Pikëpamje | Shëndetësia

Gjaku është gjak

Përjashtimi i përjetshëm nga dhurimi i gjakut përbën margjinalizim të shtuar për komunitetin queer.

Lend Mustafa ka filluar të dhurojë gjak kur ka mbërritur moshën e pjekurisë. Për 23-vjeçarin, i cili punon si koordinator projektesh në CEL Kosovo, kjo vepër përfaqëson një formë të pjesëmarrjes qytetare që është shumë e rëndësishme për të.

Ai ka vazhduar ta bëjë një gjë të tillë rregullisht, deri kur një ditë është afruar te njësia mobile e dhurimit e Qendrës Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGj) në Bulevardin Nënë Tereza në qendër të Prishtinës.

Lendi kujton se kur është bërë gati të japë gjak si zakonisht, atij i është dhënë një formular për herë të parë të cilin është kërkuar ta lexojë me vëmendje. Për tronditjen e tij, në fund të formularit ka gjetur një fjali që thoshte: “Nuk mund të dhuroni gjak nëse jeni person që ka pasur marrëdhënie seksuale me dikë të të njëjtit seks”.

Kur është interesuar për arsyetimin prapa fjalisë, ai thotë se një nga infermieret e pranishme është përgjigjur shkurt: “Për shkak të HIV-it”. Ai ishte çuditur për së dyti, pasi një fjali tjetër në formularin e njëjtë tanimë kishte sqaruar se dikush nuk mund të dhurojë gjak nëse kanë HIV-in ose ndonjë sëmundje tjetër që transmetohet seksualisht.

Pyetësori vlerësues që përdoret tani për tani nga QKKTGj-ja kërkon nga dhuruesit e mundshëm të tregojnë nëse “kanë pasur marrëdhënie intime me dikë të seksit të njëjtë”.

Lendi thotë se ishte përpjekur të shpjegojë se testohet rregullisht për HIV-in dhe se gjithmonë ka dalë negativ, porse ishte shpërfillur menjëherë dhe i ishte thënë se “nuk jemi përgjegjës për këtë formular” — dhe i ishte mohuar dhurimi.

Duke përshkruar bisedën me infermieren, Lendi kujton se “qasja e saj nuk ishte aspak e këndshme; ajo thjesht përpiqej të më hiqte qafe dhe dukej pakëz e brengosur, edhe pse nuk e kuptoja përse”.

Hutimi zyrtar

Politikat për dhurimin e gjakut janë çështje tejet të kontestuara me të cilat janë përfytur shumë vende në botë prej vitesh. Kjo për shkak të shqetësimeve rreth mundësisë së infektimit të pacientëve me sëmundje që transmetohen përmes gjakut, në veçanti HIV-i — diçka që ka ndodhur para nja 40 vjetësh, por që ka lënë një shenjë të pashlyeshme në mendjet e autoriteteve të grumbullimit të gjakut dhe të publikut.

Dilema e politkëbërësve është se si të sigurohet furnizimi i sigurt me gjak — gjë që u nevojitet spitaleve për një sërë procedurash për shpëtimin e jetëve — duke ofruar mundësi të barabarta të dhurimit për të gjithë ata që duan. Kjo është për ta baraspeshuar cilësinë dhe sasinë e furnizimit të gjakut — secila më e rëndësishme se tjetra për shëndetin e pacientëve.

Si përpjekje për ta arritur këtë, politikëbërësit zhvillojnë politika të vlerësimit, por nuk është gjithmonë e lehtë për joekspertët të kuptojnë arsyet prapa një politike të caktuar. Kjo është arsyeja përse Lendi thotë se ka bërë aq shumë pyetje për personelin mjekësor që ka qenë përgjegjës për vlerësimin e tij dhe përse është zhgënjyer pasi nuk ka marrë përgjigje të qartë, meqë beson se “të gjithë kemi të drejtë të informohemi”.

Me shpresë se do t’i merrnim përgjigjet që nuk i janë dhënë Lendit, ne kemi kontaktuar QKKTGj-në për të kërkuar sqarime rreth pyetësorit të paradhurimit që përdoret për t’i vlerësuar dhuruesit në Kosovë, si dhe për trajtimin diferencial të komunitetit queer.

HIV vs. SIDA

HIV (Virusi i Mungesës së Imunitetit te Njeriu) është virus që sulmon sistemin imunitar. Transmetohet përmes kontaktit me lëngje trupore të infektuara.

