Afrimi*, një burrë rreth moshës 50 vjeçe, po endej nga njëra dhomë e Klinikës së Emergjencës në tjetrën. Herë ndalonte e bisedonte me ndonjë mjek që kalonte pranë, e herë kapte telefonin duke u përpjekur ta kontaktonte dikë.
Para rreth dy orësh, ai e kishte sjellë me urgjencë nënën e tij 83 vjeçare. Ajo kishte kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe plogështi, të cilat ia pamundësonin qëndrimin në këmbë. Vlera e saturimit të oksigjenit — që te njerëzit e shëndoshë është mes 95 dhe 100 për qind — në ekran shënonte 32.
Dyshimet ishin se ajo ishte infektuar me virusin SARS-CoV-19, i cili shkakton sëmundjen COVID-19.
Klikoni këtu për të lexuar fakte rreth virusit dhe mënyrave se si të mbrohemi.
Klinika e Emergjencës është porta kryesore prej nga hyjnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pacientët që kanë nevojë për trajtim urgjent. Pas diagnostikimit dhe trajtimit akut, kjo klinikë i drejton rastet për trajtim afatgjatë në klinikat e tjera të QKUK-së.
Por, për shkak të rritjes së vrullshme të rasteve me COVID-19, është rritur edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në QKUK, gjë që po e bën të vështirë sistemimin e pacientëve nga Klinika Emergjente në klinikat që tash njihen si “Covid”.
“Mjekët po thonë që nuk ka vende të lira”, tregon Afrimi me shqetësim. “Jam tu kërku me të njofshëm me ia gjetë një vend në Klinikën e Pulmologjisë”.
“Shpershherë jemi të detyruar të presim me orë të tëra deri në sigurimin e vendeve nëpër klinkat gjegjëse."
Basri Lenjani, Shërbimi Emergjent, QKUK
Nëna e Afrimit qëndroi në Emergjencë gati tërë ditën. Dikur në mbrëmje, ajo u shtri në Klinikën e Pulmologjisë.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK Basri Lenjani thotë se pacientët që vijnë në këtë klinikë qëndrojnë rëndom prej katër deri në gjashtë orë; por, ai shton se së fundi është bërë i vështirë sigurimi i vendeve në klinikat ku po trajtohen pacientët me COVID-19.
“Shpeshherë jemi të detyruar të presim me orë të tëra deri në sigurimin e vendeve nëpër klinkat gjegjëse sipas natyrës së problemeve. Ky problem është sidomos në kohën e fundit për rastet e dyshuara apo konfirmuara me COVID-19, për shkak të vendeve të limituara”, thotë Lenjani.
Sipas ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) Valbon Krasniqi, në QKUK dhe në spitalet rajonale janë rreth 700 shtretër në dispozicion për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Mbi 600 prej tyre, sipas tij, janë aktualisht të zënë me pacientë.
Ndërkohë ky numër po vazhdon të rritet. Deri të hënën (më 10 gusht) numri i shtretërve të zënë me pacienë të dyshuar apo konfirmuar me COVID-19 ishte 654.
Rritja dramatike e rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19
Lakorja e rasteve të konfirmuara me COVID-19 dhe e vdekjeve nga kjo sëmundje ka marrë pamje dramatike.
Numri i rasteve të reja të konfirmuara po e kalon numrin 200 brenda ditës, ndërsa vdekjet nga ky virus janë rëndom dyshifrore.
Rritje e ashpër e rasteve ka ndodhur që prej muajit qershor, kohë e cila përkon me relaksimin e masave parandaluese dhe ndryshimet në pushtetin qendror.
Masat që kishin për qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19 filluan gradualisht të largohen nga qeveria e kaluar në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti. Disa sektorë të biznesit u hapën, orari i lëvizjes së qytetarëve u zgjat, rifilloi mbajtja e ceremonive fetare, ndërsa qendrat e karantinimit u mbyllën. Që nga 1 qershori u hapën edhe kufijtë, teksa zyrtarët qeveritarë vazhduan të bënin thirrje për respektimin e masave mbrojtese si distanca fizike, mbajtja e maskës dhe higjienës personale.
Masat vazhduan të hiqeshin edhe pas krijimit të qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti. Një nga vendimet e para të Qeverisë Hoti ishte largimi i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, i cili atëherë ishte prej orës 21:00 deri në orën 05:00. Në atë kohë kishte rreth 1,100 raste me koronavirus ndërsa ishin shënuar 30 vdekje.
