Të paktën shtatë të vdekur pas tërmetit me magnitudë 6.4 që ka goditur rajonin.
“Dridhjet janë ndier gjatë gjithë kohës, dhe mes orës 12:19 të pasdites kur ka goditur i madhi (6.3) dhe 4:30 të pasdites kemi pasur 16 tërmete më të vogla (me magnitudë mes 3 dhe 4.7) me tronditje të pasme rreth çdo minutë. Është e frikshme.”
Kjo është pjesë e postimit të Facebook-ut të shkruar të enjten (29 dhjetor) nga Emina Buzinkic nga Sisaku në Kroaci. Mëngjesin vijues, ajo dhe gjithë familja e saj janë larguar nga Sisaku duke kërkuar strehë në një qytet tjetër, siç kanë bërë shumë të tjerë.
“Sot jemi ulur në livadhin prapa shtëpisë, të gjithë refugjatë. Edhe një herë. Refugjatë të përhershëm. Të traumatizuar dhe disi të qëndrueshëm.”
– Emina Buzinkic, Sisak.
Emina është kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku ajo punon, para nëntë muajsh dhe është ngujuar në qytetin e saj të lindjes për shkak të pandemisë.
“Të mbijetosh tërmete së bashku duket ngjashëm si të mbijetosh luftën. Shumë nga çka kemi përjetuar gjatë dy ditëve të kaluara ngjallin kujtime të kohërave kur frika dhe mbijetesa bazike ishin bërë identiteti parësor. Sot jemi ulur në livadhin prapa shtëpisë, të gjithë refugjatë. Edhe një herë. Refugjatë të përhershëm. Të traumatizuar dhe disi të qëndrueshëm,” shkruan ajo.
Një tërmet me magnitudë 6.2 ka goditur Kroacinë qendrore të hënën (28 dhjetor) dhe është ndier në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Slloveni dhe në pjesë të Italisë. Një vajzë 12-vjeçare ka vdekur si pasojë në Petrinja të Kroacisë, ndërsa pesë persona të tjerë janë zbuluar të vdekur në qytetin e afërt të Glinës dhe një tjetër është gjetur në rrënojat e një kishe në Zazinë. Kërkimi për të zhdukurit ende vazhdon.
Shumë persona frikohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe rrinë jashtë, në streha të improvizuara në ndërtesa publike, duke fjetur në makinat e tyre apo thjesht duke jetuar në zonën që është ndikuar më së shumti. Sipas mediave lokale, spitalet në Sisak dhe qytete tjera janë duke u munduar të përballen me rastet e personave të lënduar.
Disa zona janë pa rrymë për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë.
Portali index.hr ka publikuar një video nga instituti italian për gjeofizikë dhe sizmologji që tregon si valët e tërmetit janë përhapur në rajon. Ata pretendojnë që fuqia e tërmetit ka pasur magnitudë prej 6.4.
Një rrjet solidariteti rreth rajonit është krijuar dhe ndihma për personat e ndikuar në Kroaci është nisur nga një numër shtetesh, përderisa toka në Kroaci dhe në pjesë të Bosnjës është ende duke u dridhur.
Qeveria e Kroacisë ka njoftuar që 2 janari do të jetë ditë zije kombëtare.
Kjo është hera e dytë që një termet i madh ka goditur Kroacinë këtë vit. Hera e parë ka qenë më 22 mars, kur një tërmet me magnitudë 5.3 goditi Zagrebin dhe u përshkruar si më i fuqishmi në 40 vitet e fundit.