Mentorimi | Migrimi

Brenda shtëpive shqiptare në Turqi

Nga - 30.12.2019

K2.0 viziton komunitetin shqiptar në qytetet turke.

Po të ecësh e flasësh shqip nëpër rrugët e qyteteve perëndimore të Turqisë vështirë që nuk do të ndalësh nga ndonjë vendas me origjinë shqiptare. Të dhënat e ndryshme sugjerojnë që rreth 1 milion qytetarë turq kanë prejardhje shqiptare. Madje në raste tjera numri shkon deri në pesë milionë. 

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, historia tregon për migrim të madh gjatë periudhës osmane, që vazhdoi edhe gjatë tërë shekullit 20, si pasojë e ikjes nga shtypjet e pushteteve jugosllave dhe marrëveshjet në mes shtetit jugosllav dhe atij turk për shpërngulje të shqiptarëve në Turqi. Në raste tjera, tashmë me të afërm që jetonin në Turqi, shumë shqiptarë thjesht migruan për një jetë të mirë. 

Gjatë tetorit të kaluar gjatë një vizite në Turqi – Ankara dhe Bursa – K2.0 pati rastin të takohet me shumë individë e familje që vazhdojnë ta mbajnë me fanatizëm prejardhjen si pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. 

Njihuni me disa prej tyre!

Plep i verdhë

Gjatë një dite të tetorit të kaluar, Serkan Sarikavak qëndronte si zakonisht pranë tezgës së tij në distriktin Batikent të Ankarës, kur dëgjoi një gjuhë të njohur. Fjalët e shqiptuara në fillim i tingëlluan si rusisht, pastaj shqip, por kur dëgjoi edhe fjalën “gjashtë”, ai nuk pati më dilema. 

I entuziasmuar të dëgjonte gjuhën amëtare të paraardhësve së tij, ai menjëherë filloi bisedën me tri kosovaret, që rastisën të endeshin në pazarin e zonës periferike të kryeqytetit turk. Në një nga tezgat e shumëta, Serkani bashkë me bashkëshorten shesin veshje “outlet” të markave të njohura.

Takimi me vajzat e reja, që gjatë vjeshtës po ndiqnin një program për punë vullnetare në Turqi, gjatë të njëjtës kohë kur ndodhej edhe K2.0, për çiftin Sarikavak u përkthye në ftesë për darkë për të gjithë ne vizitorët shqiptarë. 

Në shtëpinë e tij Serkani përpiqej të shprehej sa më shumë që mundej në shqip. Pjesa shqiptare e identitetit të tij shprehej edhe në rekuizitat e ndryshme si pllakata me emblemën e UÇK-së në mur, apo shalli kuq e zi, me fjalën “Prishtina” të gdhendur në të. Ai thotë se edhe dëgjon muzikë shqip.

E derisa rrëfente historinë familjare, Serkani na tregonte albumin ku nuk mungonin fotografitë e tij me një nga simbolet më të njohura shqiptare – plisi në kokë.

Serkani, bashkëshortja e tij Ayşegül, dhe djali i vogël, Samiri. Foto: Drenusha Morina / K2.0.

Ai ka lindur në vitin 1974 në Ankara, por historia e të afërmëve të tij me shtetin turk kishte filluar shumë më herët. Paraardhësit e tij shqiptarë erdhën në Turqi në vitin 1932 – gjyshi i tij ishte nga Maqedonia e Veriut, kurse gjyshja nga Kosova.

Bazuar nga rrëfimet e familjarëve të tij, Serkani thotë se familja e tij kishte ikur nga shtypja e autoriteteve të atëhershme jugosllave dhe Turqinë e kishin parë si alternativë për t’u strehuar. 

Ai nuk e kujton saktë se çfarë mbiemra kishin paraardhësit e tij shqiptarë, por mbiemri i tij turk ka një histori interesante. I përkthyer në shqip, fjalë për fjalë, Sari-kavak do të thotë “plep i verdhë”. 

“Shkrova nëpër pankarta: ‘Ne jemi me ty Kosovë’.”

Serkan Sarikavak

Në vitin 1934, si pjesë e reformave të Ataturkut, në Turqi u vendos edhe Ligji i Mbiemrave, sipas të cilit shtetasit e Turqisë tashmë duhej të merrnin nga një mbiemër. Ndonëse familjarët e tij kryesisht ishin trup mëdhenj dhe kishin flokë të verdhë, ata kishin marrë mbiemrin Sarikavak (në shqip: plep i verdhë).

Serkani thotë se gjyshja e tij ia kishte ushqyer dashurinë për vendlindjen e tij dhe mësuar gjuhën shqipe, e këtë të dytën mundohet ta përçojë edhe te bashkëshortja, Ayşegül – me prejardhje nga Kosova – dhe djemtë e tij. 

Së bashku me Aysegul vizituan Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës në 1999. 

