Në thelb | Arsimi

Ka ardhur koha t’i rishikojmë librat

Nga - 25.12.2017

Tekstet shkollore me pasaktësi shkencore dhe gjuhë të urrejtjes.

‘‘Rezultati është që të dy trurët janë të lidhur në mënyrë të ndryshme: truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur’’. Kjo është vetëm një nga fjalitë diskriminuese, që nxënës të shkollave të mesme të Kosovës mund ta lexojnë dhe mësojnë nga libri i Psikoligjisë për klasën e njëmbëdhjetë.

Fjali si kjo, që përmbajnë pasaktësi shkencore por edhe gjuhë diskriminuese, fyese dhe madje të urrejtjes, janë gjetur në disa nga tesktet shkollore që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pranuar t’ua ofrojë për edukim nxënësve në Kosovë.

Shqetësimet rreth kësaj çështje, me një vlerësim rreth dëmit potencial që shkaktojnë në edukimin e brezave të rinj të Kosovës, përmbajtje të tilla, së fundmi i ka përmbledhur organizata Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), në një raport me titullin: ‘‘Gjuha Diskriminuese në Tekstet Shkollore”, një analizë e teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë’, e që u publikua më 6 dhjetor të këtij viti.  

Tekstet shkollore po nxisin urrejtje etnike; rrisin paragjykimet dhe stereotipet gjinore; stigmatizojnë format e ndryshme të familjes; ngatërrojnë identitetin seksual me atë gjinor; përdorin terme ofenduese ndaj personave me aftësi të kufizuara, etj.

Mbi 100 formulime që kanë përmbajtje diskriminuese janë përmbledhur në këtë raport, që për bazë të analizës ka marrë tekstet e shkollave të mesme të lëndëve të Biologjisë, Edukatës Qyterare, Historisë, Psikologjisë dhe Sociologjisë. Të gjitha këto tekste shkollore, sipas të gjeturave të raportit të YIHR-së, kanë përmbajtje gjuhën diskriminuese dhe përjashtuese e cila shprehet në bazë të gjinisë, etnisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, si dhe grupeve të caktuara sociale.   

Të gjeturat e YIHR-së tregojnë përveç tjerash se me anën e kësaj gjuhe, tekstet shkollore po nxisin urrejtje etnike; rrisin paragjykimet dhe stereotipet gjinore; stigmatizojnë format e ndryshme të familjes; ngatërrojnë identitetin seksual me atë gjinor; përdorin terme ofenduese ndaj personave me aftësi të kufizuara; stigmatizojnë të varfëritë; si dhe kanë pasaktësi në formulime dhe mungesë të referencave për informatat që i ofrojnë.    

Te librat e historisë ta zëmë, gjuha diskriminuese dhe përjashtuese bëhet në bazë të etnisë. Në tesktin shkollor të Historisë për klasën e dhjetë, ta zëmë në një mësim në të cilën flitet për luftën e fundit të Kosovës gjatë vitit 1999 veprimet e forcave serbe përshkruhen si ‘‘…skenat e llahtarshme të barbarisë së eskardroneve gjakatare…’’.

YIHR gjeti mbi 100 fjali dhe përkufizime diskriminuese në librat shkollor të shkollave të mesme në Kosovë.   Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas YIHR-së fjali si këto nxisin urrejtje dhe neveri tek të rinjtë dhe të kundërten e asaj që promovon drejtësia tranzicionale.

Në trajtimin e luftës së fundit, numri i viktimave jepet 15 mijë persona të vrarë, shifër kjo që kontestohet nga raporte të ndryshme, ku numri i viktimave na del afërsisht mbi 8 mijë persona të vrarë. Derisa ndër të tjerash, kur flitet për viktimat e luftës së fundit asnjëherë nuk përmenden viktimat nga minoritetet, por vetëm shqiptarët. Gjithashtu ka pasaktësi në përdorimin e termeve etni, komb dhe shtet, si dhe përdorim të termeve ‘‘çifut’’ për hebrenjtë dhe ‘‘jevg’’ për romët, terme këto që konsiderohen ofenduese.

Gjuhë diskriminuese në bazën e aftësisë së kufizuar, hulumtuesit e YIHR kanë gjetur ndërkaq në tesktet shkollore të Biologjisë, ku ta zëmë Sindromi Down përshkruhet si “idiotësi mongoloide”, term ofendues për personat e prekur nga sindromi Down.

Tekstet e psikologjisë përmbajnë terme si ‘‘femër’’ dhe ‘‘mashkull’’ e jo ‘‘grua’’ dhe ‘‘burrë’’, duke mos bërë dallime mes gjinisë dhe seksit. Gjetjet e raportit nga pyetsorët e realizuar me nxënësit tregojnë faktin se ata shpesh kanë probleme të bëjnë dallime mes seksit dhe gjinisë, që po konsiderohet se rezulton edhe si pasojë e gabimeve në tekstet shkollore nga të cilat mësojnë.

I pranishëm në panelin gjatë prezentimit të raportit të YIHR-së, lidhur me përmbajtjen e teksteve shkollore, ishte edhe ministri i sapoemëruar i arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ky pranoi se një numër i madh i librave shkollore kanë nevojë për ndryshim.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka treguar se tashmë janë nisur hapat e parë për rishikimin e teksteve shkollore, dhe ka pohuar se në to ka gjuhë diskriminuese dhe pasaktësi shkencore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Sepse përmbajnë fjalë dhe fjali diskriminuese’’, pohoi ai duke shtuar se nxënësit nuk guxojnë të mësojnë më tej me këto tekste shkollore. Përveç gjuhës diskriminuese dhe përjashtuese, nga Bytyqi u përmenden edhe pasaktësitë shkencore që gjenden nëpër tekste. Ai tha se ky shqetësim është ngritur edhe brenda Ministisë që ai udhëheq dhe se janë duke u ndërmarrë hapa që problemi të zgjidhet.

“Viti i ardhshëm mësimor nxënësit do t’i gjej me tekste të reja mësimore. Tekste këto që do të jenë të liruara nga gjuha diskriminuese e përjashtuese, si dhe nga pasaktësitë shkencore”, ka premtuar ministri i arsimit, i cili ndër tjerash ka njoftuar që tashmë është themeluar edhe një grup punues, e ku bëjnë pjesë edhe organizatat jo-qeveritare që po ofrojnë eskpertizën profesionale në drejtim të rishikimi të teksteve shkollore.

Ndër veprimet tjera të ndërmarra nga MASHT është edhe nxjerrja e një udhëzimi administrati për recesentë, që do të përdorët për vlerësimin e teskteve mësimore. Si dhe hartimi i dtraft konkursit që do të hapet për hartimin e teksteve të reja.

Bytyqi ka treguar që tesktet e reja shkollore do të hartohen në përputhje me standardet evripiane, por do të bazohen edhe në tesktet shkollore nga Shqipëria.

Gabimet po vështirësojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien

Gabimet dhe gjuha denigruese që është evidentuar në tekstet shkollore, sipas YIHR-së përvec tjerash shkel edhe të drejtat e njeriut të garantuara me ligje vendore por edhe Konventa ndërkombëtare. Profesoresha universitare, Vjollca Krasniqi beson se sistemi i arsimit në Kosovë nuk ka arrit të përmbushë një nga synimet kryesore që ka, gjithëpërfshirjen në edukim.

Profesoresha Vjollca Krasniqit thotë se sistemi i arsimit në Kosovë po shkel të drejtat e njeriut duke mos përfillë ligjet që parandalojnë diskriminimet, gjatë hartimit të librave.  Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Me analizën që i është bërë teksteve shkollore dëshmohet që kjo nuk është arrit aspak. Duhet të synohet që (sistemi arsimor) të formojë qytetari aktive, të respektojë të drejtat e njeriut dhe të jetë gjithëpërfshirës’’, tha ajo gjatë fjalimit të saj si pjesë e panelit që prezentoi të gjeturat e raportit të YIHR-së.

Për Krasniqin tekstet shkollore diskriminojnë në shumë plane dhe kështu bien në kundërshtim me disa ligje që janë në fuqi në vend, si Ligjin Kundër Diskriminimit,‘Ligjin për Barazi Gjinore, etj.  

“Në tekstet e historisë ka ngatërrim të periudhave historike, shënim të gabuar të datave, e gabime tjera në ofrimin e shifrave tjera”, Nexhmije Mazrekaj, profesoreshë e historisë.

Nexhmije Mazrekaj profesoreshë e historisë në gjimnazin ‘‘Ahmet Gashi’’ në Prishtinë megjithëse nuk pajtohet se në librat e historisë a gjuhë të urrejtjes, pohon se ka ‘‘ekzagjerime se sa gjuhë të urrejtjes, dhe përjashtim të etnive të tjera’’.

Këto ekzagjerime sipas saj rezultojnë shpeshherë me pasaktësi.

