Pikëpamje | Politika

A mund t’i përballojë Kosova pasojat e paqëllimshme të taksës 100 përqindëshe?

Nga - 29.01.2019

Shkelja e marrëveshjes ndërkombëtare mund të shkaktojë efekte që nuk do mund të zhbëhen.

“Pa reflektim, ne verbërisht ecim në rrugën tonë, duke krijuar më shumë pasoja të paqëllimshme dhe duke mos realizuar asgjë të dobishme”. – Margaret J. Wheatley.

Një mik më tha një ditë se ne që studiojmë shkenca politike kemi tendencë ta keqkuptojmë një gjë për jetën e përditshme politike. Kemi tendencë të shohim më tutje në të ardhmen se ata vendimet politike të së cilëve ne i analizojmë dhe t’i interpretojmë veprimet e tyre pa i kuptuar pikëpamjet e plota të tyre, që mund të jenë të kufizuara në shtrirje dhe largpamësi.

Fillova ta analizojë taksën 100 përqindëshe mbi produktet serbe (edhe produktet boshnjake, por do të fokusohemi tek Serbia këtu) me këtë ide bazike në mendje, duke dashur t’i shoh efektet specifike të këtyre taksave ndaj Kosovës dhe atë se çfarë tregon për neve si shtet.

Nuk dua ta shtjelloj historinë e taksës për shkak se është diskutuar shumë dhe ka plot informata në dispozicion online. Në vend të kësaj, do të fokusohem në një efekt specifik që i kanë këto taksa tek Kosova dhe se çfarë tregon kjo për neve si shtet.

Për ta kuptuar qartë këtë, fillimisht është e rëndësishme ta kuptojmë mënyrën se si bëhen dhe zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe fatkeqësisht për ata që e kanë zbatuar këtë politikë ndonëse me sa duket në përgjithësi është pritur pozitivisht brenda vendit, nëse jo jasht tij dreqi është i fshehur në detaje.

Shkelje e CEFTA-s

Në këtë rast, po flasim për detajet që i përmban Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (apo siç njihet më gjerësisht, CEFTA). CEFTA është marrëveshje e tregtisë së lirë ndërmjet shteteve të Evropës jug-lindore dhe është një nga shtyllat e zhvillimit tranzicional të pasluftës për gjithë rajonin.  

Si të gjitha marrëveshjet e tregtisë, CEFTA është e bazuar në një traktat; ky traktat i veçantë u nënshkrua në 2006 (si zgjerim i një traktati të nënshkruar në 1992) dhe sot përfshin shtatë anëtarë, të cilët janë të emëruar në hyrje: Republika e Shqipërisë; Bosnja dhe Hercegovina; Republika e Maqedonisë; Republika e Moldovës; Republika e Serbisë; dhe rëndësia e kësaj do të bëhet e qartë në vijim Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në emër të Kosovës në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Është një marrëveshje standarde e tregtisë së lirë, diçka shumë e zakonshme dhe si e tillë, përmbajtjet e saj nuk janë çështje që shtjellohet në këtë artikull përveç pjesës së fundit, ku një nga anëtarët përfaqësohet nga një palë tjetër, jo nga vetja. Kjo është baza e një problemi që mund të shkaktojë pasoja tepër të mëdha për atë anëtar.

Situata e tanishme është se qeveria e Kosovës ka vendosur barriera tregtare ndaj Serbisë dhe Bosnjes në hakmarrje për qëndrimet negative politike që i kanë marrë këto dy shtete ndaj Kosovës. Nuk ka nevojë ta shtjelloj politikën prapa prezantimit të kësaj takse sepse kryeministri Ramush Haradinaj e ka dhënë një shpjegim të gjatë që mund ta lexoni këtu.

Kjo është përgjigje për një pyetje që nuk e bëri askush por që është e rëndësisë më të madhe: Kosova e shkeli Marrëveshjen CEFTA.

