Në thelb | COVID-19

Cili është plani për 10 përqindëshin?

A do të funksionojë plani i propozuar nga qeveria për rimëkëmbjen e ekonomisë?

Nga - 10.08.2020

Një faturë e papaguar e energjisë elektrike gjendej mbi tavolinë ndërsa Sali Fejza, pronar i një dyqani të vogël të ushqimit të shpejtë në Prishtinë, diskutonte me nervozë të shtuar problemet financiare të shkaktuara nga pandemia dhe mungesa e një mbështetjeje të duhur nga qeveria.

Së voni, 54 vjeçari së bashku me bashkëshorten dhe një bashkëpunëtor biznesi, ishin shpërngulur nga Mitrovica për të hapur “Leo & Mert”, një ndërmarrje për të cilën harxhuan edhe paratë e fundit, duke shpresuar se me ardhjen e verës dhe kthimin e diasporës kosovare në vend për pushime, investimi do të jepte rezultatet e veta.

Pandemia pothuajse shkatërroi çdo mundësi që kjo gjë të ndodhë.

Tash, pas një muaji në izolim të plotë, biznesi është gati-gati i vdekur; janë mbledhur fatura të shtrenjta, fundi i pandemisë nuk shihet gjëkundi dhe qeveria duket se i është dorëzuar situatës.

Fejza thotë se para pandemisë biznesi po shkonte mirë pasi kishte investuar rreth 20,000 euro, dhe kishte arritur që zyrtarisht të punësonte tetë njerëz, lista e të cilëve përfshinte veten e tij, bashkëshorten, dhe ortakun e biznesit. 

Gjatë orës që biseduam, as edhe një konsumator nuk hyri në dyqanin e tij, mirëpo mbledhës të ndryshëm borxhesh që kërkonin tu bëheshin pagesat nuk harruan orarin e tyre.

Ai thotë se arriti të paguajë secilin punëtor në kohë, përfshirë edhe tre studentë dhe një grua shtatzënë, të cilët tani kanë pezulluar punësimin e tyre.

“Studentët nuk mund të paguajnë më për banesat e tyre, dhe më kanë thënë se do të kthehen në qytetet e tyre, tash që edhe universiteti është mbyllur”.

Izolimi dhe vështirësitë e përgjithshme që solli pandemia ishin barrë e rëndë për ndërmarrjen e tij dhe mungesa e mbështetjes nga qeveria ishte trysni shtesë.

Me qiranë prej 1,100 eurosh në muaj — të cilën e pagoi edhe gjatë periudhës së izolimit — përveç shpenzimeve të tjera dhe pa asnjë të hyrë, borxhet e Fejzës u grumbulluan shpejt.

Gjatë orës që biseduam, as edhe një konsumator nuk hyri në dyqanin e tij, mirëpo mbledhës të ndryshëm borxhesh që kërkonin tu bëheshin pagesat nuk harruan orarin e tyre — furnizimi me gaz, shërbimi për pastrimin e xhamave …

Në ndërkohë, fatura e energjisë elektrike dukej se na na ngulte sytë — “959 euro të papaguara, për katër muajt e fundit”, tha Fejza.

“Sot isha në zyrat e KEDS-it dhe iu luta të mos ma shkëpusin furnizimin me rrymë”, shtoi Fejza. Pa rrymë elektrike, biznesi i tij do të paralizohej.

“I thashë se mund të më çoni në burg, por biznesin nuk do të ma mbyllni”.

Një jetë e tërë punë, por me pak kursime

Para fillimit të biznesit në qytetin më të madh të Kosovës, Fejza kishte punuar çfarëdo që kishte mundur në mënyrë që t’ia dilte mbanë — gatues picash e humburgerësh, rojë, e të tjera.

Ai thotë se gjatë dekadave të tij si punëtor, shumicën e kohës është paguar rregullisht, edhe pse pagesa asnjëherë nuk ka qenë e mjaftueshme për të jetuar një jetë të mirë. Kur pyetet për kontributet e tij në Trust, siç quhet Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës, Fejza papritmas duket i shpërqendruar.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka shtyrë përpara një propozim për autorizimin e tërheqjes së 10 për qind të kursimeve nga Fondi i Kursimeve për çdo njeri që dëshiron ta bëjë këtë si pjesë e masave për rimëkëmbje ekonomike, e kjo ka nxitur mospajtime.

“Mbase mund të marr 100-200 euro… në këtë kohë krize ndoshta edhe do t’i tërhiqja”, thotë Fejza, duke e bërë të qartë se nuk ka ide se sa kursime ka grumbulluar përgjatë viteve.

