Motorama”. Ndër të tjera, ai është marrë me organizimin e turneve të shumtë alternativë turistik në Beograd. Llogaria e tij në Instagram @beogradjanin.ru shërben si udhërrëfyes alternativ i qytetit, që është mjaftueshëm i hollësishëm dhe i dobishëm si për banorët e rinj ashtu edhe për beogradasit e moçëm.
Në grupin e tij të njohur në rrjetin social Telegram “Žarko Tusić” (term zhargon në rusisht, që përkthehet përafërsisht si “Festë e zjarrtë”) ai publikon gjithashtu lajme për ndejat dhe ngjarjet kulturore në Beograd, me oraret javore që publikohen të hënave.
Vasily Yakovenko njofton për ngjarjet që mbahen nëpër qytetet përmes rrjeteve sociale. Fotografia: Tanja Drobnjak / K2.0
Publiku i këtyre artistëve rusë në Serbi për momentin përbëhet kryesisht nga shtetas rusë, shumica e të cilëve janë shpërngulur nga vendi vitin e fundit. Por kërkesat në rritje për këngë në rusisht në koncerte dhe mirëpritja në mjedise të të gjitha madhësive dëshmojnë për lidhjen në rritje me skenën dhe publikun vendor.
Ky “rrjet rus” po bëhet gjithnjë e më pak skenë e ndarë e artistëve të përbashkët në ikje dhe po lidhet gjithnjë e më shumë me nismat vendore në Beograd dhe Novi Sad.
Serbia u kritikua që qëndroi e hapur ndaj rusëve dhe Rusisë dhe që nuk iu bashkua censurimit dhe sanksioneve të Evropës Perëndimore ndaj Putin dhe qeverisë së tij. Por kjo derë e hapur ka lejuar që shumë prej kritikëve vendas të Putin të gjejnë strehim. Dhe njësoj si refugjatët rusë të bardhë e pasuruan sferën kulturore beogradase një shekull më parë, tani rusët që janë kundër luftës dhe kundër Putin, si në sferën e teknologjisë, kulturës dhe muzikës post-punk, janë pjesë e një transformimi dhe ripërtëritjeje të vogël kulturore në Serbi.
Imazhi i ballinës: Tanja Drobnjak / K2.0.