Nga e hëna në të premte, Bukurija ecte gati katër kilometra deri në shkollën e fshatit më të afërt, sepse fshati i saj nuk kishte shkollë fillore. Ajo vjen nga fshtati Sllakofc i Vushtrrisë, ndërsa mësimin e vijonte në shkollën Hivzi Sylejmani të fshatit Ceceli, bashkë me nxënësit e tri fshatrave përreth.
Në vitin 1997, kur sapo e kishte filluar klasën e shtatë, ajo u detyrua ta ndërprente shkollimin.
Bukurije Krasniqi Bunjaku, tash 36 vjeçe, tregon si e kishte përjetuar braktisjen e shkollës. “Ndjenja më e keqe që mundet me ekzistu është me t’u ndërpre andrra diku. Ato ditë sa e kam ndërpre shkollimin, kam mendu që ka përfundu gjithçka. Kanë qenë dy javë si dy vite”, thotë ajo.
Ende pa hyrë Bukurija në klasën e parë — në pranverën e vitit 1990 — regjimi serb në krye me Slobodan Milošević-in bëri segregimin e shkollave në Kosovë, ashtu që nxënësit serbë të ndiqnin mësimin në mëngjes ndërsa nxënësit shqiptarë pasdite. Disa javë pasi u segreguan shkollat, rreth 8,000 nxënës shqiptarë u prekën nga një helmim masiv që ndodhi njëkohësisht në disa qytete të Kosovës.
Po atë vit, regjimi shkarkoi nga puna mësimdhënësit shqiptarë që refuzuan të jepnin mësim me kurrikulat e reja që ishin vendosur nga Beogradi, ndërkaq vitin tjetër policia serbe rrethoi shkollat dhe nuk i la të hynin nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë.
Më 1992, pasi u gjetën shtëpi private dhe hapësira publike brenda shkollave e gjetiu, u krijua sistemi paralel i arsimit në shqip, për t’i shkolluar nxënësit shqiptarë që ishin dëbuar nga shkolla. Ky sistem i shkollimit të nxënësve shqiptarë në Kosovë vazhdoi deri në vitet e fundit të asaj dekade. Me gjithë organizimin e gjithëmbarshëm për ta mbajtur në jetë me çdo kusht sistemin paralel të arsimit, shumë nxënës e braktisën shkollimin.
Në mesin e atyre që e lanë shkollën, shumica ishin vajza nga fshatrat, të cilat për shkaqe sigurie nuk lejoheshin nga familjet të merrnin rrugët e gjata për në shkollë në kohën kur u shtuan patrullimet e policisë serbe.
Bukurija tregon arsyet pse u detyrua ta braktiste shkollën. “Në atë kohë kanë qenë kushtet qysh kanë qenë, nuk kemi pasë shkollë në fshat, është dashtë diku tre kilometra e gjysmë me udhëtu në këmbë, dhe nuk kam pasë shoqëri të vajzave sepse e ndërprenë të gjitha shkollimin”, thotë ajo.
Bukurije Bunjaku – Krasniqi në vendin e punës. Foto: Altin Gashi / K2.0.
Tutje, ajo tregon se shumë familje ua ndalën shkollimin vajzave për shkak të kushteve të vështira sociale e ekonomike. “Nuk do të thoja se kanë qenë arsyet ekonomike te secila familje, por ai mentaliteti që vajzat kanë me udhëtu aq shumë kilometra në këmbë, koha e keqe, po ndodhnin gjëra të këqija, me pak fjalë të gjithë banorët e fshatit tim i kanë ndalë vajzat prej shkollës në klasën ku kam qenë unë”, thotë ajo. “Në atë grup hyra edhe unë se mbeta vetëm”.