“Gjatë luftës së Kosovës, unë dola nëpër televizionet turke dhe protestova për luftën në Kosova”, thotë ai duke treguar se protestës i ishin bashkuar edhe miqtë e tij turq. “Shkrova nëpër pankarta: ‘Ne jemi me ty Kosovë’”.

Serkani brengoset që nuk ka me kë ta flasë shqip, por ngushëllohet teksa sheh se fëmijët e tij janë të vëmendshëm për Kosovën: “Sidomos Samiri, djali i vogël, është shumë i interesuar”, tregon Serkani.

“Mësojmë shqip”

Rreth pesë orë në perëndim të Ankarës, Teuta Tabaku po realizon ëndrrën e shumë shtetasve turq me origjinë shqiptare për të mësuar shqip. Në vitin 2003 ajo hapi disa kurse të gjuhës shqipe në Bursa, qytetin e njohur për komunitetin e madh shqiptar – Konsiderohet që në Bursa jetojnë rreth 800,000 persona me origjinë shqiptare.

Fjalët “rrush”, “dardhë”, “pjepër” dhe të frutave tjerë janë të shkruara në dërrasën e zezë, të vendosur pranë portretit të Ataturkut, derisa Teuta shpjegon për nxënësit e saj.

“Qëllimi i hapjes së kursit të gjuhës shqipe me gratë amvise, ka qenë angazhimi i tyre në jetën sociale e kulturore”.

Teuta Tabaku

Teuta studioi letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës dhe ishte mësimdhënëse e shqipes edhe në Shqipëri. 58 vjeçarja e lëshoi Beratin, vendlindjen e saj në vitin 1992 për të gjetur një jete më të mirë.

Duke e ditur që plot gra shqiptare kishin shkuar në Turqi si fëmijë dhe më nuk kishin pasur mundësi shkollimi, Tabaku vendosi ta krijonte një klasë mësimi posaçërisht për to.

“Qëllimi i hapjes së kursit të gjuhës shqipe me gratë amvise, ka qenë angazhimi i tyre në jetën sociale e kulturore”, thotë ajo. “Mendoj se duke arsimuar nënat, do të arrijmë rezultate edhe te fëmijët për mësimin e gjuhës shqipe”.

Kurset nën moton “Mësojmë shqip”, që mban Teuta, i mbështet komuna e Bursës, dhe mbahen në hapësirat e shkollave publike. Akualisht jep mësim në tri klasa, dy të nivelit A1 dhe një e nivelit A2, për nxënësit të moshave 13 vjeç e më lart. Ndërsa nxënësit e saj tashmë po përkthejnë edhe poezitë e Kadaresë në gjuhën turke.

Kur emigroi në Bursë, Teuta me familjen e saj jetonte në një banesë të vogël e nuk dinte as gjuhën. Ajo kujton se fillimi kishte qenë shumë i vështirë, por shpejt vendosi ta vë në funksion përgatitjen e saj në studime dhe punë. 

“Përveç personave me origjinë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, kam edhe nxënës me origjinë bullgare, turke, greke.”, tregon Teuta.

Sipas saj shqiptarët në Bursa janë pjesë e integruar në shoqërinë e qytetit. Madje para pak vitesh edhe kryetari i komunës kishte prejardhje shqiptare

“Në rrethin tim që njoh, nuk kam parë shqiptarë të asimiluar”, thotë ajo. “Por i jetojnë traditat dhe i ruajnë ato shqiptare”.

Teuta me prejardhje nga Berati jep mësime të gjuhës shqipe edhe për shumë gra amvise me origjinë shqiptare. Foto: Azize Sönmez / K2.0.

Ajo tashmë e ka bërë mision të sajin luftën e ruajtjes së gjuhës shqipe.

“Kemi akoma shumë punë për të bërë”, thotë ajo. “Nuk mjafton ta respektojmë identitetin tonë duke thënë se unë jam shqiptar/e”.

Ajo planifikon të hapë edhe klasa të gjuhës shqipe për fëmijë. 

E për kontributin e saj, Teuta Tabaku mban titullin Ambasadore e Kombit. Po ashtu, këtë vit asaj i është ndarë një dekoratë nga Ministria e Diasporës në Kosovë. 

Një nga nxënëset e Teutës është edhe 72 vjeçarja, Sabrije Hajdari-Korkuk. 

Në vitin 1958, ajo tregon se familja e saj nga Kosova, u vendos në Adana të Turqisë, për të kaluar më pas në Bursa. Sabrija ishte vetëm dhjetë vjeç kur erdhi, por edhe pas më shumë se gjashtë dekadash kujton në detaje ditët e para në Turqi. 

