Gjerë e gjatë | Kulturë

“Besa” – prurje drejt noir-it ballkanik

Nga - 17.07.2022

Seriali serb për mafiozët shqiptarë gjen publik në Prishtinë e Beograd.

Në fillim të episodit të parë të serisë televizive të zhanrit krim “Besa”, një veturë e mbushur me gangsterë shqiptarë endet nëpër rrugët e Ulqinit të Malit të Zi, duke kënduar njëzëri këngën “Krejt shokt e mi” të Ledri Vulës, një prej reperëve më të njohur në Kosovë. Edhe pse kjo nuk është hera e parë që zhanri i muzikës rep në shqip transmetohej në kohë primetime në televizion serb, të paktën ishte hera e parë për Ledri Vulën t’i hijeshonte frekuencat valore serbe.

“Besa”, që për herë të parë u shfaq në vitin 2018 dhe sezoni i dytë i së cilës doli në vitin 2021, është një serial i shumë risive.

Teksa përmbajtja promovuese e serisë vë në dukje kastin ndërkombëtar — aktorë nga e gjithë ish-Jugosllavia, si dhe nga Italia, Estonia dhe vende të tjera — çfarë e bën atë më të veçantë është fakti se ndër personazhet më të njohura dhe më të spikatura të këtij seriali, që transmetohet në televizionin shtetëror serb, janë edhe disa aktorë shqiptarë nga Kosova.

Sipas Tea Korolija, producente e serialit, “përpara Besës nuk ka pasur asnjë serial në Serbi me aktorë shqiptarë. Ishim të parët”. Edhe po t’i kthehesh historisë kinematografike jugosllave, vështirë se gjen ndonjë produksion të madh që ka bashkuar kaq shumë aktorë shqiptarë dhe serbë në të njëjtin vend. Në sezonin e parë rreth 30% e dialogut është në gjuhën shqipe dhe në sezonin e dytë, rreth 40%.

Transmetuar në Klan Kosova, një nga rrjetet më të mëdha televizive private të Kosovës, ky serial është po ashtu prodhimi i parë serb që transmetohet në një kanal kryesor në gjuhën shqipe prej vitesh, tha drejtori i programit të Klan Kosovës, Alaudin Hamiti gjatë një bisede në Zoom. “Jo vetëm në Klan Kosova”, tha ai, “por edhe në kanalet e tjera në Kosovë, që nga periudha e pasluftës”.

Saga e krimit familjar është bërë sensacion në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe në diasporë — një produkt i rrallë kulturor nga rajoni që arrin të bëhet sukses komercial edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Aty ku noir-i skandinav është bërë një zhanër i njohur globalisht në botën e televizionit të prestigjit, “Besa” është ofertë për një nën-zhanër të ri: noir-in Ballkanik. Por si t’i bindësh disa nga aktorët më të mirë shqiptarë në botë të luajnë rolet si bosa të drogës në një seri televizive serbe? Dhe a mundet një seri e tillë t’i tejkalojë stereotipet dhe klishetë, apo në këtë rast, veç i përforcoi tutje ato?

***

Në qendër të serialit është Uroš Perić (Radivoje Bukvić), një burrë familjar i zakonshëm nga Beogradi, i cili ka bashkëshorte, dy fëmijë dhe një kompani të vogël  për shpërndarje produktesh farmaceutike, që mezi mbahet.

Në një ditë të pafat, teksa dërgonte një pako për në Ulqin, ai përfshihet në një aksident me veturë, në të cilin shoferja e veturës tjetër vdes. Shumë shpejt e kupton se ajo ishte e bija e Dardan Berishës, trafikantit më të madh të heroinës në Ballkan. Që këtu, gjithçka shkon mbrapsht për Uroš.

Dardan (Arben Bajraktaraj) planifikon të marrë hak duke vrarë burrin familjar, por pastaj vendosë që në vend se ta vrasë, ta detyrojë Uroš të bëhet një vrasës për klanin Berisha. “Gjak ke marrë, tash gjak ke me dhanë”, thotë Dardani.

Dardan Berisha është kriminel gjakftohtë, por jeta që ai bën nuk është ajo që e ka zgjedhur. Fotografia: Aleksandar Letić.

Por në një moment të të menduarit me nguti, Uroš e siguron besën e Dardanit, e cila nëse thyhet rezulton në “vdekje të sigurt”, siç ua përshkruajnë dy inspektorë të Interpolit nga Ballkani “urdhrin kanunor shqiptar” kolegëve të tyre francezë të habitur që në episodin e parë. Përderisa Uroš arrin t’i kryej pesë vrasje me porosi për klanin Berisha, kjo besë e veçantë mbahet, Dardani betohet se familja e Uroš nuk do të preket me dorë.

Për ta plotësuar trekëndëshin dramatik në qendër të serialit është inspektor Petrit Koci, rol i luajtur nga aktori veteran Miloš Timotijević, i cili së fundmi është bërë një nga njerëzit kryesorë të kinematografisë serbe. Petriti, i cili babain e ka shqiptar të Kosovës e nënën serbe, është midis kulturave, “një njeri që nuk i përket askujt dhe askund”, siç e ka përshkruar Timotijević. Duke punuar për Interpolin në Beograd, Petriti ballafaqohet me fyerje të vazhdueshme etnike dhe shpërfillje nga policët serbë me të cilët i duhet të bashkëpunojë. 

Kur shfaqet për të parën herë, Petriti është duke ushtruar furishëm në banesën e tij të mobiluar pak në Beogradin e Ri. I vetmi dekor është një mur i mbuluar me fotografi, fotografi të skenës së krimit dhe copëza gazetash prej ku mësojmë se babai i Petritit ishte oficer policie në Jugosllavi, i cili u vra nga klani Berisha në fillim të viteve të ’80-ta. Është momentqë shfaqet vazhdimisht, por që kurrë nuk zbërthehet në thellësi.