Ankthin e njëjtë e përjetoi edhe Xhyljeta Kodrolli nga fshati Dumnicë i Vushtrrisë, kur në vitin 1996 nuk pati mundësi të regjistrohej në shkollë të mesme pavarësisht dëshirës për t’u shkolluar. “Kam qenë shumë e dëshpërume se kam qenë nxënëse e mirë, kam marrë pjesë në çdo aktivitet shkollor. Nuk e kam lënë shkollën me vetëdëshirë, se e kam dashtë”, tregon ajo.
Naxhije e Fahri Buçinca janë çifti nga Vushtrria të cilët trokitën derë më derë për t’i gjetur vajzat që e kishin lënë shkollën dhe për t’ua mundësuar vazhdimin e shkollimit.
“Para luftës situata ka qenë shumë e vështirë, unë kam qenë fëmija më i madh në familje dhe jam detyru me ndërpre shkollimin për shkak të kushteve ekonomike”, rrëfen Xhyljeta. “Edhe për nanën tem ka qenë e pakuptushme që unë me ndërpre shkollën fillore, kur ajo ka qenë vajza e parë në lagje me shkollë [të mesme] ekonomike”.
Ajo thotë se është treguar e kuptueshme për gjendjen e familjes së saj, por nuk ka reshtur së shpresuari se një ditë do ta vazhdojë sërish shkollimin. Asaj dhe shumë vajzave tjera nga rajoni i Vushtrrisë, Skënderajit e Mitrovicës, u erdhën në ndihmë dy veprimtarë të arsimit në Kosovë.
Derë më derë në kërkim të vajzave
Naxhije e Fahri Buçinca janë çifti nga Vushtrria të cilët gjatë viteve ’90 trokitën nëpër shumë dyer për t’i gjetur vajzat që e kishin lënë shkollën dhe për t’u ndihmuar ta vazhdojnë shkollimin.
“Çështja e shkollimit ka qenë në shënjestër pas suprimimit të autonomisë së Kosovës”, thotë Naxhija. “Sfida më e madhe e një populli për të arritë diçka është kur ta abuzosh në arsimim. Puna jonë ka fillu edhe para viteve 1990, por të 90-at ishin kulmi, me mbylljen në tërësi të institucioneve arsimore-kulturore në Kosovë”, shpjegon ajo.
Pavarësisht se të dy tashmë i kishin kaluar të 60-at, vullneti për emancipimin e vajzave i mbante të fokusuar për ta arritur qëllimin. “Në vitin 1991 kemi dalë të dytë në pension, mu atëherë ka fillu çështja e shkollimit të vajzave”, tregon Naxhije Buçinca.
Naxhije dhe Fahri Buçinca. Foto: Altin Gashi / K2.0.
Çifti Buçinca i fokusoi përpjekjet te vajzat, për shkak se në atë kohë ato ishin më të privuarat nga shkollimi. Naxhija thotë se për shumë familje, vajza është parë si “rob i huaj’”, kurse djali si ai që nesër-pasnesër do të jetojë me familjen dhe do të jetë trashëgimtar. “Djali është fuqia punëtore e ardhshme, kurse vajza është diçka e largët”, e ilustron Naxhija atë mentalitet.
Veprimtaria e çiftit për shkollimin e vajzave vazhdoi me shoqatën “Grupi i Krijueseve dhe Veteraneve të Arsimit” të cilën e formuan në 1993. Sipas Naxhijes, shoqata filloi punën në komunën e Vushtrrisë — ku vepruan në mbi 60 fshatra — për t’i gjetur vajzat që e kishin braktisur shkollimin dhe për t’u ndihmuar të ktheheshin.
Pastaj vazhduan në Skënderaj, e më vonë në Bajgorë të Mitrovicës.
Naxhije Buçinca tregon fotografi nga arkivi i familjes. Foto: Altin Gashi / K2.0.
Ata e verifikonin se kush nuk ishte duke e vijuar mësimin përmes qendrave arsimore të komunave në të cilat shtrihej veprimtaria e tyre. I merrnin listat e nxënësve të regjistruar në shkollë dhe trokitnin në dyer duke kërkuar vajzat të cilat e kishin ndërprerë shkollimin.