SIDA (Sindroma e Përfituar e Mungesës së Imunitetit) është gjendje që personi mund ta zhvillojë pas infektimit me HIV.

Nëse trajtohet si duhet, njerëzit me HIV (që ndonjëherë quhen “seropozitivë”) mund të jetojnë pa e fituar kurrë SIDA-n.

Trajtimi i duhur po ashtu mund ta zvogëlojë së tepërmi mundësinë e transmetimit nga njerëzit e infektuar me HIV te të tjerët.

Megjithatë jemi befasuar shumë që kemi marrë një varg qëndrimesh të pasakta, çorientuese dhe hutuese nga Qendra.

Së pari, Qendra mbron politikën e saj të vlerësimit duke iu referuar vetëm “MSM” (Meshkujt të cilët kanë pasur kontakt seksual me meshkuj të tjerë). Kjo nuk është e rrallë në politikat e vlerësimit të dhurimit të gjakut në tërë botën.

Problemi është që pyetësori vlerësues i Kosovës përjashton përgjithmonë nga dhurimi edhe burrat, edhe gratë që kanë pasur marrëdhënie homoseksuale. Prandaj kjo përbën një mospërputhshmëri mes asaj që QKKTGj-ja thotë se është politikë e tyre e vlerësimit dhe asaj që bëhet në praktikë.

Ndonëse nuk është e pamundshme, transmetimi i HIV-it mes femrash është skajshmërisht i rrallë dhe asnjë vlerësim objektiv i rrezikut nuk do të arsyetonte politika të posaçme për këtë kategori dhuruesish. Meqë duket se kjo afirmohet heshtazi në përgjigjen e Qendrës, ajo duhet që menjëherë ta bëjë hapin e shpejtë dhe të thjeshtë të përmirësimit të pyetësorit vlerësues në përputhje me këtë.

QKKTGj-ja po ashtu pohon se “të gjitha kriteret dhe standardet vendosen në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe nuk shkelin në asnjë mënyrë të drejtat themelore të individëve të caktuar”.

Ligji kryesor në fjalë është Ligji për Gjak dhe Përbërës të Gjakut, i cili ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2018 dhe thotë se kriteret e pranimit dhe ndalimit të përkohshëm a të përhershëm të dhurimit të gjakut rregullohen nga një akt nënligjor që thuhet se është dashur të nxirrej gjashtë muaj pas miratimit të ligjit. Sidoqoftë, asnjë akt i tillë nënligjor nuk mund të gjendet online deri më sot.

Kjo vë në pyetje ligjësinë jo vetëm të ndalesës efektive për secilin person që ka bërë seks me dikë të seksit të njëjtë, por të të gjithë procesit të mbledhjes së gjakut në Kosovë.

Kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të na japë sqarime për ekzistimin e këtij akti nënligjor, por nuk kemi pranuar përgjigje deri në kohën e botimit të artikullit. Është e gjasshme që mospërputhja mes atyre që QKKTGj-ja beson se duhet t’u mohohet dhurimi (MSM) dhe atyre që pyetësori vlerësues në fakt ua mohon dhurimin (të gjithë personat queer) është rezultat i kësaj paqartësie ligjore.

Çfarë përfshihet në ‘rrezikun e lartë’?

Përmbajtja e përgjigjes së QKKTGj-së po ashtu paraqet arsye për shqetësim meqenëse duket se demonstron një keqkuptim të ligjeve dhe politikave të ndryshme ndërkombëtare.

Në këtë vështrim, QKKTGj-ja pjesërisht arsyeton politikat e veta duke iu referuar Direktivës 2004/33 të Komisionit Evropian — një legjislacion që, siç thotë juristja e të drejtave të njeriut Rina Kika, “është e pazbatueshme në Kosovë dhe nuk detyron institucionet e Kosovës”.

Sidoqoftë, edhe sikur të ishte e zbatueshme, ajo është keqkuptuar dhe keqzbatuar. Direktiva thotë se personat që vihen në rrezik të lartë të marrjes së sëmundjeve të rënda infektive që mund të transmetohen përmes gjakut për shkak të sjelljeve të tyre seksuale duhet të ndalohen përgjithmonë nga dhurimi i gjakut.

