Biseda | Kulturë

Ann Christine Eek: Libri për Isniqin është vepra ime më e rëndësishme

Nga - 07.03.2022

Fotografja suedeze flet për Kosovën e viteve të ‘70-ta, jetën e fshatit dhe librin e saj të ri.

Në verën e vitit 1975, në qytetin bregdetar të Durrësit në Shqipëri, u takuan dy gra skandinave, të cilat ishin në fund të të njëzetave. Ann Christine Eek, fotografe suedeze dhe Berit Backer, antropologe norvegjeze, nuk ishin njohur më parë. Të shtyra nga interesat e përbashkëta, ato vendosën që bashkë ta nisin një projekt hulumutes: një libër fotografik që do ta dokumentonte jetën e përditshme në Isniq.

Backer veç e kishte filluar punën etnografike në terren në Isniq, një fshat në Kosovën perëndimore, që shtrihet nën hijen e Bjeshkëve të Nemuna. Ajo dhe Eek, pjesën më të madhe të verës së vitit 1976, e kaluan atje, të zhytura në jetën e fshatit, prej së cilës u larguan me mijëra fotografi, video incizime dhe miqësi të ngrohta me njerëzit e Isniqit. Por kur u kthyen në shtëpi në Skandinavi, Eek tregon se: “Jeta e përditshme disi e mbyti projektin për një kohë”.

Krahas punës së saj antropologjike, Backer ishte aktiviste politike e majtë në Oslo, e angazhuar në çështjet që lidheshin me migrimin dhe të drejtat e të burgosurve politikë shqiptarë në Kosovë gjatë viteve të ‘80-ta, duke punuar për organizata si Amnesty International, Federata Ndërkombëtare e Helsinkit (IHF) dhe autoritetet norvegjeze. Në mars të vitit 1993, ajo u vra tragjikisht nga një refugjat shqiptar kosovar në Oslo, i cili vuante nga një thyerje psikotike. Studimi i saj antropologjik mbi organizimin e shtëpisë në Isniq u botua si libër post-mortum me titullin: “Behind Stone Walls” (shq. “Prapa mureve prej guri”).

Katërdhjetë e pesë vjet pas punës së Backer dhe Eek në Isniq, Eek — e cila kishte një karrierë të bujshme si fotoreportere dhe fotografe në Muzeun e Historisë Kulturore në Oslo — iu rikthye fotografive të saj prej Isniqit. Në vjeshtën e vitit 2021, libri “Jeta në fshatin shqiptar – Isniq, Kosovë 1976”, i redaktuar nga Eek dhe Tahir Latifi, ligjërues i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, u botua në anglisht dhe shqip nga Tira Books në Suedi.

Me mbi 250 faqe, libri është një kronikë pamore prej së afërmi e jetës së përditshme rurale në mes të viteve të ‘70-ta në Isniq. Duke paraqitur gra, burra, fëmijë dhe pleq teksa punojnë, përgatisin ushqim, bisedojnë, kërcejnë në një dasmë ose vajtojnë të dashurit e tyre, fotografitë bardh e zi të Eek shfaqin në plotni laramaninë e jetës së njerëzve të Isniqit. Në një recensë të librit, sociologia Anna di Lellio e quajti atë “një vepër të jashtëzakonshme të antropologjisë pamore”.

Një grua me të birin në hambar të barinjve. Fuçitë janë për ruajtjen e bulmetit për dimër. Pleqe, Isniq, shtator i vitit 1976. Fotografia: © Ann Christine Eek.

Krahas fotografive, Eek ofron kujtime të hollësishme të bisedave të saj dhe të Backer me njerëzit e Isniqit — me të cilët ajo ende mban kontakte të afërta — dhe tregime historike për jetën në Kosovën e të ‘70-tave.

Në vitin 2019, vepra fotografike e Eek në Isniq u shfaq në një ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, në Prishtinë.

K2.0 u takua me Ann Christine Eek përmes platformës Zoom, për të folur rreth fotografisë së saj, kohën që kaloi me Backer në Isniq dhe kërkimin  e saj të pandërprerë për kompozimin dhe dritën e duhur.

K2.0: Në libër, ju e përshkruani takimin tuaj të parë me antropologen norvegjeze Berit Backer në Durrës, Shqipëri, në verën e vitit 1975. Pikërisht aty filloi miqësia me të dhe më pas planifikuat një projekt të përbashkët fotografik në fshatin Isniq. Pse ishe në Shqipëri?

