Biseda | Libra

Ian Bancroft: Për veriun e Kosovës, pengesa e vetme është në mendjen tënde

Nga - 28.04.2020

Shkrimtari dhe diplomati Ian Bancroft flet për librin e tij të fundit për veriun e Kosovës, duke i zhbërë keqkuptimet rreth veriut për t’ia zbuluar njerëzinë.

Ian Bancroft ka thuajse katër vjet që punon dhe jeton me familjen e tij në Mitrovicën e Veriut.

Si koordinator i zyrës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) që mbulon veriun e Kosovës, ai ka pasur mundësinë e veçantë për të punuar dhe për të pasur qasje si ndaj strukturave të pushtetit, ashtu edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë që jetojnë në Mitrovicën e Veriut. Por, veriu nuk është vetëm Mitrovica; janë katër komuna të tjera me histori dhe tradita që shumë qytetarë në Kosovë dhe në Serbi mund të mos i dinë.

Në librin e tij të ri, “Dragon’s Teeth: Tales from North Kosovo” (“Dhëmbët e Kuçedrës: Rrëfime nga Veriu i Kosovës”), Bancroft zhytet në historitë e humbura, të tashmen e trazuar dhe të ardhmen e paqartë. Ai shpërfaq natyrën shumëkulturore të veriut; mbi 4,000 shqiptarë në 10 katunde vazhdojnë të jetojnë në veri bashkë me një numër domethënës të boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve, turqve dhe goranëve. Nuk i dimë shifrat e sakta të popullsisë sepse nuk ka pasur regjistrim të mirëfilltë prej para luftës meqë serbët në Kosovë e bojkotuan regjistrimin e popullsisë të vitit 2011.

Libri i ri i Ian Bancroft zhytet në historinë e pasur dhe në jetën moderne të veriut të Kosovës, ku ka jetuar për katër vjet me familjen e tij. Foto: Ballina e librit.

Kur flet për Mitrovicën dhe për veriun, është e pamundur të mos flasësh për jugun. Ndërlikimi shkon përtej një ure të thjeshtë që e ndan qytetin mes shqiptarëve dhe serbëve, siç portretizohet shpesh nga mediat vendore dhe ndërkombëtare. Bancroft tregon se si gjërat turbullohen dhe përzihen nga të dyja anët. Historia dhe kultura janë më komplekse sesa paraqiten.

Në këtë intervistë, ai i diskuton figurat sikur Oliver Ivanoviq, të cilin e njihte mirë. Ivanoviq ishte figurë kontraverse: ai drejtonte grupin e Mbrojtësve të Urës, të cilët i bllokonin shqiptarët për ta kaluar urën që e ndan Mitrovicën, dhe më vonë do të bëhej “Sekretari i Shtetit për Ministrinë e Kosovës dhe Metohisë” i Serbisë.

Më vonë, Ivanoviqin e bënë të njohur përpjektjet e tij për t’i qasur shqiptarët në Prishtinë dhe për ftohjen me qeverinë e Serbisë, deri në vrasjen e tij në janar të vitit 2018 — deri më tash, askush nuk është mbajtur përgjegjës për këtë vrasje. Në atë kohë, ai po rigjykohej për krime lufte pas dënimit fillestar nga gjyqtarët e EULEX-it dhe shfuqizimit të atij dënimi nga Gjykata e Apelit në Prishtinë.

Një temë e vazhdueshme në veri, si dhe në të gjithë Kosovën, është lufta dhe mungesa e drejtësisë. Në veri, kjo çështje bëhet edhe më e tendosur me narrativa konkurruese dhe me një shoqëri që ende tërhiqet prej forcave të ndryshme politike.

Bancroft po ashtu e diskuton propozimin për shkëmbimin e territoreve që është përmendur nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe atë se si shumë banorë veriorë janë po aq të shqetësuar për këtë sa komshinjtë e jugut.

Para se të zhvendosej në Kosovë, Bancroft ka punuar në Bërçko të Bosnjës e Hercegovinës si drejtor i zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ai ka punuar për më shumë se një dekadë në shtetet e ish-Jugosllavisë dhe ka shkruar për rajonin në The Guardian dhe në Radion Evropa e Lirë.

Pozita e Bancroft-it si drejtor i zyrës së EULEX-it në veri të Kosovës ia ka dhënë qasjen e privilegjuar edhe ndaj njerëzve të pushtetshëm, edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0 foli me të mbi ballafaqimin me pasojat e luftës, frustrimet me statuskuonë e tanishme, vështirësitë e vazhdueshme të pajtimit dhe përpjekjet për ta ndërtuar një komunitet të përbashkët me pjesën tjetër të Kosovës. 

K2.0: Çfarë ju ka shtyrë të shkruani për veriun e Kosovës?

Ian Bancroft: Njëra nga shtysat ishte pishmani që s’kisha shkruar për Bërçkon. Gjithmonë më ka ngelur hatri. Kam mbajtur shumë shënime gjatë kohës sime atje por më vjen keq që s’i kam strukturuar ato mendime për t’i bërë më sistematike. Pas dy vjetësh në veriun e Kosovës, meqë e dija se do të rrija edhe dy vite të tjera, vendosa të jem më sistematik dhe ta shkruaj një libër.

Natyrisht, në çastin kur vendos ta shkruash një libër, njerëzit të afrohen me copëza, fakte dhe gjëra që duhet t’i lexosh, pastaj të çojnë në vende të ndryshme që mbase nuk i ke eksploruar. Pas dy vjetësh brenda një konteksti të vogël, gjërat fillojnë të përsëriten. Ishte diçka që më nxiti të riangazhohem dhe të mahnitem me gjithë këta margaritarë të historisë.

Njëra nga kritikat që i merrni është se jeni një i huaj që flisni në emër të njerëzve të tjerë.

Është kritikë me vend. Do të doja të shihja më shumë njerëz nga veriu i Kosovës, si dhe nga Kosova dhe rajoni në përgjithësi, që i tregojnë rrëfimet e tyre. Isha një i huaj që jetonte atje dhe kjo më jepte qasje të privilegjuar. Punoja me një mision ndërkombëtar dhe kisha qasje ndaj njerëzve.

Por njëra nga predikamentet e librit është se kanë mbetur shumë gjëra jashtë tij — për shkak të pozitës sime janë disa gjëra që nuk kam pasur lejen t’i them. Zërat atje janë të shumtë. Disa vijnë drejtpërdrejt përmes citimeve të atyre individëve dhe të tjerët vijnë nga ndikimi që kanë pasur në mënyrën se si i paraqes gjërat e ndryshme. Madje edhe se si kam vendosur ta bëj vetë librin, edhe gjërat që i kam lënë jashtë, kanë ndikim në atë të ashtuquajturin zë.

Bancroft nënvizon se një pjesë e madhe e fokusit ndaj veriut domosdoshmërisht lidhet me Mitrovicën, por Mitrovica është shumë më shumë sesa një “qytet i ndarë”. Foto nga arkivi: Atdhe Mulla / K2.0.

Çfarë e karakterizon veriun e Kosovës është diversiteti. Ke Mëhallën e Boshnjakëve, Çabrën, fshatin e shqiptarëve në komunën e Zubin Potokut që thuajse është rrafshuar në vitin 1999 dhe mandej është rindërtuar, dhe shumë e shumë njerëz janë kthyer për ta vazhduar jetën atje. Njëra nga rrëfimet që kam dashur t’i tregoj lidhet me arsyen përse njerëzit u kthyen. Përse vallë?

I kemi këto vende në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë ku njerëzit nuk janë kthyer pavarësisht se shumë nga kushtet për rindërtimin e shtëpive dhe të sigurisë kanë qenë në rregull, por ata prapëseprapë nuk janë kthyer.

Më është thënë se Çabra tani është më e madhe se para luftës. Janë dimensionet kulturore, ato fetare dhe ato sportive. Pra ka shumë zëra që jam munduar t’i paraqes këtu, vetëm për t’u përpjekur ta demonstroj kompleksitetin e asaj që nuk ekziston vetëm një narrativë, dhe mundohem t’i shpjegoj hendeqet e individëve që e përbëjnë popullatën atje.

Një nga pjesët më interesante të librit për mua është eksplorimi i historisë së veriut dhe hapja e minierave të Trepçës para 90 vjetësh.

Është rrëfim mahnitës. Duhet të kthehesh prapa te minatorët saksonë që u sollën nga romakët për shkak të aftësive të tyre. Po ashtu duhet ta kesh në mend kohën osmane dhe disa nga kufizimet që ishin vendosur; minierat ishin thuajse pranë vdekjes. Dhe në të vërtetë kështu janë edhe sot, për fat të keq.

Më kujtohet një ish-koleg që më tregonte për Stantërgun ose Staritërgun në anën jugore të Ibrit dhe mbetjet e hotelit të vjetër. Shkuam më lart dhe pamë pishinën dhe dërrasën për zhytje, të cilat ishin ende të paprishura.

Pra mund ta shohësh trashëgiminë e inxhinierëve dhe menaxhmentit të huaj dhe si kanë jetuar dhe çfarë kanë lënë pas: fushat e tenisit në Zveçan dhe bungallovat e stilit anglez.

Bancroft u mahnit nga historia e minierave të Trepçës, duke i risjellë detajet e harruara të së kaluarës së saj koloniale në sipërfaqe. Foto nga arkivi: Atdhe Mulla / K2.0.

Një person mahnitës është manjati irlandez-amerikan Alfred Çester Biti, i cili e themeloi Trepçën moderne para 90 vjetësh për kompaninë British Selection Trust. Ai kishte dërguar inxhinierë të minierave në Trepçë, i kishte shqyrtuar hartat e vjetra dhe kishte bërë shumë hulumtime, por ishte edhe dimensioni fetar: ai iu kishte thënë njerëzve t’i gjurmonin mbetjet e kishave të vjetra dhe aty do t’i gjenin zgavrat e vjetra të minierave.

Ai ishte një figurë vërtet mahnitëse, dhe kur iu flet njerëzve në veri sheh që trashëgimia e tij është zhdukur. Njerëzit nuk kanë ide se kush ishte ai. Ai ka një muze mahnitës në Dablin ku ka shpëtuar dokumente të vjetra me vlerë për kishën ortodokse, e po ashtu edhe tekste islame. Është koleksion vërtet i mbarëbotshëm që çdokush në Dablin duhet ta shohë.

Një pjesë e madhe e kësaj vlere historike ka humbur dhe shpresoj se dikur do të ketë përpjekje për ta ringjallur atë, veçanërisht mbetjet arkitekturore në Stantërg ose Staritërg që vërehen në dalje të Mitrovicës së jugut, si dhe mbetjet e Kolonisë Angleze në Zveçan. Për shembull, Hoteli Numër Tre ende banohet nga persona që kanë pësuar shpërngulje të brendshme edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga lufta.

Për t’u kthyer prapë te diversiteti i zonës, shumë njerëz sot mendojnë se veriu është vetëm serb. Por në të kaluarën, njerëz nga e tërë bota kanë shkuar në Mitrovicë për të bërë pasuri, sikur në ndonjë qytet të Perëndimit të Vjetër të Amerikës.

Natyrisht diversiteti që ekziston sot është më i vogël sesa diversiteti që ekzistonte në vitet ‘98-’99. Është unik dhe pozitiv.

Por në anën tjetër, demografika e Mëhallës Boshnjake është ndryshuar thelbësisht. Dhe janë disa zona në Suhodoll dhe Bergjan ku çdo pranverë ka grindje për rindërtimin e shtëpive. Pra nuk është pikturë e artë apo e zbukuruar por është me rëndësi të shihet diversiteti që vërtet ekziston dhe të zhbëhet keqkuptimi se 100% e popullsisë është serbe dhe përmes këtij diversiteti të shihen disa shkëndija optimizmi për të ardhmen.

Në librin e tij, Bancroft shkruan për historinë e gjatë të qëndresës së minatorëve që fillon në vitet e 1920-ta. Foto nga arkivi: Atdhe Mulla / K2.0.

Dhe ke të drejtë, veriu në përgjithësi — jo vetëm katër komunat që përbëjnë veriun e Kosovës — gjithmonë kanë qenë zona kufitare. Në libër shkruaj për disa nga pikat historike lidhur me mënyrën se si veriu është ndarë rreth kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Pra marrëdhëniet me të huajt, mes trashëgimisë së minierave në vitet e 1920-ta dhe fuqizimit të qëndresës kundër shfrytëzimit të minatorëve, dhe si lëvizja e punës u ngrit në vitet e ‘30-ta dhe njëra ndër veprat e para të rezistencës ndaj nazistëve që ndodhi në veriun e Kosovës. Një grup i minatorëve e sabotuan linjën hekurudhore që çonte materiale prej Stantërgut/Staritërgut në Zveçan.

Njëra nga qëllimet e librit është të përpiqet t’i paraqesë disa nga këto marrëdhëniet me të huajt dhe trashëgiminë e rezistencës në veri që është ndërtuar përgjatë viteve.

Mendoj se shumë njerëz po ashtu nuk e kanë të qartë se Mitrovica është qytet i madh universitar dhe kjo është një industri e madhe për vetë  qytetin. Universiteti e nget ekonominë.

Po, mijëra studentë vijnë çdo vit për të studiuar në Mitrovicë, dhe për ta quajtur me emrin e plotë: në Universtitetin e Prishtinës përkohësisht të zhvendosur në Mitrovicën e Kosovës. Ata këmbëngulin për këtë zhvendosje të përkohshme, por ajo bëhet më e përhershme dita-ditës.

Por mijëra e mijëra studentë vijnë në Mitrovicën e Veriut. Është ndihmesë për këtë vend. Sjell njerëz të rinj, dhe duke e parë Prishtinën dihet se çfarë energjie e sjellin të rinjtë në komunitet.

Kur vijnë, e shohin një ekzistencë mjaft normale. E gjejnë një komunitet të ngrohtë.

Nuk ishte fare kështu në Bërçko, ku qyteti ishte pothuaj i vdekur gjatë javës sepse shumica e të rinjve shkonin në universitete diku tjetër. Kjo sjell biznes, sjell ide dhe vështrime të vlefshme.

Në anën tjetër, shumë njerëz janë të shqetësuar kur vijnë për herë të parë nga vendet sikur Kragujevci, Kraleva dhe Nishi. Ata vijnë me shqetësimin se gjendja e sigurisë në Mitrovicë është shumë e keqe.

Mirëpo kur vijnë, e shohin një ekzistencë mjaft normale. E gjejnë një komunitet të ngrohtë. Kjo, në njërën anë, i prish disa nga keqkuptimet për Mitrovicën. Në anën tjetër mbase i bën mendues kritikë rreth gjërave që i kanë dëgjuar për gjendjen e sigurisë.

Shumë nga studentët që kthehen e lënë atë me ndjenja më të forta për Kosovën dhe serbët në Kosovë sesa që i kanë pasur më herët. Mendoj se disa kthehen me një ide më të qartë kurse disa të tjerë me më shumë pasion për çështjen e realitetit të serbëve në Kosovën e sotme.

Por sa i përket gjallërisë dhe diversitetit të jetës në veriun e Kosovës, nuk mund ta imagjinoj se si do të ishte e mundshme pa universitetin.

Universiteti në veriun e Mitrovicës është pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe e përbërjes shoqërore. Foto nga arkivi: Atdhe Mulla / K2.0.

Në libër flisni mjaft për atë se si shumë të rinj rriten me mite dhe mitologji të shumta për luftën, për atë se çfarë ka ndodhur dhe me ide për jugun e Kosovës.

Po, flas për një mural që u shfaq diku te Sheshi i Shumadisë ku gjendet statuja e madhe e Car Llazarit. Dhe është një mural i marrë prej një fotografie, nëse e kujtoj saktë, të gjashtë apo shtatë burrave të rinj që humbën jetën në luftën e Koshares. Dhe duke gjykuar nga sfondi që mora prej artistit të talentuar që e kishte bërë këtë, ajo ishte mjaft ndryshe prej punës së tij të zakonshme.

Kjo ishte porositur prej disa djemve të rinj që kishin fituar para prej bixhozit apo duke i ruajtur dhe deshën ta porosisnin këtë mural [të njerëzve] që për ta ishin heronj, edhe pse ata vetë kanë qenë fëmijë me pelena gjatë kohës së luftës.

Ata donin të gjenin mënyra për t’i lartësuar këta burra të rinj, të cilët ishin rritur në një kohë krejtësisht tjetër. Dhe grafiti është po ashtu një mënyrë e mirë për ta bërë këtë.

Një shembull tjetër: mund t’i shohësh dashamirët e futbollit duke e kundërshtuar praninë ndërkombëtare, KFOR-in, EULEX-in dhe forcat vendëse të sigurisë — Policinë e Kosovës dhe ROSU-n, njësitet speciale. Po ashtu mund të shohësh grafite që thonë se Kosova është Serbi dhe Krimeja është Rusi. Dhe të dy flamujt janë të lidhur me njëri-tjetrin. Dhe nëpër qyteza të ndryshme mund t’i shohësh paralelet që njerzit tërheqin mes çështjeve të ndryshme.

Çfarë mendojnë njerëzit për shkëmbimin e shumëpërmendur të kufijve?

Ishte një studim së voni që thoshte se njerëzit janë shumë të shqetësuar nga kjo ide. Mendoj se kishte shumë skepticizëm. Komuniteti nuk është fort i kënaqur me integrimin e plotë në strukturat e Kosovës. Por është parë integrimi në shumë fronte, në polici, në gjyqësor.

Disa mund të thonë se kjo ka ndodhur vetëm në letër, por të ardhurat e doganave mblidhen dhe vendosen në fondin e zhvillimit. Ka ndryshime të mëdha por nëse i pyet njerëzit se a do t’i gëzoheshin integrimit të sistemit të arsimit dhe atij të shëndetësisë, të ishin pjesë e këtyre sistemeve të Kosovës, aty do të hasësh më shumë rezistencë.

Për bashkëpunimin e vazhdueshëm

Mendoj se është gjithmonë interesante të kthehesh në nivelin lokal. Isa Boletini është i varrosur atje. Delegacionet shkojnë dhe bëjnë homazhe te varri i tij. Flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë valëviten aty. E kanë gjetur një mënyrë të jetojnë së bashku.

Kam marrë një citim të tërthortë prej një fqinji në Manastirin e Sokolishtes: manastiri i ofronte tepricat e prodhuara në tokën e tyre për fshatarët dhe ata pastaj u ndihmonin t’i ndërtonin muret. Pra kishte mënyra për ta bërë bashkëjetesën.

Ka një skulpturë të famshme të Nënës dhe Fëmijës, dhe të gjithë njerëzit e komunitetit, veçanërisht kur ndonjë burrë me gruan e tij kanë vështirësi të bëjnë fëmijë ose janë të sëmurë, shkojnë dhe e prekin skulpturën. Dhe kështu shpresojnë se u prin fati.

Ishte edhe xhamia qendrore afër urës kryesore që ishte shkatërruar në vitin 1999. Mendoj se rindërtimi i asaj xhamie do të ishte simbol i progresit që është shënuar.

Në anën tjetër, shkëmbimi i territoreve. Serbët në veri nganjëherë kanë status fort të privilegjuar — pagat e dyfishta; njerëzit që punojnë për dy institucione në të njëjtën kohë. Nëse punon për dy institucione në të njëjtën kohë ke pagë më të mirë sesa mesatarja e Serbisë.

Pra ekziston frika se nëse zgjidhen çështjet e përgjithshme të Kosovës apo të veriut në veçanti, ata mund të harrohen dhe të mbeten veç një komunë e thjeshtë. Nëse shkëmbimi do të ndodhte, Mitrovica do të mbetej vetëm një komunë në periferi të Serbisë dhe natyrisht se do të kishte vështirësi.

Pozita mu në qendër të mosmarrëveshjes sjell disa dobi për veriun. Natyrisht, po të kishte shkëmbim territoresh do të kishte edhe plan tranzicioni. Por, me kohë, këto përparësi që i gëzojnë sot do të zhdukeshin.

Kjo është arsyeja përse njerëzit janë të shqetësuar për universitetin që i jep kaq shumë gjallëri veriut. Nëse universiteti s’do të ekzistonte më, një pjesë e madhe e vetë jetesës do të humbej.

Ka shumë skepticizëm për propozimet që vijnë nga jashtë ose nga komuniteti ndërkombëtar. Shumë serbë në veri mendojnë se shumë nga këto propozime vijnë pa konsultim dhe janë gjëra që vendosen diku tjetër dhe u duhet t’i gëlltisin.

Ndoshta nuk shfaqet më në rrugë siç bëhej më parë, por përmes bisedave në kafene mund ta vëresh se ka shumë rezistencë ndaj këtyre propozimeve. Ndoshta dikur në të ardhmen ata duhet të gëlltisin diçka.

Në librin tuaj ju shkruani se veriu është komunitet i ngrohtë shoqëror.

Mendoj se është mënyra e vetme se si njerëzit mund ta përballojnë jetën në një shoqëri me kaq shumë paqartësi.

Prej viteve para luftës, trazirat e vitit 2004 dhe rikthimi i frikave dhe varshmërive, protesta[në pikëkalimet kufitare] e vitit 2011, gjithmonë ka qenë një lloj thyerjeje e re me të cilin njerëzit është dashur të ballafaqohen — nuk mund thjesht t’i shpërfillin. Është një komunitet shumë i vogël ku njerëzit nuk mund të izolohen ndaj gjërave që ndodhin përreth.

Njerëzit është dashur të merren me këto gjëra drejtpërsëdrejti. Politika e ndikon jetën e përditshme. Ky komunitet është trajtësuar përgjatë kohëve të vështira. Njerëzit i kanë përjetuar këto në adoleshencë, në dekadën e tretë të jetës dhe tash në të pestën. Ata kanë fëmijë dhe duan që ata të rriten në një mjedis sa më normal.

Kam takuar shumë njerëz që kanë përjetuar stres dhe ankth të madh. E kam të qartë, besoj, se si jeta në një mjedis kaq të përçarë mund të ketë ndikim te njerëzit. Ka mjaft raste ku njerëzit janë ndikuar rëndë.

Foto nga arkivi: Atdhe Mulla / K2.0.

Por siç thashë, është mekanizëm përballimi; si mekanizëm shoqëror, njerëzit bashkohen për ta bërë jetën më të jetueshme me gjithë këtë paqartësi.

Ju po ashtu e keni njohur mirë Oliver Ivanoviqin dhe keni shkruar për të në libër.

E kam takuar Oliverin kur ka qenë sekretari i shtetit [të Serbisë] për Kosovën. Pra ka qenë diku viti 2009-10 ose më herët. Pra e kam njohur për shumë vjet. E kam njohur atë dhe përpjekjet e tij për t’i zgjatur krahët jashtë komunitetit të tij në mënyrë që të zbulojë një shteg të ri dhe të ballafaqohet me të me pëllëmbë të hapur e jo me grusht të shtrënguar, dhe ta artikulojë atë shteg të ri.

Pas vdekjes së tij shumë njerëz kanë thënë se e kanë respektuar Oliverin për vullnetin e tij për debat. Nuk është se janë pajtuar me çdo gjë që ka thënë dhe ai nuk është pajtuar me çdo gjë që e kanë thënë të tjerët por ishte ajo gatishshmëri për t’u bërë pjesë e një dialogu përmbajtësor për gabimet që i ka bërë komuniteti. Më kujtohet një fjalim i tij ku e kritikon naivitetin e serbëve sa i përket historisë, kulturës dhe gjuhës së shqiptarëve.

Në ‘Urë’

Të gjithë përqendrohen në urën kryesore që është bllokuar për vite me radhe dhe është bërë subjekt i shumë analizave dhe përsiatjeve. Por vetëm 400-500 metra në lindje është një urë tjetër që mund ta kalosh pa problem. Pengesa e vetme që mund të ekzistojë gjendet në mendjen tënde.

Është edhe një urë tjetër në perëndim drejt Suhodollit që njerëzit e kapërcejnë çdo ditë dhe mund të përdoret për të dalë në qendër të Mitrovicës. Pra është vërtetë çlirët.

Është tregu i gjelbër në veri dhe njerëzit kalojnë nga jugu, është edhe qendra tregtare ETC — këto janë dy gjërat kryesore që e sigurojnë rrjedhën e vazhdueshme ndërmjet dy anëve të lumit.

Ai e ka përdorur pozitën e tij brenda komunitetit për të folur hapur dhe për t’i kritikuar hapur gabimet që i bënte komuniteti i tij. Mendoj se na duhen individë të tillë që janë të gatshëm të jenë të guximshëm për të folur troç por edhe për të dëgjuar dhe për t’u bërë pjesë e dialogut; për atë se si njerëzit mendojnë që ndërtimi i paqes mund të mbështetet. Për të gjetur mundësi dhe për të reflektuar mbi gabimet e bëra, etj.

Është një vrimë e madhe sa i përket vrasjes së tij.

Ai po ashtu ka qenë pjesë e Mbrojtësve të Urës, pra ka një histori mjaft të komplikuar.

Pa dyshim. Gjëja interesante është të shikohet historia e një vendi sikur Irlanda e Veriut ku kanë ekzistuar shumë paramilitarë dhe si ata e kanë bërë tranzicionin drejt ndërtimit të paqes më pastaj.

Tash, në libër shkruaj për reflektimet ndaj motivit. A ndihen fajtorë për disa nga krimet në të cilat janë përfshirë dhe që i kanë parë? A i kanë bërë për atë motiv? Apo i bëjnë për një paqe të mirëfilltë? Apo ndoshta i bëjnë për të dyjat.

Ndoshta nuk ka rëndësi. Çfarë ka rëndësi është se këta njerëz kanë tendencë të respektohen në komunitetet e tyre dhe kur flasin të tjerët kanë tendencë t’i dëgjojnë. Dhe po ashtu e mirëpres vendimin e çdonjërit që ka pasur histori dhe të kaluar të ndërlikuar t’i marrë këta hapa dhe të tentojë ta përdor pozitën e vet për gjëra pozitive.

Është një thënie në ShBA se vetëm Niksoni ka mundur të shkojë në Kinë. Pra, vetëm ata që janë të pakompromis mund të bëjnë paqe të vërtetë.

Po, pajtohem plotësisht se ka shumë potencial në këtë fushë për ata që kanë pasur pozita gjatë luftës për të parë pozitat e dy dimensioneve në komunitetin e tyre dhe ndoshta për ta kërkuar respektin qejfprishur nga komunitetet e tjera. Për mënyrën se si kanë tentuar të komunikojnë me ato komunitete të tjera ose si janë sjellë ndaj komuniteteve të tjera.

Dhe nuk është qëllimi që të tërhiqen vija kufiri por të zgjidhen të dy këto gjëra në të njëjtën kohë dhe të shihen të dyjat si burime për të ardhmen.

Nuk përpiqem të them se ata janë aseti i vetëm i ndërtimit të paqes.

Po mendoj, rrëfimet që kanë dalë nga personat e zhdukur në Kosovë dhe në Serbi dhe nismat që kanë bërë për t’u hapur dhe për ta bërë në mënyrë dinjitoze, duke ndërtuar marrëdhënie dhe mirëkuptim të ndërsjellë në mënyrë klandestine, dhe viktimat që ende presin për përgjigje lidhur me të dashurit e tyre kanë bërë punë frymëzuese për ndërtimin e paqes. Po ashtu edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Të gjithat janë burime që mund të përdoren për arritjen e paqes.

Si mund të ketë falje kur nuk ka pasur drejtësi?

Pajtohem dhe është një nga argumentet që i jap për serbët që mendojnë se nuk ka pasur drejtësi për krimet [e kryera ndaj tyre], dhe ngelim në kurthin ku na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera.

Këto janë shmangie të qarta dhe janë haptazi gënjeshtra.

Aty ku këto krime janë harruar, mohuar dhe shpërfillur, kam takuar viktima që janë pothuaj të dëshpëruara nga kjo. Edhe nëse ka pasur drejtësi në ndonjë gjykatë të largët, sikur Gjykata e Hagës, kurrë nuk të duket se e ke parë drejtësinë për një krim të veçantë. Dhe pastaj mund ta nisim kërkimin e alternativave për këtë sistem tejet të paaftë lokal dhe sistemin e paaftë ndërkombëtar për t’i ndjekur krimet e luftës.

Por mbase tash jemi vonë. Njerëzit e kanë ndjenjën se askush nuk çan kokën për rrëfimin e tyre dhe se askush nuk i dëgjon.

Dhe është një argument që e dëgjoj vazhdimisht: “Derisa nuk ka zgjidhje të statusit, nuk do të ketë as drejtësi”. Është gati-gati një pranim i heshtur i fajësisë. “Por nëse i ndjekim dhe i njohim krimet, atëherë japim arsye për një Kosovë të pavarur”.

Këtë e kam dëgjuar edhe në Bosnjë. “Nëse i ndjekim krimet në Srebrenicë dhe gjenocidet e tjera, atëherë e dobësojmë argumentin për ekzistencën e Republikës Serbe”. Këto janë shmangie të qarta dhe janë haptazi gënjeshtra — nuk është e vërtetë se nëse statusi do të zgjidhej ose nëse Republika Serbe do të garantohej do të ketë edhe gatishmëri për ndjekjen e krimeve.

Këto krime janë mohuar, janë relativizuar dhe janë shtrembëruar dhe këto nuk do të zgjidhen mirëfilli duke pasur raste të reja të krimeve të luftës. Mendoj se e kemi mbërritur pikën ku kemi nevojë për më shumë ndjekje penale të forta që sjellin dënime dhe ndryshime në fusha të tjera, që ndryshojnë narrativat në sferën publike.

Duhet ta ndryshojmë arsimin dhe mënyrën se si mësohet historia, sepse përndryshe po e luftojmë një betejë të humbur. Nisma e KOMRA-s [për gjetjen e fakteve në rajon] është përfolur për shumë vjet por nuk është mishëruar kurrë. Kishte një strategji shumë të mirë të drejtësisë tranzicionale në Bosnjë që kurrë nuk ka dalë në sipërfaqe. Është menduar mirë për këto gjëra dhe ka pasur shumë eksperizë por situata në vitin 2020 është e zymtë.

Na duhen figura të guximshme, sikur Oliveri, të cilët do të vijnë dhe do t’iu tregojnë komuniteteve të tyre çfarë kanë gabuar dhe çfarë është bërë në emrin e tyre.

Si do ta kuptojnë brezat e ardhshëm se çfarë ka ndodhur në vitet e ’90-ta? Druaj se çfarë do të ndodhë pas 20 vjetësh ndërsa i bie murit me kokë duke i dëgjuar të rinjtë adoleshentë apo rreth 20 a 30 vjeç kur i referencojnë ngjarjet që kanë ndodhur.

Nuk mund thjesht të harrosh dhe të vazhdosh, ose nuk mund ta lësh mënjanë dhe të presësh se mund të ecësh përpara në ekonomi dhe infrastrukturë; duhet që të zgjidhet mirëfilli dhe na duhen figura të guximshme, sikur Oliveri, të cilët do të vijnë dhe do t’iu tregojnë komuniteteve të tyre çfarë kanë gabuar dhe çfarë është bërë në emrin e tyre.

Prandaj ekziston një përgjegjësi për ta mbajtur gjallë kujtimin e tyre dhe për të edukuar, por nuk e di se ku do të gjenden këta njerëz.

A ka dështuar komuniteti ndërkombëtar këtu?

Është një argument që Gjykata e Hagës nuk ka pasur për detyrë pajtimin, dhe e përmend këtë edhe në libër. Çfarë ka dhënë Gjykata e Hagës është një bazë e jashtëzakonshme faktesh për atë se çfarë ka ndodhur në rajon.

Është një bazë faktuale ndër më rigorozet, dhe për disa prej nesh, një ndër punët më interesante. Ajo do të jetë burim i paçmueshëm për historianët e shumë brezave që vijnë. Pyetja është se si t’i marrim ato fakte dhe të sigurojmë se do të përhapen në sistemin e arsimit. Si t’i bëjmë të rinjtë t’i pyesin prindërit dhe gjyshërit për këto fakte.

Për ‘brezin e artë’

Mund të tingëllojë e çuditshme por ky është një brez i artë. Ka njerëz të këtij brezi që janë mbi 40 vjeç dhe flasin të dy gjuhët, apo së paku e kuptojnë tjetrën.
Të rinjtë sot rriten në izolim të plotë prej njëri-tjetrit. Ndoshta tash flasin gjermanisht apo anglisht me njëri-tjetrin, apo mbase kinezisht.

Për momentin, janë brezat e vjetër që ende i kanë aftësitë gjuhësore por edhe kujtesën e përbashkët kur kalonin kohë me fqinjët shqiptarë apo luanin futboll në rrugë apo kishin shokë klase nga komuniteti tjetër. Atëherë kur ishte më normale.

Janë disa nisma të mira që përpiqen t’i bashkojnë njerëzit nga të dyja anët. Mitrovica Rock School është njëra nga to, me bende multietnike.

Duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë mjetet e tilla. Përndryshe përfundojmë me të rinj që nuk mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe as nuk e dinë përse kanë nevojë.

Dhe mund t’i rrëzosh të gjitha barrierat mes veriut dhe jugut por njerëzit nuk do ta kuptojnë përse kanë nevojë të komunikojnë me njëri-tjetrin.

A ka komuniteti ndërkombëtar përgjegjësi për këtë?

Në rastin e Bërçkos, sistemi i arsimit është reformuar për ta siguruar një kurrikulë që bashkon e jo që ndan. Dhe nëse mund të bëhet në hapësirën e Bërçkos, njërën prej çështjeve të pazgjidhura të Dejtonit sepse ishte aq e komplikuar, nuk shoh arsye përse komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta marrë për qëllim vendosjen e një kurrikule më unifikuese në Bosnjë dhe Hercegovinë apo në Kosovë.

Natyrisht, nuk do ta kishte mandatin për ta bërë një gjë të tillë në Serbi, ku komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë asnjëherë i pranishëm. Fatkeqësisht, edukimi në atë kuptim nuk ka qenë kurrë dimension që e diskutojmë mjaft sa u përket kërkesave për anëtarësimin në BE. Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës ishte kërkesë për vendimet e saj ndërsa për mënyrën se si janë marrë me to apo si janë shpjeguar në kontekstin lokal, BE-ja nuk e ka çarë kokën shumë.

E dimë gjendjen e mediave në vende sikur Serbia dhe në mediat sociale për ata që janë marrë me këtë për 15 vjet prej 2005-tës a 2006-ës. Nëse do të më thoshe se ky do të jetë realiteti në Serbi dhe në vende të tjera të rajonit sot do të të quaja pesimiste të madhe. Por për fat të keq me këtë duhet të bashkëjetojmë.

Ta kryejmë me diçka më të lehtë — si është skena kulturore në veri?

Në libër flas për Big Bendin e Mitrovicës dhe Festivalin e Xhezit që njihet mjaft mirë në skenën ndërkombëtare të xhezit. Po ashtu shkruaj për një utopi të vogël në Mëhallën Boshnjake, Aquarius-in, vend që organizon lexime poezish, shfaqje dramash dhe punëtori artistike.

Nuk do të thosha se ai është vend që domosdo e përfaqëson kulturën e veriut. Qëllimi im është të përqendrohem në vende që përfaqësojnë shkëndija të optimizmit, ku njerëzit prej jugut dhe prej veriut mund të shkojnë për koncerte — një vend i përbashkët.

Vende ku njerëzit mund të flasin dhe t’i shprehin opinionet e tyre haptazi për gjërat jashtë veriut. Si e shikojnë një çështje njerëzit e Prishtinës, Shkupit a Graçanicës? Kur shkruaj për atë kulturë, shkruaj për hapësirat në përqasje me normalitetin e veriut.

Këto hapësira janë jetike dhe kanë ekzistuar pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ata kanë njëfarë mbështetjeje prej ndërkombëtarëve. Njerëzit i kanë investuar kohën dhe burimet e tyre sepse mendojnë që këto hapësira janë jetike dhe të domosdoshme dhe bëjnë shumë sakrifica personale. Dhe mendova që rrëfimet e tyre duhet të tregoheshin.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.