Pasi që i bindnin familjet — shpeshherë duke u ofruar ndihmë në forma të ndryshme — për t’i kthyer vajzat në shkollë, kohë pas kohe e vëzhgonin vijueshmërinë e tyre, sepse nuk ishin të pakta rastet kur prindërit premtonin se do ta vazhdonin shkollimin e vajzave por pastaj e ndërprisnin sërish.
Xhyljeta Kodrolli, e cila në shtator të vitit 1996 nuk u regjistrua në shkollë të mesme për shkak të kushteve ekonomike, thotë se i ishte dukur e pabesueshme që një çift kishte marrë iniciativë për shkollimin e vajzave, e lëre më të mendonte se do të ishte njëra nga të shkolluarat me ndihmën e tyre. “Kur më kanë thënë që vijnë kështu një grup, mua s’ma ka marr mendja që për shkollë vjen dikush, që e din sa vlerë ka”, thotë ajo.
Në nëntor të atij viti, pa u bërë tre muaj që Xhyljeta e kishte lënë shkollën, çifti Buçinca trokiti në derën e familjes së saj. “Kam qenë diku në ara me babën tem kur ka ardhë dikush prej fëmijëve me më thirrë, jam gëzu shumë kur i kam pa”, tregon Xhyljeta.
Ajo tregon për bisedën që Naxhija dhe Fahriu e bënë me prindërit e saj. “Tetja Naxhije i drejtohet babës tem, ‘Besim, ti duhesh me na falë neve Xhyljetën’; baba i thotë ‘Unë ta fali gjithqysh, po s’po muj se s’kam mundësi'”.
Kur u bë e ditur që problemi ishte te financimi i shkollimit, Xhyljeta tregon se çifti i ndihmoi me libra, fletore, veshmbathje, si dhe transport duke ia siguruar biletën mujore të autobusit për të shkuar në shkollë. “Të nesërmen veç kom fillu me shku në shkollë, në fshatin Maxhunaj, gjimnazi shoqëror-gjuhësor. Dëshira ime ka qenë me shku në shkollë të mjekësisë, por ka qenë shumë larg, në Mitrovicë”, kujton Xhyljeta.
Për çiftin Buçinca, rastet më të vështira për t’u bindur që t’i kthejnë vajzat në shkollë nuk kishin të bënin me kushtet ekonomike, por me mentalitet.
Vizitën e parë të çiftit Buçinca e mban në mend edhe Bukurije Bunjaku – Krasniqi. “Në bisedë e sipër, prindërit e mi nuk kane qenë kategorikë mos me më shkollu mu, [por] në njërën anë ishte situata ekonomike, në anën tjetër arsyeja se isha vetëm, udhëtimi në këmbë…”, tregon ajo. “Me vullnetin e familjes dhe të çiftit Buçinca që disa herë kanë ardhë në familjen time, unë kam fillu prapë me shku në shkollë”.
Foto nga arkivi i familjes Buçinca.
E sot, me përkrahjen e vazhdueshme të çiftit Buçinca përgjatë shkollimit të saj, Bukurija është oftalmologe dhe punon në Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore në Policinë e Kosovës. Ndërsa Xhyljeta është juriste me përvojë pune në banka.
Disa përpjekje ishin më sfiduese
Për çiftin Buçinca, rastet më të vështira për t’u bindur që t’i kthejnë vajzat në shkollë nuk kishin të bënin me kushtet ekonomike, por me mentalitet.
Ata tregojnë për “politikën” që e përdornin për t’i bindur familjet që ishin më kokëforta. “Kush është armiku më i madh sot? Milošević-i dhe regjimi i tij. Çka shkatërroi së pari? Shkollat i shkatërroi. A e dini pse i shkatërroi shkollat? Sepse në shkollim është përparimi i një populli”, tregon Naxhije Buçinca.