Ann Christine Eek: Në atë kohë, unë punoja si fotografe dokumentuese. E pata bërë një libër për gratë që punonin profesionalisht teksa edhe kujdeseshin për fëmijët dhe familjet e tyre. Ai titullohej, “Work — don’t wear yourself out!” (shq. “Puno — mos e dërrmo veten!”). Kur e botova, një mik më tha: “Pse nuk po provojmë të shkojmë në Shqipëri dhe të shohim nëse mund ta bëjmë një reportazh atje?” Por nuk ia dolëm kurrë.

Përfundova duke udhëtuar për atje me një grup nga Suedia dhe Norvegjia. Udhëtimi zgjati tepër shumë. Na u desh të prisnim në kufi derisa të errësohej, sepse nuk duhej të shihnim asgjë prej autobusit.

Arritëm diku rreth orës 11 të natës. Nuk kishim ngrënë për rreth 18 orë dhe njerëzit po çmendeshin. Arrita ta gjeja se kush ishte përgjegjës për koordinimin e punëve. Ishte Berit Backer, e cila ishte thjesht fantastike. Domethënë, në orën 11 të natës e hapi kuzhinën dhe përgatiti ushqim për rreth 40 persona.

Filluam të bisedonim dhe doli që edhe babai i saj kishte qenë fotograf. Më tha se ishte antropologe, por kishte mësuar shumë prej babait të saj. E pyeta se çfarë ishte duke bërë dhe më tregoi për punën e saj në terren në Isniq — të cilën ajo veç e kishte filluar. Kisha dëgjuar një program radioje disa muaj më parë për familjet e mëdha. Një reporter kroat me disa suedezë kishin shkuar në një fshat ku ishte një familje me rreth 105 anëtarë. Pra, disi e kisha një ide se për çfarë po fliste, edhe pse në Isniq nuk kishte familje kaq të mëdha.

E pyeta nëse mund të shkonim dhe të bënim një libër së bashku. Nuk dija asgjë për Kosovën në atë kohë, pothuajse askush nuk dinte asgjë për të. Dhe askush nuk fliste për Kosovën në Shqipëri. Për mua u hap një lloj bote e re dhe fillova ta përgatisja veten duke lexuar. Mora Edith Durham, Margaret Hasluck dhe disa autorë të tjerë, por gjithçka ishte krejtësisht e re për mua.

Kur Berit u kthye në Norvegji në janar të vitit 1976, shkova atje për ta kaluar natën e Vitit të Ri me disa miq dhe e takova. Filluam të bisedonim, të planifikonim dhe përpiqeshim të gjenim forma se si ta financonim udhëtimin. Atëherë unë jetoja në Stokholm, në Suedi dhe ajo jetonte në Norvegji. Por unë kisha miq në Norvegji, kështu që shkoja shpesh. Unë dhe Berit bënim shumë udhëtime vajtje-ardhje. Ajo vinte në Stokholm, unë shkoja në Oslo dhe më në fund arritëm të lidhim kontratë me televizionin suedez. Ata donin që ne të bënim një film. Megjithatë, ai film ka plot gabime dhe informata të pasakta, ndaj më mirë ta harrojmë [qesh].

A mund të flisni pak më shumë për filmin? Pse kishte plot gabime dhe çfarë ka ndodhur me të?

Mendoj për shkak se   Berit nuk kishte nisur ende ta shkruante temën e saj të diplomës. Kishte një vit që ishte në Isniq, duke shëtitur dhe duke folur me njerëz. E kishte të vështirë të futej nëpër oda. Kishte nevojë t’i dëgjonte diskutimet e burrave për ekonominë dhe politikën. Me sa di e ka shkruar diku se ka arritur të marrë pjesë në vetëm pesë takime odash. Kështu që pas përfundimit të filmit, kur ajo po shkruante temën e saj të diplomës, e kuptoi se kishte gabime në film. Gjithashtu, kishim shpërfaqur pak si tepër informacione për disa njerëz dhe ajo kishte miq në Isniq, të cilët vërtet u zemëruan prej kësaj gjëje. Kur fillova ta shkruaj këtë libër, e shikova filmin dhe thashë jo, thjesht ta harrojmë.