Reklamat për premierën e serisë përmblodhën temën e sezonit të parë: “Çfarë je në gjendje të bësh për ta mbrojtur familjen”? Shikuesit inkurajohen ta vendosin veten në përpjekjen e Uroš për ta shpëtuar familjen e tij, por siç mësuan krijuesit e serisë teksa seriali po zhvillohej, shikuesit nuk gjetën shumë për t’u identifikuar në një personazh që po transformohej papritur nga një njeri familjar në një vrasës të skalitur.

Por tema shtrihet tek personazhet e tjerë në forma më tërheqëse. Bashkëshortja e Uroš, Marija, neveritet dhe shqetësohet kur mëson se në çka është përfshirë Uroš, por shumë shpejt përfundon duke gënjyer policinë për ta mbrojtur atë. Ndonëse Petritit nuk i ka mbetur asnjë familjar për ta shpëtuar, ai është i fiksuar për ta kapur Dardanin e për t’u hakmarrë ndaj klanit Berisha dhe është në gjendje ta shpërfill çdo rregull apo rregullore që i del përpara.

Rrëfimet që ndjekin përpjekjet e personazheve shqiptarë për t’i “shpëtuar familjet e tyre” bëhen shpejt më magjepsëset dhe kjo ndodh pjesërisht për shkak të aktrimit të tyre fenomenal.

Ndonëse Dardani është kriminel gjakftohtë, mësojmë se jeta që ai bën nuk ishte ajo që ai zgjodhi. Ai është i martuar me Teutën — vajzën e rivalëve kryesorë të Berishëve, familjes kriminale Sokoli — si pjesë e një paqeje të ndërmjetësuar dhe tani drejton klanin si detyrim teksa përpiqet t’i rrisë fëmijët në një botë jashtë krimit.

Teuta, rol që luhet me hijeshi stoike nga Gresa Pallaska, heshturazi lufton rolin tradicional që i është detyruar, por në fund të sezonit të parë ajo kryen një vrasje tronditëse si përgjigje ndaj një tentative për të vrarë djalin e saj Dritonin.

Personazhi i Gresa Pallaskës, Teuta, ishte personazhi grua më i pëlqyer nga publiku serb. Fotografia: Aleksandar Letić.

Togeri i lartë i Dardanit, Hashimi, rol i luajtur me një energji të egër nga Mensur Safqiu, mësojmë se ka një fëmijë të fshehtë me një vajzë të re malazeze, familjen e së cilës ai supozohet ta vrasë për biznesin e Berishës. Përkushtimi ndaj gruas dhe vajzës së tij do ta shtyjë atë ta shkelë besën e tij ndaj Dardanit, me rezultate të parashikueshme (“vdekjen e sigurt”).

Janë personazhet dhe aktorët që i luajnë këto role, si Bajraktaraj, Pallaska dhe Safqiu, ata që lanë përshtypjen më të madhe te shikuesit serbë. Producentja Tea Korolija, në një bisedë të përbashkët në Zoom, si dhe bashkë me krijuesin e serisë, Igor Stoimenov, tha se sipas anketave të publikut, “[Teuta] ishte personazhi grua më i pëlqyer në “Besa” për publikun serb.

“Nuk e kemi pritur aspak këtë”, tha Korolija. “Menduam se [gruaja e Uroš] Marija do të jetë personazhi kryesor dhe personazhi më i njohur”. Stoimenov shtoi se Pallaska i ka thënë se tani ka më shumë ndjekës në Instagram nga Serbia sesa nga Kosova.

Mensur Safqiu, lider në botën e aktrimit shqiptar, u bë i famshëm edhe në rajon si rezultat i “Besa”. Stoimenov tha se ai takohet shpesh me Safqiun në Maqedoni të Veriut dhe se në të kaluarën, “kur ecje me Mensurin nëpër Shkup, mund ta dalloje saktësisht se cili djalë është shqiptar dhe cili është maqedonas, sepse të gjithë shqiptarët afroheshin dhe i thonin  ‘Mensur! A e bëjmë një fotografi”?

Por pas “Besa”, të gjithë dëshirojnë të bëjnë fotografi me Safqiun, tha Stoimenov, dhe “në Maqedoni s’mund ta dallosh më kush është shqiptar e kush maqedonas”.

Ekziston një histori e aktorëve shqiptarë që njihen dhe vlerësohen në të gjithë ish-Jugosllavinë. Bekim Fehmiu dhe Faruk Begolli, të dy nga Kosova, jo vetëm që ishin aktorët më të njohur shqiptarë në Jugosllavi, ishin edhe ndër aktorët më të njohur jugosllavë të çdo etnie. Por paraqitjet e famshme të këtyre aktorëve ishin kryesisht në gjuhën serbo-kroate.

Paraqitjet e Bajraktarajt, Pallaskës, Safqiut dhe aktorëve të tjerë shqiptarë në “Besa” përfaqësojnë herën e parë që aktorët që performojnë në shqip kanë fituar këtë nivel të famës në vende si Beogradi apo Shkupi, Mali i Zi apo Kroacia.

***

Mediat serbe e mbulojnë serialin “Besa” kujdesshëm, duke iu përshtatur popullaritetit masiv që ka, por pjesa më e madhe e mbulimit është sipërfaqësore, rrallëherë shkon përtej nivelit të përmbajtjeve rreth të të famshmëve, duke e neglizhuar atë që e bën serinë të veçantë apo edhe potencialisht kundërthënëse.

“Do të doja që kjo seri të nxisë një debat për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha Stoimenov. “Por kjo s’po ndodh. Askujt nuk i intereson për këtë aspekt dhe nuk jam shumë i kënaqur për shkak të kësaj.

