S`fundmi | Mali i Zi

Dhunë policore dhe politike kundër qytetarëve

A mundet kaosi në Budvë të çojë drejt stabilizimit të Malit të Zi?

Pak para zgjedhjeve parlamentare në gjithë vendin dhe atyre lokale në disa qytete, të planifikuara për 30 gusht, tensionet në Mal të Zi kanë filluar të rriten. Një nga qytetet ku situata pothuajse shpërtheu ishte Budva.

Protestat që u bënë të dhunshme janë duke vazhduar nga 17 qershori, kur kryetari dhe autoritetet e qytetit refuzuan të dorëzonin pushtetin pas votimit nga asambleja lokale. Pas valës së parë, policia ndaloi 54 njerëz dhe arrestoi 41 individë. Në mesin e tyre janë kryetari i larguar i komunës Marko Carević dhe kryetari i asamblesë Krsto Radović. 

Prokuroria speciale e shtetit inicioi procedurë konfidenciale kundër Dragan Krapović-it, ish kryetar i komunës që i parapriu Carević-it, i cili ka qenë pjesë e qeverisë së njëjtë lokale, e gjitha siç thotë prokuroria për shkak të një krimi të pretenduar me qëllimin që të krijohet kaos dhe të bllokohet një kryqëzim në Budvë. Nga prokuroria kjo shihet si luftë kundër një forme të shtypjes nga aparati shtetëror ndaj atyre që e kundërshtojnë atë. 

Sipas burimeve nga policia, nëntë oficerë policorë janë lënduar dhe është shkaktuar dëm ndaj automjeteve policore si dhe ndaj disa ndërtesave në Budvë.

Në të njëjtën kohë, mediat dhe qytetarët janë dëshmitarë të brutalitetit të policisë.

E gjithë kjo atmosferë e ktheu Budvën, metropolin e turizmit malazez, në një tokë të pëlleshme për luftën politike të kësaj vere.

Brutaliteti policor

Budva është një nga qytetet e pakta malazeze që pas zgjedhjeve të tetorit 2016, me një shumicë minimale, ra në duart e koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike Malazeze dhe Aleanca e Frontit Demokratik, që në nivelin qendror janë parti opozitare.

Kjo qeveri lokale zgjati deri atëherë kur anëtari i asamblesë Stevan Džaković ndërroi anët, duke u bërë anëtar i pavarur i asamblesë (pasi anëtarët e asamblesë i mbajnë mandatet tani dhe jo partitë politike përmes së cilave zgjedhen). Pas kësaj, siç do të thoshin njerëzit, ai “fluturoi” te partitë që mbështesin Partinë Demokratike Socialiste (DPS), partia udhëheqëse në nivel qendror.

Pas protestave të 17 qershorit para ndërtesës së komunës së Budvës, sigurimi privat u shfaq përkrah kordonëve policorë duke kontrolluar hyrjen e ndërtesës së komunës së Budvës për 15 ditë radhazi. Duke iu përgjigjur pyetjes nga një deputet mbi atë se pse sigurimi privat përfundoi para një institucioni publik, kryeministri Duško Marković (anëtar i DPS-së, sikurse kryetari i ri i Budvës) tregoi para Parlamentit Malazez që presidenti i sapozgjedhur pagoi një kompani private sigurimi nga Nikšić-i, pa dhënë detaje të tjera.

Tensionet në Budvë nuk janë zbutur për ditë të tëra. Ato vetëm sa përkeqësohen nga dhuna policore kundër qytetarëve, përdorimi i gazit lotsjellës dhe i forcës së tepërt.

Një numër rastesh janë xhiruar përmes telefonave dhe janë transmetuar përmes mediave tradicionale dhe sociale, dhe tanimë as inspektorati i brendshëm policor nuk mund t’i mbyllë sytë përpara brutalitetit të oficerëve policorë që rrahin dhe shtypin qytetarë nuk rezistojnë.

Gjatë ditëve të para të protestave në Budvë, policia shpesh shënjestroi njerëz të rastësishëm, duke përfshirë qytetarë dhe zyrtarë komunalë që u mblodhën përpara ndërtesës komunale, që shëtisnin në qytet apo ishin ulur nëpër dyqane.

Shumë nga ta patën nevojë për ambulanca dhe spitale, në mesin e të cilëve edhe ish-kryetari i qytetit, Marko Carević, i cili e kishte të lënduar këmbën.

Trazirat dhe ndërrimi i qeverisë në Budvë ishin paraprirë nga vendimi për shpalljen e zgjedhjeve.

Partitë politike që nuk kanë lidhje me qeverinë në pushtet, intelektualë të pavarur, dhe pjesë të sektorit të OJQ-ve kanë shprehur befasinë e tyre ndaj vendimit të presidentit Milo Đukanović (ende kryetar i partisë në pushtet DPS) për shkurtimin e mandatit të Parlamentit Malazez dhe asambleve lokale për dy muaj. Ata besojnë se ky vendim është jokushtetues.