Sot, dy muaj më vonë, mbështetur në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), numri i rasteve pozitive është rreth 10,500. Nga ky numër, mbi 4 mijë raste janë aktive. Ky numër mendohet të jetë edhe më i lartë, pasi që numri i testimeve ka mbetur i njëjtë — rreth 400 çdo ditë.
Ndërkaq, deri në publikimin e këtij artikulli, 354 persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri.
Arsyeja e kësaj rritjeje, sipas Minsitrit aktual të Shëndetësisë Armend Zemaj, është balancimi mes shëndetit publik dhe “shëndetit ekonomik dhe mental”.
“Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me COVID-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje”, ka thënë Ministri Zemaj në një konferencë para disa ditëve.
“Është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur e ke ekonominë në hapje. Por, kemi qenë të vendosur që ta ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, spitalet po mbushen me pacientë. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të SHSKUK-së Krasniqi thotë se ka një fluks të madh të pacientëve që vijnë me forma të rënda të sëmundjes dhe të cilët kërkojnë shtrim në spital.
“Kjo po e vë sistemin tonë para një presioni të madh për të rritur kapacitetet e shtretërve, dhe krahas rritjes së kapaciteteve të shtretërve, pastaj përcillet me një numër të madh të personelit shëndetësor që duhet të angazhohet për t’i trajtuar këta pacientë”, thotë ai.
Krasniqi tregon se janë duke punuar edhe në krijimin e një spitali të përkohshëm, i cili do të shërbente vetëm për pacientët me COVID-19. Ky spital i përkohshëm — që do t’i ketë afërsisht 500 shtretër — pritet të funksionalizohet brenda dy muajve.
Kryeministri Hoti ka thënë se qeveria po ashtu është duke e shqyrtuar edhe përshtatjen e spitalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Presioni në kapacitetet rajonale
Tash për tash, pacientët me COVID-19 po trajtohen në katër klinika të QKUK-së dhe në gjashtë spitale rajonale. Në QKUK, pacientët po trajtohen në Klinikën Infektive, në Klinikën e Pulmologjisë, në Klinikën e Neurologjisë, në Klinikën e Mjekimit Intensiv, si dhe në njërin repart të Klinikës së Gjinekologjisë, i cili së fundi është vënë në dispozicion për këta pacientë.
Pacientët po ashtu po trajtohen edhe në spitalet rajonale të Pejës, të Prizrenit, të Gjakovës, të Gjilanit, të Ferizajt, dhe të Vushtrrisë.
Drejtorët e shumë prej këtyre spitaleve që janë kontaktuar nga K2.0 thonë se mungesa e stafit është një nga sfidat kryesore të tyre.
Drejtori i Spitalit të Vushtrrisë Mursel Pllana thotë se ata janë duke u ballafaquar me një mungesë të theksuar të infermierëve në veçanti. Problem tjetër që përmend ai është edhe mosha e vjetruar e personelit mjekësor, shumë prej të cilëve kanë edhe vetë probleme shëndetësore.
Që prej muajit korrik, Spitali i Vushtrrisë është përshtatur për trajtimin vetëm të pacientëve me COVID-19. Veç Shërbimi Emergjent është në dispozicion për pacientë të tjerë, por sipas Pllanës, ky shërbim është vetëm për “emërgjencat ekstreme” si problemet akute koronare, të cilat kërkojnë intervenim të menjëhershëm. Pacientët e tjerë po dërgohen në Spitalin e Mitrovicës, i cili është rreth 15 kilometra larg.
“Ne jemi në një situatë emergjente. Ne i kemi ndaluar të gjitha shërbimet të cilat nuk kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme."
Muhamet Halitaj, Spitali i Pejës
Spitalet tjera ndërkaq i kanë reduktuar shërbimet për problemet që nuk lidhen me COVID-19.
Drejtori mjekësor i Spitalit të Pejës Muhamet Halitaj thotë se pacientët me COVID-19 fillimisht u sistemuan në dy repartet e hospitalit: repartin e Infektivës dhe Pulmologjisë. Por, pasi që këto dy reparte u mbushën, ata u detyruan ta përshtatin edhe repartin e Psikiatrisë. Si pasojë e kësaj, rastet e tjerë të cilat nuk janë urgjente nuk po trajtohen fare.
“Ne jemi në një situatë emergjente” thotë Halitaj. “Ne i kemi ndaluar të gjitha shërbimet të cilat nuk kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Për shkak se rastet me COVID-19 janë më të rënda, ne gradualisht po orientohemi krejtësisht vetëm në trajtimin e këtyre pacientëve”.
