Ke shumë dobi kur lindesh e rritesh në një shtet që nuk është i prindërve të tu.
E ke fatin të rritesh si person që i njeh dy gjuhë. E flet një gjuhë në shtëpi dhe një tjetër sapo të dalësh në rrugë. Kur di t’i menaxhosh dy gjuhë nga një moshë e re, është sikur t’i kesh dy palë sy. Të lejon t’i shohësh gjërat më mirë, më gjerë e më thellë. Rritesh duke i vështruar dhe duke prekur dy kultura të ndryshme, dy mynyra të jetesës, të sjelljes, të ngrënies, të festimit, dy mënyra për ta parë botën, që teorikisht s’kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën.
Por, pastaj zbulon se ka pikëtakime. Shikon në pasqyrë dhe kupton që je njëri prej tyre. Je në dy shtetet, i përfaqëson në mënyrën më të mirë dhe mund të jesh krenar që je ndryshe nga masat.
Për ta thënë shkurt: Ne jemi të përkryer dhe ata janë djalli të cilit duhet t’i qëndrojmë larg.
Mirë është të rritesh kështu, por nuk është krejt lajle lule. Ka edhe aspekte negative, dhe sot dua të flas për atë që e konsideroj më të keqin. (Një shkrim nga Eliza Adriani e trajtoi këtë temë, por nga pikëpamja e gruas.)
Ne, fëmijët e shqiptarëve të Kosovës, rritemi me një presion që na imponohet nga familjet tona, nga të afërmit, si dhe nga kultura shqiptare: personi me të cilin vendosim të martohemi, duhet të jetë shqiptar. Nuk ka kompromis.
Nëse ke një partner të një kombësie tjetër, dhe prandaj me shumë gjasë prej një rajoni tjetër, e njollos nderin e familjes. Posaçërisht nëse je si unë, pra je rritur në shtet të huaj, llogaritet që ke shkatërruar vite të sakrificave që i kanë bërë prindërit e tu. Dhe askush nuk e di sa të vështirë e patën që ta linin shtëpinë e tyre, të shkonin jashtë vendit dhe të jetonin pjesën më të madhe të jetës në një shtet të huaj, për ta siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.
Ne u rritëm duke dëgjuar që nga një moshë e re se më mirë është ta kesh një burrë ose grua shqiptare. Se ata, që i përziejnë këto gjëra, jetojnë pa lumturi. Kemi dëgjuar përshkrime për evropianët si njerëz që martohen ekskluzivisht për interesa që lidhen me paranë. Ata ndahen, e ne jo. Burrat e tyre kanë të dashura, tanët nuk kanë. Gratë e tyre shkojnë me të gjithë, tonat jo.
Për ta thënë shkurt: Ne jemi të përkryer dhe ata janë djalli, të cilit duhet t’i qëndrojmë larg.
Jam rritur duke i besuar këto fjalë verbërisht. Unë isha i vogël, Kosova ishte vendi im i preferuar dhe ëndërroja të shkoja e të jetoja atje. I besoja fjalët e të afërmve të mi. Edhe ju do t’i kishit besuar.
Por pastaj u rrita. E arrita një moshë në të cilën një djalë fillon t’i shohë pjesëtarët e seksit tjetër me interesim dhe kënaqësi, dhe e zbulon magjinë e dashurisë. U ndala, dhe i thashë vetes që nuk mundem.
U rrita në Itali, dhe më se 90% e vajzave që i shihja çdo ditë ishin italiane. Nuk duhej të dashurohesha në to.
Nuk e lashë veten të mposhtesha nga ajo gjendje, sepse çdo verë kthehesha në Kosovë. Gjithmonë rrija nga një deri në tre muaj. Boll kohë për t’u dashuruar me një vajzë të bukur shqiptare. “Do ta gjej gruan në Kosovë”, ia përsërisja vetes ndërsa i shihja miqtë e mi italianë duke i nisur lidhjet e tyre të para pa probleme.
Por pastaj ndodhi diçka e madhe, diçka që nuk mund ta kontrollosh, dhe nuk e kontrollon dot. Goditja e rrufesë, rënia në dashuri papritmas. Ajo që të rrëzon përtokë, që të bën të ulesh nëpër banka deri në pesë të mëngjesit, vetëm për të mbetur në përqafim të saj.
Por, kishte një problem: ajo nuk ishte shqiptare – por ishte sikur e kisha harruar.
Nuk është e zakonshme tek shqiptarët që babë e bir të flasin për këto tema.
Periudha fillestare vajti ashtu, pa rrezik. Isha dashuruar. S’kisha asgjë tjetër në mendje përpos saj. Por pastaj rrëfimi u bë edhe më i mirë, ishte më shumë sesa kënaqësi e kalim kohe së bashku.
Dhe kështu erdhi dita kur m’u desh t’i tregoja nënës. Vetëm për shkak se s’kisha më ku t’i fshihja dhuratat që i pranoja, dhe sepse disi më vinte turp kur e bëja këtë.
S’kishte asgjë për të fshehur: e kisha njohur një vajzë, më pëlqente, isha dashuruar në të dhe ndihesha si djali më i lumtur në botë. S’kisha vrarë njeri, nuk po merrja drogë, nuk po ngelja në mësime. Pse do të turpërohesha?
