Në thelb | Edukimi për jetë | Edukim

Bërja e shkollave profesionale funksionale

Nga - 31.10.2019

Përgatitja e saldatorëve, kuzhinierëve dhe rrobaqepësve të së nesërmes.

Çdo ditë, si pjesë e rutinës së tij të përditshme, Ilir Mustafa vesh mantilin e kaltër, dorëzat, përparësen ngjyrë kafe, maskën mbrojtëse dhe këpucët e veçanta. Veshja e uniformës dhe pajisjeve mbrojtëse është parakusht për të hyrë në laboratorin e punës praktike në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, ku po mëson të bëhet saldator.

Posa futesh në klasën e praktikës për saldim, të bie në sy shenja paralajmëruese për kujdes të shtuar dhe instruksionet për siguri në punë. Një tavolinë e gjatë me pajisje zë vend në mes të klasës, në anën e majtë janë makineritë e mëdha për prerje të llamarinës, e përballë tyre kabinat e punës të mbuluara me perde të zeza.

Iliri dhe shokët e tij, nxënës të klasës së 11-të, i shfrytëzojnë këto hapësira për ta praktikuar profesionin që kanë zgjedhur. Procesi i punës do përkushtim dhe finesë — në fjalët e Ilirit “duhet me qenë preciz, i koncentrum dhe mos me pas frikë” kur merr në dorë pajisjet për të salduar.

Një nga drejtimet studimore për nxënësit në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” është saldimi, profesion që kërkohet shumë nga punëdhënësit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ai e fillon procesin duke e djegur pllakën metalike me flakë, pastaj e pastron me brushë për t’i larguar mbetjet, e në fund e vendosë në një kazan të mbushur me ujë për ta ftohur. Modelet më të mira të saldimit ekspozohen nëpër klasa për t’u shërbyer nxënësve si inspirim. 

“Kam pasë dëshirë me e përzgjedh këtë drejtim sepse ka më pak teori e më shumë praktikë, ka më shumë punë, dhe e di që e kam një profesion e diplomë dhe nuk frikësohna që mbes pa punë”, tregon Iliri, i cili thotë se e ka bërë zgjedhjen e duhur.  

Sipas Ilirit, vëllai i tij, i cili po ashtu ka qenë nxënës i së njëjtës shkollë, pas përfundimit të shkollës e kishte pasur shumë të lehtë të gjejë punë. Ai është i bindur se do ta ketë të njëjtin fat. 

Por shumë nxënës të tjerë nuk mendojnë njësoj. Iliri tregon se si është gjykuar nga shokët për zgjedhjen e kësaj shkolle.

“Më kanë thënë përse ke shku në atë shkollë të keqe, aty shkojnë nxënës që nuk munden me u regjistru në shkolla të tjera, sepse e kanë parë që notat i kam pas më të mira”, tregon ai. Më pas shton: “Shumica e njerëzve e shohin si shkollë ku shkojnë vetëm nxënësit e dobët, por kisha thënë se është më e mirë se shumica e gjimnazeve dhe nuk duhet me u nënvlerësu”.

Ilir Mustafa beson se nuk do ta ketë problem të gjejë punë pasi ta kryejë shkollën dhe është i sigurt se e ka marrë vendimin e duhur për arsimimin e tij. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përvoja e Ilirit nuk është unike. Arsimi dhe Aftësimi Profesional (AAP) në Kosovë përballet me stigmë dhe regjistrimi në shkolla të tilla shpesh shihet si opsion i dytë për nxënësit që nuk arrijnë të regjistrohen në gjimnaze kur i ndërrojnë shkollat në klasën e 10-të.

Qëllimi kryesor i shkollave profesionale është përgatitja e nxënësve për tregun e punës, krijimi i profileve të ndryshme të punëtorëve dhe sigurimi i mundësive për vazhdimin e studimeve universitare, të gjitha përmes kombinimit të mësimdhënies teorike dhe praktikës profesionale. Sidoqoftë, problemet e vazhdueshme kur bëhet fjalë për buxhet, kurrikula dhe harmonizim me kërkesat e tregut të punës do të thonë se është një sektor arsimor që përballet me një seri sfidash.

Rishqyrtimi i financave

Kosova ka gjithsej 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme punëtorësh. Ato rregullohen me Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional “në përputhje me nevojat e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik … përfshirë ndryshimet ekonomike dhe teknologjike, kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e individëve drejt ekonomisë së tregut”.

Shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi” ofron programe trevjeçare në mekanikë, tekstile dhe transport dhe megjithë përshtypjen që jep ndërtesa e vjetër nga jashtë, është një nga shkollat profesionale të pajisura më mirë me kushte për kryerjen e punës praktike profesionale. Në katin përdhesë ka punëtori për mësim praktik, ndërsa klasat për mësim teorik janë në katin e parë dhe të dytin.

Në njërën punëtori të katit përdhesë janë të vendosura mjetet me të cilat nxënësit mund të praktikojnë një formë të montimit të pajisjeve për ngrohje dhe klimatizim. Radiatorët qëndrojnë të ekspozuar si modele se si duhet funksionuar montimi i pajisjeve, e afër tyre pjesët me të cilat nxënësit duhet punuar. Në dhomën ngjitur janë të parkuara pesë lloje të veturave, shumica prej tyre donacione, për nxënësit që mësojnë të bëhen automekanikë. 

Në klasën e tekstilit janë makinat e qepjes mbi tavolina, materialet e palosura në qosh të dhomës dhe shembujt e veshjeve të punuara nga nxënësit që janë ekspozuar në mure krijojnë atmosferë të mirë pune.

Shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë është e pajisur relativisht mirë, por shkollave tjera profesionale nëpër Kosovë u mungojnë burime të domosdoshme. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por jo të gjitha shkollat profesionale në Kosovë i kanë të njëjtat kushte dhe pajisje për punën praktike, që është e domosdoshme për profile të tilla. Në shumicën prej tyre, mësimi praktik në disa lëndë nuk zhvillohet në formë të duhur si pasojë e mungesës së mjeteve të punës dhe hapësirave të përshtatshme.

Sipas Rrjetit të Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN) — një koalicion strategjik i organizatave të shoqërisë civile që përqendrohen në fushën e arsimit, punësimit dhe politikave sociale — një nga problemet kryesore është buxheti, i cili është i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat elementare për funksionimin e denjë të një shkolle profesionale.

Institucionet publike të AAP-së financohen nga buxheti qendror i Kosovës përmes alokimeve specifike për arsim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Nga buxheti prej 73 milion eurosh i MASHT-it për vitin 2019, vetëm 3.6 milion euro — ose 5% — i është ndarë Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, me 59,000 euro shtesë nga të ardhurat vetanake. Buxheti ndahet për paga dhe mëditje të stafit, mallra dhe shërbime, si dhe shpenzime komunale.

Raporti i KEEN me titull Arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë: Sfidat dhe mundësitë, i cili është publikuar në prill të këtij viti, thekson se buxheti i ndarë nuk është i mjaftueshëm: “përkundër faktit që janë zhvilluar dokumente strategjike për të përmirësuar sektorin e shkollimit profesional, në realitet shkollat përballen me vështirësi në prodhimin e edukimit kualitativ për nxënësit, kryesisht për shkak të mungesës së resurseve financiare”.  

Neni 33 i Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional specifikon se në caktimin e buxhetit për institucionet e AAP-së duhet të merren parasysh kërkesat e tyre të posaçme që kanë të bëjnë me “pajisjet materiale dhe shpenzimet tjera për aftësim praktik”.

Një raport i Rrjetit të Kosovës për Arsim dhe Punësim ka zbuluar se arsimi profesional në Kosovë nuk financohet sa duhet dhe se nevojiten ndryshime në metodën e financimit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përkundër kësaj, në raportin e KEEN thuhet se formula e financimit të arsimit parauniversitar nuk merr parasysh nevojat e shkollave profesionale për realizimin e mësimit praktik dhe si pasojë përgatitja e nxënësve nuk arrin në nivelin e nevojshëm.

“Edhe pse kjo formulë nënkupton autonominë financiare, decentralizimi i mëtejshëm i institucioneve të AAP është i domosdoshëm për t’u mundësuar shkollave një planifikim më të mirë, udhëzim dhe menaxhim të pavarur përmes lidhjes së prioriteteve të shkollave me alokimin e buxhetit”, thuhet në raport. “Është qenësore krijimi i një buxheti më fleksibil të institucioneve të AAP, për të plotësuar kërkesat e ndryshme të profileve të AAP, meqenëse shpenzimet ndryshojnë në masë të madhe”.

