Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 13 korrik të këtij viti, miratuan Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, duke i hapur kështu rrugë themelimit të këtij instituti.
Në fakt, ky institut do të rithemelohet. Për herë të parë ai ishte themeluar në vitin 2011, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Por, jetëgjatësia e tij në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës ishte vetëm shtatë vite, pasi në vitin 2018 ky institut u mbyll nga qeveria e atëhershme, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila atëkohë ishte në koalicion me PDK dhe partinë NISMA.
Ministri i atëhershëm i drejtësisë Abelard Tahiri nga PDK kishte thënë se instituti ishte mbyllur sepse nuk ka qenë i mirëfilltë dhe se për të funksionuar si duhet, nevojitet një ligj për të.
Ideja për të jetësuar sërish këtë Institut erdhi dy vjet pas mbylljes, në vitin 2020, në kohën e qeverisë Kurti I e vazhdoi pastaj me qeverinë Kurti II, me “qëllim të gjetjes së fakteve për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, dokumentimit dhe arkivimit të tyre” siç thuhet në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Aty, LVV përmend se njëkohësisht do ta përgatisin padinë kundër Serbisë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në maj 2021, ministrja Haxhiu kishte formuar grupin punues për hartimin e koncept- dokumentit për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë (MD) të gjitha grupet punuese kanë qenë të ftuar dhe të përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të këtij procesi. Sipas tyre, organizmi dhe zhvillimi i procesit ishte i bazuar në kornizën ligjore për procedurat e hartimit dhe miratimit të projekt-ligjeve, përfshirë konsultimet publike në procesin paraprak, konsultimeve me grupe të interesit dhe në platformën formale online të konsultimeve.
Pavarësisht kësaj, ky proces ka nxitur kritika. Për disa, ky është një proces i stërvonuar e për të tjerë, një proces i koklavitur, që nuk ka përfshirë mirëfilli rekomandimet e akterëve, qoftë atyre të përfshirë në draftimin e ligjit, qoftë atyre që punojnë në fusha relevante me ligjin.
Një ligj e institut i vonuar
Themelimi i sërishëm i Institutit për Krime të Luftës sipas organizatave të shoqërisë civile dhe të tjerëve që punojnë në fushën e dokumentimit dhe ballafaqimit me të kaluarën është stërvonuar.
Profesori i së drejtës penale ndërkombëtare Ismet Salihu, i cili ka qenë edhe i ftuar për të diskutuar me ministren Haxhiu rreth kësaj çështjeje, konsideron se qeveria ka punuar ngadalë në këtë proces. “Nëse shkohet në këtë ritëm çfarë është punuar në këto dy vite e gjysëm në Qeverinë aktuale, unë jam pesimist që mund të ketë sukses”, thotë Salihu.
Vonesën si brengë të përbashkët e kanë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, disa të përfshirë në dokumentim e hulumtim të krimeve të kryera gjatë luftës, disa të përfshirë në grupet punuese për ligjin.
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka thënë që mosthemelimi i këtij instituti pas kaq shumë viteve prej përfundimit të luftës është joserioze.
Ndërkohë, shqetësim i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) është që sa më shumë të vonohet krijimi i Institutit, aq më shumë mund të rrezikohet zbardhja e krimeve. Drejtori i FDHK Bekim Blakaj, thotë se dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit tashmë mund të mos jenë gjallë apo mund të jenë të moshuar, gjë që pengon dokumentimin. “Gjithmonë, është shumë më e lehtë të hetohen ngjarjet sa janë kujtimet e freskëta”, thotë ai.
Bekim Blakaj nga FDHK thotë se vonimi i krijimit të Institutit mund të vështirësojë zbardhjen e krimeve.
Ngjashëm e shohin vonesën edhe njerëz që ndër vite kanë mbledhur e dokumentuar luftën në Kosovë.
Ngjashëm me shqetësimin e Blakajt, edhe Mevlyde Mezini Saraçi, kryetare e Këshillit të Paqes në Rajonin e Gjakovës, po ashtu ish e burgosur politike, e quan të stërvonuar themelimin e Institutit. “Dëshmitarët po vdesin, dokumentet dhe dëshmitë po zhduken, dekadat po ikin dhe faktet po zbehen”, thotë Mezini Saraçi.
