Blogbox | Feminizmi

A është feminizmi i pajtueshëm me shqiptarinë?

Nga - 08.03.2020

Ndikimi i traditës kundrejt rrymës së feminizmit.

Ndërsa hulumtoja nëpër internet për botime mbi të drejtat e grave në Kosovë, hasa në një koment të bezdisshëm që s’më hiqej nga mendja. Studiuesja e spikatur feministe, Eli Krasniqi, kujton një citim të dikujt që thoshte se ligjeve që mbrojnë gratë “nuk u vjen era shqip”. 

Kjo më shtyu të mendoj: a është feminizmi i pajtueshëm me konceptin e “shqiptarisë”? Me “shqiptari” nënkuptoj identitetin e përbashkët të shqiptarëve anembanë botës, sistemin e besimit të tipit “feja e shqiptarit  asht’ shqiptaria”.

Nëse jeni shqiptar a shqiptare, atëherë s’kam nevojë ta zgjas më shumë. Nëse jo, kjo është thënie e mirënjohur prej një poezie të botuar në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pra, jemi fort patriotë, nëse s’i keni rënë ende në fije. 

Të drejtat e grave — ose mungesa e tyre — në Kosovë po shqyrtohen sa vjen e më shumë në vitet e fundit, dhe me të drejtë. Rasti i vjetëm i përdhunimit të dyshuar të një nxënëseje në Drenas pushtoi mediat botërore dhe nxori në pah pamjaftueshmërinë dhe dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë për t’i mbrojtur gratë e veta.

Disa nga besimet thelbësore përbrenda identitetit shqiptar kanë burim te thëniet sikur: “Grueja asht shakull per me bajt.”

Zbatimi i dobët i sundimit të ligjit në Kosovë nuk është fare risi, por kam vërejtur një simptomë të një kushtëzimi më të thellë të ndërdijes, një lloj nuance që paraqitet te njerëzit tanë dhe që është mbëltuar në institucionet tona për të lëshuar rrënjë.

Për ta zbërthyer mirëfilli vendin e gruas në shoqërinë shqiptare, duhet ta shikojmë përmes thjerrës historike. Ku më mirë të nisemi sesa prej Kanunit? Kanuni nuk tenton fare ta fshehë pozitën e grave si qytetare të rangut së dytë në jetën e përditshme.

Edhe pse Kanuni s’është më pjesë e sistemit ligjor dhe nuk përdoret për t’i udhëzuar njerëzit në jetën e përditshme, besoj që nuancat e tij vazhdojnë t’i ndikojnë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, si dhe në diasporë. Si, pra, mund të na çudit seksizmi i shfrenuar në shoqërinë shqiptare kur disa nga besimet thelbësore përbrenda identitetit shqiptar kanë burim te thëniet sikur:

“Grueja asht shakull per me bajt”. Kanuni i Lek Dukagjinit, Libri III, Neni 29 

“Nëse gruaja nuk sillet si duhet para burrit, burri ka të drejtë t’ia presë flokët, ta zhveshë, ta dëbojë nga shtëpia para syve të të afërmve të saj dhe ta ndjekë me kamxhik nëpër fshat”. Amnesty International

“Në kushte të caktuara, burri mund ta vrasë gruan pa u ndëshkuar (apo ta lëshojë) për kurvëri ose tradhti ndaj mikut. Për këto vepra “të pabesa”, burri mund ta vrasë gruan pa u ndjekur për gjak, meqenëse prindërit e saj kanë marrë çmimin e gjakut dhe i kanë dhënë atij fishekun e pajës për ta qëlluar, dhe kanë garantuar për sjelljen e saj në ditën e dasmës”. Amnesty International

Gratë po ashtu janë përjashtuar nga gjakmarrjet — jo për shkak të përkujdesjes ndaj tyre, por sepse janë parë si të padenja për vrasjet e nderit.

Përgjatë historisë, gratë shqiptare kanë pasur zë vetëm kur kanë hequr dorë nga të qenit gra. Po flasim për dukurinë e burrneshave (që gjuhësisht zbërthehet si burrë me prapashtesën femërore –eshë).

Duke marrë përsipër pamjen e burrit dhe duke u përbetuar të mbesin të virgjëra, këto gra kanë fituar respektin, vendin në odë, dhe të drejtën e trashëgimisë (sa për informatë, vetëm 1 në 5 gra në Kosovë kanë pronë të tyren). Biologjia, dituria dhe fuqia e burrneshave nuk ka ndryshuar posa kanë vënë plisin në kokë, por statusi në shoqëri po. Krejt për shkak të ndryshimit të gjinisë.

Nuancat shurdhuese të seksizmit i kanë mbytur zërat e shumë grave në Kosovë, gjë që ka çuar te disa vdekje të parandalueshme.