Kur burrat nuk ishin aty, duke punuar jashtë fshatit ose jashtë vendit, gratë merrnin përsipër punën e rëndë bujqësore. Isniq, shtator 1976. Fotografia: © Ann Christine Eek.

Edhe në aspektin teknik, cilësia e ngjyrave të filmit nuk ishte e mirë. Jam munduar ta digjitalizoj, por është tmerrësisht i keq. Kam punuar me ngjyra për këtë film, sepse televizioni suedez na tha se njerëzit, kur shkojnë jashtë vendit, kanë tendencë të kthejnë çdo gjë në bardh e zi. Në atë kohë, unë nuk isha e mirë në fotografinë me ngjyra.

Në vitin 1992, kur shkova për herë të dytë në Shqipëri, në një takim me miq, po ua tregoja disa fotografi. Kisha disa fotografi me ngjyra dhe disa të vjetra bardh e zi dhe ata më thanë: “Si është e mundur, që të jesh kaq e mirë në fotografinë bardh e zi e kaq e keqe në atë me ngjyra?

Puna në terren, sidomos në vitet 1970, me film shumë të thjeshtë me ngjyra, nuk ishte e lehtë.

A janë të gjitha fotografitë që keni bërë në Isniqin e vitit 1976 bardh e zi?

Jo, rreth 30% ishin fotografi me ngjyra që pastaj i ktheva në bardh e zi. Preferoj të punoj në bardh e zi, sepse kur punon me ngjyra, gjithmonë del të jetë dikush me një pallto portokalli që kalon nga pas. Gjithë del ndonjë ngjyrë që e prish kompozicionin. Dhe për mua është shumë e rëndësishme se si e përdori dritën dhe kompozicionin si i vendos njerëzit në fotografi, lëvizjet, drejtimet. Përqendrohem në sytë e njerëzve, në atë që ata  shohin. Kur punoj në bardh e zi, mund të përqendrohem në to dhe t’i shmangë ngjyrat.

Si keni luajtur me kompozicionin në fotografitë e Isniqit? Shumica japin një ndjenjë spontaniteti, duke e lënë shikuesin ta përjetojë atmosferën e momentit.

Disa nga fotografitë, ku njerëzit janë të ulur, për shembull, shfaqin situata të përgatitura paraprakisht. Njerëzit shpesh i kishin idetë se si donin të fotografoheshin. Një klishe është që tre ose katër njerëz të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit duke shikuar kah kamera. E kishin një paramendim se si duhet të qëndronin për t’u fotografuar. Për shkak se në atë kohë shqipja ime ishte shumë e varfër, nuk mund të përcillja shumë ato që thoshin njerëzit. Mendoj se gratë e fshatit pak a shumë hoqën dorë nga përpjekjet për të folur me mua dhe Berit i merrte përsipër të gjitha bisedat. Unë thjesht ecja përreth dhe ndiqja atë që ndodhte.

Nushe, një vajzë e fshatit duke shkuar në shkollën e mesme në Deçan. Shtator 1976. Fotografia: © Ann Christine Eek.

Fotografi Henri Cartier-Bresson flet për momentin vendimtar. Është një lloj gjetjeje kur e ke kompozicionin dhe dritën në maksimum dhe ke pamjen më shprehëse. Për shembull, fotografia e kopertinës së librit është e një vajze, Nushes, teksa shkon në shkollë. Jam tejet, tejet e kënaqur me atë fotografi.

Ishim duke e përcjellë për në shkollë në Deçan, ajo po ecte dhe unë i fotografova shpinën dhe peizazhin, por nuk isha e kënaqur. Kështu i thashë Beritit: “Të lutem, më ngadalë pak” dhe më pas e thirra Nushen, “Nusha”, ajo u kthye e unë shkrepa fotografinë.

Pse vendosët ta kishit atë si fotografi në kopertinë të librit?

Mendoj sepse është një fotografi shumë pozitive. Disi të drejton kah e ardhmja. Dhe ajo ishte një person shumë pozitiv. Po ecte përpara dhe rruga e fushat ishin bosh. Kjo më pëlqen shumë. Jam kthyer i disa herë në Deçan dhe tani e gjithë zona është e mbushur me ndërtesa, më nuk arrij as ta gjej vendin ku është bërë fotografia.

Si vendosi fillimisht Berit Backer të vinte dhe të bënte hulumtime akademike në Kosovë?