Pastaj afirmojnë se “sikurse pjesa më e madhe e Qendrave të Transfuzionit në vendet e zhvilluara të botës”, QKKTGj-ja përjashton në mënyrë permanente të gjithë njerëzit që bien në disa kategori, përfshirë ata/ato që kanë ushtruar/ushtrojnë veprimtari të prostitucionit, që kanë paguar për seks dhe “meshkujt të cilët kanë pasur kontakt seksual me meshkuj të tjerë (MSM)”.

Sipas QKKTGj-së, secila kategori paraqet “popullacion me shkallë të lartë të rrezikut për prezencë të agjentëve infektivë në gjakun e tyre, shkencërisht dhe statistikisht të dokumentuar nga komuniteti mjekësor”.

Së pari, është e pasaktë të thuhet se shumica e vendeve të zhvilluara mohojnë dhurimin e gjakut nga MSM, sepse pjesa më e madhe e tyre në fakt zbatojnë një politikë të shtyrjes së përkohshme që kërkon të kalojë një periudhë e caktuar të kohës mes kohës që kanë bërë seks dhe të drejtës për të dhënë gjak.

Por zbatimi i “rrezikut të lartë” nga QKKTGj-ja është po ashtu problematik.

Sidoqoftë, ato që qendra nuk përmend janë të dhënat e veçanta për Kosovën.

Direktiva e Komisionit që citohet nga QKKTGJ-ja vendos një dallim të bazuar në rrezik. Ndonëse individët që konsiderohet se paraqesin “rrezik” duhet të lejohen të dhurojnë vetëm pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, ata që konsiderohet se paraqesin “rrezik të lartë” duhet të ndalohen në mënyrë permanente.

Kur flitet për individët që vihen në rrezik të lartë të sëmundjeve infektive që transmetohen përmes gjakut për shkak të sjelljeve të tyre seksuale, ajo që Direktiva nuk qartëson janë kategoritë specifike të njerëzve ose sjelljeve seksuale që hyjnë në këtë përkufizim. Kjo përgjegjësi u lihet autoriteteve kombëtare, që të kryhet në bazë të të dhënave epidemiologjike dhe vlerësimit të rrezikut varësisht nga shtetet.

QKKTGj-ja argumenton se sipas Administratës së Ushqimit dhe Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA), burrat që bëjnë seks me burra vazhdojnë të përfaqësojnë një popullatë me rrezikun më të madh të infektimit me HIV — kjo, sipas tyre, i vë automatikisht në kategorinë e “rrezikut të lartë” dhe përligj mohimin e tyre permanent.

Sidoqoftë, ato që qendra nuk përmend janë të dhënat e veçanta për Kosovën. Ç’është e vërteta, të dhënat e UNAIDS-it tregojnë se “epidemia e HIV-it [në Kosovë] është më e vogla në rajonin e Euros në bazë të rasteve të regjistruara, dhe një nga më të voglat në botë”.

Përveç kësaj, QKKTGj-ja afirmon pasaktësisht se “Shtetet e Bashkuara e Kanadaja refuzojnë në mënyrë permanente MSM-të për dhurim vullnetar të gjakut”. Megjithëkëtë, FDA-ja në fakt së fundi ka nxjerrë udhëzime që rekomandojnë një shtyrje të përkohshme tremujore për MSM-të. Kanadaja ka miratuar politikën e njëjtë në vitin 2019.

Akt baraspeshimi — jo garë

Për të përligjur ndalimin e përgjithshëm të MSM-ve, QKKTGj-ja pohon se zbaton “parimin primum non nocere (së pari, mos bëj dëm)” dhe se “angazhohet që pacientët nga gjaku i marrë të kenë vetëm benefite shëndetësore e assesi dëm apo të përfitojnë sëmundje të rënda”.

Me fjalë të tjera, ajo lë të nënkuptojë që parimi i të mos bërit dëm gjithsesi ka për parakusht t’ua mohojë dhurimin e gjakut burrave që bëjnë seks me burra.

Të kuptuarit e këtij argumenti është thelbësor, meqë është zakonisht arsyetimi kyç prapa ndalimit të përjetshëm për MSM-të.

Në vitin 2015, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (CJEU) ka sqaruar këtë çështje. Në të ashtuquajturin “rasti Léger”, ku një burrë frëng ka sfiduar ndalimin permanent të Francës për burrat gej, gjykata ka parashtruar kufizimet në bazë të së cilave autoritetet kombëtare, sipas Direktivës së lartpërmendur të BE-së, mund të miratojnë kufizime të dhurimit të gjakut.