Sipas tyre, prindërit menjëherë reagonin se ata ishin kundër planeve të Milošević-it për Kosovën. “[Na thonin] ‘Jo, ne jemi kundër’. E atëherë? Edhe burrat edhe gratë duhet barabartë me luftu për lirinë që po tentojmë me e arritë dhe me e luftu këtë regjim të egër që po e jetojmë”, rrëfen Naxhija.
Në rastet kur kushtet ekonomike ishin arsyeja për ndërprerje të shkollimit, çifti merrte përgjegjësinë për shkollimin e vajzave, duke u siguruar tekste shkollore, veshmbathje dhe bileta udhëtimi me autobus. “Trokitshim në derë te disa donatorë të vegjël, markete të vogla, pompa të benzinës, nëpër familjet që i kishin kushtet më të mira”, tregon Naxhija. “Të gjithë ishin të gatshëm për kontribut të shkollimit”.
E përgjatë rrugëtimit të tyre, nuk kanë qenë të pakta rastet kur prindërit ishin shumë të vendosur që mos t’i shkollonin vajzat.
I tillë ishte rasti i Shkurtës nga fshtati Samadrexhë i Vushtrrisë, e cila ishte e fundit nga gjashtë motrat në familje. Çifti tregon se babai i Shkurtës i ikte takimit me ta sa herë që i shkonin në shtëpi për të biseduar.
“Gjyshja e Shkurtës thotë, ‘Ejani nesër, babai i saj është në ara duke nxjerrë patate’, e ne të tretë — unë, Fahriu dhe Fakete Kusari — shkojmë në arë”, tregon Naxhija. “Babai i Shkurtës e gjuan shatin lart dhe i bie poshtë; thotë ‘Merreni bre atë vajzë, bëni çka të doni'”.
Shkurta tash është infermiere.
Fahri Buçinca shpalos dosjet e nxënëseve. Foto: Altin Gashi / K2.0.
Ndonjëherë, tregon Fahriu, sfidë për shkollimin e vajzave nuk paraqisnin vetëm familjarët e tyre, por edhe njerëzit të cilët punonin vetë në arsim.”Ne s’kemi pasë problem vetëm me prindërit të cilët nuk kanë dashtë me i dërgu vajzat në shkollë, por edhe me 11 mësues dhe një drejtor shkolle në Pantinë të Vushtrrisë”, thotë ai.
Ai shpjegon se disa punonjës të arsimit fshehnin emrat e familjareve të tyre nëpër listat që çifti i përdorte për kërkim, në mënyrë që të mos i gjenin.”Na mshef emrin e vajzës së tij në listë, nuk e tregon, kur shkojmë te vajzat tjera ato duan ta shohin regjistrin dhe pyesin se ku është vajza e drejtorit”, vazhdon Fahriu.
“Na mbante gjallë kënaqësia që e kemi shti një vajzë në shkollë."
Fahri Buçinca
Ndonjëherë ka ndodhur që çiftit Buçinca t’u mbyllet dera në fytyrë. “Kemi pasë raste më të rënda, në Rreznik të Vushtrrisë, katër vëllezër — tre e mbanin procesin mësimor, njëri ishte sekretar i shkollës — nuk e dërgonin motrën në shkollë fillore”, kujton Fahriu. “Na thanë, “Tjetër herë mos u drejtoni në derën tonë'”.
Naxhije dhe Fahri Buçinca tregojnë se çka i mbante gjatë asaj kohe. “Interesant është, jemi lodhë prej katrahurave, por dilnim në mëngjes dhe kur ktheheshim në shtëpi në mbrëmje, thonim ‘Oh, kemi arritë një sukses'”, rrëfen Fahriu. “Ajo na mbante gjallë, kënaqësia që e kemi shti një vajzë në shkollë, dhe praktikisht na ka mbajtë deri më sot”.K
Foto kryesore: Arkivi i familjes Buçinca.