Nustret Pllana, ligjërues në Fakultetin e Edukimit në Universitet të Prishtinës, njëherit ish i burgosur politik, ngre kritikën e tij ndaj qeverive paraprake, derisa thërret që ato praktika të mos përsëriten nga qeveria aktuale. “Jo të përsëriten praktikat e më hershme të qeverive paraprake të cilat e themelonin e çthemelonin, e fillonin, e bënin e zhbënin”, thotë Pllana.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë që, pajtohet që Kosova është vonuar në themelimin e Institutin për Krimet e Luftës, pas kaq vite pas luftës. Mirëpo, për të, të gjithë ata që mendojnë se qeveria aktuale është vonuar e kanë gabim dhe se një qasje e tillë, sipas saj, është e papranueshme.
“Ata që kanë menduar që një ligj shkruhet për një muaj janë gabuar shumë sepse të krijosh për herë të parë një institut me ligj të veçantë të përcaktosh saktë, secilin në mënyrë të detajuar kompetencat nuk është fare e lehtë”, thotë ministrja Haxhiu teksa shton se secila kompetencë e institutit duhet të jetë e detajuar në mënyrë që pastaj mos të ketë probleme gjatë zbatimit të tij.
Shqetësime për ndikim politik
Përpos vonesave, në grupin punues dhe shoqërinë civile është ngritur shqetësimi për politizim të këtij institucioni, i cili sipas ligjit do të funksionojë si agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZK).
Nga organizata jo-qeveritare Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) thonë se themelimi i Institutit përmban një sërë problematikash, një prej tyre fakti që ai do të funksionojë në kuadër të qeverisë. YIHR konsideron se kjo mund ta bëjë të paevitueshëm ndikimin politik në punën e Institutit. “Situata ideale do të ishte nëse Instituti do të ndërtohej në premisa tërësisht të pavarura nga shteti, ashtu siç ekzistojnë edhe praktikat në vende të tjera të rajonit”, thonë përmes email YIHR.
Në anën tjetër, sipas drejtorit të FDHK Blakaj, në vend të të qenit agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZK), Instituti do të duhej të ishte agjenci e pavarur, e vendosur në kuadër të ndonjë instituti shkencor apo akademik. Si shembull ai përmend Institutin për krime lufte të Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili vepron në kuadër të Fakultetit Juridik të Universitetit Publik.
Në linjë me Blakajn, profesori Salihu konsideron se Instituti duhet të jetë autonom dhe të jetë i pavarur sikurse Instituti i Historisë e Instituti Albanologjik. Këtë Salihu e lidhë edhe me qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e punës së Institutit, sidomos pasi të ndërrohen qeveritë. “Këtë po e them për tash, por edhe për të ardhmen, sepse kryeministrat ndërrohen e mund të ketë ndikime e pasjoa negative në punën e këtij instituti”, thotë Salihu.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare Ismet Salihu vlerëson se për themelimin e Institutit është punuar me ritëm të ngadaltë.
Mirëpo, në ligj u vendos ndryshe.
Për dallim prej tyre, ministrja Haxhiu ka thënë se vendosja e Institutit në kuadër të ZK, në fakt, tregon me automatizëm që qeveria ka interes të mbështes institutin në kryerjen e përgjegjësive të veta.
Ndërsa lidhur me kritikën për mundësi të politizimit të Institutit, ministrja Haxhiu ka thënë që kjo nuk qëndron. “Nëse ne e kemi një ligj, nëse janë kompetencat e qarta, shtrohet pyetja se, ku është ndikimi politik që mund ta ketë instituti në ç’kuptim? Nëse instituti do të hulumtojë dhe do të dokumentojë, nëse do të merret më maskrat me vrasjet me shtëpitë e djegura me dhunimet seksuale, me fëmijët e vrarë ku është politizimi këtu?”, thotë Haxhiu.
Ndërkohë, në pyetjen nëse janë shqyrtuar mundësitë tjera për mënyrën e funksionimit të Institutit, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se ato janë shqyrtuar nga zyrtarë institucionalë, ekspertë, juristë e organizata të shoqërisë civile në kuadër të grupeve punuese për përgatitjen e koncept dokumentit mbi mekanizmin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
K2.0 ka kontaktuar përfaqësues të Institutit Albanologjik, atij të Historisë dhe nga Fakulteti Juridik në Prishtinë. Të gjithë thonë se as nga Qeveria e as nga Ministria e Drejtësisë nuk i kanë kontaktuar lidhur me këtë Institut.