Për herë të parë, ajo kishte shkuar në Shqipëri në vitin 1969 si pjesë e një grupi, sepse ishte në një grup të majtë këtu në Norvegji. Ajo kishte filluari të lexonte shumë më herët për shqiptarët dhe ishte e mahnitur. Donte të bënte kërkime në Shqipëri, por nuk e lejuan.

Në atë kohë, studionte në Bergen dhe një profesor i kishte thënë: “Nëse nuk mund të shkosh në Shqipëri, pse nuk provon të shkosh në Kosovë?” Kështu që aplikoi dhe mbërriti në Kosovë në vjeshtën e vitit 1974. Qëndroi në Universitetin e Prishtinës, i cili atëherë ishte mjaft i ri. E kam parë një tekst të shkurtër që ajo e ka shkruar për jetën atje. Më bëri ta kuptoj pse studentët ishin kaq të mllefosur në vitin 1981, sepse që nga ajo kohë, ajo e përshkruante sesi vajzave që vinin nga familje të varfra iu duhej të qëndronin në konvikte të stërmbushura ku shpesh dy vajza ndanin një shtrat.

Kur shkoi në Isniq, kishte dëgjuar se ishte shoqëri patriarkale, kështu që ishte pak e brengosur për atë se si t’u afrohej burrave në rrugë për të folur me ta. Kishte një banesë të vogël në ndërtesën e shkollës së vjetër dhe fshatarët mendonin se ajo thjesht rrinte ulur dhe  shkruante një libër.  Askush në të vërtetë nuk fliste me të. Një nga miqtë e mi, Bajrami, i cili nuk është më në mesin tonë, ishte i pari në fshat që e ftoi në shtëpi te familja e tij. Në katin e poshtëm të banesës së saj në ndërtesën e shkollës banonin dy familje, familja Kukleci dhe Tahirsylaj dhe në një farë mënyre, ajo u adoptua nga familja Kukleci.

Në libër shkruani se ishte pak më e vështirë të fotografoje burrat dhe të hyje në hapësirat e krijuara posaçërisht për ta. A mund të flisni për këtë?

Ishte në rregull t’i fotografoje jashtë, duke punuar në fusha ose barinjtë lart nëpër male. Ngjashëm, nuk ishte problem t’i fotografoje burrat në dyqan duke qëndruar përreth ose duke biseduar. Por ajo që Berit donte ishte që të mund të ulej me ta, kur burrat diskutonin për ekonominë, politikën dhe gjëra të tilla nëpër oda, ku ishin bashkë të gjithë meshkujt, prej djemve të vegjël e deri te pleqtë. Aty nuk na lejonin të hynim.

Berit e kishte të vështirë ta kuptonte se si funksiononte ekonomia vendore. Me të vërtetë i duhej të ishte e pranishme për ta kuptuar se për çfarë po flisnin njerëzit. Dhe mua më duheshin disa fotografi të burrave të ulur së bashku. Nga fundi i qëndrimit kishim qenë në mal dhe kur zbritëm nga atje, na thanë se do të bëhej një varrim në një nga familjet e mëdha. Kishte kaq shumë gra [në ceremoninë e zisë]. U mahnitëm kaq shumë kur e pamë, e gjithë performanca ishte thjesht e pabesueshme.

Të porsamartuarit në dhomën e nusërisë në shtëpinë e familjes, të zbukuruar me tekstile nga çejzi i nuses. Isniq, gusht 1976. Fotografia: © Ann Christine Eek.

E dinim që burrat ishin në shtëpinë afër, e cila i përkiste të njëjtës familje. Natën vonë hëngrëm darkë me gratë dhe më pas unë dhe Beriti u përpoqëm të hynim te burrat. Unë i përgatita kamerat e mia dhe pastaj veç u futëm brenda. Burrat ishin të ulur, duke ngrënë dhe nikoqiri ynë Selim Kukleci ishte aty. Ishte vërtet i zemëruar me ne. Kështu që ai na përzuri menjëherë, por arrita t’i shkrep disa fotografi [qesh]. Nuk është mënyra e duhur për t’i bërë gjërat, jam shumë e vetëdijshme për këtë, por ishte forma e vetme.

Për mua, disa nga fotografitë tuaja më shprehëse të Isniqit janë ato që keni bërë gjatë një kanaxheqi (mbledhia e grave para dasmës) dhe një ditë dasme. A mund të flisni për atmosferën prapa atyre fotografive?