Një mbrëmje vonë erdha në shtëpi me dhuratat që m’i kishte dhënë. Duhej ta nxisja nënën që ta niste bisedën, dhe kështu ndodhi. Më pyeti se kujt i përkasin ato sende. I thashë se një vajzë m’i kishte dhënë. Pastaj, me qetësi i shpjegova se kishim dy muaj që po shoqëroheshim, se më pëlqente dhe se nuk ishte shqiptare.
Ajo e mori mjaft mirë. Në fakt, dukej e lumtur për mua. Çdo ditë më pyeste plot interesim se si po më shkonte me të. Nuk mund ta besoja – po i thyeja rregullat e pashkruara të kulturës sime, dhe nuk kisha kurrfarë problemi.
Pastaj ndodhi pjesa më e mirë dhe më e pabesueshme. I tregova babait. Nuk është e zakonshme tek shqiptarët që babë e bir të flasin për këto tema. E kuptova në moshën 18 vjeçare që kurrë nuk e kisha çelur këtë temë me babain.
Ai reagoi edhe më mirë se nëna. Ia pashë lumturinë në sy – madje më tha ta ftoja në shtëpi. S’mund ta besoja. Si ishte e mundur?! E dashura ime erdhi nja dy herë, u njoh me nënën time, dhe dukej që gjërat po ecnin mirë.
Pastaj tregimi përfundoi dhe kapitulli u mbyll. Kjo përvojë, teorikisht, duhej të m’i kishte mënjanuar të gjitha dyshimet a ngurrimet që e kisha në mendje lidhur me këtë temë. Në fakt, pas këtij tregimi, e kundërta ndodhi.
Rregullisht, gjatë dy verave të fundit, martoheshin një a më shumë kushërinj të mitë. Prindërit më kanë treguar sa të bukura ishin martesat e tyre, sa të bukura nuset, dhe pastaj gjithmonë e përfundonin fjalimin në të njejtën mënyrë: “E kanë hjekë nji gajle”. Sepse kjo është martesa në kulturën tonë, me heqë një gajle nga rrugëtimi i jetës. Sikur të ishte një pengesë, që sa më shpejt ta tejkalosh, aq më mirë.
Në Kosovë, martesa shihet ndryshe, nuk ekziston koncepti që ta marrësh shtruar para se ta marrësh një vendim të tillë; përkundrazi, të bëjnë presion të nxitosh e ta kryesh.
Vazhdimisht dëgjoj se njerëz që njoh po martohen brenda vitit pasi njihen me dikë, dhe menjëherë pas një viti kanë fëmijë. Si e njeh dikë aq mirë për t’u martuar brenda vitit? Si e sjell në jetë një qenie të re pas një marrëdhënieje kaq të shkurtër?
Por ata prapëseprapë shihen si “më mirë” nga shoqëria. Unë, që jam i pamartuar në moshën 26 vjeçare, që ndjek një program masters në gjuhë të huaj dhe flas katër gjuhë, shihem si “më keq”. Sepse një mashkull që në moshën 25 vjeçare është i martuar, punon dhe ka fëmijë – idealisht një djalë – është tipi ideal i një burri shqiptar, me të cilin mund të krenohemi.
Ende më kujtohet kur në Itali, si fëmijë, në rrugën ku jetoja, e pashë një baner të varur në murin e shtëpisë përballë tonës. Ishte një mesazh i mirë që e kishin përgatitur miqtë e dhëndrrit. Kishin shkruar diçka si “Sot, ti do t’i marrësh vendimin më të rëndësishëm të jetës tënde – por nëse ke dyshime, ende ke kohë për t’u zmbrapsur!”
Baneri ma trazoi ekzistencën. Në Kosovë, martesa shihet ndryshe, nuk ekziston koncepti që ta marrësh shtruar para se ta marrësh një vendim të tillë; përkundrazi, të bëjnë presion të nxitosh e ta kryesh. Në Itali, kur njerëzit flisnin për martesën, dëgjoja fraza si “Merre shtruar, është hap i rëndësishëm, duhet ta mendosh 1,000 herë”. Këtë kurrë nuk e kam dëgjuar prej popullit tim.
Duke u rritur, fillova të përqendrohesh në dallimet ndërmjet Italisë dhe Kosovës sa i përket kuptimit të jetës, posaçërisht kësaj teme. Është një frazë që gjithmonë përdoret nga populli shqiptar dhe të cilën e dëgjoj ende ndonjëherë. Kur martohet një djalë, prindërit dhe të afërmit thonë “E martuam”. Kjo nuk ka kuptim konceptualisht. Njeriu vendos të martohet dhe e bën. Nuk janë që tjerët që vendosin për ty.
Doja ta kuptoja këtë mënyrë të përkufizimit të gjërave, prandaj vendosa ta lexoja Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në këtë tekst, me gjasë e gjeta përgjigjen. Në një nga nenet, thotë se të gjithë merren me martesën përveç çiftit. Prandaj ka kuptim të thuash “e martuam”. Sepse në atë kohë, të gjitha vendimet ishin në duart e dy familjeve në fjalë. Çifti nuk merrej me asgjë. Ndonjëherë as nuk e zgjidhnin, as nuk e pëlqenin njëri-tjetrin.
