Pikëpamje | Demokraci

Historia u përket qytetarëve

Nga - 04.06.2020

Le ta bëjmë tonën për shkrimin e faqes së 3 qershorit.

Më 3 qershor 2020, qielli i Prishtinës shkreptiu me fishekzjarre.

Si ngjarje që me gjasë është bërë “traditë” në Kosovën tonë “të pavarur” pas vitit 1999, falen ata që mund të kenë menduar se ato simbolizonin votimin e një qeverie të re; pra, që kishin të bënin me festë.

3 qershori 2020 vetëm festë nuk ishte. Nuk ke nevojë të jesh mbështetës i ndonjë partie politike për ta kuptuar këtë — thjesht duhet të jesh demokrat.

Por ndërsa kapërcejmë prej ditës së tretë të qershorit në të katërtën, në mesin e sagës së tanishme politike, vazhdoj të kem bindjen se historia nuk u takon veç atyre që vetëquhen të drejtë; atyre që kanë kapur pushtetin dhe që vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Historia është diçka që mund ta zotërojmë — dhe vërtet e zotërojmë — si qytetarë.

Ja një mënyrë se si mund të regjistrohet kjo histori në shpalosje e sipër.

Më 3 qershor, jo vetëm që qytetarëve të Kosovës iu shpërfill vullneti dhe liria e zgjedhjes, por edhe pati përpjekje të bëhen jorelevante në kuadrin e proceseve të lira demokratike — për një gjë aq të thjeshtë sa votimi për përfaqësim.

I palëkundur, presidenti mbajti konferencë shtypi, duke e përsëritur retorikën e tij të ushtruar për demokracinë, e cila qëmoti ka humbur plotësisht kuptimin kur del nga goja e tij.

Më 3 qershor u bë zyrtare se presidenti mund ta rishkruajë, ta orkestrojë dhe të manovrojë me Kushtetutën për t’u përshtatur me vullnetin, parapëlqimet dhe dobinë e tij.

Më 3 qershor, truprojat e presidentit ndoqën një qytetar dhe e kapën dhunshëm vetëm për shkak se guxoi t’i ushtronte të drejtat e tij kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe të protestës paqësore.

Aty pari, i palëkundur, presidenti dha fjalim për një konferencë shtypi, duke e përsëritur retorikën e tij të ushtruar për demokracinë, e cila qëmoti ka humbur plotësisht kuptimin kur del nga goja e tij. Më vonë, ai ngulmoi në qëndrimin e tij “zero tolerancë” duke thënë se reagimi kishte qenë “i butë” dhe se protestuesi ishte “aktivist i Albin Kurtit” — sikur aktivizmi politik në vetvete është krim që do ndëshkim. 

Qoftë aktivist partiak ose jo, kalimtari veçse kishte bërtitur “Hajn!” Truprojat e presidentit kapërcyen gardhin në njërën qoshe të Kuvendit. Ata e kapën dhe e sulmuan atë duke e tërhequr zvarrë te zyrtarët policorë të stacionuar në hyrjen e Kuvendit, ndërsa një zyrtar tjetër i presidentit u mundua ta pengojë gazetarin që incizonte zhvillimet. Gazetari ia doli ta vazhdonte incizimin vetëm pasi këmbënguli disa herë se ishte pjesë e medias.

Pra, 3 qershori mund të regjistrohet edhe si ditë kur lirisë për t’i qortuar “liderët” iu vunë prangat. Ditë kur truprojat pretenduan të drejtën për ta zotëruar autoritetin ligjor që ta “arrestojnë” një qytetar.

Me 3 qershor, në diskutimet gjatë seancës së Kuvendit, një deputet tha ndër sy të përfaqësuesve: “Unë para dy ditëve kam deklaruar se nuk do ta votoj Qeverinë Hoti… por mbrëmë, në vizitën që e kam pasur në familjen time, të Presidentit dhe të ish-kryeministrit Haradinaj, kam ndërruar mendjen dhe vota ime do të jetë pro, vota ime do të jetë për këta dy persona, pro Qeverisë Hoti”.

Kjo mund të ketë qenë rast injorance ose guximi — sepse Kushtetuta ndalon ndikimin në lirinë e deputetëve për të zgjedhur dhe për të votuar. Injorancë, nëse nuk e ka ditur këtë; guxim, nëse, sikur peng, e ka shfrytëzuar mundësinë për ta vënë në dukje presionin që i është nënshtruar. Me shumë gjasë ka qenë injorancë, siç kemi parë te mënyra se si një pjesë e madhe e klasës politike vazhdimisht i mvesh vetes githfarë të drejte.

Më 3 qershor, ajo votë e vetme, pjesërisht e detyruar prej një personi që kërkohet të jetë politikisht neutral për nga roli kushtetues, siguroi dhëmbëzorin e fundit për mekanizmin e një shteti të kapur rishtas. Një koalicion qeverisës që gëzonte mbështetje krejt të paparë në historinë e shkurtër demokratike të Kosovës, i zëvendësuar prej një koalicioni të brishtë, i përbërë nga ata që qytetarët i shpërfillën në sondazh, dhe një kryeministër të cilin qytetarët nuk patën mundësi ta votonin; i përuruar para një Kuvendi të zbrazët.

Dinjiteti na është rrëmbyer sërish dhe jemi të lodhur. Por nuk është koha për t’u dorëzuar.

Dita e tretë e qershorit vlejti si konfirmim shtesë i asaj që tashmë dihet — që, pavarësisht deklaratave boshe të atyre që përpiqen ta minojnë demokracinë duke përdorur gjuhën e demokracisë, Kuvendi është larg prej të qenit organ përfaqësues i qytetarëve. Në fakt është dhomë ku, shumicën e kohës, mblidhen burrat — ngjashëm me odat — për të vendosur fatin e të tjerëve.

Ndërkohë, më 3 qershor, pandemia kosovare u shpall se është në vazhdim e sipër — një pandemi politike e kapjes që vijon pa pushim krahas pandemisë globale që ndikon shëndetin e qytetarëve.

Por, sikur për pandemitë virusore, kjo pandemi politike duhet të vihet në pyetje, të kuptohet dhe të veprohet në lidhje me të.

Pra, le të mos mbetet 3 qershori — dhe ditët e tjera vijuese — çast kur ne iu nënshtruam një të ardhmeje të pashmangshme.

Por, le të kujtohet si dita që nxiti edhe më shumë njerëz t’i vënë gishtin kokës për të pyetur: kujt i takon Kushtetuta? Dhe kë e përfaqëson? A është ajo dokumenti themelor i një shteti të qytetarëve, që duhet të interpretohet për mirëqenien e tyre dhe për të na lejuar ta ushtrojmë vullnetin tonë? Apo është aty për t’i shërbyer kërkesat e një burri të vetëm?

Dinjiteti na është rrëmbyer sërish dhe jemi të lodhur. Por vlerat themelore dhe të drejtat e brishta janë buzë greminës. Nuk është koha për t’u dorëzuar.

Pra, kur kujtojmë 3 qershorin, mos ta lëmë historinë t’i regjistrojë ato fishekzjarre si festë për ndërrim qeverie, por si ditë kur u cenua demokracia.

S’do të thotë se ndryshimi është i pamundshëm, pa marrë parasysh sa e madhe ose e vogël na duket kjo pengesë tash për tash. 

Po e huazoj një frazë që u dëgjua gjatë protestave aktuale për të drejta civile në ShBA dhe në vende të tjera: Pa përpjekje nuk ka përparim.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.