Papunësia është rritur për 17% në krahasim me periudhën para mesit të marsit, kur filloi kriza.

“Varet nga ne se a do të fitojmë dhe ne do ta bëjmë këtë me kënaqësi”, tha Đukanović duke dhënë një deklaratë si president shteti dhe duke folur si lider partie, pasi që krerët e opozitës refuzuan të takoheshin me të dhe të merreshin vesh për datën e zgjedhjeve.

Disa analistë besojnë se kjo është përpjekje e Đukanović-it për të siguruar edhe një mandat shtesë para se vjeshta të shfaqë fytyrën e krizës ekonomike që do ta godasë fuqishëm shtetin si pasojë e një shkatërrimi të tërësishëm ekonomik nga pandemia që zgjati për dy muaj, sezoni i dështuar i turizmit, dhe borxhi shtetëror i grumbulluar që ende po akumulohet.

Vlerësimet zyrtare theksojnë se të hyrat nga turizmi do të jenë 40% më të ulëta, por në bazë të burimeve të tjera nga hotelet dhe plazhet  dhe sipas pritshmërisë së punëtorëve të turizmit, kjo rënie do të arrijë deri në 60%. Papunësia është rritur për 17%  në krahasim me periudhën para mesit të marsit, kur filloi kriza, ndërsa këtë vit nuk ka punëtorë sezonalë.

Pas ribalancimit të buxhetit dhe kredive të reja, borxhi i ri publik pritet të rritet për më shumë se 82% e bruto prodhimit të brendshëm.

Vërejtjet nga EU dhe SHBA

Budva është një shembull i vetëm, por aktualisht përbën zjarrin më të madh të ndezur nga Đukanović. Protestat ende nuk kanë të ndalur, shto këtu edhe pakënaqësinë e besimtarëve të krishterë ortodoksë të mbledhur rreth Kishës Ortodokse Serbe për shkak të një mospajtimi rreth Ligjit për Liri Fetare. Procesionet dhe lutjet e përbashkëta publike që organizoheshin nga fillimi i vitit ishin ndalur për shkak të masave të ndërmarra në luftimin e pandemisë, por tani kanë filluar përsëri.

Pas ngjarjeve të fundit në Budvë, u zgjua edhe bashkësia ndërkombëtare. Reagimet e para filluan të vinin nga ambasada e SHBA-së dhe delegacioni i BE-së.

Ambasadorja e SHBA-së Judy Rising Reinke ka shprehur pakënaqësinë e saj me metodat e përdorura nga autoritetet lokale në Budvë, duke bërë thirrje për dialog dhe shmangie të dhunës. Sidoqoftë, ajo lëshoi një vërejtje për DPS-në dhe Đukanović-in.

Komisioni Evropian kishte dërguar letër jozyrtare në Podgoricë, duke vënë theksin në krizën e thellë në gjyqësor, një sërë aferash të pazgjidhura, rastet në pritje të sulmeve ndaj gazetarëve, vendimet jokushtetuese dhe mungesën e përgjithshme të sundimit të ligjit.

Një kërkesë e ngjashme erdhi nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili bëri thirrje për “dialog” dhe “një zbatim paqësor dhe të rregullt” të zgjedhjeve.

Është e rëndësishme t’i rikujtojmë vetes se pak para fillimit të trazirave, Komisioni Evropian kishte dërguar letër jozyrtare (e ashtuquajtur non-paper) në Podgoricë, duke vënë theksin në krizën e thellë në gjyqësor, një sërë aferash të pazgjidhura, rastet në pritje të sulmeve ndaj gazetarëve, vendimet jo kushtetuese dhe mungesën e përgjithshme të sundimit të ligjit.

“Raporti përsëriti që këshillet gjyqësore dhe prokuroriale ende gjenden në një nivel të papranueshëm të ndikimit politik, që është një nga çështjet të cilat institucionet as nuk përpiqen t’i shqyrtojnë”, thanë përfaqësuesit e OJQ-së Instituti Alternativ në deklaratën e tyre publike.

“Kryetarët e gjykatave në vazhdimësi zgjidhen për më shumë se dy mandate, në kundërshtim me rekomandimet ndërkombëtare. Gjykata Kushtetuese kryesohet nga një ‘zëdhënës; gjyqtar duke e dëmtuar seriozit besimin në këtë institucion”.

Mali i Zi ka statusin e shtetit kandidat dhe ka hapur negociatat me BE-në në qershor 2012.

Zgjedhjet do të sjellin një formë të zgjidhjes por pritet që kushtet në të cilat do të mbahen të jenë larg nga të qenit demokratike sepse ende një sërë ligjesh për zgjedhje duhet të ndryshohen, që do ta rregullonin këtë fushë.

Mbetet të shihet nëse zgjedhjet do të jenë një trampolinë për t’u qasur në një mënyrë më reale në trashëgiminë e BE-së.K

Imazhi i ballinës: Boris Pejović.