“E vetmja arsye pse kjo seri u pranua në Serbi, është cilësia”, tha ai, cilësi kjo që ia solli serisë një sërë çmimesh.

Në festivalin FEDIS 2019 ku konkurrojnë shfaqjet televizive nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia — fitoi çmime për serinë më të mirë, muzikën më të mirë dhe fotografinë më të mirë. Në Festivalin e ardhshëm të Filmit në Sarajevë është nominuar për shtatë çmime, përfshirë edhe për serialin më të mirë dramatik, aktorin më të mirë kryesor (Arben Bajraktaraj) dhe “Ylli në rritje” (Floristi Bajgora, i cili luan Driton Berishën në sezonin e dytë).

Si rezultat i “Besa”, aktorit shqiptar nga Kosova, Mensur Safqiu, njerëzit i grumbullohen për të bërë fotografi në Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Fotografia: Sergej Radović.

Popullariteti i serialit ishte ajo çfarë tërhoqi Relja Popović, njërin nga reperët më të njohur në Serbi, t’i rikthehej aktrimit. Në sezonin e dytë luan një rol dytësor si njëri nga njerëzit e klanit Sokoli në Beograd. “Tregohem modest kur e quaj seriali më i mirë, por sinqerisht kështu mendoj, kështu që më në fund pranova një rol aktrimi pas 10 vitesh”, tha Popović.

“Do ta pranoja këtë rol edhe pa e lexuar skenarin sepse tashmë jam adhurues i serialit”, tha ai. Popović për herë të fundit luajti në filmin serb të vitit 2011, fitues i çmimeve “Parada” dhe roli i  tij kryesor në filmin “Ordinary People” (në shq. Njerëz të Zakonshëm) i vitit 2009 tërhoqi vlerësime në Kanë dhe festivale të tjera.

Si pjesë e asaj që e bën “Besa” të dallohet nga produksionet e tjera rajonale është se, sipas Korolija, ishte seriali i parë në hapësirën post-jugosllave që përfitoi nga bashkëprodhimi ndërkombëtar i nivelit të lartë. Skenaristi dhe producenti britanik Tony Jordan, i cili mbrapa ka hitet britanike si “Hustle” (në shq. Ngutje) dhe “Death in Paradise” (në shq. Vdekje në Parajsë), ishte krijues i “Besa” dhe kontribues në konceptimin dhe strukturën e saj.

Në një intervistë dhënë për Drama Quarterly, Jordan tha se fokusi i tij ishte në një rrëfim, të cilit mund t’i shiten të drejtat e transmetimit ose rikrijimit globalisht. “Duam shitje ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë ai, “jo vetëm një film arti ose diçka specifike rreth rajonit”.

Që atëherë është bërë seriali i parë televiziv serb që shet të drejtat ndërkombëtare për rikrijim. Një version në gjuhën arabe po bëhet në bashkëprodhim nga studiot nga Libani dhe Dubai.

Pjesa ballkanike e ekipit të produksionit mezi priste ta përdorte Jordan për të ndihmuar në ngritjen e nivelit të serialit. “Kur filluam “Besa” në vitin 2016, nuk kishim njohuri për serialet e klasit të lartë”, tha Stoimenov. “Askush s’dinte asgjë”.

Korolija shtoi se, “Para ‘Besa’ në tregun tonë kishim vetëm një emision me cilësi të lartë të produksionit, ‘Ubice mog oca’ [në shq. “Vrasësit e babait tim”]. Kurse më parë kishim vetëm seriale komedi apo seriale të përditshme. Prodhim tepër shumë i dobët.  Në atë kohë, kanalet komerciale në Serbi s’mund të paguanin më tepër”.

Fillimisht investuan në dhomën e skenaristëve, duke i rishikuar skenarët për muaj të tërë dhe duke punësuar dy herë më shumë skenaristë sesa zakonisht në Serbi. Aktorët e vërejtën dallimin. Timotijević theksoi posaçërisht procesin intensiv të përzgjedhjes së ekipit të aktorëve për “Besa”, i cili zgjati me muaj. “Këtu në Serbi, shpeshherë nuk bëjnë përzgjedhje fare”, tha ai. “Thjesht vendosin, eh, ky djalë bën, ai djalë, ky djalë'”.

Dardani dhe Isa, role të luajtura nga Arben Bajraktaraj dhe Refet Abazi, mund të jenë kriminelë, por veprojnë sipas kodit të nderit. Fotografia: Sergej Radović.

Duke gjykuar për nga entuziazmi i audiencës, investimi duket se ka sjellë rezultat. Arben Bajraktaraj, i cili është i famshëm për rolet në “Taken”, “Harry Potter” dhe një sërë prodhimesh evropiane të filmit dhe televizionit, tha gjatë një bisede në Zoom, “Njerëzit më shkruanin nga Norvegjia, Gjermania, Zvicra. Thjesht e adhuruan [Besa]”.

“Isha duke xhiruar në Çarshinë e Vjetër në Shkup në nëntor dhe nuk s’mund të lëvizja as dy metra… edhe në mëngjes kur kisha flokët si Ajnshtajni, një baba me vajzën e tij u afrua dhe tha: “Hajde t’i flasim xhaxhait Dardan”, tha Bajraktaraj.

“Pastaj një ditë tjetër disa njerëz më ndaluan për “Besën” teksa isha rrugës sime për në Paris, dhe mendova, “oh dreq, tash u teprua”, duke qeshur. “Ishin njerëz të diasporës, mendoj se ishin nga Bosnja, mendoj nga theksi i tyre”.

Timotijević ka përjetuar situata të ngjashme. “Më kujtohet kur njerëzit në markete më pyesnin: “Besa është një serial shumë i mirë televiziv, a do të ketë sezon të dytë”? tha ai. “Pastaj, kur filloi sezoni i dytë, pranova mesazhe në Instagram nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga Kroacia, nga Sllovenia dhe normalisht nga Serbia”.