Për më shumë, raporti zbulon se forma aktuale e financimit për arsim nuk merr parasysh specifikat e arsimit dhe aftësimit profesional, edhe pse legjislacioni aktual ua mundëson shkollave profesionale të marrin fonde shtesë nga aktivitetet e tjera si ofrimi i kurseve të ndryshme prej atyre që financohen nga fondet publike, ose përmes donacioneve, dhuratave dhe burimeve të tjera që lejohen me ligj. 

“Procedurat administrative dhe burokratike për krijimin e të hyrave duhet të thjeshtësohen dhe institucionet e AAP duhet të inkurajohen dhe të stimulohen në këtë drejtim”, thuhet në raportin e KEEN.

Raporti, mes tjerash, bazohet në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017 – 2021, dokumenti bazë për zhvillimin e sektorit arsimor të Kosovës, ndërsa KEEN thekson se megjithëse Plani Strategjik identifikon mangësitë e sektorit, nëse nuk rishikohet për t’u përshtatur me nevojat e arsimit profesional, situata nuk do të ndryshojë.

Por Valbona Fetiu-Mjeku, udhëheqëse e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional në MASHT thotë se tashmë janë duke punuar për ta përmirësuar mënyrën e financimit të shkollave profesionale. “Besojmë se sapo të përfundojë procesi i rishikimit të formulës së financimit për gjithë sistemin [parauniversitar], proces i cili është duke u përkrahur nga Banka Botërore, do të merret parasysh edhe kostoja për profile/sektore për shkollat profesionale”, thotë ajo. 

Lidhja e të gjitha pjesëve

Krahas buxhetit të shkollave profesionale, Ligji i rregullon edhe kurrikulat, të cilat parashihet të zhvillohen “në pajtim me standardet relevante të profesionit, arsimit dhe kualifikimeve”. 

Megjithatë, sipas Agnesa Qerimit, drejtore e Kosovar Youth Council (KYC), organizatë për fuqizimin e rinisë përmes edukimit, “legjislacioni në fuqi edhe pse është shumë mirë i përpiluar, çalon në zbatueshmëri”.  

“Korniza Kurrikulare e arsimit vërehet që është harmonizuar me praktika shumë të sofisitikuara që gjejnë zbatim në vende evropiane por që në praktikë te ne ka ngecje”, thotë Qerimi.

Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, Faik Salihu, poashtu e sheh çështjen e kurrikulës si problematike.

“Ende po bëjnë eksperimente me këto kurrikula, por fatin që i kemi mësimdhënësit e përgatitur sepse ka eksponentë të dështuar. Pas çdo katër vitesh ndryshon një kurrikulë që nuk ka sukses e askujt nuk i intereson. Tani kjo kurrikula bazë [bërthamë] është pak më e mirë, bazën e ka nga Gjermania. Por edhe në këtë çështje gradualisht ma merr mendja që do të përmirësohen gjërat”, thotë Salihu.

Njëra prej sfidave kryesore të AAP-së është përgatitja e nxënësve për t’u punësuar sipas kërkesave të tregut të punës.

Ndërsa Anna Kontny, koordinatorja për Arsimin dhe Aftësimin Profesional në Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në Kosovë, thotë se Ministria e Arsimit ka filluar rishikimin e kurrikulës bërthamë për ta bërë më relevante për tregun e punës. 

“Aktualisht kurrikula bërthamë e rishikuar për nxënësit e klasës së 10-të është duke u zbatuar në shkollat pilot’, thotë ajo. “Sfidë kryesore për zbatimin e kurrikulave të bazuara në kompetenca do të jetë ndërthurja e njësive mësimore të bazuara në punë në biznese me mësimin në shkollat profesionale”.

Përkundër reformave të shumta të viteve të fundit në këtë sektor, përfshirë “rishikimin e kurrikulave, komunikimin me biznese [dhe] trajnimin e mësimdhënësve”, raporti i KEEN thekson se sistemi i AAP-së “vazhdon të ballafaqohet me mangësi që pengojnë gjasat e nxënësve për punësim”.

Njëra prej sfidave kryesore të Arsimit dhe Aftësimit Profesional është përgatitja e nxënësve për t’u punësuar sipas kërkesave të tregut të punës.  

Si pjesë e shkollimit parauniversitar, arsimi i mesëm i lartë profesional ofron dy nivele të kualifikimit. Niveli i parë, që përfshin klasën e 10-të dhe të 11-të, ofron kualifikim bazik dhe mundësi punësimi në treg të punës si “punëtor/e gjysmë i/e kualifikuar”. Niveli i dytë përfshin edhe klasën e 12-të dhe ofron mundësi punësimi si “punëtor/e i/e kualifikuar” ose vazhdimin e studimeve në nivel më të lartë për t’u bërë “punëtor/e specialist/e”. Këtu mund të përfshihen kolegjet e shkencave aplikative në të cilat nxënësit e suksesshëm të arsimit profesional mund të zhvillohen më tej në karrierën profesionale.

Megjithatë, raporti i KEEN përmend mungesën e informatave për tregun e punës te të rinjtë si një barrierë tjetër në rrugën drejt punësimit, duke theksuar se shumica e të rinjve nuk i kanë aftësitë e duhura për të qenë konkurrues në tregun e punës për shkak se nuk i kanë shqyrtuar profesionet e përzgjedhura me nevojat e tregut. 

“Mospërputhshmëria në mes të kërkesës dhe ofertës për punë pasqyron faktin se tregu i punës është joefikas dhe nuk është në gjendje të arrijë ekuilibrin”, shkruhet në raport.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 shkalla e papunësisë për vajzat që kanë përfunduar shkollën profesionale ishte 38.2%, ndërsa për djemtë 31.3%.  Fushat e preferuara për studim janë inxhineria, prodhimi dhe ndërtimtaria, më pas edhe bizneset, administrata e juridiku, si dhe shëndetësia dhe mirëqenia. 

Ndërsa sipas Kontny, format e reja të bashkëpunimit ndërmjet shkollave të AAP-së dhe bizneseve duhet të zhvillohen dhe të testohen në bazë të nevojave dhe kushteve specifike në sektorë të ndryshëm. 

“Për sektorin e ndërtimit, mund të lypset plan më ndryshe sesa për sektorin e shitjes me pakicë, ose për inxhinieri mekatronike”, thotë Kontny.

Ajo shton se me mbështetjen e donatorëve është hartuar udhëzimi administrativ për mësimin e bazuar në punë, por nuk ka hyrë në fuqi sepse akoma nuk është nënshkruar nga ministri. “Gur themeltar për zbatimin [e masave ligjore] është disponueshmëria e stafit të kualifikuar në kompani për të lehtësuar si duhet mësimin e bazuar në punë, për të mbikqyrur nxënësit dhe për t’u koordinuar me shkollat e AAP-së”, thotë Kontny.

Element thelbësor i planeve për sektorin e arsimit profesional është krijimi i lidhjeve sa më të ngushta ndërmjet bizneseve dhe aftësimit të nxënësve për të siguruar që nxënësit të jenë gati për tregun e punës kur ta kryejnë shkollën. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Fetiu-Mjeku nga MASHT thotë se është detyrë e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të përgatisë nxënësit për tregun e punës por jo të përgatisë tregun e punës për këta nxënës. Ajo thotë se është duke u punuar në përmirësimin e gjendjes aktuale të punësimit të nxënësve që kryejnë shkollat profesionale. 

“Në vazhdimësi jemi në kontakt me bizneset, në bashkëpunim edhe me projekte të ndryshme që përkrahin këtë proces”, thotë Fetiu-Mjeku. “Tanimë kemi arritur që bizneset të jenë pjesë e hartimit të politikave në disa sektore duke filluar nga hartimi i standardeve të profesionit ku bizneset e japin kontributin e tyre duke na udhëzuar se në çka duhet këta të rinjë të aftësohen dhe cilat janë kompetencat që duhet të fitojnë”.

Përveç punës me biznese për të përmirësuar politikë-bërjen në sektorin e AAP-së, Fetiu-Mjeku thotë se janë ndërmarrë hapa praktikë për të përfshirë bizneset në procesin e aftësimit të nxënësve, gjë që krijon një situatë të favorshme për nxënësit dhe punëdhënësit.

“Ne si MASHT në bashkëpunim me GIZ kemi trajnuar edhe instruktorët në kompani të ndryshme [për të përcjellur] procesin e aftësimit dhe besojmë se kjo mundësi do të ndihmojë bizneset të përzgjedhin dhe të punësojnë kandidatët”, thotë ajo. “Po ashtu kompanitë do të kenë portfoliot e nxënësve/kandidatëve që janë aftësuar”.