Unë dhe Beriti shkuam atje me nikoqiren tonë, Cyma Kukleci. Thjesht i mora kamerat, pa e ditur se si do të dukej i gjithë organizimi. Në një nga fotografitë që i shkrepa atje, të gjitha ato gra janë të ulura duke më shikuar. Ndoshta fillova të ndihesha po aq çuditshëm sa ndihej nusja që po vinte [qesh]. Nuk e dija se çka po ndodhte. Dhe ato thanë “Oh, këtu është një fotografe!” dhe donin t’u bëja fotografi nuses dhe dhëndrit në dhomën e nusërisë. Kështu që bëra fotografi në të cilat çifti është ulur në shtrat dhe disa fotografi të tjera. Pastaj u kthyem në dhomën ku nusja vazhdimisht i ndërronte fustanet dhe më pas kthehej dhe qëndronte pranë murit. Thjesht  përpiqesha ta shfaqja atë që po ndodhte në dhomë. Dhoma nuk ishte shumë e madhe, por në të kishte shumë gra. 

Ju përmendët që Beriti dhe ju keni planifikuar ta krijonit një libër së bashku shumë vite më parë. Pse nuk arritët ta shkruani bashkë librin?

Po, unë dhe Berit kishim planifikuar ta bënim këtë. Dhe për arsye të ndryshme ajo kishte vështirësi ta shkruante atë. Kur u kthyem, e bëmë filmin për televizionin suedez dhe më pas ndodhën gjëra të tjera. Mua më duhej ta siguroja jetesën dhe Beritës i duhej ta siguronte jetesën dhe ta shkruante temën e saj të diplomës. Pastaj erdha këtu në Oslo dhe pas një kohe u martova dhe linda fëmijë. Jeta e përditshme disi e mbyti projektin për një kohë. Kisha fotografi shumë, shumë të mira, kështu që nga fundi i viteve 1980, i thashë Beritës se duhet të bëjmë diçka. Dhe ajo më tha: “Ti je shumë e mirë në të shkruar, kështu që mund ta bësh të tërin vetë”. Unë thashë, jo s’mundem.

Më pas u ktheva në Shqipëri në vitin 1992 dhe shkrova disa artikuj për kulturën tradicionale dhe gjëra të ngjashme. Asaj iu dukën të përsosura, vetëm vazhdo, më tha. Por më pas, u ulëm dhe filluam të planifikonim ta vazhdonim punën tonë. Menduam se ndoshta duhet ta përdornim materialin e Isniqit për ta bërë një krahasim me situatën e grave në Shqipëri. Aplikova dhe e mora një grant. Disa ditë më vonë, në një të diel, u ulëm për ta diskutuar projektin dhe atë e vranë më vonë atë natë.

E pashë se shumë pak njerëz e kuptonin punën që kishte bërë Berit dhe e binda familjen e saj të më jepte materialet e saj. Kam shumë gjëra të saj këtu. Kam lexuar gjithçka që ajo ka shkruar dhe botuar. E kuptova se isha shumë naive, kishte aq shumë gjëra që nuk i kuptoja apo dija. Ajo kishte njohuri të jashtëzakonshme për atë që po ndodhte në Kosovë dhe shfrytëzonte çdo mundësi për të shkuar atje e për t’i parë miqtë. Organizohej një konferencë etnografike në gusht të çdo viti dhe ajo shkonte disa herë dhe mbante kontakte me familje dhe miq të ndryshëm.

Ajo gjithashtu shkruante raporte për Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe ishte mahnitëse t’i lexoje, sepse ajo dinte shumë për atë që po ndodhte në Kosovë. Në Norvegji njerëzit e mbështesnin Serbinë, kështu nuk e donin Beritën. Mendonin se ajo kishte qëndrim tepër pozitiv për shqiptarët, kështu që haste në vështirësi. Më kujtohet në vitin 1991, po punoja në Muzeun Etnografik në Oslo, që sot quhet Muzeu i Historisë së Kulturës dhe vendosëm ta bëjmë një ekspozitë etnografike me disa nga fotografitë e mia. Ajo shkroi artikuj të shkurtër për katalogun dhe iu desh të luftonte për botimin e secilës fjalë, sepse njerëzit nuk donin ta besonin.