Edhe në Kosovë, seriali arriti shikueshmëri gjatë kohës së transmetimit në Klan Kosova, tha drejtori i programit Hamiti.

***

Deri në fund të sezonit të parë (sekuenca të serialit bëhen të ditura në vazhdim), tri personazhet kryesore ngecin në një trekëndësh vdekjeje. Dardani mezi i mbijeton një atentati të organizuar nga Agimi, vëllai i Teutës dhe udhëheqësi i klanit Sokoli. Gjatë të shtënave, djali adoleshent i Dardanit, Dritoni qëllohet në nofull. Ndonëse Teuta nuk shqetësohet dhe aq për bashkëshortin e saj, i cili e trajton atë më shumë si partnere problematike në biznes sesa si bashkëshorte, ajo çmendet nga vrasja pothuajse e sigurt e djalit të saj dhe fluturon për në Zvicër ku qëllon vëllain e saj dhe pastaj veten.

Pas humbjes së vajzës dhe bashkëshortes dhe për pak humbjes së djalit të madh, Dardani s’di ç’të bëjë. Nënkuptohet se thjesht mund të zhduket dhe jetën që po jeton ta lërë pas.

Ekipi i produksionit u ballafaqua me vështirësinë për t’I bindur aktorët kryesorë shqiptarë si Mensur Safqiu, të luanin rolet e gangsterëve në një serial serb. Fotografia: Aleksandar Letić.

Gjërat s’po ecin mirë as për Uroš. Interpoli tashmë e di se ka punuar për Dardanin dhe hapësira po i ngushtohet, por atij i shtyhet dënimi për pak kohë kur Berishajt ia dalin t’i shkatërrojnë provat e ADN-së kundër Uroš përpara se ato të analizohen.

Me shkatërrimin e provave ndaj Uroš, Petriti sheh se Dardani po i rrëshqet nga duart. Kur atij i afrohet një operativ i grupit Sokoli me prova të dyshimta kundër Dardanit, ai duket se është i gatshëm të përfitojë nga kjo.

Dhe pikërisht kur Uroš mendon se e kreu vrasjen e tij të fundit për Dardanin, në skenën e fundit informohet se nuk ka mbaruar ende, i duhet ta vrasë Petritin.

***

Ekipi i produksionit ishte i vetëdijshëm se pa aktorët kryesorë shqiptarë seriali do të dështonte, kështu që Bajraktaraj, si aktori më i njohur dhe më i famshëm shqiptar ndërkombëtarisht, ishte zgjedhja e tyre kryesore.

“Negociatat me Arbenin zgjatën me muaj dhe ai nuk e pranonte rolin”, tha Korolija, “as që donte të lexonte skenarin. E dinte se bëhej fjalë për një shfaqje serbe të quajtur “Besa”, ku i ofruam një rol të një bosi droge shqiptar dhe sigurisht që nuk e deshi këtë. Isha vërtet e dëshpëruar”.

Më në fund Korolija arriti ta kontaktonte Bajraktarajn dhe filloi t’ia dërgonte skenaret episod pas episodi, në një mbrëmje. Ai i lexoi deri natën vonë dhe deri në katër të mëngjesit i kishte lexuar të gjitha që ishin të shkruara deri atëherë. “Dhe më pyeti: “Sa episode keni? A ka të tjera”? tha Korolija, “Dhe pastaj kuptova se ishte i interesuar”.

“Çfarë më befasoi ishte qasja dramaturgjike. Ishte i bërë shumë mirë, i ndërtuar shumë mirë”, tha Bajraktaraj. “Por pjesa tjetër ishte plot broçkulla. Praktikisht broçkulla propagandistike. Klishe budallaqe serbe për shqiptarët dhe të gjitha. Çdo shqiptar do të tmerrohej”.

“Kështu që isha i gatshëm thjesht t’ju thoja faleminderit, më pëlqeu qasja dramaturgjike, më pëlqeu rrjedha e ngjarjeve, por s’mund ta bëj”, tha ai. “Bëra gati përgjigjen time, por para se ta dërgoja, Tea më telefonoi dhe më tha: ‘Të lutem mos ma dërgo përgjigjen. A mund të flasim? Kudo që je, po vij’”.

Korolija hipi në avionin e radhës për në Paris, ku kaluan tërë ditën së bashku. “Tea ishte plotësisht e hapur”, tha Bajraktaraj, “kështu që hymë në fazën e dytë”.

Stoimenov iu caktua detyra ta vinte në punë ekipin e skenaristëve dhe ta ripunonte skenarin.

“Kurrë s’do ta gjesh ndonjë aktor të suksesshëm serb që pranon të luajë në ndonjë lloj filmi shqiptar, sepse e dinë se do t’ju duhej të luajnë ndonjë krimineli lufte”, tha ai. “Ose nuk ka asnjë rast që një aktor shqiptar nga Kosova pranon të luajë në një film serb, sepse e dinë se do t’iu duhet të luajnë ndonjë rol kasapi apo krimineli lufte”.

Ky impuls ishte çfarë atij iu desh ta kundërshtonte. Disa nga skenaristët, tha Stoimenov, “deshën t’i krijonin këto personazhe shqiptare si kriminelë lufte. Që nga fillim ka pasur disa ide të tmerrshme, të tilla si personazhi i Dardanit t’i ushqente qentë e tij me serbë”.

“S’ishte thjesht e rrejshme, ishte vërtet budallallëk, një pjesë e tyre”, tha Bajraktaraj për draftin e parë të skenarit që e lexoi. “Nuk më pengon të luaj në një serial krimi, por e kam problem nëse nuk është i vërtetë dhe nëse është i mbushur me budallallëk ideologjik”.