Këto besime ende jehojnë në hapësirën tonë shoqërore. Për një kohë të gjatë, ato janë lënë të pasfiduara dhe kanë gjetur udhë për t’u zgjeruar në institucionet tona kyçe.

Çfarë kishin të përbashkët përdhunuesit e dyshuar në rastin e vajzës nga Drenasi, përpos faktit që qenë përdhunues të dyshuar? Paj, ishin burra me pushtet. Sa janë gjasat që të përdhunohesh fillimisht nga mësuesi, e më pas nga polici te i cili ke raportuar rastin? Duket se janë mjaft të larta, sidomos kur shtyllat kryesore që mbajnë sistemin gjyqësor janë burrat që janë rritur dhe kushtëzuar t’i shohin gratë si inferiore ndaj tyre.

Nuancat shurdhuese të seksizmit i kanë mbytur zërat e shumë grave në Kosovë, gjë që ka çuar te disa vdekje të parandalueshme. Rrjeti i Grave të Kosovës raporton që 68% të grave në Kosovë kanë përjetuar ndonjë lloj të dhunës në familje gjatë jetës.

Zejnepe Berisha u vra nga burri edhe pse kishte shkuar në polici disa herë për ta raportuar sjelljen e dhunshme.

Diana Kastrati kishte bërë kërkesë për urdhër të mbrojtjes emergjente tri javë para se të vritej nga ish-bashkëshorti. Disa javë më pas, Gjykata e Prishtinës ishte e paaftë të ndërmarrë masa kur Diana u vra në pikë të ditës vetëm disa metra larg shtëpisë para syve të bijës. Ish-bashkëshorti i saj është ende në arrati.

Një grua tjetër që thotë se shpesh kishte kërkuar strehë larg burrit të dhunshëm në një stacion të policisë në jug të Kosovës, në fund e kishte vrarë bashkëshortin pasi ai kishte tentuar ta mbyste disa herë. Më parë, ajo e kishte dërguar armën e burrit në polici si dëshmi për dhunën e tij. Me të mbërritur, polici (i cili qëlloi të jetë mik i bashkëshortit) i kishte thënë se po të ishte gruaja e tij, nuk do të kishte pasur mundësi për ta sjellë armën sepse ai do ta kishte vrarë më përpara.

Këto rrëfime hidhëruese janë simptomë e mungesës së mobilitetit shoqëror dhe të mundësive ekonomike të grave në Kosovë. Sipas Agencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2019 vetëm 13.3% e grave në vend kanë qenë të punësuara, në krahasim me 43% të burrave. Në shtetin më të varfër të Evropës, kjo dinamikë ndikon në çekuilibrin e pushtetit në lidhjet intime ku zakonisht burrat janë shtyllat ekonomike.

Kur marrim parasysh edhe elementin e marres në shoqërinë tonë, shumë krime nuk raportohen fare nga frika e tëhuajtjes nga familja ose komuniteti. Veç kësaj, përdhunimi martesor ende nuk shihet qartas si krim në Kosovë. 

Për ta çrrënjosur seksizmin që buron nga “tradita” duhet ta çmontojmë dhe ta sfidojmë kushtëzimin duke e vështruar përnjëmend trajtimin e grave dhe vajzave në vend.

Nuk është qëllimi im ta shpërfill përparimin që ka bërë Kosova në luftën kundër seksizmit — ndiej vetëbesim kur shoh se si gratë shqiptare po e ndryshojnë peizazhin dhe po i sfidojnë pritshmëritë shoqërore rreth asaj se çfarë duhet të jenë. Për herë të parë, Kosova ka një kryekuvendare grua dhe pesë gra udhëheqëse në ministritë kyçe. Qasjet kanë nisur të ndryshojnë, ani se janë dashur gati dy dekada për të nisur kjo bisedë.

Në përvjetorin e dymbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës në shkurt, u shpall që koncepti i monumentit NEWBORN është përqenduar në “viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale anekënd botës”, duke e njohur edhe gjendjen e vështirë të grave që i janë nënshtruar përdhunimit ose shpërdorimit seksual si armë gjatë luftës së Kosovës.

Përballë NEWBORN-it, edhe monumenti “Heroinat” — i ngritur në kujtim të 20,000 viktimave të përdhunimit gjatë luftës — më mbushi me një shpresë të athët kur isha në Prishtinë herën e fundit.

Më tej, pavarësisht ngjarjeve tragjike në Drenas që dhanë shkas vjet për protestën #MeToo në kryeqytet, ishte inkurajuese të shohësh meshkuj që mbajnë pankarta në shenjë solidariteti për viktimat e anashkaluara të dhunës seksuale.