Biznesi i Sali Fejzës është në prag të mbylljes por ai nuk e di nëse ia vlen të merr 10 për qind të kursimeve nga llogaria e tij e kursimeve në Trust. Foto nga Atdhe Mulla / K2.0.

Me biznesin e dërrmuar dhe shumë borxhe të cilat nuk e di se si do të arrijë t’i paguaj, një shumë e vogël nga kursimet e tij, është larg nga të qenët e mjaftueshme.

“Qeveria po na nxit kundër njëri-tjetrit për shkak të parave dhe tani thonë së unë mund t’i marr kursimet e mia si ndihmë?” tha Fejza.

Plani i qeverisë për të autorizuar tërheqjen e hershme të kursimeve të parapara që të përdoren kur një person pensionohet, në përgjithësi shihet si një infuzion i mirë për ekonominë. Ata që e kundërshtojnë këtë, thonë se nga kjo gjë do të përfitojnë vetëm qytetarët në gjendje më të mirë, në veçanti ata që kanë arritur të kenë punë me pagë të rregullt e të cilëve u janë paguar kontributet bashkë me pagat e tyre.

Por, për shumicën e popullsisë, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Niveli i lartë i informalitetit dhe punësimit jo të rregullt ka bërë që njerëzit të punojnë për vite në punë të ndryshme, pa kontribute në fondin pensional. 

Kjo nënkupton që shumë njerëz që kanë nevojë për para më urgjentisht se të tjerët nuk do të përfitonin nga e drejta për shfrytëzim të menjëhershëm të kursimeve, pasi 10 përqindëshi i kursimeve të tyre nuk do të përbënte ndonjë shumë të dobishme.

Kush përfiton?

Hekuran Murati, deputet i Kuvendit të Kosovës nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ka disa probleme në lidhje me këtë nismë, porse shqetësimet kryesore janë shkelja e parimit se paratë duhet të përdoren vetëm pas daljes në pension dhe fakti se tërheqja e parakohshme nuk do t’i ndihmonte më të cenueshmit.

 Murati thekson se vendimi do të hapte derën që qeveritë pasuese ta bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen gjatë situatave të vështira, pasi “gjithmonë do të ketë nevojë për para”.

 “Nuk do të befasohesha nëse qeveritë e tjera do ta përsëritnin këtë gjë, në mënyrë që të blinin paqen shoqërore, apo gjatë viteve kur ka zgjedhje”. 

 Murati gjithashtu pohon se ky veprim nuk i arrin grupet e synuara për shkak se vetëm punëtorët që marrin paga të mira kanë shumë më të mëdha të kursimeve dhe ka shumë gjasë që ata nuk do të kenë nevojë të menjëhershme të tërheqin para nga Trusti, ndërsa të tjerët mund të tërheqin shumë pak apo nuk kanë kursime fare.

“Mund të thuhet me siguri të plotë se ky propozim u shërben vetëm të pasurve; nuk u ndihmon atyre që pësuan më së shumti nga pandemia”.

Një raport i botuar së fundi nga Instituti GAP —  e cila është një organizatë hulumtuese në Prishtinë — paraqet aspektet pozitive dhe ato negative të propozimit të qeverisë.

Raporti ndan shqetësimin se nga ky veprim nuk do të përfitonin shtresat më të varfra të shoqërisë, mirëpo gjithashtu thekson se paratë — të cilat janë llogaritur të jenë 200 milion nga 2 miliardë euro —  të cilat menaxhon Trusti, do të siguronin një infuzion të nevojshëm në ekonominë e harxhuar të vendit.

Një shembull tjetër thekson se njerëzit që mund të tërheqin 2000 euro nga kursimet tani do të humbnin rreth 4000 euro në interes gjatë 25 viteve të ardhshme.

Nga 670,000 llogari të cilat i menaxhon Trusti, afërsisht vetëm gjysma — 380,000 prej tyre — funksionojnë në mënyrë aktive. Nëse llogaritë aktive i përkasin njerëzve që në përgjithësi kanë punë të qëndrueshme, sektori më i cenueshëm i punëtorëve do të mbetej jashtë programit për ndihmë nga Trusti.

“Nëse pjesa më e madhe e kësaj shume [200 milion euro] do të shpenzohej, kjo do të çonte në rritje të konsumit dhe investimit vendor”, thuhet në raport.