“Kështu që, për mua ishte sfidë e jashtëzakonshme,” tha ai. “Mund ta refuzoja atë, që ishte mjaft e drejtë, apo të hyja në një luftë, në një luftë personale dhe artistike. Jo me serbët, por me vetë subjektin, me vetë stereotipet”.

Ndonëse shfaqja mbështetet në adrenalinën, melodramën dhe surprizat e serialeve klasike të krimit, “brenda rrjedhës së historisë… kishte diçka brenda saj që ishte shumë e afërt me tragjeditë e vjetra greke”, tha Bajraktaraj. “Dhe ndoshta kjo ishte ajo çfarë më mbajti. Merrja frymë me të”.

Seriali synon të ngrihet mbi nivelin e një serie mesatare krimi dhe merr frymëzim nga tragjeditë greke. Fotografia: Aleksandar Letić.

Me fshirjen e pjesëve të skenarëve që ishin më poshtëruese, e organizuan një thirrje për përzgjedhjen e aktorëve në Prishtinë.

“Përzgjedhja e ekipit të aktorëve në Kosovë ishte një lajm i madh”, tha Korolija. “Mendoj se shumë aktorë e pranuan ftesën vetëm për kuriozitet. Kush është ky produksion nga Serbia që po e organizon një përzgjedhje aktorësh kaq të madhe për rreth 20 role? Megjithatë që të gjithë dyshonin shumë tek ne”.

Përmes bisedave të gjata dhe përkushtimit në ndërtimin e besimit, ia dolën të merrnin në ekip aktorë të mirë si Safqiu dhe Pallaska, por më shumë vështirësi patën t’i bindnin aktorët e rinj shqiptarë që të nënshkruanin.

“Patëm probleme që nga fillimi me aktorët shqiptarë që u pajtuan… dhe pastaj nuk u shfaqën në sheshxhirim, sepse frikësoheshin të luanin role si gangsterë shqiptarë në një serial serb”, tha Stoimenov, përpara se Korolija ta ndërpriste. “Diçka që është normale, është krejtësisht normale”, tha ajo. “Për ta ishte vërtet problematike ta pranonin rolin në serialin tonë”.

Një gjë të tillë vërejti edhe Bajraktaraj. “Për aktorët më të rinj … ishte ndryshe”, tha ai. “Mendoj se disa prej tyre e refuzuan sepse nuk ndiheshin rehat të shkonin në Beograd, gjë që është mjaft e drejtë. Por pastaj më vonë erdhën”.

Në kohën kur u hap thirrja për përzgjedhjen e ekipit të aktorëve për sezonin e dytë, seriali tashmë kishte bërë bujë dhe të gjithë dëshironin të bëheshin pjesë.

Refet Abazi, aktor veteran nga Shkupi dhe profesor universitar i arteve dramatike në Shkup dhe Tetovë, luajti një rol të vogël në sezonin e parë si Isa, një rojë i vjetër i besueshëm i klanit Berisha. Në sezonin e dytë, personazhi u zhvendos në skenën qendrore, njësoj si pozicioni i Abazit në grupin e produksionit, ku ishte këshilltar për përzgjedhjen e aktorëve dhe dialogun shqiptar.

“Igor apo Tea e përmendën në një intervistë se unë isha këshilltar për përzgjedhjen e aktorëve shqiptarë”, tha Abazi, “dhe tani të gjithë më pyesin: “Kur do të jetë audicioni i radhës? Kur do të hapet thirrja për përzgjedhje të aktorëve”?

“Po më dërgojnë mesazhe: “Mos më harro”!

***

Si njëra nga përpjekjet e para serioze në Serbi ose shtete të tjera post-jugosllave për ta krijuar llojin e prodhimit televiziv prestigjioz, që është zhvilluar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Perëndimore gjatë dy dekadave të fundit, seriali oferton një nën-zhanër të ri televiziv: noir balkanik.

“Shikoje ndonjë serial skandinav”, tha Stoimenov. “A mund ta dallosh nëse kjo urë, kjo vrasje, është daneze, suedeze, norvegjeze, finlandeze? Është thjesht noir skandinav. Është kjo çfarë dëshiruam të bënim, diçka që është veç serial ballkanik”.

Duke mos u mjaftuar të jetë vetëm një “serial serb”, “Besa” nënkuptueshëm tregon rrugën përpara për serialet, storiet dhe bashkëprodhimet e ardhshme shumëgjuhëshe transballkanike.

Bajraktaraj, i vetëdijshëm ose jo, anoi në këndin e noir-it ballkanik kur mjeshtëroi karakterin e tij. “Nuk doja që Dardani të ishte thjesht një kopje e atyre mjeshtërve të mëdhenj, [Marlon] Brando dhe [Al] Pacino dhe të tjerëve”, tha ai. “Doja që ai të ishte nga malet karstike. Si njerëzit të fshatit tim. Si kushërinjtë e mi. Si unë”. Noir-it ballkanik kërkon një kriminel ballkanik.

Hezitimi i disa aktorëve shqiptarë për të luajtur kriminelë të tillë nuk lidhej vetëm me faktin se “Besa” është prodhim serb. Teksa në të kaluarën italianët ishin nacionaliteti i preferuar për kriminelët e organizuar në film dhe televizion, si në “The Godfather” (në shq. “Kumbari”) ose “The Sopranos” (në shq. “Sopranët”), në dy dhjetë vitet e fundit filmat hollivudian kanë më shumë gjasa që si personazhe të këqij t’i kenë rusët ose bullgarët, ose serbë, apo gjithnjë e më shumë, shqiptarët.

Një pyetje me të cilën shpesh ballafaqohen aktorët nga këto vende është nëse është e përshtatshme ta pranojnë një rol duke qenë të vetëdijshëm se rezultati përfundimtar do të jetë një portretizim i vendit të tyre si një strofkë kriminelësh dhe banditësh. Është vendim që është veçanërisht sfidues, duke qenë se këto role janë shpesh të vetmet që u ofrohen aktorëve nga rajoni dhe refuzimi për ta pranuar një rol të tillë klishe thjesht nënkupton se dikush tjetër do ta plotësojë atë.