Gjykata ka shënuar që kufizimet e tilla duhet që afërmendsh të kenë për synim të maksimizojnë sigurinë për marrësit e gjakut — siç na thotë parimi primum non nocere. Sidoqoftë, duke bërë këtë, ato duhet që po ashtu të sigurojnë pajtueshmëri të plotë me parimin e mosdiskriminimit dhe parimin e përpjesëtueshmërisë.

Shkurt e shqip, ndonëse kufizimet për dhurimin e gjakut janë të nevojshme, ato nuk mund të jenë arbitrare.

Respektimi i përpjesëtueshmërisë dhe mosdiskriminimit mund të ketë ndikim pozitiv në të drejtën për shëndet.

Pajtueshmëria me parimin e mosdiskriminimit do të thotë që kufizimet e tilla bazohen në të dhënat shkencore të besueshme dhe të veçanta për shtetet në mënyrë që kufizimet e dhurimit të gjakut të mos bëjnë diferencime arbitrare dhe të mos diskriminojnë dhuruesit e mundshëm për arsye të tjera veç provave shkencore.

Pajtueshmëria me parimin e përpjesëtueshmërisë do të thotë që këto kufizime janë aq të kufizuara sa është e mundur: nëse dy politika të mundshme mbartin nivel të ngjashëm të rrezikut, ajo me kufizimet më të vogla duhet të parapëlqehet.

Po sikur vetë Direktiva e BE-së, vendimi i Gjykatës nuk është teknikisht i zbatueshëm në ligjet e Kosovës, por ai është i rëndësishëm për ta theksuar se parimi i të mos bërit dëm dhe parimet e mosdiskriminimit dhe përpjesëtueshmërisë nuk përjashtojnë aspak njëra-tjetrën.

Në fakt, respektimi i përpjesëtueshmërisë dhe mosdiskriminimit mund të ketë ndikim pozitiv në të drejtën për shëndet.

Le të marrim një shembull hipotetik.

Sikur në shumë vende të tjera, burrat në Kosovë kanë gjasa më të mëdha të jenë pozitiv me HIV. Hipotetikisht, një ndalesë e përgjithshme e të gjithë burrave për dhurimin e gjakut statistikisht do të siguronte rrezik më të vogël të infektimit me HIV nga marrësit e gjakut.

Megjithatë, asnjë autoritet i mbledhjes së gjakut nuk ka miratuar një ndalesë të tillë, pasi kuptojnë se do t’i trajtonin padrejtësisht individët e ndryshëm — burrat që janë pozitiv me HIV dhe ata që nuk janë pozitivë me HIV — në mënyrën e njëjtë. Si rrjedhojë, kjo do t’ua pengonte të drejtën për shëndet marrësve të gjakut, meqë do ta kufizonte furnizimin tashmë të paktë të gjakut.

Ajo që aplikohet për të gjithë meshkujt po ashtu aplikohet për meshkujt që bëjnë seks me meshkuj.

Përparimet në shkencë — dhe në dije

Si përgjigje për Rastin Léger, Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë i Francës ka pranuar se “sot, askush nuk mund të mohojë se kjo ndalesë e përjetshme përjetohet si pandehje e seropozitivitetit [për HIV] e burrave gej”. E vetëdijshme për këtë anësi, Franca tashmë ka hequr ndalesën permanente ndaj dhurimit të gjakut nga burrat që bëjnë seks me burrat.

Pandehja se të qenët pozitiv me HIV lidhet me orientimin seksual, në krahasim me praktika të caktuara seksuale, nuk është e pazakonshme. Ky besim ka rrënjë historike që lidhen me shpërthimin e parë të SIDA-s — e cila fillimisht është njohur si “Gay Related Immune Deficiency” (GRID, Mungesa e Imunitetit e lidhur me Homoseksualizmin).

Në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, kur kemi ditur pak a hiç për HIV-in dhe se si ta luftojmë, shtetet e ndryshme kishin vendosur politika të ndryshme vlerësimi bazuar në atë se a janë dhuruesit homoseksualë ose heteroseksualë. Kjo ka ndodhur si pasojë e “skandaleve të gjakut të kontaminuar”, ku mijëra marrës të gjakut janë infektuar me HIV dhe hepatit për shkak të transfuzioneve të kontaminuara që janë dhënë në atë kohë.