 

Dhe ky shpjegim është i rëndësishëm, sepse ai e bazon taksën në shkeljet e qarta të Nenit 18 të CEFTA-s. Në fjalët e tij: “Ky vendim është marrë në përputhje me Nenin 18 të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë”.

Neni 18 (nënseksioni dy) i Marrëveshjes CEFTA nuk ka për qëllim të tregojë se Marrëveshja ende lejon secilin shtet të nënshkruar të merr masa “për mbrojtjen e interesave thelbësorë të sigurisë së tij ose për zbatimin e obligimeve ndërkombëtare apo politikave të brendshme”. Kryeministri e përdorë pikërisht këtë terminologji në shpjegimin e tij.

Por, problemi është se atij i ka ikur pjesa e radhës tek Neni në fjalë, që qartë thotë se kjo është e zbatueshme në vetëm një nga tri rrethana.

Së pari, në lidhje me “trafikun e armëve, municionit dhe mjeteve të luftës, me kusht që masat e tilla nuk i dëmtojnë kushtet për konkurrencë sa i përket produkteve që nuk përdoren specifikisht për qëllime ushtarake dhe trafikun e mallrave, materialeve dhe shërbimeve të tjera, siç vazhdohet direkt apo indirekt për qëllim të furnizimit të një institucioni ushtarak”. Është e qartë se taksa nuk mund të vendoset për qëllime të hakmarrjes politike mbi artikuj jo-ushtarak.

Së dyti, “në lidhje me mospërhapjen e armëve biologjike dhe kimike, armëve bërthamore apo mjeteve të tjera shpërthyese bërthamore”. Është e qartë se kjo nuk vlen dhe nuk mund të përdoret si justifikim për një veprim të tillë.

Së treti, “të marra në kohë të luftës dhe tensionit serioz ndërkombëtar që përbën rrezik të luftës”. Për shkak se qeveria e Kosovës nuk është munduar të justifikojë se ka rrezik real të luftës diçka që do të kishte implikime dhe pasoja të mëdha ndërkombëtare mund të supozojmë mjaft bindshëm se rasti nuk është i tillë dhe se këto rrethana nuk vlejnë.

Pra asyetimi që e jep qeveria e Kosovës për taksën nuk është valid.

Kjo është përgjigje për një pyetje që nuk e bëri askush, por që është e rëndësisë më të madhe: Kosova e shkeli Marrëveshjen CEFTA, për shkak se shpjegimi i qeverisë për taksën nuk është valid dhe nuk mund të jetë bazë për veprime të tilla është kaq e thjeshtë.

Pasoja të paqëllimshme

Ky fakt në vete krijon një problem të madh për Kosovën, për shkak se në këtë rast Serbia e ka ligjin në anën e saj – dhe liderët e saj e dinë këtë.

Kryeministrja serbe Ana Brnabić ka deklaruars e për shkak që kjo është shkelje e Marrëveshjes CEFTA në thelbin e saj, zgjidhja për problemin është brenda vet Marrëveshjes.

Dhe këtu fillojmë të shohim çfarë pasoja të paqëllimshme mund të ketë shkelja e CEFTA-s për Kosovën.

Mekanizmi për zgjidhje të problemeve në marrëveshjen CEFTA gjindet brenda neneve 41 – 43 të Marrëveshjes dhe i ka tre hapa themelor:

Së pari, duhet të bëhet përpjekje për konsultim të drejtpërdrejtë ndërmjet palëve; së dyti, duhet të kërkohet konsultim nëpërmjet një takimit të komitetit të përbashkët, potencialisht me një palë të tretë ndërmjetësuese, nëse pajtohen të dy palët. Serbia kërkoi konsultime nëpërmjet komitetit të përbashkët më 28 nëntor dhe kështu e nisi një periudhë kohore prej 90 ditësh për ta gjetur një zgjidhje në këtë mënyrë.