Situata është e ngjashme edhe në Spitalin e Prizrenit. Drejtori Afrim Avdaj i ka thënë K2.0 se vetëm një nga tri godinat e spitalit po përdoret për shërbime të tjera, ndërsa dy të tjerat janë vënë tërësisht në dispozicion të pacientëve me COVID-19.
Përshtatja e klinikave për COVID-19
Nga jashtë, pamja e Klinikës së Pulmologjisë duket krejt e zakontë. Pacientët dhe familjarët e tyre hyjnë e dalin lirshëm; shumica prej tyre pa ndonjë pajisje mbrojtëse përveç maskës.
Por gjithçka ndryshon kur hyn brenda. Në korridore ka tollovi e zhurmë. Mjekët dhe infermierët vrapojnë nga njëra dhomë në tjetrën. Zhurma e dhjetra aparateve të oksigjenit i turbullon bisedat mes tyre.
Para se të kthehej në klinikë “Covid”, Klinika e Pulmologjisë kishte kapacitet prej rreth 70 shtretërve. Tani, në të janë shtrirë mbi 100 pacientë.
Dhomat në tri katet e kësaj klinike janë të mbushura plot me pacientë. Në kushtet normale, një dhomë e Klinikës së Pulmologjisë i zë tre persona. Tani, në secilën prej këtyre dhomave — afërsisht 15 metra katrorë të mëdha — pothuajse ngjitur me njëri-tjetrin janë të shtrirë nga katër pacientë.
Ganiu*, 54 vjeç, është i shtrirë në njërën nga këto dhoma. Ai ka një javë që është në këtë klinikë dhe tani thotë se ndihet pak më mirë. Ganiu nuk e di saktësisht se si është infektuar me virusin SARS-CoV-2. Ai thotë se fillimisht kishte pasur plogështi, e më pas edhe vështirësi në frymëmarrje. Tri ditë pas shfaqjes së simptomave ai ishte sjellë me ambulancë në QKUK.
Ai ka vetëm një ankesë. Thotë se qëndrimi këtu i është bërë i mërzitshëm. Prej kur është shtrirë, thotë se nuk ka dalë nga dhoma, pasi që nuk mund të qëndrojë as edhe një minutë pa oksigjen. “Deri qaty me shku rrzohna”, thotë ai teksa bën me dorë nga dera.
“Qështu tan’ ditën. Herë ratë, herë ulun”.
Ganiu nuk ka vërejtje për stafin mjekësor. Bile thotë sa ata po kujdesen mirë për të.
“Punojmë me ndërrime të gjata. Sot e kam nisë punën në orën 7 në mëngjes dhe e përfundoj në orën 8 mbasdite."
Infermier, Klinika e Pulmologjisë, QKUK
Në mungesë të vaksinës dhe medikamenteve të efektshme që trajtojnë COVID-19, trajtimi aktual i stafit mjekësor përqendrohet kryesisht në lehtësimin e simptomave. Terapia zakonisht përfshin ilaçet kundër dhimbjes,ilaçet kundër kollës, si dhe trajtimin me oksigjen për pacientët që kanë vështirësi me frymëmarrje.
Teksa Ganiu tregon përshtypjet e tij, në dhomë vjen infermieri me një bocë të madhe oksigjeni. “Është punë goxha e lodhshme”, thotë infermieri i ri teksa merr frymë prej lodhjes nga tërheqja e bocës. “Punojmë me ndërrime të gjata. Sot e kam nisë punën në orën 7 në mëngjes dhe e përfundoj në orën 8 mbasdite. Nesër e kam mbasdite, filloj prej [orës] 8 dhe mbaroj pastaj në orën 7 në mëngjes”.
Ai shërben në repartin D të katit të dytë të Pulmologjisë, dhe u ofron ndihmë rreth 12 pacientëve. Thotë se reparti ku ai shërben nuk ka as edhe një shtrat të lirë dhe se ngjashëm është edhe në repartet tjera.
Përveç lodhjes fizike e mendore, shqetësim për të është edhe rreziku nga infektimi. Ai tregon se njeh shumë kolegë të tij në Klinikën e Pulmologjisë që janë infektuar.
Ruajtja e stafit shëndetësor është sfidë për të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, deri më tani mbi 750 punëtorë shëndetësorë janë infektuar me COVID-19. Numri më i madh prej tyre, rreth 430 sosh, janë infermierë.