Ndonëse disa vende i kanë mbajtur këto politika të pandryshuara, protokollet për sigurimin e mbledhjes së sigurt të gjakut dhe teknologjia për identifikimin e sëmundjeve të transmetueshme përmes gjakut janë përmirësuar në mënyrë dramatike.

Në dritën e këtyre përparimeve shkencore, vetëm një pakicë e vogël e vendeve Perëndimore vazhdojnë t’i ndalojnë përjetësisht burrat gej nga dhurimi i gjakut.

Për shembull, vënia në punë e Testimit me Acid Nukleik (NAT) për HIV-in në fund të viteve të 90-ta ka zvogëluar “periudhën e dritares” — ndërkohën nga çasti kur gjaku infektohet me HIV deri në çastin kur analiza mund ta identifikojë sëmundjen — në rreth shtatë ditë nga ekspozimi.

Gjërat që dimë për HIV-in po ashtu janë shtuar mjaft shumë. Tash për shembull dimë se HIV-i nuk është sëmundje që prek vetëm burrat gej — në botë, gratë dhe vajzat tash përbëjnë afro gjysmën e infektimeve të reja. Fatkeqësisht, paragjykimet për pakicat — krahas praktikave të vendosura gjatë atyre viteve të para të injorancës — shpesh mbijetojnë.

Në dritën e këtyre përparimeve shkencore, 40 vjet më vonë, vetëm një pakicë e vogël e vendeve perëndimore vazhdojnë t’i ndalojnë përjetësisht burrat gej nga dhurimi i gjakut. Shumica ka afirmuar se përparimet shkencore kanë krijuar hapësirë për politika më përfshirëse vlerësimi dhe kanë zbatuar pezullime të përkohshme të dhurimit të gjakut, ose asnjë pezullim fare.

Shembujt e mirë tjetërkund

Një pjesë e këtij përparimi konsiston në kalimin nga trajtimi diferencial vetëm për burrat gej në trajtimin diferencial vetëm për burrat që bëjnë seks me burra — përfshirë burrat biseksualë dhe burrat që nuk identifikohen si queer, edhe pse kanë bërë seks me burra të tjerë.

Ky klasifikim i ri me të drejtë zhvendos fokusin nga orientimi seksual te sjellja seksuale dhe afirmon që të qenët gej nuk është as parakusht, as tregues për statusin e HIV-it.

Askush nuk e mohon që komuniteti MSM zakonisht paraqet mundësi më të lartë për praninë e HIV. Sidoqoftë, fakti që MSM-të kanë gjasë statistikisht më të madhe të kenë HIV nuk e bën ndalesën e përgjithshme për ta opsionin më të arsyeshëm në tavolinë.

Përkundër asaj që pohon QKKTGj-ja, shumica dërrmuese e vendeve të zhvilluara kanë gjetur mënyra të arsyeshme për t’i lejuar MSM-të (e shëndoshë) të dhurojnë gjak duke siguruar që cilësia e gjakut të dhuruar nuk është e dobësuar.

Disa vende sikur Kanadaja, ShBA-ja, Franca, Australia dhe shumë të tjera kanë miratuar shtyrje të përkohshme për burrat që bëjnë seks me burra — nga tre në 12 muaj, varësisht nga shteti.

Të gjitha këto periudha kohore janë shumëfish më të gjata se periudha brenda së cilës analiza NAT mund të identifikojë praninë e HIV-it. Këto vende kanë përmirësuar politikat e tyre, shpeshherë me këshillimin e organizatave LGBTIQ; nuk është vërejtur ndonjë rritje e rrezikut për marrësit e gjakut me kalimin nga shtyrja permanente në atë të përkohshme.

Vendet e tjera sikur Italia dhe Spanja kanë miratuar një qasje “asnjanëse” ose “të bazuar në rrezik”. Së voni, në fund të vitit 2020, Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka vënë në punë këtë politikë pas përfundimit të një rishikimi dyvjeçar të bazuar në prova.

Kalimi në sistem të vlerësimit individual të rrezikut nuk ka pasur ndikim të shënueshëm në shkallën e gjakut pozitiv me HIV.

