Me filmin e tij debutues, “Remake”, Dino Mustafić fitoi plot çmime prestigjioze, përfshirë këtu “Golden Tiger” në Rotterdam International Film Festival. Ndërsa karriera e tij në teatër, me të cilën poashtu fitoi plot çmime, shquhet për shfaqjen “Helver’s Night”, për të cilën i fitoi 17 çmime dhe njohje ndërkombëtare. Si drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit MESS në Sarajevë, ai me ekipin e tij i ka organizuar 16 edicione.
Aktiv në skenën socio-politike, Mustafić është një nga avokuesit publik të nismës RECOM, që lufton për themelimin shumë të nevojshëm të fakteve për krimet e luftës dhe shkeljet tjera serioze të të drejtave të njeriut që janë kryer në territorin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nga 1991 deri në 2001.
K2.0 foli me Mustafić për statusin dhe rëndësinë e kulturës në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) dhe rajon, qëndrimin e rajonit dhe Bashkimit Evropian drejt BeH dhe zgjidhjen finale për ciklin vicioz të politikave etno-kombëtare dhe mospërfilljes së të vërtetës.
Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
K2.0: Në një shkrim së fundmi në Twitter, ju thatë se prej 1978, asnjë tullë nuk është vendosur në procesin e ndërtimit të kulturës në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar faktin se autoritetet me kuptimin e plotë të fjalës e injorojnë infrastrukturën kulturore dhe kulturën në përgjithësi. A e përçmojnë me të vërtetë autoritetet boshnjake kulturën, por edhe kanë frikë prej saj?
Dino Mustafić: Mendoj se janë disa shpjegime. Ajo që më shqetëson më së shumti dhe njëkohësisht më len të hidhëruar por edhe të nervozuar deri në një pikë, është se oligarkia lokale politike nuk e kupton se Bosnja është një nga shtetet e pakta në Evropë që nuk janë formësuar nga ushtritë dhe idetë politike, ose nga partitë politike, Pra, duke mos pasur formacione ushtarake, është shtet që është artikuluar me të vërtetë nga kultura, në kuptimin më të gjërë të fjalës.
Kur e analizojmë historinë, e shohim se Bosnja është shtet që është ndërtuar në margjinat e perandorive të mëdha; së pari Perandorisë Osmane dhe pastaj Monarkisë Austro-Hungareze. Mund ta shihni se ky ishte një shtet me një kulturë shumë specifike, që e respektoi plotësisht faktin se pa marrë parasysh cila popullatë ishte në shumicë, gjithmonë dihej se fqinjin e parë e kishe katolik, ortodoks apo çifut — pa marrë parasysh opinionin e regjimit zyrtar në Stamboll. Më vonë ishte e njëjta situatë me Monarkinë Austro-Hungareze.
Pra është për konceptin e ko-ekzistencës kulturore. Ai koncept, ose më mirë t’i themi ekzistenca e mendësisë që kanë marrëdhënie të mira fqinjsore është diçka thellësisht e rrënjosur në thelbin e çdo individi në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pastaj sigurisht, kultura, për shkak të karakterit të saj — që lidh njerëz, ndihmon integrimin dhe krijon marrëdhënie të pandashme, që më vonë shndërrohen në trashëgimi materiale që i quajmë trashëgimi kulturore dhe historike — u godit nga nacionalistët gjatë të 90-ve, me synim të shkatërrimit dhe shtypjes së të gjitha gjurmëve të pranisë së diversitetit në tokën boshnjake.
Pastaj, natyrisht, kultura e ashtuquajtur e prodhimit dhe distribuimit, ajo e përditshmja që e manifeston veten nëpërmjet produksioneve në teatër, ekspozitave në galeri, koncerteve në salla — me kohë bëhet një lloj kujtuese e pakëndshme për dëshmitarin/en dhe marrëdhëniet e tij/saj me këtë identitet të artikuluar boshnjak.
Foto: Imrana Kapatanović / K2.0.
Meqë po jetojmë në kohë të rindërtimit të identitetit, në fakt të revizionismit të vazhdueshëm historik, që kultura që ishte specifike, autoktone dhe polifonike përfaqëson armikun e madh të rrjedhës aktuale qendrore dhe institucioneve politike.
Kjo për shkak se ato që mbrohen dhe për të cilat ngulet këmbë sot janë ndarja dhe izolacionizmi. Duket se bëhen përpjekje shumë të mëdha drejt shkatërrimit të këtyre lidhjeve shumështresore, afatgjate, të rrënjosura dhe të thella që në një mënyrë janë bërë hapësira metafizike e kësaj toke. Po rikrijohet duke i vendosur disa kufij, apo duke ngritur penda mendore në mendjet e njerëzve, në mënyrë që ata jo vetëm të mos kenë njohuri për të kaluarën e tyre, por ta shohin të ardhmen me shumë pasiguri.
Pra, në atë kuptim, mendoj se kultura par excellence tani është një faktor revolucionar në realitetin boshnjak. Nuk është e rastësishme që kultura rezistoi për aq gjatë, sepse tregoi, mbi të gjitha, edhe para rrënimit të 90-ve, që edhe pse ishte e brishtë, bimësi, bimë që ka nevojë të ujitet, ushqehet, u dëshmua si gjë shumë e fortë dhe e qëndrueshme që nuk u thye. Dhe në fakt, në atë kuptim, modeli kulturor i Bosnjes është diçka që pengon; është si asht në fyt, si çështje e huaj në këtë rrjedhë qendrore aktuale politike.
Shumë qartë e kuptoj arsyen prapa faktit që e kam postuar në Twitter — se nuk ka investime në infrastrukturë kulturore — se një pjesë e madhe e kësaj është qëllim i autoriteteve vendore, pra moslejimi i zhvillimit të infrastrukturës kulturore. Sepse duke zhvilluar kulturën, duke zhvilluar një rrjet kulturor, institucione kulturore, gjërat në jetët tona mund të ndryshojnë në mënyrë kualitative dhe substanciale, dhe ata nuk duan ta lejojnë këtë.
Nuk është vetëm çështje e kulturës. Mendoj se duhet ta marrim parasysh edhe arsimimin këtu.
Po. Kur flas për kulturën, e mendoj në kuptimin e saj të vërtetë. Kultura është stili, mënyra e jetesës, mënyra se si i rregullojmë marrëdhëniet e komunitetit që nuk vijnë me ndonjë rend apo sistem social dhe politik.
A ishte biseda për ‘bashkë-ekzistencë’, në vend se për ‘ekzistencë’, një reagim i mençur i shoqërisë civile? Sepse për mua këto janë gjëra të ndryshme…
Kishte plot terma të tjerë të pavend. Njëri prej tyre ishte toleranca, d.m.th ta tolerojmë njëri tjetrin. Kemi dëgjuar shumë pjesë të fjalorit politik në jetën tonë të përditshme, fjalor ky që i ka infektuar këto rajone; dhe me gjasë do të duhet shumë durim për t’u dezinfektuar prej tij.
Çka është ky send që ka hyrë në jetën tonë? Pajtohem: bashkëjetesa do të thotë pranë njëri tjetrit dhe jetesa do të thotë të jetosh së bashku me njëri tjetrin. Në vitet e 80-a e kishim një shoqëri jashtëzakonisht të balancuar dhe të harmonizuar, në të cilën askush nuk merrej me përqindje etnike dhe në të cilën qytetet — veçanërisht qytetet — ishin udhëkryqe të këtij identiteti dhe urbaniteti të ri boshnjak. Jugosllavia e Titos, që kishte një doktrinë shumë të qëndrueshme të quajtur “vëllazëri dhe bashkim”, funksionoi shumë në lidhje me këtë. Me këtë doktrinë u rritën plot gjenerata që me të vërtetë besuan në të.
Të gjithë u shokuam dhe befasuam nga vitet e 90-a, kur me ardhjen e demokracisë dolën të gjitha ato parti të bazuara në parime etnike. [Shokues ishte poashtu fakti] se sa shpejtë u ringjall skeleti nga dollapi — histori të pakryera të Luftës së Dytë Botërore, që ishin shpërdorur dhe përdorur për t’i mobilizuar njerëzit, të cilët shpejtë u kthyen kundër njëri tjetrit.
"Kur flasim për Bosnjen, flasim pikërisht për një kulturë, një tokë, një mendësi në të cilën u kryqëzuan kulturat dhe u krijua një alkimi ndryshe e marrëdhënieve reciproke dhe u formua një komunitet".
Megjithatë, kemi shumë dëshmi absolutisht bindëse se — edhe kur i konsiderojmë krimet më të rënda në territorin e Bosnjes — është demonstruar dhe dëshmuar padyshim se këtë urrejtje e sollën në Bosnje nga jashtë.
Kjo ndodhi fillimisht nëpërmjet dy nacionalizmave agresivë të 90-ve nga Lindja dhe Perëndimi — do të thotë nga Serbia dhe Kroacia — dhe unë besoj se Bosnja ishte dëm kolateral në shpërbërjen e Jugosllavisë. Sigurisht, në ditët e sotme, është ajo tendenca absolutisht e pasaktë dhe pa argumente që nuk ka dëshmi historike dhe thotë: si mund të mbijetojë Bosnja nëse Jugosllavia u shpërbë?
Jugosllavia gjithmonë ka qenë komunitet politik, konglomerat i njerëzve të cilët e formuan Jugosllavinë me një ideologji socialiste shumë të fortë dhe frigjide të asaj kohe. Para saj, ishte një monarki, Mbretëria e Sllovenëve, Kroatëve dhe Serbëve. Kur flasim për Bosnjen, flasim për një… në fakt, autoktonizmin e pikërisht një kulture, një toke, një mendësie në të cilën u kryëqëzuan kulturat dhe u krijua një alkimi ndryshe e marrëdhënieve reciproke dhe u formua një komunitet.
Gjithmonë është thënë se Bosnja është ‘Jugosllavia e vogël’…
Pikërisht. Gjithmonë është thënë se Bosnja është një lloj pulsi, një rrahje e zemrës, një jehonë pozitive e asaj Jugosllavie. Megjithatë, pas 90-ve, në një ambient post konfliktit ku plot vlera u shembën dhe ku ka filluar ndërtimi i vlerave të reja, kemi qenë pjesë e një qeverisë apo rrëfenjës dominuese që ka zgjatur për gati tri dekada. Kjo rrëfenjë na siguron se Bosnja nuk është e mundshme pa shpërbërjen e Jugosllavisë. Dhe përkundër kësaj, sigurisht, kultura jo vetëm që verifikon se kjo nuk është e vërtetë, por e mohon çdo ditë.
Shumëkush është munduar të ma shpjegojë tërheqjen e nënkulturës boshnjake. Me të vërtetë kur i kthehemi disa rok bendeve boshnjake, kur mendojmë, për shembull, për bende si Index, apo Bijelo Dugme… ato janë pjesë e një epoke më ndryshe.
Kur i shohim anëtarët e këtyre grupeve, me të vërtetë dallojmë kimi të çuditshme: kush luan bas kitarën, kush kitarën, kush tupanat. Diçka shumë e ngjashme me atë që e tha Dule Vujošević për ekipin kombëtar të basketbollit të Bosnjes. Është erotike kur në një ndeshje, Nemanja, një serb, ja pason topin Senadit, një boshnjakut, dhe Senadi ja kthen Antos, një kroatit. Pra kjo ishte diçka normale në Bosnje, natyrale, e pritur dhe tani me vite kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta ndryshuar këtë duke ua shpërlarë trurin popujve…
Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
Një pyetje e shkëlqyeshme është se a ekziston ajo frymë sot.
Po, ekziston ende në fazën embrionale, për shkak të këtij shkatërrimi sistematik për të cilin po flas. Ka periudha të rikthimit, apo disa lloj oaza të vogla. Dy prej tyre, pjesë e zinxhirve që e mbajnë të bashkuar shoqërinë, janë kultura dhe arti, dhe deri diku është edhe sporti. Sigurisht, kjo nuk vlen për ekonominë. Ata e kanë algjebrën e tyre për përfitime. Ata fitojnë para dhe interesante është që kjo nuk u ndërpre as në vitet më dramatike.
Pra, ekziston, por pyetja e vetme që mbetet tash është se a kemi fuqi për ta ndryshuar paradigmën politike dhe se a mund të zhvillohen këto gjëra, që tani janë incidente pozitive, për t’u bërë ambienti jonë i përhershëm.
"Pjesa më e madhe jetojmë me neveri absolute për politikën, diçka që veç se është bërë hapësirë e apatisë, mungesës së shpresës dhe dorëheqjes".
Pjesa më e madhe jetojmë me neveri absolute për politikën, diçka që veç se është bërë hapësirë e apatisë, mungesës së shpresës dhe dorëheqjes për gjenerata të tëra. Çdo ditë jemi dëshmitarë të largimit të njerëzve më të mirë të këtij vendi, pa marrë parasysh cilës gjeneratë i përkasin. Në një mënyrë, kjo më bën të dyshoj se a mund të jetë e ardhmja paqësore dhe premtuese, por e qartë është se për një kohë të gjatë nuk kemi vendosur vet për fatin tonë.
Thjeshtë shpresoj se Ballkani nuk do të jetë në letrat e lojtarëve të mëdhenj përsëri. Para së gjithash mendoj për Rusinë dhe Amerikën, që sigurisht, bashkë me partnerin e tyre, Bashkimin Evropian, janë të vetmit që vendosin rend këtu në Ballkan dhe praktikisht i pastrojnë dhomat tona të ditës.
Ato dhoma të ditës për një kohë të gjatë kanë qenë të mbushura me mobilje të vjetra që nuk i shërbejnë më askujt dhe këto mobilje shpeshherë fshehin skeleta të cilët, kohë pas kohe, si kuti të Pandorës, hapen; zakonisht kur duhet të bëhet diçka këtu përsëri — ndonjë problem.
Më vjen mirë që e përmendët Bashkimin Evropian, sepse një nga pyetjet e mia është pikërisht për integrimin e BeH, por edhe të rajonit. I kemi këta dy fqinj, Kroacinë dhe Serbinë, dhe nacionalizmat e tyre që dolën në vitet e 90-a. Tani Kroacia veç se ka hyrë në Bashkimin Evropian dhe Serbia ngadalë po përgatitet t’i bashkohet. Dhe e qartë është rritja e re e nacionalizmit, që mendoj se është e pashembullt — siç kanë thënë plot persona të intervistuar nga K2.0, si Miljenko Jergović, situata kurrë nuk ka qenë më e keqe, as në fillim të 90-ve. Në çfarë lloj mjedisi jetojmë dhe a mund të na ndihmojë anëtarësimi në BE, apo do të na bëjë më keq?
Jemi të vetëdijshëm se bashkimi me BE-në nuk do t’i zgjidhte të gjitha problemet tona. Nuk kemi perspektivë tjetër. Megjithatë, jemi të bindur se duke hyrë në BE, në një farë mënyre do të imponohet sundimi i ligjit, por jemi gjithashtu dëshmitarë të një situatës ku plot shtete të BE-së, shtete të Evropës Qendrore si Hungaria, Polonia, Republika e Çekisë, dhe Sllovakia, po kanë tendenca që janë shumë shqetësuese, që po i vëjnë në dyshim postulatet e përgjithshme të demokracisë liberale.
Këto shtete po bëjnë përpjekje drejt modeleve të reja me doktrina religjioze. Orban është lideri i parë evropian i cili iu referua demokracisë krishtere. Pra, unë besoj në atë që e tha [filozofi gjerman, Jürgen] Habermas kur foli për idenë e BE-së: se BE duhet t’i kthehet parimeve që janë arsyeja për themelimin e BE-së, si dhe duhet të jetë grupi apo pala e interesit, veçanërisht interesit financiar.
Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
Çfarë mund të sjellë BE në Ballkan në të ardhmen? Ballkani — sigurisht civilizimi i tij — i përket BE-së, gjeografikisht dhe kulturalisht. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë së përbashkët për situatën e sotme në Ballkan është inercia, përtacia, theksimi i burokracisë, letargjia e aparatit evropian, e madje edhe një retorikë e cila na është bërë boll të gjithëve, që e transferon përgjegjësinë ekskluzivisht te politikat lokale dhe marrëdhëniet lokale.
Shumë vështirë është ta ngrisim kokën nga perspektiva e BeH sot, ta zgjasim qafën e t’i shohim vlerat e BE-së, përderisa jemi të lidhur me Kushtetutën e Dayton, një dekret që është qenësisht racist, shovinist dhe diskriminues.
Jemi të vetëdijshëm se BeH përfaqëson një lloj laboratori politik të fuqive të botës, që e formuan një komunitet që thjeshtë i forcoi dhe verifikoi rezultatet e luftës dhe shkatërrimit. Gjithashtu e ndali luftën, por njëkohësisht [Kushtetuta e Dayton] nuk ishte një dokument që mund ta ndalë konfliktin.
Ky konflikt tani është transferuar në mënyra tjera: politike, verbale… thjeshtë e pret momentin e duhur, si farë e të keqës, që nuk shtrydhet, thyhet, shkatërrohet, që nuk turpërohet publikisht, por vetëm mbulohet dhe pastaj në cikle të ndryshme elektorale, pak a shumë intensifikohet, duke e rrezikuar mbijetesën e këtij vendi.
Mendoj se Evropa është e vetëdijshme se nuk është e mundur të ketë konflikt të kontrolluar në Ballkan. Rrethanat nuk janë të mira, sepse jemi dëshmitarë të një radikalizimi, të ngritjes së fashizmit të Evropës. Tani po e shohim se disa shoqëri stabile, liberale, demokratike që ishin modele për neve sa i përket qasjes së tyre ndaj të huajve dhe komuniteteve minoritare, si Holanda dhe Suedia, tani po preken nga tërmetet politike.
"Duhet të jemi përgjegjës për ata që jemi dhe të themelojmë ide se në çfarë drejtimi dhe drejt çfarë duam të shkojmë".
Jemi dëshmitarë se disa nga shtetet e mëdha evropiane, shumë të fuqishme, shumë të populluara dhe të rëndësishme, si Italia, kanë qeveri që janë me kuptimin e plotë të fjalës fashiste dhe pro fashizmit. Pra, tani e shohim se rrethanat janë shumë dramatike; po dalin nga qielli si re të errëta të viteve të tridhjeta mbi Evropën.
Jetojmë në kohët e një linje autokratike të liderëve të fuqive të botës, si Trump dhe Putin. Jemi dëshmitarë të ideve ekspansioniste dhe neo-imperialiste të Turqisë, që po mundohet të rivendosë interesa të caktuara [në BeH], duke iu referuar patronazhit të Sulltanit [në epokën osmane].
Pra, duhet disi të jemi të vetëdijshëm se në kuptimin politik, duhet të jemi përgjegjës për atë që jemi, për ata që jemi, dhe të themelojmë ide se në çfarë drejtimi dhe drejt çfarë duam të shkojmë. Unë besoj se kemi shumë gjëra të mira për t’i ofruar Evropës. Nuk e sjellim vetëm atë që shpeshherë quhet ‘tamni vilajet’ (vijaleti i errët).
Megjithatë, janë shumë gjëra në këtë rajon prej të cilave do të përfitonte Evropa, apo të cilat do të kishin ndikim pozitiv për Evropën, sepse identiteti jonë i Ballkanit nuk është diçka për të cilën domosdoshmërisht duhet të mburremi, por nuk është as diçka prej së cilës duhet të turpërohemi, sepse gjithmonë ka qenë rajon shumë specifik.
Absolutisht nuk besoj se është diçka prej së cilës duhet të turpërohemi, kur flasim përgjithësisht dhe veçanërisht sa i përket kulturës dhe historisë sonë…
Po pra. Megjithatë, i vetmi send i cili duhet të na turpërojë është fakti se është krijuar një interval prej viteve të 90-a që nuk i ka ndjekur trendet e emancipimit shoqëror, teknologjitë e reja apo zhvillimin industrial, apo informatikën. Nuk e kemi ndjekur botën në këto tridhjetë vite sepse na ka lënë mbrapa lufta, historitë dhe konceptet shtetërore retromitike. Tani e shohim se koha po kalon — është e pashmangshme — dhe nuk do të na presë.
Nuk u ballafaquam me të gjitha ato që ndodhën, veçanërisht pasi që lufta qartë nuk kishte fitues. Dhe kur lufta nuk ka fitues, askush nuk është aty për ta shkruar historinë. Prandaj jam kurioz për historinë e RECOM. Ju jeni pjesë e RECOM dhe jeni mjaft aktiv, prandaj jam i interesuar se pse mendoni që RECOM është e rëndësishme dhe si mund t’i ndihmojë Bosnjes.
Me të vërtetë nuk mendoj se RECOM ka alternativë. RECOM është veprimi më i madh i përbashkët i organizatave joqeveritare që në masë të madhe i bashkon viktimat e luftës, familjet e tyre, për ta mbyllur këtë kapitull të 90-ve duke u ballafaquar me një të vërtetë që nuk do të ringjallet, nuk do të dyshohet dhe nuk do t’i nënshtrohet riinterpretimit. Do të jetë faktike, e dëshmueshme dhe e saktë. Dhe kjo do të thotë, nga fillimi, e vërtetë forenzike.
Kjo [e vërtetë forenzike] do të përcaktohet kryesisht nga numri i viktimave, dhe pastaj rrëfenjat e rrethanave në të cilat u vranë ato viktima, dhe respektin për ato instancat, hetimet, dëshmitë dhe proceset ndërkombëtare.
Kjo është diçka që na është lënë, si trashëgimi e jona, nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë, bashkë me numrin e vendimeve gjyqësore që qartë tregojnë karakterin e kësaj lufte, duke zbuluar se kush ishte agresori dhe kush viktima. Kjo duhet të ndodh jo si pjesë e politikave të përditshme, por në një nivel humanist, universal; në mënyrë që tmerret e tilla, krimet dhe mizoritë, të mos i ndodhin më kurrë gjeneratave të ardhshme.
Diçka si ‘Nunca Mas’ [një raport nga Komisioni Kombëtar për Persona të Pagjetur në Argjentinë, i themeluar pas diktaturës dhe sundimit të juntës ushtarake]?
Prandaj RECOM është proces shumë i ndërlikuar që doli nga sektori joqeveritar, dhe doli nga ndjenjat e thella të qytetarëve të ish-Jugosllavisë, pa marrë parasysh etninë: që e gjitha ajo që na ndodhi mund të bëhet një histori e përsëritur nëse e lëmë atë hapësirë për politikën.
Tani jemi në një situatë shumë të ndërlikuar dhe delikate në të cilën po mundohemi t’i gjejmë gjysmë million mbështetës për këtë nismë duke themeluar një komision rajonal që do të kalojë nëpër institucionet e sistemit, nëpër parlamentet e këtyre shteteve. Synojmë ta bëjmë një transfer nga një nismë joqeveritare në një ballafaqim institucional me të vërtetën.
Fatkeqësisht, e shohim se sa e vështirë dhe e ngadalshme është. Ka vazhduar për 21 vjet prej luftës, dhe mjaft e qartë është për neve se pse është kaq e vështirë.
90-at përdoren si benzinë për një nacionalizëm të ri, që lejon hapësirë për ato alternativa politike që nuk duan zgjidhje të përhershme për këtë vend, që nuk duan të ketë paqe këtu. Në një farë mënyre, ata gjithmonë duan ta kenë një tokë në të cilën mund të imponojnë frikë tek të tjerët dhe t’i abuzojnë këto rrugë të pavendosura të së kaluarës për vetëviktimizim.
A është tepër vonë?
Nuk kemi zgjedhje. Kur pyesim se a është tepër vonë, mendoj se çfarë alternative kemi. Nëse nuk është RECOM, atëherë është një luftë e re, masakra të reja, vuajtje të reja. Askush nuk mund të jetojë me duar kaq të përgjakura, sepse e dimë se çfarë kuptimi ka kjo — është fundi i rrethit të përmbajtjes historike të hakmarrjes dhe krimit. Në një pikë duhet të ndalesh. Dikur duhet të thuhet: këto politika ishin përgjegjëse për këtë luftë.
Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
I tmerrshëm është angazhimi i komunitetit ndërkombëtar në luftë, në dëshmi, dhe pjesëmarrja e tij në të. U shkruan libra dhe raporte të gazetave, u themeluan faktet, u morrën vendimet gjyqësore. Në fakt, na lanë me një sasi të materialit shumë serioz, të dokumenteve, që nuk na lanë arsye për të dyshuar.
Por Evropa nuk nguli këmbë të ndalohet provokimi i hapur i të kaluarës me këto gënjeshtra, që duhet të jetë conditio sine qua non i gjithë integrimit në të ardhmen.
Pak optimizëm më vjen nga fakti se strategjia e BE-së për zgjerimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor i liston dy sende shumë të rëndësishme, dhe të dyja e mbështesin RECOM. Njëra është zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjsore dhe qëndrimi i vendosur në lidhje me të kaluarën, pra një qëndrim i vendosur në lidhje me krimet. Pra nëse duam të jemi pjesë e një bote të civilizuar, nëse duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian — duhet të ballafaqohemi [me të kaluarën].
Përsëri po i kthehemi të njëjtës pyetje. A ekziston dëshira për të zhvilluar marrëdhënie të mirëfillta dhe të mira fqinjësore?
Jo. Në fakt, politikanët sot i ndërtojnë këto marrëdhënie e në xhepa i kanë gishtat e kryqëzuar. Është larg retorikës së sinqertë të miqësisë reciproke sepse këto politika kërkojnë ekzistencën e një armiku në rajon, sepse nëse e trajtojmë si të vendosur, pastaj fillojmë me ballafaqimin e problemeve reale dhe ekzistenciale.
"Kemi mungesë të lëvizjeve politike, mungesë të ideve. Kemi nevojë për angazhim më të madh të komunitetit akademik, intelektualëve, studentëve — forcave progresive, liberale që duan të shohin shërimin e komunitetit të tyre".
Për shembull, çfarë sektori publik kemi? Apo çfarë sektori të shëndetësisë, të arsimit? Sa paguhen? [Nëse i përgjigjemi këtyre pyetjeve] pastaj arrijmë te gjetjet e tmerrshme që ekonomitë e këtyre shteteve, të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë, nuk mund ta arrijnë nivelin e ekonomisë jugosllave në 20-30 vitet e ardhshme, dhe se edhe në gjysmën e ardhshme të shekullit, nuk mund ta arrijmë nivelin e shteteve skandinave sa i përket standardeve sociale.
Mendoj se jetojmë në një atmosferë të premtimeve boshe të vazhdueshme, si dhe vlerësimeve që nuk janë të bazuara në fakte. Njëkohësisht, e kemi këtë situatë komplekse ku politikanët tonë e kanë gjithë mbështetjen e nevojshme për të vazhduar me retorikën e njëjtë të 25 viteve të fundit. Pra mendoj se është e rëndësishme ta gjejmë një mënyrë për të dalur nga ky cikël vicioz.
Kemi nevojë për një revolucion social. Pyetja është se a ka më shumë gjasa të evoluojë gradualisht dhe paqësisht. Nuk jam mbështetës i metodave të dhunshme, nuk mendoj se rruga e ka bërë ndonjëherë demokracinë të funksionojë më mirë. Por ka mënyra tjera që mund t’i përdorim. Kemi mungesë të lëvizjeve politike, mungesë të ideve. Kemi nevojë për angazhim më të madh të komunitetit akademik, intelektualëve, studentëve — forcave progresive, liberale që duan të shohin shërimin e komunitetit të tyre.
Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të ekzistencës së një sundimi të partive, një sistemit të quajtur demokraturë — një demokraci dhe një diktaturë. Jemi duke e luajtur një lojë të demokracisë nëpërmjet sistemit shumëpartiak. Në to, në vend të njëmendësisë së dikurshme komuniste, tani kemi një mendësi shumëpartiake, shumë të kufizuar, të drejtuar shumë qartë nga interesat e saj që operojnë si kompani të caktuara. Pra, e kemi një humbje të besimit në demokracinë përfaqësuese.
Mendoj se duhet ta konsiderojmë se si — nëpërmjet sektorit joqeveritar, nëpërmjet atyre institucioneve dhe sistemeve që duhet të jenë bartësit e progresit të vlerave liberale — ta ndalim këtë revolucion klerikal-konservator.
Për ta ndalur këtë indoktrinim, apo për ta ndalur shkatërrimin e Bosnjes me demokracinë etnike si model dominues në të cilin interesi kolektiv i njerëzve reduktohet deri në absurditet nëpërmjet mekanizmit të ‘interesave jetikë kombëtarë’ në nivelin shtetëror, në Kuvendin Parlamentar apo Shtëpinë e Popujve, që po përdoren si bastore, dhe jo si organe që i rregullojnë të gjitha të drejtat kolektive të komuniteteve etnike.
Së dyti, deri sa të themelohet sovraniteti i qytetarit, një individ si bartës i ndryshimit, dhe i entitetit social, dhe përderisa dështojmë t’i kthehemi identiteteve tjera që na përcaktojnë si njerëz — si ajo çfarë bëjmë, profesioni jonë, mënyra se si kontribuojmë në komunitet, si qëndrojmë në marrëdhënie të ckatuara me miq, familjarë, biznese — deri sa ta bëjmë këtë, me sa më duket mua, nuk do të kemi fat të mirë.
Ky ndryshim duhet të vijë nëpërmjet një ndryshimit në paradigmën politike. Thjeshtë duhet t’i dëgjojmë disa prej këtyre politikanëve që na ofrojnë një lloj alternative, por me sa më duket mua, ata kanë mbetur disi si zëra të vetmuar në këtë zhurmë të përgjitshme partiake.
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën boshnjake.
Foto kryesore: Imrana Kapetanović / K2.0