Infektimi i punonjësve shëndetësorë, sipas Hotit, është sfidë shtesë, e cila po e vështirëson betejën me koronavirusin, fundi i të cilës nuk po duket në horizont.
Rruga e gjatë deri te vaksina
Aktualisht janë më shumë se 20 milionë të infektuar me virusin Sars-Cov-2 në gjithë botën. Mbi 700 mijë kanë vdekur. Shpresë për vënien nën kontroll të pandemisë mbetet vaksina.
Vaksinat zakonisht marrin disa vite hulumtim dhe testim derisa të miratohen për shpërndarje në masë. Por, për shkak të shkallës së përhapjes së pandemisë, shkenctarët janë duke punuar në prodhimin e vaksinës efikase dhe të sigurt për një periudhë rekorde prej 12 deri në 18 muaj nga shfaqja e virusit.
Hapat deri te vaksina
Janë gjithsej tri faza të testimit klinik të vaksinave.
Në fazën e parë, vaksina testohet në një grup të vogël njerëzish, për të parë nëse stimulon sistemin imunitar dhe nëse ka efekte anësore.
Në fazën e dytë, vaksina testohet në disa qindra njerëz, duke përfshirë grupe të ndryshme si fëmijë dhe pleq, për të parë efektin në këto grupe.
Nëse edhe kjo fazë kalohet suksesshëm, atëherë testimi kalon në fazën e fundit, në të cilën ajo shpërndahet në disa mijëra persona. Në këtë fazë përcaktohet nëse vaksina ka efekte anësore serioze, dhe nëse njëmend mbron nga virusit.
Në SHBA për shembull, kriter i Administratës për Ushqim dhe Barna për miratimin e vaksinës, është që ajo të mbrojë të paktën 50% të të vaksinuarve.
Në regjistrin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë rreth 165 grupe shkencëtarësh të cilët po punojnë në zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit të ri. Vetëm shtatë prej tyre kanë mbërritur në fazën e fundit të testimit klinik.
Vaksina më premtuese deri më tani duket të jetë ajo e zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar nga shkenctarët e Universitetit të Oxford-it në bashkëpunim me kompaninë farmaceutike AstraZeneka. Rezultatet e fazës së dytë të testimit sugjerojnë se vaksina është relativisht e sigurt, pa ndonjë efekt anësor serioz. Ndërkaq, antitrupat që e luftojnë virusin SARS-CoV-2, sipas studimit, janë aktivizuar te mbi 90 për qind e pjesëmarrësve në studim, gjë që u jep shpresë shkenctarëve se vaksina mund të jetë e efektshme.
Nëse kjo apo një tjetër vaksinë del të jetë e suksesshme edhe pas fazës së tretë, atëherë shpërndarja në masë mund të pritet të ndodh në fillim të vitit 2021.
Megjithatë, vaksina e vetme mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i dhënë fund pandemisë. Kjo ndodh për disa arsye.
Së pari, ende nuk dihet se sa e efektshme do te jetë ajo; ekspertët sugjerojnë se në mënyrë që të krijohet ‘imuniteti i tufës’, vaksina duhet të ketë efektshmëri relativisht të lartë prej së paku 70 për qind.
Vaksina poashtu mund të mos ketë efekt te personat e moshuar, të cilët janë më të rrezikuarit nga format e rënda të sëmundjes apo nga vdekja si pasojë e saj.
Po aq e rëndësishme është edhe jetëgjatësia e reagimit imunitar të nxitur nga vaksina. Disa studime fillestare tregojnë se antitrupat te njerëzit që kanë qenë të infektuar me SARS-CoV-2, janë prezentë vetëm disa muaj pas infektimit. Nëse ndodh ashtu edhe me vaksinën, atëherë gjasat për të krijuar imunitet masiv ndaj virusit janë të vogla.
Së këndejmi, ende mbeten shumë çështje të panjohura.
Por çfarë dimë është se, për ta shpëtuar nga kolapsi sistemin e brishtë shëndetësor të Kosovës, ne duhet t’u qëndrojmë besnikë edhe për një kohë masave parandaluese: mbajtjes së maskës, distancimit fizik, dhe higjienës personale. Tani për tani, këto mbeten mjetet e vetme për mbrojtje ndaj koronavirusit.K
*Shënim i redaksisë: Emrat e pacientëve dhe familjarëve të tyre janë pseudonime që janë përdorur për ta mbrojtur identitetin e individëve me kërkesën e tyre.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.