Një korridor i gjatë e i errët me dysheme të thyer betoni të pret sapo të hysh në shtypshkronjën “Rilindja”, në Prishtinë. Brenda saj, makineri gjigante e të zymta të shtypit, relika të një epoke teknologjike që është kaluar që moti, qëndrojnë para hyrjes së tualeteve të errëta, ku uji vazhdimisht pikon nga tavani dhe tubat e çarë. Në murin përballë është një derë që të çon në një sallë të madhe. Po aq gotike sa pjesët tjera të ndërtesës, kjo hapësirë shpellore që nuk ka fare dritare.
Të premtën në mbrëmje (31 mars) kjo depo ishte pak sa e shndritur; e krijoi një ambient psikologjik që ishte në harmoni të përkryer me performancën “The Dark” (Errësira), një operë nga kompozitorja e Luksemburgut Albena Petrovic-Vratchanska.

Opera eksperimentale “The Dark” shfrytëzon lokacione të pazakonshme dhe instrumente që nuk janë tradicionale. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Para ngjarjes filluan të mbushen karriget që ishin renditur në sallë, derisa publiku në kryeqytet po priste me padurim një lloj tjetër të operës klasike. Pas hyrjes, trupa morrën vendet e tyre, dhe në sallën gjysmë të errët, ku vinte erë ndryshku, lagështie e erë e makinerive të vjetra të prodhimit, filluan të dëgjohen tinguj të çuditshëm e kompleks nga ansambli i Luksemburgut për muzikë bashkëkohore “United Instruments of LUCILIN”, (Instrumentet e bashkuara të LUCILIN), para se të dëgjoheshin edhe vokalet e paparashikueshme të muzikantes dhe sopranos franceze, Donatienne Michel-Dansac.
Michele-Dansac po e tregonte një tragjedi antike greke nëpërmjet këngës, një tregim dashurie në mes të liristit të njohur Orfeut dhe Euridikës së bukur. Gjuha e kësaj rrëfenje ndryshonte, herë bullgarisht herë anglisht, herë frangjisht, e madje edhe latinisht. Kompozitorja e lindur në Bullgari Petrovic-Vratchanska e përshkruan operën si shumë romantike. “Është tregimi më i madh i dashurisë nga mitologjia greke”, tha ajo për K2.0.
Kur Petrovic-Vratchanska shkoi për të studiuar në Luksemburg, ajo e gjeti një mentor të fuqishëm, Claude Lenners, një kompozitor bashkëkohor klasik nga Luksemburgu, i cili pati ndikim të madh në stilin e saj muzikor.
“Nga ai moment, dhe tash e 20 vite, kam komponuar në këtë stil. Gjithmonë jam në kërkim për tinguj të ri”, tha ajo. “Edhe kur punoj në punime të vogla për piano, edhe atëherë jam duke kërkuar tinguj të ri, duke futur instrumente të reja. Kur e dëgjon, nuk e din saktësisht se çfarë janë”.

Albena Petrovic-Vratchanska e gjenë frymëzimin e saj në Greqinë antike dhe në Luksemburgun bashkëkohor. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Petrovic-Vratchanska ka shkruar më shumë se 600 punime në zhanre të ndryshme muzikore, por kjo është opera e parë e saj. “Nuk kemi skenë, apo lëvizje; është statike”, shpjegoi ajo. “Por nëpërmjet muzikës, dhe me instrumente, unë mundohem që t’i shpjegojë të gjitha zhvillimet psikologjike”.
Në Rilindje të premtën tingujt buronin nga gjithandej sallës edhe objektet më të çuditshme u bënë instrumente muzikore. “Disa instrumente të perkusionit ishin mjete të kuzhinës”, tha Petrovic Vratchanska, duke qeshur. Ajo shpeshherë ka thënë se ajo që e bënë është e re, se nuk e kopjon dikë dhe se gjithçka që bënë është origjinale dhe rrjedh nga përvojat e saja; prej gjërave që i ka lexuar apo njerëzve që i ka njoftuar.
“The Dark” në DAM
Performanca e operës ishte festë e dy festivaleve të spikatura kulturore të Kosovës, meqë u shënua edhe mbyllja e edicionit të 17- të e javës së Frankofonisë në Kosovë dhe hapja e edicionit të 12 të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM në Prishtinë, që do të vazhdojë deri të shtunën (8 prill).

Në Prishtinë, “The Dark” prej disave u prit me huti, e prej tjerëve me kënaqësi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Lejla Pula-Haxhiu, drejtoresha artistike e Chopin Piano Fest Prishtina, dhe pianiste, beson se kjo operë ofroi diçka të re për publikun e Prishtinës. “U emërua ‘The Dark’ dhe me të vërtetë të ipte përshtypjen e errësirës”, tha ajo për K2.0 pas ngjarjes.
Pula-Haxhiu ishte falenderuese ndaj gjithë ansamblit, kompozitores dhe Festivalit DAM për mundësinë që i dha publikut të Prishtinës, e këta të fundit ajo beson se kanë apetit të madh për pjesëmarrje në performanca klasike, veçanërisht kur u ipet mundësia për t’u zhytur në “punime jashtëzakonisht interesante”.