Shqetësim i rëndësishëm është ndikimi që tërheqja e 10 përqindëshit do të kishte në planet pensionale të kontributdhënësve.  

Sipas raportit të GAP-it, nëse një 40 vjeçar tërheq 1000 euro nga kursimet e veta, ai do të humbte rreth 3000 euro që do të mund të tërhiqeshin pas daljes në pension.

Një shembull tjetër thekson se njerëzit që mund të tërheqin 2000 euro nga kursimet tani do të humbnin rreth 4000 euro në interes gjatë 25 viteve të ardhshme.

Sipas të dhënave të mbledhura në vitin 2019, rreth 46 për qind e kontributdhënësve ishin nën moshën 34 vjeçe, duke e bërë të pamundur që kursimet e tyre të jenë të një shume të konsiderueshme.

Perspektiva gjinore e pasojave të vendimit të qeverisë është gjithashtu e rëndësishme, pasi raporti thekson se ka dallime të mëdha mes gjinive — 33 për qind të kontributdhënëse janë gra, krahasuar me 67 për qind të cilët janë burra.

Në 2019, kontributi mujor për një grua punëtore në Trust ishte 40.59 euro, kurse 46.47 euro për burra”, thuhet në raportin e GAP-it.

Për më tepër, të dhënat tregojnë se gratë përballen edhe me një pengesë tjetër, pasi jetojnë 3.6 vite më gjatë se burrat, duke iu ekspozuar më shumë rrezikut të të mbeturit më gjatë pa pension.

Raporti i GAP-it po ashtu përmend se shumë punëtorë nuk e dinë nëse përfitojnë apo jo nga tërheqja e parave të tyre.

Kur u propozua fillimisht kjo masë kishte mungesë të informacionit dhe ndjenjë paqartësie te qytetarët, pjesërisht për shkak të natyrës së padëgjuar të kësaj ideje.

Edhe pse Trusti dërgon njoftime të rregullta përmes postës elektronike për të informuar kontributdhënësit rreth pagesave dhe shkallës së kursimeve të tyre, shumë qytetarë nuk e dinë se sa para kanë grumbulluar përgjatë viteve.

Kush nuk përfiton

Shumë nga kontributdhënësit, zakonisht punëtorë të bujqësisë apo gastronomisë të cilët ishin viktima të informalitetit në bizneset kosovare, nuk kishin shumë informata rreth propozimit dhe nuk mendojnë se tërheqja e parave nga Trusti është një mundësi e dobishme për lehtësimin e nevojës për fonde të menjëhershme.

Për më tepër, informaliteti i lartë në industritë e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe gastronomisë bënë që më të prekurit të përfitojnë pak apo fare hiç nga kursimet e Trustit.

29 vjeçari Iriad Muslija punon si floktar me vëllanë e tij në Prishtinë; dyqani është burimi i vetëm i të ardhurave për familjen pesanëtarshe.

Sipas një vlerësimi të përafërt të Musliut, që nga fillimi i pandemisë, biznesi ka rënë për 90%.

Si shumë punëtorë në Kosovë, Iriad Muslija e di se nuk ka asgjë të kursyer në Trust, andaj plani i propozuar nuk do t’i ndihmojë. Foto nga Atdhe Mulla / K2.0.

Pasi kishte punuar si floktar për gjashtë vitet e fundit, qoftë si punëtor i paguar apo bashkëpronar, Muslija përfundimisht vendosi të hapte dyqanin e tij. Vetëm disa muaj pas hapjes erdhi pandemia.

Me 200 euro qira në muaj, pandemia shpejt e zhyti Musliun në borxhe. Pronari i ndërtesës së tij refuzoi ta ulte qiranë gjatë ditëve më të rënda të karantinës.

Para se të hapte dyqanin e tij, Muslija punoi në dy vende të ndryshme në Prishtinë, me një pagë të vogël dhe pa kontratë zyrtare. Kontributet pensionale në Trust nuk i janë paguar fare.

“Ne paguheshim me para në dorë. Unë nuk kam asnjë cent në fondin e Trustit”, tha Muslija, pa pasur nevojë të mendohej para se të përgjigjej.

Në përgjithësi, ai dhe familja e tij nuk kanë pranuar asnjë ndihmë nga qeveria gjatë pandemisë që po vazhdon, dhe Muslija nuk e fsheh përçmimin e tij për qeverinë.

“Këtu nuk ka asgjë; të gjithë mendojnë ta lënë vendin”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

 

 

Ky artikull është publikuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes
pikëpamjet e Bashkimit Evropian.