Një numër i aktorëve shqiptarë në “Besa”, përfshirë disa që nuk folën për publikun, përmendën filmat klasikë mafioz të viteve të ’70-ta dhe ’80-ta lidhur me përfshirjen e tyre në serialin serb. A duhej t’i refuzonin rolet në këta filma aktorët italo-amerikanë?

Një numër i aktorëve në “Besa” reflektuan mbi filmat klasikë mafioz të viteve të ’70-ta dhe ’80-ta. Fotografia: Aleksandar Letić.

Në filmin “Taken” të vitit 2008, Bajraktaraj luajti rolin e tij më të famshëm deri më sot: Marko nga Tropoja, një kriminel parisien nga Shqipëria që udhëheqë një operacion të trafikimit seksual. Bajraktaraj e luajti rolin e tij me intensitet tejet tronditës sa që ndonëse Marko nuk shfaqet shumë në ekran, performanca ka ndikim të jashtëzakonshëm në film.

Megjithëse lavdërimet për aktrimin e tij ishin të padiskutueshme, roli i tij zgjoi debat mes shumë shqiptarëve. Për shkak se filmi ishte produkt i përmasave botërore dhe veçanërisht i pakursyer në portretizimin e shqiptarëve si kriminelë të pashpirt, disa shqiptarë argumentuan se ai e krijoi idenë e kriminalitetit shqiptar në mendjet e një audience botërore.

Kur u pyet për vendimin e tij për të luajtur rolin e një gangsteri shqiptar në një serial serb, Abazi tregoi një përvojë nga fundi i viteve të ’90-ta, kur ishte njëri nga të vetmit aktorë shqiptarë që interpretoi në teatrin në gjuhën maqedonase në Shkup. Ai tha se kur u pyet nga një gazetar e se si ndihej, si një shqiptar që luan në gjuhën maqedonase në teatrin maqedonas, ai iu përgjigj: “Më kanë ftuar si aktor, jo si shqiptar. Unë përfaqësoj profesionin tim. Kështu që ta lejoj të më vlerësosh vetëm si aktor i mirë apo i keq, jo si shqiptar i mirë apo i keq”.

Abazi vazhdoi duke lavdëruar performancat e kolegëve të tij në “Besa” dhe duke theksuar  veçanërisht sfidat që kosovarët kanë në luajtjen e rolit të kriminelëve në një produksion serb. “Ata janë aktorë të shkëlqyeshëm, kanë bërë një punë të shkëlqyer”, tha ai.

Sidoqoftë, “Besa” përsëri është një serial serb për kriminelët shqiptarë, në të cilin praktikisht secili personazh shqiptar — burrë apo grua, polic apo student —  ​jeton sipas betimit në gjak dhe motivohet nga gjakmarrja. Nëse premisa duket klishe ose e konceptuar në mënyrë të vrazhdë, kjo për shkak se ashtu edhe ka qenë.

Në një intervistë dhënë në Festivalin e Filmit në Tuzla, Stoimenov përshkroi konceptimin e serisë. Planifikohej të vinim deri te diçka që mund të krijohej me cilësi të lartë, por relativisht lirë në Ballkan dhe më pas të shitej jashtë vendit. Krijuam një listë konceptesh për t’i ndarë me Tony Jordan në Londër, “Tesla, vampirë … piramida në Bosnjë, as vetë s’më kujtohet se çfarë tjetër kam shkruar”, tha Stoimenov, “dhe pastaj, në fund të listës, vendosa ‘mafian shqiptare’”.

Në takimin me Jordan i rishikuan bashkë idetë. Gjersa shihte reagimet e tij, ata menduan se nuk kishin ndonjë mundësi, derisa, tha Stoimenov, “krejt në fund, ‘mafia shqiptare’”.

“Eh! Po pra”! Stoimenov thotë se Jordan bërtiti: “Kemi mafian shqiptare, e gjithë bota ka një mafia shqiptare. Dikur ishte mafia italiane, mafia ruse, tani është mafia shqiptare”.

***

Kur fillon sezoni i dytë (sekuenca të serialit bëhen të ditura në vazhdim), kanë kaluar vite. Dardani gjendet në një burg malazez, klani Berisha po bie dhe Iliri, nipi i Teutës, ka marrë në dorë klanin Sokoli. Uroš është dëshmitar i mbrojtur me gruan dhe djalin e tij në Estoni, duke punuar si mekanik.

Por kur një kamion e godet familjen e Uroš për të dalë nga një urë (prapë aksident me veturë), gruaja dhe djali i tij vdesin dhe Uroš mezi mbijeton. I sigurt se Dardani e shkeli besën për ta lënë të rehat Perić, Uroš kthehet në një psikopat nihilist i etur për hakmarrje.

Të paktën Petriti i ka punët mirë. Pasi e burgosi Dardanin, u ngrit në detyrë në Vjenë, ku po drejton operacionet e Interpolit në Evropën Juglindore dhe jeton në një apartament elegant me bashkëshorten e tij të re. Por kur familja Perić sulmohet, ai i rikthehet përsëri aferave të klanit Berisha dhe tani është i gatshëm të bëjë kompromis me çdo kod ligjor apo moral për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë problemin e tij Dardanin.

Sezoni i dytë lidhet më pak me familjen dhe më shumë me luftën mes brezash. Fotografia: Sergej Radović.

Përderisa tema e sezonit të parë lidhet me atë se deri ku njerëzit janë në gjendje të shkojnë për ta shpëtuar familjen e tyre, sezoni i dytë ka të bëjë me luftën mes brezave, mes të moshuarve dhe të rinjve.

Në një prezantim për kolegët e tij në episodin e parë, Petriti e shpjegon këtë. Trafiku i drogës tani “po drejtohet nga lojtarë të rinj që nuk njohin as kufij shtetëror, fetar e as kombëtar. Prandaj nuk bëhet fjalë më për mafian serbe, shqiptare apo malazeze. Tash e tutje do të përdorim termin ‘mafia ballkanike’”, thotë ai. “Për dallim nga kriminelët e vjetër që i përmbaheshin një lloj kodi moral, tani kemi të bëjmë me kriminelë të rinj të paskrupullt me ​​ego të uritur”.

Ndonëse në prezantim e identifikon Ilir Sokolin, rol i luajtur nga Tristan Halilaj, si objektivi kryesor i Interpolit, krimineli i vërtetë i paskrupullt me ego të uritur është i riu Driton Berisha. Pasi ka kaluar vitet e fundit në Itali, ai vendos që është koha të kthehet në Ballkan dhe ta marrë përsipër biznesin e familjes, ndonëse pa dëshirën e babait të tij.

Fillimisht ngadalë, pastaj krejt papritur, Dritoni merr nën komandë klanin dhe e mbush atë me të rinj me sy të uritur për gjak dhe pushtet. Me flokët e tij gjysmë-topuz, të shprishura dhe këmishët me kravatë të ngjyrosura, Dritoni është në kontrast të plotë me forcat e besueshme të brezit të vjetër të klanit Berisha, të cilat ai i vret ngadalë.

Ky konflikt mes vlerave të kundërta të Dritonit dhe Dardanit dhe brezave që ata përfaqësojnë, është motori dramatik i sezonit, veçanërisht pasi të qartësohet se njëri prej tyre do duhet të vdesë. “Tregom, a jam unë baba apo udhëheqësi i klanit”? Dardani e pyet Isain. Besnikëria e tij a është ndaj djalit të tij, i cili po përpiqet ta vrasë, apo ndaj pozicionit të tij?

Gati në fund të sezonit, në një moment fatal, Isa nën emocione i thotë Dritonit se është i pari nga klani Berisha që ka shkelur besën — mësuam se ishte Dritoni, jo ​​Dardani, ai që urdhëroi vrasjen e Uroš dhe familjes së tij. “A e di që mua s’ma ndien hiç për traditat e pleqve tu”? Dritoni i thotë egërsisht. “Dhe aq më pak besa që i është dhënë një shkau që ma ka vra motrën”.

Sezoni përfundon me një situatë emocionuese. Petriti përballet me një përgjigje shkatërrimtare të karmës, si rrjedhojë e sjelljes së tij çdoherë e më të papranueshme dhe të paligjshme dhe është e paqartë se si do të reagojë. Dardani ka ikur nga burgu dhe është vendosur në një kompleks banimi në Kosovë te disa njerëz besnik dhe habitet kur Uroš shfaqet papritur. Ndonëse, gjatë gjithë sezonës është përpjekur të vrasë Dardanin, kur Uroš e kupton se Dritoni ishte përgjegjës për vdekjen e familjes së tij, vendos që Dardani është i detyruar ta vrasë djalin e tij. “E ke dhënë besën”, bërtet ai. A është Dardani i obliguar moralisht ta mbrojë birin e tij të pafytyrë, apo obligohet moralisht ta mbajë fjalën e tij?

***

Ndonëse “Besa” është një serial kryesisht i bazuar në paragjykime për shqiptarët, aktrimi fenomenal i aktorëve shqiptarë dhe risia e të dëgjuarit dhe shikuarit të aktorëve shqiptarë në një seri televizive me buxhet kaq të lartë duket se ia ka mundësuar publikut shqiptar ta përqafojë atë. Përpjekjet e serisë për të qenë neutralë luajtën rol po ashtu. S’ka asnjë përpjekje për ta portretizuar njërën apo tjetrën kombësi si më pak apo më shumë të pamoralshme. Stoimenov tha se seriali nuk ka njerëz të mirë apo të këqij, më e përshtatshme do të ishte të thuash se thjesht në serial nuk ka njerëz të mirë të gjithë janë të këqij. 

Por si një serial i ndërtuar mbi paragjykime për kriminalitetin shqiptar, traditën dhe “fjalën e nderit”, si e pret publik serb “Besa”? A arrin seriali t’i kapërcejë klishetë apo t’i përforcojë ato?

Sipas Abazit, seriali ofron “mundësinë që, shikuesi, ndoshta nga një qytet shumë i vogël serb, të hyjë në familjen e [Dardanit]”. I sheh marrëdhëniet e tij me bashkëshorten Teutën dhe, për shkak të interpretimit brilant të Gresës, e shohim se si ajo vuan.

“Lidhesh emocionalisht me ta”, tha ai, “sepse ndan të njëjtat emocione”.

Veçanërisht e përmendi një mesazh në internet që e mori nga një serb nga Banja Luka, i cili i tha Abazit se sa i vinte keq që Isa u vra. S’i vinte keq për Abazin në aspektin profesional, “thjesht mendonte se Isa ishte njeri i mirë”, qeshi Abazi. “Kjo është Besa”!

Driton Berisha është pjesë e gjeneratës së re që nuk i intereson tradita dhe nderi. Fotografia: Sergej Radović.

Stoimenov mendon se ka diçka interesante sa i përket personazheve të preferuara të publikut. “Nga të gjithë personazhet në ‘Besa’, publiku më së shumti do Dardanin. A e dini pse? Për shkak se është një tip tradicional, ende mendon sipas traditave. Kësisoj u lidhën me Teutën, edhe me personazhin e Gresës”. Nuk është se e shohin traditën e Dardanit dhe Teutës si përfaqësues të shqiptarëve, përkundrazi, e shohin kodin e nderit të Berishajve, këmbnguljen e tyre për ta mbajtur besën dhe gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar për familjen e tyre si diçka që ka vlerë në jetën e tyre.