Kjo qasje buron nga e vërteta e vetëkuptueshme që një person nuk merr HIV-in as për shkak se është gej, as për shkak se ka marrëdhënie seksuale me një burrë tjetër. Nëse një person merr HIV-in, arsyeja është sepse ka pasur kontakt me lëngje trupore të infektuara, pa marrë parasysh nëse ai person është gej, nëse ka bërë seks me një burrë, ose nëse është vetë burrë.

Sipas këtij gjykimi, në vitin 2001, Italia — e cila ka një popullatë përafërsisht dy ose tri herë më të madhe të MSM-ve me HIV sesa Kosova — ka miratuar një sistem që thekson të gjitha sjelljet seksuale që konsiderohen të rrezikshme, te të gjithë dhuruesit.

Rrjedhimisht, të gjithë dhuruesit ndalohen përkohësisht nga dhurimi i gjakut për një periudhë katërmuajshe nga koha kur kanë bërë seks për herë të parë me një partner të ri. Individëve që marrin përsipër sjellje të “rrezikut të lartë”, sikur seksi i shpeshtë i shkujdesur, u ndalohet dhurimi pavarësisht nga gjinia ose orientimi seksual. Me fjalë të tjera, në Itali, dallimi mes kategorive të “rrezikut të lartë” dhe të “rrezikut” të sjelljeve seksuale nuk bazohet në gjini ose orientim seksual, por — çuditërisht — në sjelljen seksuale.

Shkalla më e lartë e gjakut të dhuruar në Itali që ka dalë pozitiv me HIV krahasuar me vendet që nuk përdorin vlerësim individual të rrezikut nganjëherë theksohet si arsye për të mos kaluar në një qasje “të bazuar në rrezik”. Por Italia tanimë kishte pasur një shkallë më të lartë — por prapëseprapë të papërfillshme — të dhurimeve pozitive me HIV.

Studimet tregojnë se kalimi në një sistem të vlerësimit individual të rrezikut nuk ka pasur ndonjë ndikim të shënueshëm në shkallën e gjakut pozitiv me HIV e as në proporcionin mes dhuruesve homoseksualë dhe heteroseksualë me HIV. Për më shumë, për shkak të mbrojtjeve të ndryshme që janë në fuqi, shkalla më e lartë e gjakut me HIV në kohën e dhurimit nuk duket se është përkthyer në një numër më të madh të rasteve të infektimit me HIV përmes transfuzionit të gjakut — sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Gjakut në Itali, nuk ka pasur asnjë rast të dokumentuar të infektimit përmes transfuzionit të gjakut në këtë vend për më se 25 vjet.

Shembulli i Italisë do të duhej të shërbente si rikujtim që politikat vlerësuese janë vetëm një nga faktorët e shumtë që duhet të merren parasysh kur sigurohet cilësia e gjakut për transfuzion — dhe se duhet të bazohen në studime që kanë për themel faktet, gjë që mund të përgënjeshtrojë supozimet paraprake.

Siç thotë Lendi, “procedurat e tilla mund të jenë shumë të vështira dhe e kuptoj këtë, sidomos sepse s’kam prapavijë mjekësore. Thjesht pyes veten përse shtetet e tjera mund t’iu shmangen politikave të tilla diskriminues, kurse ne jo. Më duket se kjo është thjesht një çështje tjetër që nuk paraqet prioritet për institucionet tona”.

Është koha të përditësohet mendësia e ‘të mos bërit dëm’

Tash, dikush mund të argumentojë se, ndonëse shtyrja permanente për MSM-të mund të shihet si tepër e kujdesshme, ajo nuk ndikon aq shumë furnizimin me gjak. Duke pasur parasysh se nuk është e pazakontë që në Kosovë njerëzit të kërkojnë gjak në mediat sociale kur një anëtar i familjes ka nevojë për të për shkak të mungesës së skajshme të gjakut në spitalet publike, nuk ngjan se shteti mund t’i tëhuajë aq lirshëm individët e shëndoshë MSM dhe queer nga dhurimi i gjakut.

Kërkesat nga individët për dhurim të gjakut janë të shpeshta në mediat sociale në Kosovë, sikur kjo nga vetë Dardani (bashkautori).

Dikush po ashtu mund të argumentojë që, meqenëse dhurimi i gjakut nuk është e drejtë, ndalimi i përjetshëm i MSM-ve për dhurimin e gjakut, sado i pabazë, nuk shkel ndonjë të drejtë të komunitetit queer ose MSM. Ky duket se është gjykimi i QKKTGj-së.