Këto shenja përparimi na japin zemër; sidoqoftë, besoj që ndryshimi i vërtetë nis në një nivel më të detajuar. Nuk duhet ta lejojmë veten të ngazëllohemi për këto suksese dhe t’i kthehemi menjëherë jetës së përditshme. Për ta çrrënjosur seksizmin që buron nga “tradita” duhet ta çmontojmë dhe ta sfidojmë kushtëzimin duke e vështruar përnjëmend trajtimin e grave dhe vajzave në vend.

Shikoni se si analizohen gratë në media — çfarë veshin, çfarë statusi martesor kanë dhe, mbi të gjitha, si duken. Shikoni mënyrën se si shqyrtohen me imtësi jetët e tyre, dhe se si përhapen thashethemet për “imoralitetin” e tyre nga burrat e pasigurt që mendojnë se gjëja më e keqe që mund ta bëjë një grua është të bëjë seks sipas dëshirës. Vëreni se si gratë në gazetari shpeshherë stereotipizohen dhe pritet të jenë prezantuese me “fytyrë të bukur”. Vëreni arrogancën e një burri të famshëm të rangut më të ulët që shfaq përplot krenari seksizmin e tij në televizionin publik, sepse është i sigurt që urrejtja e tij ndaj grave do të gjejë mbështetje.

Këto besime formohen në fëmijëri të hershme dhe adoleshencë. Nuk jam e sigurt se sa ka ndryshuar sistemi arsimor prej kohës kur vijoja mësimin në Prishtinë, por më kujtohet kur në orën e edukatës qytetare, arsimtarja e kaloi shpejt e shpejt pjesën për seksin. Ajo na u drejtua vetëm neve vajzave duke na thënë se “aktivitetet seksuale nuk janë të këshillueshme për ju, së paku derisa të fejoheni”.

“E, me kë pra ta bëjmë ne?” pyeti një djalë në klasë.

“Me njëri-tjetrin!” bërtiti një tjetër, gjë që shkaktoi shpërthime të qeshurash dhe përfundim të parakohshëm të mësimit prej arsimtares së turpëruar.

Kur mendoj tash, edhe pse ishte çast qesharak, është po ashtu pjesë e narrativës dhe derseve me të cilat ua mësojmë marren vajzave prej moshës së re.

Është e rrezikshme të lidhet identiteti ynë shqiptar, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme ose të çlirët, me praktikat e vjetruara të shumë shekujve më parë.

Më përpara i turpërojmë vajzat sesa profesorët që i ngacmojnë nxënëset e studentet pa pengesa. Përveç seksualizimit të vajzave te mitura nga ana e profesorëve të ndytë, fjala “kurvë” gjithashtu është përdorur pa masë kur isha në shkollë.

Shokët e klasës bënin videokolazhe të “kurvave” të dyshuara dhe i shpërndanin me njëri-tjetrin. Në atë kohë s’e kam vënë në pyetje këtë sjellje sepse nuk kam qenë në mesin e atyre vajzave në video.

Duke u pjekur kam kuptuar se si mësohemi që ekziston vetëm një dikotomi për gratë — ato që shihen si “të pastra” ose “çika të shpisë”, dhe ato që shihen si “kurva”. Arsyet për t’u quajtur kurvë përfshijnë veshjen e çorapeve që shkojnë te gjuri (këtë e mësova kur isha 14 vjeçe) dhe seksin (pavarësisht se a është me pajtim a jo). Siç shihet, ka shumë nuanca në këtë fushë.

Është e qartë që përgjatë shekujve, ligjet e Kanunit kanë gjetur mënyrën për t’i ngjyruar shumë aspekte të jetës sonë të sotme. Dhe, siç shihet prej lajmeve të përmendura më lart, është e rrezikshme të lidhet identiteti ynë shqiptar, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme ose të çlirët, me praktikat e vjetruara të shumë shekujve më parë. Kapja për nocionin e supozuar të domethënies së “shqiptarisë” autentike dhe pagatishmëria për ta sfiduar sjelljen tonë shkakton amulli të zhvillimit si shoqëri..

Pavarësisht realitetit të rëndë të grave në Kosovë, është e qartë që po bëhet punë për t’i rrënuar barrierat që gratë s’kanë mundësi tjetër veç t’i tejkalojnë. Ndryshimet në nivelin e lartë janë të mirëseardhura dhe është dashur të ndodhin moti, por ndryshimin e vërtetë e nisim ne. E nisim me qortimin e shokëve kur e thonë fjalën “kurvë” vend e pa vend. E nisim kur i pyesim nënat përse vetëm vajzat duhet ta fshijnë tryezën, e jo djemtë. E nisim kur pyesim veten përse e gjykojmë një grua të shkurorëzuar pa e njohur fare.

Ndoshta është më mirë ta pyesim veten se a është kuptimi ynë i shqiptarisë — çfarë do të thotë të jesh shqiptar në vitin 2020 — i pajtueshëm me feminizmin?

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.