“‘Besa’ shfaqë një botë paralele”, tha Abazi, “i shfaqë disa vlera që janë harruar dhe që i prekin njerëzit”.

Bajraktaraj ishte më i përmbajtur sa i përket asaj se seriali mund t’i kapërcejë paragjykimet e ngulitura prej kohësh, por ai pa shenja pozitive në reagimin e publikut.

“Përforcim i paragjykimeve? S’e di. Më vijnë shumë letra, kryesisht të shkruara nga gratë”, tha ai, “që thonë pikërisht të kundërtën. Në fillim i shikojnë shqiptarët ndryshe dhe kjo me gjasë është edhe thelbi i sfidës. Por edhe nëse ka paragjykime, çfarë nëse i pranoj dhe thjesht ua kthej, në mënyrë që ta përjetoni ndjenjën: A janë vërtet të tillë”?

Në fillim të sezonit të dytë, kur Petriti udhëton në Estoni pasi të vritet familja e Uroš, një zyrtar policor estonez e pyet se çfarë ndodhi me Uroš në Ballkan.

“Ishte thjesht një njeri i zakonshëm që kriminelët famëkeq e kthyen në një bishë”, thotë Petriti. Gjithashtu mund ta ketë përshkruar veten, ose Dardanin, apo një numër personazhesh në serial. Në “Besa”, fatet e personazheve nuk i vendosin perënditë, si në tragjedinë greke. Krejt rastësisht dhe sipas rrethanave, detyrohen të futen situata, në të cilat duhet të veprojnë keq, shpesh deri në vetëshkatërrim.

“Uroš u shndërrua në një bishë sepse, në një farë forme, njësoj është edhe historia e Ballkanit”, tha Bajraktaraj, “historia e fundit në Ballkan. Njerëz që kthehen në bisha, për shkak të përvojës së asaj që po ndodhte. Kjo ndoshta është arsyeja pse njerëzit e identifikojnë veten me personazhet. Po prekim diçka përtej një serie të thjeshtë krimi”.

***

Viteve të fundit, filmat nga hapësira post-jugosllave kanë arritur të dalin shumë më lart se kategoria e tyre në të cilën garojnë. Në vitin 2022 filmi kosovar “Zgjoi” hyri në listën e ngushtë për Oscars në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar, në vitin 2021 filmi boshnjak “Quo Vadis, Aida?” u nominua në të njëjtën kategori dhe në vitin 2020 filmi maqedonas “Honeyland” u nominua për dokumentarin më të mirë, po ashtu edhe për filmin më të mirë ndërkombëtar. Nuk diskutohet aq se rajoni ka aktorë, regjisorë dhe kinematografë të nivelit botëror.

Pyetja që seriali “Besa” lë të nënkuptohet është: “Nëse filmat tanë mund të performojnë në nivel botëror, pse atëherë s’munden edhe seritë tona televizive”? S’ekziston asnjë arsye pse noir-i ballkanik, nëse prodhohet me burimet kreative dhe financiare të një ekipi nga vendet, nuk mund t’i arrijë nivelet më të larta të prestigjit televiziv dhe të sjellë histori rajonale për publikun botëror.

“Besa” s’ka arritur ende në atë nivel. Siç e përmend edhe një kritik serb në një recensë të përgjithshme pozitive të serialit, shikuesit që tashmë njihen me televizionin prestigjioz të nivelit të lartë “relativisht shpejt do t’i vërejnë hapat e fillestarëve, gabimet e fillestarëve”, rrjedhën e ngjarjes, problemet e vogla të skenarit, pikëpyetjet në vazhdimësi. Për më tepër, një shikues që nuk i di mirë gjërat, pasi të ketë parë “Besa” mund të supozojnë se shqiptarët thjesht japin dy apo tri betime të detyrueshme gjaku para se të zgjohen nga shtrati në mëngjes. Por seriali është veç fillimi.

“Vërtet besoj se kjo hapësirë ballkanike, e cila për të gjitha mediat kryesore në Perëndim është zona më e keqe e Evropës, është në fakt vendi i përsosur për gjetur histori të shkëlqyera”, tha Stoimenov. “Dhe këto histori nuk janë thjesht histori serbe, shqiptare apo malazeze. Janë historitë tona”.

Ndonëse Hamiti në fillim ishte në dyshime sa i përket “Besa” (iu deshën dy vite para se Klan Kosova të pranonte t’i blinte të drejtat e transmetimit), në fund ai përfundoi “se arti, pa marrë parasysh situatën, nëse gjërat trajtohen denjësisht, mund të transmetohet edhe në Kosovë edhe në Serbi”.

Kur mendojmë për Kosovën, Serbinë, Ballkanin dhe kinemanë, të kujtohen aktorët e mëdhenj shqiptarë jugosllavë (pjesa më e madhe e mbulimit medial të “Besa” në gjuhën shqipe janë thjesht artikuj për klikueshmëri që pyesin nëse Florist Bajgora do të bëhet Bekim Fehmiu i ri).

Krejt në fund të bisedës sonë në Zoom, Bajraktaraj reflektoi edhe për punën e tyre. Çfarë do të mendojnë për “Besa”? “Krejt ata aktorë [shqiptarë] që luajtën në Beograd, do të ishte interesante për mua t’i dija mendimet e tyre, por tani shumica e tyre kanë vdekur. Faruku, Bekimi…” vazhdoi ai. “Mendoj se, me shumë gjasë, do të ishin të lumtur. S’e di për vetë serialin, se a do të ishin të kënaqur me temën, por do t’ju pëlqente me mënyrën se si u mirëprit. Dëshiroj ta besoj këtë. Të paktën u përpoqëm”.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?