Duke cituar një gjykatës kanadez që ka shpallur gjykimin për një rast të ngjashëm me rastin Léger, Qendra argumenton: “Dhurimi i gjakut është dhuratë. Dhurimi i gjakut bëhet sipas vullnetit të lirë, mirëpo e njëjta mund të pranohet ose refuzohet sipas vullnetit të lirë”.

Për ironi, QKKTGj-së i ka ikur se në mu atë rast, gjykatësi ka vendosur se Shërbimet Kanadeze të Gjakut kishin dështuar në paraqitjen e provave të mjaftueshme për të arsyetuar mirëfilli një shtyrje të përjetshme për MSM-të — kështu, Kanadaja më pas kishte hequr ndalesën permanente.

Përveç kësaj, ndonëse dhurimi i gjakut sigurisht që është dhuratë dhe jo e drejtë, njerëzit queer prapëseprapë kanë të drejtën të mos i nënshtrohen pabarazisë së paarsyeshme të trajtimit në të gjitha fushat e jetës publike; kjo është akoma më e zbatueshme në aktet e pjesëmarrjes civile, përgjegjësisë shoqërore dhe filantropisë, sikur dhurimi i gjakut. Kjo është arsyeja përse, pavarësisht përvojës së tij të dhimbshme, Lendi prapëseprapë e ka parë si të nevojshme kontrollimin e pyetësorit kohë pas kohë — “në rast se e kanë ndryshuar”, thotë ai.

Për më shumë, qëndrimi i tanishëm i QKKTGj-së shpërfill pasojat shoqërore, politike dhe madje shëndetësore të një politike të tillë. Sipas mendimit të juristes Kika, përkrahja e një ndalese të tillë të përgjithshme do ta rriste paragjykimin ndaj personave LGBTIQ.

“Ajo po ashtu do t’i përforconte paragjykimet se njerëzit LGBTIQ janë të sëmurë dhe se mbartin sëmundje, si dhe do të krijonte hapësirën që njerëzit në Kosovë të vazhdojnë të mendojnë se të qenët gej është sëmundje ose gjë anormale”, thotë ajo. “E funda është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e Kosovës, meqë librat tanë shkollorë ende përmbajnë referenca të tilla të vjetruara dhe të gabuara për seksualitetin”.

Fakti që autoritetet shëndetësore në Kosovë bazojnë masat e shëndetit publik në konsiderime të tjera përveç shkencës është veçanërisht shqetësues.

Besohet gjerësisht se keqkuptimet për seksin, seksualitetin dhe epidemiologjinë e HIV-it në fakt rrisin përhapjen e infeksionit. Një rritje e vonshme e infektimeve me HIV ndër burra që bëjnë seks me burra në Kosovë është lidhur me stigmën e vazhdueshme për homoseksualitetin, vështirësinë e qasjes në shërbime shëndetësore, dhunën endemike homotransfobike dhe diskriminimin në një vend që mendohet të jetë shteti më homofobik në rajon.

Pra, fakti që autoritetet shëndetësore në Kosovë bazojnë masat e shëndetit publik në konsiderime të tjera përveç shkencës është veçanërisht shqetësues.

Ndonëse autoritetet shëndetësore të Kosovës pretendojnë se përkrahin parimin e “të mos bërit dëm”, politikat e vlerësimit që nuk bazohen në shkencën moderne vërtet shkaktojnë dëm. Ato shkaktojnë dëm për personat LGBTQI duke ushqyer keqkuptimet e vjetruara për HIV-in dhe për komunitetin queer, si dhe u shkaktojnë dëm pacientëve që kanë nevojë për gjak duke kufizuar pa arsye furnizimin me gjak.

Siç thotë Lendi: “Ndihem keq që nuk na lënë të bëjmë një akt kaq njerëzor, por megjithatë vërtetojnë mendimin tim. Kur vjen puna te procedurat e tilla, ne [autoritetet në Kosovë] jemi aq joprofesionalë sa nuk përpiqemi kurrë të ndryshojmë diçka ose të vëmë në pyetje një formular kur e marrim nga jashtë. Thjesht marrim ç’na jepet — për aq kohë sa nuk ndikon të privilegjuarit”.

Imazhi i ballinës: K2.0.