Nëse nuk mund të gjejnë zgjidhje brenda këtij afati kohor, hapi i tretë dhe i fundit për palën e dëmtuar (siç përcaktohet në Nenin 43 dhe zgjerohet në Aneksin 9) është arbitrazhi. Brnabić veç se ka deklaruar drejtpërdrejt se ajo do ta shfrytëzojë plotësisht mekanizmin për zgjidhje të mosmarrëveshjeve.

Mund të arrijmë në një pozitë ku do ta shohim shtetësinë tonë të perceptuar duke u shkundur në thelbin e saj nga një proces që është (potencialisht) krejtësisht jashtë duarve tona.

Pra çfarë do të ndodhë po ta ndjekë Serbia këtë alternativë? Të themi se kanë kaluar 90 ditët (dhe realisht po i afrohemi çdo ditë më shumë fundit të këtij afati kohor) dhe Serbia e nis arbitrazhin. Çfarë do të ndodhte?

Neni 43 thotë se duhet të themelohet një tribunal me pushtetin e fjalës së fundit dhe të detyrueshme; tribunali do të qeverisej nga ky traktat dhe ligji ndërkombëtar, dhe do të përbëhej nga tre anëtarë.

Dy anëtarë do të zgjedhen drejtpërdrejt nga palët në konflikt (një nga secila palë), dhe këta dy anëtarë pastaj do ta zgjedhin anëtarin e fundit. Kur të konfirmohet anëtari i tretë nga dy palët që janë në konflikt, ai ose ajo bëhet president i tribunalit. Brenda një afatit të caktuar kohor prej gjashtë muajsh, këta tre arbitra pastaj e caktojnë palën fituese dhe e zgjedhin shpërblimin e përshtatshëm nëse konfirmohet shkelja.

Po të kryhej me kaq, ky shkrim nuk do të ekzistonte. Por nëse keni lexuar me kujdes deri këtu, mund ta keni vërejtur një problem që (me gjasë) ndryshon gjithçka.

Problemi është se arbitrat që zgjedhen nga “palët” e marrëveshjes dhe Kosova (aktualisht) nuk është palë e drejtpërdrejtë në marrëveshje në fakt, është UNMIK-u, në emër të Kosovës. Kjo do të thotë se kur të kalojnë 90 ditët dhe Serbia kërkon fillimin e procesit të arbitrazhit, ajo do ta njoftojë UNMIK-un për qëllimet e saj dhe do të presë që UNMIK-u – e jo Kosova ta zgjedhë arbitrin e dytë.

Kjo është prerogativa që UNMIK-u e ka në ligjin ndërkombëtar, fakt që konfirmohet edhe në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila adreson pjesëmarrjen e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar.

Neni 6 i marrëveshjes thotë: “…asgjë në këto konkluzione nuk do të interpretohet si e dëmshme për të drejtat ligjore të UNMIK-ut. Një përfaqësues i Misionit në Kosovë të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) do të ftohet në takimet e organizuara brenda strukturës së marrëveshjeve të cilat UNMIK-u i ka nënshkruar. I mbetet UNMIK-ut të vendosë për pjesëmarrjen eventuale të tyre në këto takime”.

Arbitri i parë do të zgjedhej nga Serbia dhe arbitri i dytë do të zgjedhej nga UNMIK-u, nëse ata vendosin ashtu. Kjo mund të tingëllojë keq për shumicën e njerëzve që po e lexojnë këtë artikull nga Kosova, por ligji ndërkombëtar është shumë i qartë në këtë rast një “palë” e marrëveshjes ceket qartë në hyrje të saj dhe kjo është e vërteta e thjeshtë në këtë rast.

Për ta vazhduar procesin siç ceket në Nenin 43 (dhe Aneksin 9), arbitrit serb dhe arbitri i UNMIK-ut mund ta vazhdojnë procesin siç e cekëm më lart dhe ta finalizojnë vendimin nëse vendosin kështu (me gjasë) pa konsultim me autoritetet e Kosovës.

