Shteti i së drejtës nënkupton jo thjesht ekzistencën e normës juridike, por zbatimin e saj për të gjithë qytetarët e atij shteti.
Viteve të fundit, në një numër rastesh të dhunës me bazë gjinore në Kosovë, kemi parë në praktikë se si kjo normë nuk është zbatuar. Rastet e dhunës ndaj grave kanë vënë në pah më shumë se kurrë rëndësinë e parandalimit të kriminalitetit, qoftë përmes ndëshkueshmërisë, dënimeve në përputhje më veprën e kryer apo përmes zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Një nga aspektet kryesore të së drejtës penale është dënimi. Kryesit e veprave penale duhet të marrin dënimin meritor dhe ta vuajnë atë. Kjo qartazi nuk ndodh në të gjitha rastet. Rastet kur personat, të cilët duhet të jenë në vuajtje të dënimit janë të lirë nuk janë të rralla në Kosovë. Ngjashëm nuk janë të rralla rastet kur njerëz të ndryshëm po i ikin drejtësisë, apo thënë më mirë, drejtësia po i lë ata të ikin.
Përpos kësaj, dënimet janë edhe të ulëta dhe kjo si duket inkurajon kryesit e veprave penale për të mos e ndalur aktivitetin e tyre kriminal. Mosdhënia e vëmendjes së nevojshme ndaj rrezikut që vjen nga persona me të kaluar kriminale, sidomos kur është fjala për dhunën me bazë gjinore dhe reagimi i vonë për zbatim të vendimeve gjyqësore apo moszbatimi i tyre, u kanë kushtuar me jetë grave.
Gra, të cilat kanë pasur urdhër mbrojtjeje kanë përfunduar si viktima të femicidit. Vrasësit e tyre jo rrallë kanë qenë të njohur te institucionet për dhunën e tyre. Rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës vazhdimisht janë mbushur plot protestuese e protestues, që kanë thirrur për vëmendje ndaj këtyre rasteve, por institucionet e drejtësisë duket se kanë hezituar të dëgjojnë.
Por, këto raste nuk guxojnë të bien në harresë.
Shteti po dështon t’i mbrojë gratë
Një rast që tronditi opinionin publik në vitin 2021 ishte vrasja e Marigona Osmanit, 18-vjeçare. Dy burra e kishin lënë trupin e saj të pajetë te Qendra e Emergjencës në Ferizaj.
Informacionet që u shpalosën më pas, treguan se kjo vrasje do të mund të ishte shmangur.
Dardan Krivaqa, tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj për vrasjen e Osmanit, veç kishte precedent penal. Krivaqa ishte dyshuar për vjedhje e sulm ndaj një polici dhe ishte dënuar me 180 ditë burgim. Pos 30 ditëve të kaluara në paraburgim, pjesa tjetër Krivaqës iu zëvendësua me urdhër për punë në dobi të përgjithshme.
Ndërsa, Arbër Sejdiu, tashmë i dënuar me 15 vjet burgim për ndihmën e dhënë në vrasjen e Osmanit, megjithëse dyshohej se në vitin 2013, në bashkëkryerje, kishte kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, ai kishte mbajtur vetëm dy muaj arrest shtëpiak.
Sistemi gjyqësor i Kosovës lejoi Dardan Krivaqën, me 135 raste penale dhe Arbër Sejdiun, i akuzuar për tentimvrasje, të bredhin të lirë. Dhe në fund, ta vrasin Marigona Osmanin.
Vrasja e Osmanit nuk ishte e vetmja që mund të shmangej. Neglizhenca institucionale kur është fjala për mbrojtjen e grave ishte vënë në shesh vetëm pak muaj para se të vritej Osmani.
Në mars, po në vitin 2021, publiku kosovar u zgjua me lajmin se Sebahate Morina, 42-vjeçare, ishte gjetur e vdekur. Më pas, doli se Morina ishte vrarë prej ish-bashkëshortit, i cili po ashtu kishte vrarë veten.
Morina e kishte raportuar dhunën që po përjetonte që në nëntor të vitit 2019. Në fund të vitit 2019, ish-bashkëshorti i saj kishte qenë në paraburgim për shkak të dhunës që kishte ushtruar. Në janar 2020, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte dënuar ish-bashkëshortin e saj me 90 ditë burgim dhe 200 euro gjobë për veprën “dhunë në familje” dhe 30 ditë burgim për veprën “sulm”. Dënimi me burgim iu zëvendësua me 1,300 euro gjobë. Dhuna në familje është vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës. Ky Kod, në nenin 248, përcakton se dënimi për këtë vepër është me gjobë dhe me burgim deri në tri vjet.
Morina kishte pasur urdhër mbrotjeje deri në fund të vitit 2020. Sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili ishte në fuqi në kohën e rastit konkret, urdhëri i mbrojtjes lëshohet me vendim gjykate dhe në të parashikohen masat mbrojtëse për viktimën. Masat mbrojtëse sipas ligjit përfshijnë: masa mbrojtëse e trajtimit psikosocial, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës, masa mbrojtëse e ndalimit të shqetësimit viktimës së dhunës në familje dhe masa tjera mbrojtëse. Organ kompetent për ekzekutimin e masave mbrojtëse është Policia e Kosovës.
Pos kësaj, 11 ditë para se ish-bashkëshorti ta vriste Morinën, më 3 mars 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte iniciuar rast penal ndaj tij. Prej datës 4 mars, siç radhit raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi, “Prokurori i Shtetit nuk ka ndërmarr asnjë veprim hetimor apo veprim tjetër për të zbardhur rastin apo masë për t’i ofruar mbrojtjen e nevojshme”.
Në korrik 2021, e bija e Morinës, Velerda Sopi dorëzoi kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për të bërë vlerësim të kushtetueshmërisë së “veprimeve dhe mosveprimeve” të Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e Morinës.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se institucionet e mësipërme kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Sebahate Morinës.
Gjykata Kushtetuese gjeti se institucionet shtetërore nuk kanë reaguar menjëherë dhe nuk kanë bërë një vlerësim të mirëfilltë dhe të menjëhershëm të rrezikut. Përpos mundësisë për vazhdim të urdhërit mbrojtës edhe për një periudhë një-vjeçare, 10 ditë para vrasjes, viktima e kishte tërhequr deklaratën e saj dhënë Stacionit Policor në Graçanicë se ish-bashkëshorti e kishte goditur atë dhe neglizhenca e institucioneve bëri që hetimet të mbyllen. Tërheqja e deklaratës kishte mjaftuar që ndjekja penale ndaj ish-bashkëshortit të mos zbatohet.
Këtu, institucionet kanë shkelur edhe Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur si Konventa e Stambollit, akt ky, i cili është pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës dhe ka epërsi ndaj ligjeve vendore. Sipas këtij akti juridik, hetimet dhe ndjekja penale mund të vazhdojnë edhe nëse viktima e tërheq deklaratën ose ankesën e saj.
Prapë, mësimi nuk u mor.
Në fund të nëntorit të vitit 2022, në oborrin e Qendrës Klinike Universitare, ku kishte shkuar për të lindur, Hamide Magashi u vra nga ish-bashkëshorti i saj.
Më 6 korrik 2022, afër pesë muaj para vrasjes së saj nga ish-bashkëshorti, Magashi e kishte raportuar dhunën psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme.
Ndërkohë, në shtator 2022, pas bastisjes së shtëpisë, ish-bashkëshortit të Magashit, Sokol Halitit i ishin gjetur dy armë. Prokuroria e liroi me procedurë të rregullt dhe ishte dënuar pastaj nga gjykata me vetëm 300 euro gjobë. Kjo edhe pse dënimi për veprën penale të “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” parashihet me gjobë deri në 7,500€ ose me burgim deri në pesë vjet. Rast tipik ku i gjithë zingjiri institucional, duke filluar nga policia, prokuroria e deri te gjykata dështuan t’ia mbrojnë asaj jetën.
Magashi kishte pasur urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore në Ferizaj, të vlefshëm prej shtatorit 2022 deri në mars 2023. Urdhëri i ishte dorëzuar Qendrës për Punë Sociale dhe Stacionit Policor në Lipjan. Ishte dështim fatal i Policisë së Kosovës moszbatimi i këtij urdhëri mbrojtës.
Katër zyrtarë policorë ishin suspenduar nga puna në dhjetor. Komandanti i stacionit policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues, dyshoheshin për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Në maj 2023, zyrtarët policorë u kthyen në punë.
Përpos që sistemi ynë dështoi ta parandalojë kryerjen e këtyre krimeve, të përbashkëtat e dhjetëra rasteve gjyqësore për vrasje të grave në Kosovë janë gjykimte që me vite nuk përfundojnë, rigjykimet e dënimet e ulëta.
Fakti se shifrat e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, tregon se qëllimet e dënimit nuk po arrihen dhe kjo do duhej të ishte e mjaftueshme për shqiptimin e dënimeve meritore. Kjo do duhej të jetë e mjaftueshme edhe për t’u treguar institucioneve se dhuna me bazë gjinore është serioze dhe po aq serioze duhet të jetë përpjekja për ta ndalur atë.
Imazhi i ballinës: K2.0.