Më kujtohet një burrë që e vizitoi ekspozitën. Vinte nga Isniqi dhe ishte refugjat në Oslo. E pashë këtë djalë të ri teksa vështronte me ngulm fotografitë e mia në mure dhe dukej krejtësisht i humbur. I thashë: “Çfarë mendon?” Dhe më tha: “Prej atje vij”. Nuk dinte çfarë të thoshte. Ishte gojëhapur.

Në libër ju jepni përshkrime të hollësishme të personazheve, ngjarjeve dhe familjeve që paraqitennë fotografitë tuaja. Si arritët ta ruani gjithë atë informacion?

Në disa pjesë, kam nxjerrë mësime nga vepra e Beritës. Por edhe fotografitë janë një ndihmë e madhe për t’i mbajtur në mend gjërat. Shkrova një ditar në ditët e para, por më pas nuk pata kohë ta vazhdoja. Gjithashtu, jam kthyer dhe kam folur me njerëzit dhe mendoj se kam një kujtesë të mirë.

Një grua e fshatit duke bërë pite. Isniq, shtator 1976. Fotografia: © Ann Christine Eek.

Pasi u vra Berit, kisha plane të mëdha. Doja ta bëja një libër të madh për shqiptarët. Dhe kam rreth 30 ose 40 mijë fotografi. Shumica janë fotografi të mira që mund të botohen. Nuk kisha shumë shënime, por kur e vranë Berit, u ula dhe fillova të shkruaj.

Ju e përmendni një takim që keni pasur me disidentin politik shqiptar Adem Demaçi në korrik të vitit 2000. Mund të flisni pak për atë takim dhe pse u kthyet në Kosovë atëherë?

Demaçi kishte qenë këtu në Oslo, vizitë që lidhej me varrimin e Beritës. Ai mbajti një fjalim të shkurtër në varrim dhe unë mbajta një fjalim të shkurtër po ashtu. Pastaj u kthye sepse ishte përfshirë në diskutime të ndryshme politike këtu në Norvegji për të ardhmen e Kosovës dhe sa herë që vinte donte ta takonte nënën e Beritës dhe donte të më shihte mua.

Ai mori çmimin e paqes [Çmimi Leo Eitinger për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Oslos] në 1995 dhe qëndroi për goxha kohë këtu në Oslo. Kështu që shkova ta shoh shumë herë. Po ashtu kur erdha në Prishtinë në vitin 2000, kaluam gjithë ditën së bashku. Herën e fundit që e kam takuar ka qenë para katër viteve, në vitin 2018. Beritës iu dha një dekoratë nga presidenti Thaçi dhe kishim një darkë ku ishte i ftuar Demaçi. Ishte hera e fundit që e takova. Ishte person shumë, shumë i mirë. Thjesht na pëlqente të rrinim bashkë dhe të flisnim për shumë gjëra të ndryshme. Nuk mund të shkruaj ndonjë mendim të thellë për Demaçin si politikan sepse nuk di sa duhet, por e kam njohur si shok dhe ka qenë një person shumë i dashur.

Cila ishte atmosfera politike në Kosovë, veçanërisht në Isniq, në vitin 1976? Çfarë mund të kuptonit për politikën nga përditshmëria e njerëzve?

Njerëzit nuk donin të flisnin për politikë në fshat. Dhe unë e Berit e kuptuam se ishte një situatë shumë e vështirë. Për shembull Demaçi ishte në gjyq. Nuk e dija kush ishte Demaçi në atë kohë, në vitin 1976. Por e kishim lexuar në një gazetë se ndodhej në gjyq dhe e dinim se situata mes shqiptarëve dhe serbëve ishte shumë e rëndë. Ne mund ta ndienim këtë, për shembull, kur shkonim në treg në autobus së bashku me gratë shqiptare, njerëzit me të vërtetë na shikonin me nënçmim, duke thënë: “Nuk duhet të rrini me shqiptarë”.

Dalëngadalë e kuptuam që situata ishte shumë e rrezikshme. Nuk kishim aplikuar tek autoritetet jugosllave për leje për ta bërë hulumtimin. Kishim ardhur si turiste. Berit gjatë gjithë kohës thoshte se kur të shkojmë në Prishtinë do të fliste me Ukshin Hotin [profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe sekretar i Punëve të Jashtme në atë kohë] për këtë. Ai e kishte ndihmuar fillimisht kur ajo kishte mbërritur për herë të parë në Kosovë. Por ai kurrë nuk ishte në zyrën e tij. Kështu, nuk e takoi deri pas pesë javësh. Isha ulur duke e pritur në Hotel Bozhur, kur ajo u kthye. Ishte krejtësisht gri në fytyrë. Më tha: “Atij nuk i pëlqeu fare ajo që e kemi bërë dhe situata është shumë e rrezikshme”. Kështu u kthyem në Isniq, mblodhëm gjërat tona dhe u përpoqëm të largoheshim sa më shpejt.