“Veç kanë pasë qejf me ardhë. Babëgjyshi shumë ka pasë qejf me ardhë këtu. E ka pasë një motër atje në Adana, shumë kish qejf motra e vet, e thirri, tani krejt erdhëm”, thotë ajo. “Edhe kur erdhëm ma së pari, shumë jena mërzit, krejt u ulshin, kajshin, kajshin, u mërzitshin, e tani u mësuem”.

Si dhjetë vjeçare në Turqi, Sabrija nuk e dinte as gjuhën turke, dhe nuk e vazhdoi më shkollimin. Por pas më shumë se 60 viteve, në vitin 2018, ajo dëgjoi për një kurs të gjuhës shqipe që po mbahej në Bursa, dhe vendosi t’i bashkohej, ani pse e fliste shqipen. 

“Kisha qejf me e mësu gjuhën e re, me folë gramatikën, me msu”, thotë ajo. “Na që kemi folë atëherë, gjuha jonë ka qenë ndryshe, tash e kanë përparu”. 

Pavarësisht jetës që ka ndërtuar në Turqi, Sabrija mbetet e lidhur me vendlindjen e saj, Mitrovicën, dhe së fundmi ajo ka marrë edhe pasaportën kosovare. Në dokumentet turke, ajo mban mbiemrin Korkuk, kurse në ato kosovare, mbiemrin e vajzërisë, Hajdari. 

“Veç kisha qejf me i marrë, se çka bahet, s’dihet. Unë jam e atjehit, shqiptare e Kosovës, kisha qejf me marrë edhe e mora”, thotë Sabrija, e cila disa herë e ka vizituar Kosovën.

As Kadrije Batmaz, 78 vjeçarja me prejardhje nga Shkupi nuk ngurroi të shkoi te Teuta me të dëgjuar për kursin.

Kadrije Batmaz në dhomë të pritjes, të dekoruar me simbole shqiptare. Foto: Drenusha Morina / K2.0.

Megjithëse vetë e dinte gjuhën shqipe, përveç maqedonishtes dhe turqishtes – familja e saj u shpërngul nga Shkupi kur ajo kishte 11 vjet – ajo donte që edhe familjarët e saj ta përvetësonin gjuhën amëtare. Kësisoj, me të dëgjuar që në Bursa po mbahej një kurs i gjuhës shqipe, ajo u bë shkas që dy djemtë e saj, gruaja turke e djalit dhe dy mbesat të fillonin të mësonin shqip.

“Këta nuk dishin hiç shqip. Si nisën kursin, zunë me u mësu ma mirë”, thotë ajo. 

Kadrija thotë se nuk do të largohej më nga Turqia për të jetuar në Maqedoni Veriore apo diku tjetër; djemtë e saj kanë pasur sukses me dyqanin e tyre me qeramika, që gjendet poshtë shtëpisë së tyre. Ajo thotë se përmes këtij biznesi, djemtë e saj eksportojnë produkte në 14 shtete të botës.

Megjithatë ajo ka udhëtuar disa herë në Maqedoni, për të vizituar të afërmit, e mësimin për gjuhën shqipe nuk e ka lënë anash.

Bashkëshorti dhe djemtë e Kadrijes para dyqanit familjar. Foto: Drenusha Morina / K2.0.

Një tjetër nxënëse e Teutës është Azize Sonmez, e cila preferon të identifikohet edhe me mbiemrin e të parëve të saj, Daku. Gjyshi i saj nga Kosova, me gjashtë fëmijë erdhi në Turqi në vitin 1958. 

Sipas rrëfimeve të familjarëve, Azizja tregon se gjyshi i saj ishte internuar disa herë nga pushteti i atëhershëm në Kosovë, dhe për t’iu siguruar fëmijëve një jetë më të mirë, në moshën 67 vjeçare, erdhi në Turqi. 

Azizja sot në fillim të dyzetave ka lindur dhe është rritur në Bursa, por e kupton dhe e flet mirë gjuhën shqipe. Madje ajo reciton edhe poezi në gjuhën amëtare. Mësimet e para në shqip, ajo thotë se i mori nga gjyshja. 

“Ajo s’e ka ditë hiç turqishten. Unë jam rritë me ato, unë jam marrë me të, e ajo ma së shumti asht’ marrë me mu”, kujton Azizja.

Më herët, Azizja kishte punuar si rrobaqepëse, kurse tani synon të punojë si përkthyese, dhe kjo është një arsye më shumë pse i është bashkuar këtyre kurseve. 

“Me mësu gramatikën pak ma mirë, edhe qëllimin e kam, nashta mos po mundem një punë me gjetë”, thotë ajo.

Në Kosovë ajo thotë se ka plot të afërm, dhe se deri para dy viteve, për çdo vit e kishte vizituar Kosovën. 

“Shumë interesant ‘asht. Ani pse nuk kam lindë aty, ama diçka veni atje më ngreh, si magnet”, thotë Azizja. 

Foto kryesore: K2.0.

Raportim shtesë: Ali Yahşi.