Heqja e stigmës

Përfshirja e bizneseve në aftësimin e nxënësve në shkolla profesionale mund të ndikojë në rritjen e gjasave për punësimin e tyre, por fillimisht këto shkolla duhet të destigmatizohen në mënyrë që të rritet interesimi i nxënësve për të vijuar mësimin në to.

Koordinatorja e AAP-së në GIZ, Kontny, pranon se shkollimi profesional nuk ka imazh të mirë, dhe sipas saj kjo mund të ndryshojë “kur të diplomuarit nga shkollat e aftësimit profesional gjejnë punë me kushte të denja pune dhe paguhen siç duhet”.

“Ka shumë pikëpamje të gabuara në lidhje me karrierat e aftësimit profesional; një sistem i strukturuar i udhëzimit për karrierë duke filluar që në moshë të re i cili informon realisht për perspektivat e ardhshme mund të ndihmojë në përmirësimin e imazhit”, thotë Kontny.

Sipas Agnesa Qerimit nga organizata KYC, stigma më shumë ekziston për shkollat teknike dhe ato të bujqësisë, por jo për shkollat e mjekësisë, ekonomisë e juridikut. “Edhe më shqetësues është stigmatizimi që u bëhet vajzave që vendosin të ndjekin mësimin në këto shkolla, sidomos atyre që duan të profesionalizohen në teknologji, ose industri të drurit apo ndërtimtarisë”, thotë Qerimi.

Shkollat profesionale shpeshherë stigmatizohen ende, ndërsa studimet për profile të caktuara të punës janë shumë të ndara në bazë të gjinisë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në klasën e Ilirit nuk ka asnjë vajzë, as në drejtimin e automekanikëve apo instalimit të ngrohjeve. Inxhinieri e profesori Refik Ismajli e sheh paragjykimin si shkak për këtë. “Nuk është asgjë me pasë edhe vajza. Por fatkeqësisht mentaliteti është i tillë. Ende mendohet se kjo është një shkollë problematike, por kur vijnë këtu e kuptojnë që nuk është ashtu”, thotë ai.

Qerimi thotë se nga puna e Kosovar Youth Council në terren vërehet një tentim për ta larguar stigmën, më shumë nga organizatat sesa nga institucionet. Por synimi ende nuk është arritur. 

“Nuk është zhvilluar ndonjë kampanjë vetëdijesuese apo ndonjë iniciativë tjetër e mirëfilltë e suksesshme për ta ndryshuar këtë paragjykim përveç aktivitetit të ‘dyerve të hapura’ që zhvillohet nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që shërben më shumë si qasje për orientim”, thotë ajo, duke shtuar se aktivitete të ngjashme më të vogla organizohen herë pas here nga qendrat e karrierës. 

“Këto aktivitete më shumë i shërbejnë orientimit sesa zvogëlimit të stigmatizimit”, thotë Qerimi. 

Për këtë çështje, ajo thotë se duhet të punohet më shumë edhe me prindërit apo kujdestarët e nxënësve sepse ende në shumicën e rasteve në Kosovë ata vendosin për të ardhmen e fëmijëve, dhe janë pikërisht ata që stigmatizojnë shkollat profesionale duke menduar që vetëm shtegu akademik në shkenca ekzakte e shoqërore është i duhuri për të arritur sukses. 

Destigmatizimi i arsimit dhe aftësimit profesional është shumë i rëndësishëm, meqenëse është kategori shkollimi që lidhet direkt me zhvillimin ekonomik të vendit; raporti i KEEN thekson se njëra prej mënyrave për të arritur zhvillimin e një kapitali njerëzor të aftë është investimi në AAP.

Për shkollën “Shtjefën Gjeçovi” zhvillimi po bëhet i mundur me ndihmën e marrë nga Gjermania dhe marrëveshjet e arritura për punësimin e nxënësve atje. Drejtori Faik Salihu e quan shkollën  “fabrikë të punësimit” për Kosovë dhe jashtë vendit. 

E të rinjtë dhe të rejat si Iliri mund të jenë shembull për thyerjen e paragjykimeve ndaj shkollave profesionale, në të njëjtën kohë edhe inkurajim për të tjerët që ta zgjedhin mençur profesionin. K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0

Kthehu prapa tek Monografia

 

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.