E kuptova gjithashtu që të gjitha stereotipet me të cilat përshkruhen evropianët vlejnë edhe për ne.
Koha ka ndryshuar dhe nuk dëgjon më për raste të tilla – të paktën, shpresoj që jo! Por një farë e atij mentaliteti ka mbetur. Presioni i ushtruar nga familja dhe të afërmit të kushtëzon dhe të shtyn ta marrësh një vendim të tillë.
Ajo që ka mbetur e përhapur është ideja e “dhënies” ose “marrjes” së vajzës. Seksi femëror ende shihet si objekt. Edhe sot vajzave ende u thonë familjet se është mirë për to që të mësohen t’i kryejnë punët e shtëpisë, sepse kur të shkojnë te burri, nuk do të dalin keq. Punë si pastrimi i shtëpisë, përgatitja e ushqimit, shërbimi i çajit, e kështu me radhë.
Ende është e pranishme ideja se gruaja është objekt i burrit. Një send që babai vendos për ta dhënë apo për të mos e dhënë. Kjo bën që plot të martohen pasi janë njohur për një kohë të shkurtër, sepse shpesh babai i vajzës del dhe i thotë djalit të vendosë – “a po martoheni, a po ndaleni?” – sepse vajza e tij nuk është lodër.
Duke u rritur, e kuptova edhe se të gjitha stereotipet me të cilat përshkruhen evropianët vlejnë edhe për ne. Njerëzit filluan të ndahen, fatmirësisht. E them këtë sepse e paramendoj jetën e një gruaje, të dhënë për martesë ose edhe të martuar me dëshirë, të mbyllur në shtëpi nga një burrë stereotipik shqiptar, i cili nuk e lë të dalë e të performojë aktivitete normale sociale. E paramendoj këtë grua duke gjetur guximin – falë një shoqërie më të hapur – për ta lënë shtëpinë dhe për t’iu kthyer lirisë.
Koncepti i divorcit pothuajse nuk ekzistonte për ne, sepse gratë nuk guxonin t’i linin burrat me të cilët ishin martuar. Por e zbulova se edhe bashkatdhetarët tanë kanë të dashura, që edhe ata martohen për përfitime personale. Shkurt, që nuk jemi më të mirë se të tjerët. Nuk jemi të përkryer dhe “të tjerët” nuk janë dreqi.
Jam i vetëdijshëm se po ta merrja një vajzë shqiptare, do të ishte gjithçka për mrekulli.
Përveçse kam qenë me fat që jam rritur në një shtet të zhvilluar si Italia, që kisha mundësinë të studioja dhe nuk e përjetova luftën, kam qenë me shumë fat që i kam dy prindër të cilët kurrë nuk më kanë detyruar të ndjej presion të tillë. Por, e ndjej sidoqoftë, sepse ky shqetësim është lindur në kokën time para shumë kohësh.
Nëse martohem me një vajzë që nuk është shqiptare, si do të shihen prindërit e mi? Si do të shihem unë? Kush mund të më vijë në shtëpi si mysafir, nëse gruaja ime nuk flet shqip? A do të udhëtojë ajo ndonjëherë për në Kosovë? Si do t’i quajmë fëmijët tanë? A do të flasin fëmijët tanë shqip?
Nga populli ynë, të gjitha këto konsiderohen si më të rëndësishme sesa lumturia e një personi. Dhe nëse nuk të bëhet vonë, si mua, presioni vazhdon ta luajë rolin e vet në mendjen tënde.
Me kohë, mendoj se si mund ta përballoj këtë presion, por ende nuk kam gjetur përgjigje. Jam i vetëdijshëm se po ta merrja një vajzë shqiptare, do të ishte gjithçka për mrekulli. Prindërit do të mund të flenin të qetë dhe unë do të shihesha me sy të mirë nga të afërmit. Ndërsa po të mos jetë shqiptare, prindërit e mi do ta pranojnë zgjedhjen time, por e di që nuk do të kishin qenë asnjëherë 100% të lumtur, që jeta ime e përditshme me të afërmit e mi do të ishte e vështirë dhe që me gjasë do të përfundoja i tallur dhe i izoluar nga familja.
Prandaj një natë vere, fjeta në aeroportin e Shtutgartit për ta zënë një aeroplan në 6 të mëngjesit dhe udhëtova mbi 1,000 kilometra vetëm për ta njohur një vajzë. Pse e bëra këtë? Sepse më pëlqente dhe posaçërisht sepse ishte shqiptare. Po të kishte qenë e ndonjë kombësie tjetër, sigurisht se nuk do ta bëja.
Sidoqoftë, nuk na eci.
Por për çdo ditë vazhdoj ta pyes veten, nëse nesër e njoh një vajzë, a do të dashurohem për shkak se më pëlqen, apo do ta lejoj veten të kushtëzohem nga fakti se është shqiptare?
Imazhi: Arrita Katona / K2.0.