Mendoj se ai ishte i shqetësuar se diçka mund të ndodhte. Berit ishte në kontakt me shumë të huaj në Prishtinë dhe papritmas filluan të flisnin për etnografë që kishin studiuar këtë gjë e atë gjë, të cilët i burgosnin pa asnjë arsye. Filluam të kishim shumë frikë. Plani ishte ta kishim një veturë, por patëm një aksident me veturë në Mal të Zi teksa vinim, prandaj na duhej të udhëtonim me autobus gjatë gjithë kohës. Kështu, kur u kthyem në Isniq, morëm një makinë me qira për të shkuar në Shkup, për ta marrë trenin për në shtëpi. Ishim shumë të lumtura kur kaluam kufirin dhe arritëm në Austri.

Nga fotografitë tuaja të Isniqit më pëlqen veçanërisht ajo në të cilën tre burra qëndrojnë brenda një dyqani fshati, secili prej tyre duke parë në drejtime të ndryshme, të gjithë me pamje melankolike në fytyrat e tyre. Mund ta përshkruani momentin kur e keni bërë atë fotografi?

Kisha hyrë në dyqan dhe kisha shkrepur disa fotografi tjera, pak para se ta shkrepja atë. Disa fëmijë përgjonin pranë derës. Fillimisht u bëra një fotografi atyre. Ishte shumë argëtuese, sepse ata fëmijë ishin aq kureshtarë. Donim të flisnim me burrin në mes, sepse kishte ndërtuar një shtëpi të re dhe ishim të ftuara ta shihnim. Mendoj se thjesht qëndroj e hapur ndaj gjërave që shoh dhe i fotografoj ato.

Burrat, jashtë punës, duke kaluar kohën në një nga dyqanet e fshatit. Isniq, shtator 1976. Fotografia: © Ann Christine Eek.

Unë i pres momentet e duhura kur e ke kombinimin e dritës dhe kompozicionit. Si në këtë foton e dyqanit të fshatit pozicioni i burrave, prapavija që tregon sa pak gjëra për të shitur kishte në dyqan. Kështu që, thjesht shkrepa një fotografi.

A ishit e kënaqur kur i patë fotografitë për herë të parë pasi zhvilluat filmat?

Nuk e di. Mendova se kisha bërë një punë vërtet të madhe, por ishte e vështirë për mua të kuptoja rëndësinë e asaj që kisha bërë. Në atë kohë, punoja në një kolektiv fotografësh në Stokholm dhe asnjë nga kolegët e mi nuk ishte aq i impresionuar me punën time. Më është dashur një kohë e gjatë dhe tepër shumë orë në dhomën e errët për ta kuptuar potencialin e këtij materiali. Dalëngadalë, e kuptova se çfarë kisha fotografuar. Dhe ajo që ndodhi gjatë luftës më bëri ta kuptoj rëndësinë e kësaj pune.

A jeni duke punuar në ndonjë projekt për momentin?

Kam qenë shumë më aktive si fotografe më parë. Kam punuar për shumë vite si fotoreportere. Pastaj kam kaluar gjithë këto vite duke punuar në muze që ishte edhe punë studioje edhe me shumë gjëra administrative. Kam punuar shumë me peizazhet. Ekziston një lumë që ndan Oslon në dy pjesë dhe unë jetoj 50 metra larg këtij lumi. Bëj shumë shëtitje dhe kam bërë shumë fotografi të atij lumi. Shpresoj të kem mundësi ta bëj një ekspozitë apo një libër me fotografitë e mia të lumit. Po plakem dhe po e kuptoj që nuk jam aq e shpejtë me këmbët e mia sa isha dikur, kështu që nuk kam ndonjë projekt të veçantë në të cilin po punoj tani. Bëj shëtitje të gjata, marr aparatin tim me vete dhe shoh se çfarë mund të dalë. Mendoj se libri për Isniqin është më i rëndësishmi që kam bërë.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?