“Në tekstet e historisë ka ngatërrim të periudhave historike, shënim të gabuar të datave, e gabime tjera në ofrimin e shifrave tjera”, ka treguar ajo për K2.0 duke shpjeguar tutje se asaj i ka ndodh që këto data apo periudha t’i korrigjojë duke kërkuar nga nxënësit të shkruajnë datat e sajta mbi të dhënat e tekstit shkollor.

Në librat e historisë ka pasakatësi në data, të cilat profesoresha Nexhmije Mazreku detyrohet t’ua përmirësojë nxënësve gjatë orëve mësimore. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sa i përket mungesës së përfshirjes së viktimave të etnive jo shqiptare në librat e historisë, ajo thotë se e gjithë lufta e fundit trajtohet shumë pak në librat shkollor. Historia serbe, thotë ajo,  nuk i përfshinë viktimat shqiptare në librat shkollor. E krejt kjo sipas saj ndodh për shkak se politika po përzihet në bërjen e historisë.

“Por duhet ta kemi të qartë se historia ka edhe elementin nacional brenda saj’’, thotë Mazrekaj. Duke shtuar tutje se ‘‘elementi nacional’’ e dëmton historinë si shkencë.

Megjithatë, janë nxënësit ata që dijen dhe debatin që ndërtojnë e bazojnë pothuajse kryekëput në tekstet  e tyre shkollore. Kjo të paktën është ajo që e pohon Agon Rexhepi  nxënës në gjimnazin ‘‘Ahmet Gashi’. ‘‘A është diçka  vërtet apo nuk është ne kemi këtë (tekstet shkollore) njësi matëse’’, ka thënë ai.

Sipas tij, gabimet në tekste shkollore po rrisin mundësitë për keqkuptime dhe rritje të diskriminimit. Megjithëse probleme sheh edhe tek mësimdhënësit e tij. Po të ishin profesorët e përgatitur si duhet do të zvogëlohej rreziku që vjen nga gabimet e teksteve shkollore’’, thotë ai.

Agon Rexhepi thotë se në orën e lëndës së Biologjisë ka mësuar nga tesktet shkollore se homoseksualizmi është sëmundje. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Rexhepi thotë se nuk është e mjaftueshme që të reformohen vetëm tekstet shkollore. Ai beson fuqishëm se edhe profesorët do të duhej t’i nënshtrohen një ‘‘procesi të verifikimit të aftësive të tyre për mësimdhënie’’. Sipas tij, edhe nëse largohet gjuha diskriminuese prej teksteve shkollore, ajo gjuhë do të jetë prapë prezente nëpër klasë, sepse aty do jenë profesorët e pa reformuar.Për këtë ka treguar një shembull, ku sipas tij në lëndën e biologjisë ata mësonin se homoseksualizmi është sëmundje, dhe pas reagimeve të nxënësve ku kontestohej ky pohim, profesori i tyre kishte thënë se ‘‘ajo që thuhet në libër është e saktë, por unë (profesori) duhet t’u them se nuk është sepse po na bërtasin ata të ministrisë’’.

Në anën tjetër hartuesit e raportit të YIHR-së, kanë dhënë rekomandime në drejtim të MASHT,  shtëpive botuese, mësimdhënësve dhe prindërve.

Rekomandimet ndaj MASHT-së janë: që të rishikojnë ligjin për botimin e teksteve shkollore; të hartoj një udhëzues praktik për shtëpitë botuese dhe autorët e teksteve shkollore; të dizenjoj një program trajnimi për autorët e teksteve shkollore; të funksionalizoj komisionin për rishikimin e teksteve shkollore etj.

Shtëpitë botuese ftohen që të përcjellin zhvillimet në sistemin e arsimit dhe në shoqëri dhe botimet të jenë në harmoni me politikat arsimore bashkëkohore. Si dhe të krijojnë ekipe diverse të autorëve e profesionalistëve të fushave të ndryshme dhe kështu të hartohen tekstet shkollore.   

Prej mësimdhënësve kërkojnë që të vlerësojnë tekstet shkollore në mënyrë kritike, të identifikojmë pjesët e teksteve shkollore që përmbajnë paragjykime, stereotipe dhe gjuhë diskriminuese, dhe këto pjesë të zëvendësohen me burime alternative. Si dhe të përdoren metodologji që nxisin tek nxënësit të menduarit kritik.  

Nëse të gjitha këto nuk arrihen, atëhërë nxënësit në Kosovë do të vazhdojnë që në sistemin në të cilin do të duhej të edukoheshin, të  mësojnë për data të gabuara historike, të nxiten për përdorim të gjuhës së urrejtjes në bazë etnie, gjinie apo seksualiteti, e shumë gabime të tjera.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.