Mospajtime për procesin
Përpos vonesës e kritikave për politizim, një çështje tjetër kundërthënëse ka qenë koha kur parashihet të bëhet dokumentimi në kuadër të këtij Instituti. Ligji i miratuar parasheh dokumentimin nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999 (“periudha e luftës”). Mirëpo, sipas ligjit hulumtimi dhe dokumentimi mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, jo më vonë se me datën 31 dhjetor 2000.
Këtë mundësi për hulumtim e dokumentim deri në vitin 2000 e kishte kundërshtuar fuqishëm KMDLNj, me arsyetimin se për krime lufte nuk mud të flitet pas qershorit 1999, kur kanë përfunduar operacionet ushtarake. “Ne s’jemi pajtuar me atë datë në asnjë mënyrë. Por, kjo datë e imponuar nga ndërkombëtarët është edhe për të zhdukurit edhe për të gjitha kategoritë e luftës që kanë pësu gjatë luftës e kanë marrë ndërkombëtarët, unë mendoj që kjo është më shumë qëllim politik,” thotë drejtori Shala.
Behxhet Shala nga KMDLNj mendon që zgjatja e periudhës për dokumentim të krimeve është e imponuar.
Salihu, i cili po ashtu kundërshton zgjatjen e kohës, thotë se ka mundësi që për këtë kohëzgjatje është marrë modeli i Dhomave të Specializuara, që kanë juridiksion për krimet që pretendohet të kenë ndodhur prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.
Në anën tjetër, ministrja Haxhiu ka thënë që kërkesa e shumicës dërmuese të anëtarëve në grupin punues ishte që të përcaktohet kjo periudhë kohore. “Unë të paktën, me shkrim dhe as publikisht nuk kam parë asnjë ankesë në drejtim të Ministrisë së Drejtësië, Qeverisë apo të Kuvendit të Kosovës. Ligji adreson që Instituti do të merret edhe me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të para luftës”, thotë Haxhiu, duke shtuar se këtë e kanë bërë edhe bazuar në Ligjin për Personat e Zhdukur.
Ky ligj si person të zhdukur përcakton personin vendndodhja e të cilit është e panjohur për familjarët dhe kërkuesit e tij/saj dhe i cili në bazë të informacionit të besueshëm, është zhdukur në periudhën mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Sa i përket qëndrimeve se vendimi për afatin kohor mund të jetë ndikuar nga komuniteti ndërkombëtar, ato i ka kundërshtuar ministrja Haxhiu, duke thënë që, “ndryshimet jo vetëm në këtë ligj por në asnjë tjetër nuk i bëjmë vetëm për hir të dikujt. Ato bëhen pas fazave të konsultimeve, pas diskutimeve me akterë të ndryshim me organizatat e shoqërisë civile me grupet e interesit”.
Për dallim nga KMDLNj, Blakaj nga FDHK thotë që organizata që ai përfaqëson e ka përkrahur zgjatjen e kohës për hulumtimin e ngjarjeve të luftës. Kjo sepse, sipas tij, edhe pas periudhës së luftës, ka pasur një numër të caktuar të vrasjeve, zhdukjeve të njerëzve dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut.
Kurse nga YIHR mendojnë se formulimi i tanishëm në Ligj sa i përket kohëzgjatjes i lejon diskrecion Institutit që të vendosë të dokumentojë dhe hulumtojë krimet e kryera pas datës 20 qershor ose jo. “Një fuqi e tillë e diskrecionit mundet shumë lehtë që të keqpërdoret ose të përdoret për shtyrjen përpara të narrativave monoetnike që do të rezultojnë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për vazhdimin e ekzistimit madje dhe rritjes të tensioneve ndëretnike”, thonë nga YIHR.
Ligji, i përcjellur me kundërthënie e mospajtime, tash do t’i çelë udhën themelimit të Institutit — puna e së cilit pritet me shumë vëmendje. Tash për tash, sipas ZK, do të nxirren aktet nënligjore, do të rregullohet struktura funksionale dhe do të bëhet sistematizimi i brendshëm. Këto, sipas tyre do të përfundohen brenda gjashtë muajsh prej ditës së hyrjes në fuqi të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.