Dhe për shkak se kreu i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka deklaruar qartë se UNMIK-u është i shqetësuar për ndikimin e taksës (është kundër tij), do ta kishim një rast të rrallë ku një palë (Kosova) e imponon një problem për një marrëveshje ndërkombëtare dhe potencialisht ky problem arbitrohet pa pjesëmarrjen e kësaj pale.

Edhe më e çuditshme është se mund të zgjidhet nga dy akterë (Serbia dhe UNMIK-u) që janë definitivisht kundër dëshirave të palës në fjalë. Kjo është krejtësisht e padëgjuar në marrëdhënie ndërkombëtare, por është reflektim i zymtë i pozitës që e ka Kosova në relacion me shtete dhe organizata të tjera.

I demonstron pasojat krejtësisht të paqëllimshme që mund t’i ketë një vendim i tillë për të gjithë neve këtu në Kosovë. Mund të arrijmë në një pozitë ku do ta shohim shtetësinë tonë të perceptuar duke u shkundur në thelbin e saj nga një proces që është (potencialisht) krejtësisht jashtë duarve tona.

Mbledhja e copave

Në një proces ku mund të mos merr pjesë fare, Kosova vetëm do të ishte përgjegjëse për t’i paguar dëmet.

Dëmet e vendosura nga procesi i arbitrazhit me shumë gjasë do ta mbulonin koston e humbjeve të Serbisë, që do të vendosej në bazë të dëshmive të prezantuara prej Serbisë për humbjet e saja gjatë kohës kur ka qenë aktive tarifa. Ato do të ishin të panegociueshme. Vendimet e arbitrazhit janë finale kështu funksionojnë.

Brnabić është cituar të ketë thënë se Serbia i humbë 42 milion euro në muaj si rrjedhojë e tarifës, që mund të përkthehet në një humbje prej më shumë se 500 milion euro në vit. Kjo është shumë absurde e parave për shtete të Ballkanit veçanërisht një shtet të vogël si Kosova, që mund ta gjejë veten duke e paguar këtë faturë (dhe ta rikujtojmë që po flasim vetëm për Serbinë këtu, pa i përfshirë humbjet e Bosnjes).

Për ta ilustruar madhësinë e kësaj, buxheti (ende i paaprovuar) i Kosovës për vitin fiskal 2019 është rreth 2.3 miliard euro. Pra një gjobë në vlerë 500 milion euro, po të paguhet drejtpërdrejt (në realitet, do të ndahej në gjoba të paguara në një periudhë më të gjatë), do t’i kushtonte Kosovës më shumë se 21 përqind të buxhetit të vitit.

Duhet të fillojmë t’i kushtojmë më shumë vëmendje detajeve, dhe të mos mbështetemi në emocione kur marrim vendime politike.

Nëse sasia e kompensimit do të ishte vetëm një pjesë e kostos totale të përmendur më lartë të themi se Serbia nuk po e tregon të vërtetën e plotë për shtrirjen e humbjeve totale të saj prapëseprapë janë qindra miliona euro prej parave tona që do t’i shkonin Serbisë. Qindra miliona euro që mund të investohen në shtetin tonë në arsim, sistemin e shëndetësisë, infrastrukturë, për zhvillim lokal dhe gjithçka tjetër që kemi nevojë.

Sa i përket një zgjidhjes potenciale, e vetmja që mund ta perceptoj për t’iu shmangur gjithë kësaj përvoje të rëndë është të mos e lejojmë aktivizimin e procesit të arbitrazhit e kjo bëhet duke i hequr tarifat para fundit të periudhës 90 ditore për konsultime.

Nëse e gjithë kjo sagë na ka treguar diçka, është se duhet të fillojmë t’i kushtojmë më shumë vëmendje detajeve dhe të mos mbështetemi në emocione kur marrim vendime politike, le më vendime që me gjasë mund të sjellin pasoja të rënda. Nuk mund të ankohemi që të tjerët po e pengojnë progresin tonë nëse ne vazhdojmë të jemi armiku më i keq i vetes.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTO