Në thelb | SHPRESË

Klasa punëtore e padukshme

Nga - 03.08.2020

Punëtorët, për një kohë të gjatë pjesë kyçe e Kosovës, kanë filluar të marrin vëmendje në art.

“E kom vazhdu punën qashtu i smutë me kambë të lëndume e ndërkohë m’u ka prishë kamba apet në qat vend, se non-stop çizmet. Kah 12-13 orë tu punu, 20 orë kena punu. Pa rregull hiç. Edhe gjatë pushimit mjekësor në fund të 2018-tës më kanë largu prej punës edhe pse jam kanë me kontratë të punës. Më kanë largu”. 

Ky është një citat prej veprës artistike të Doruntina Kastratit mbi vdekjet e punëtorëve në Kosovë. Vepra është rezultat i hulumtimeve të thukta, përfshirë dhjetëra intervista, dokumente zyrtare e gjurmime nëpër arkiva, dhe ajo do të ekspozohet sivjet në Muzeun Kombëtar në Prishtinë si instalacion i skulpturave, videove dhe fotografive, i shoqëruar me një botim.

Para pesëmbëdhjetë vjetësh në “Teoritë e nacionalizmit dhe artit bashkëkohor në Kosovë”, pata theksuar se një vend me pothuajse 60% të papunë nuk e kishte asnjë artist që ta adresonte këtë çështje. E kritikova skenën e re të artit të Kosovës si nacionaliste, pasi kryesisht preokupohej me vlera kulturore simbolike. 

Përfundimin fillestar e kisha se kjo mungesë e klasës në skenën e artit bashkëkohor të Kosovës ishte simptomë e fiksimit me kombin, si një formë që thith dhe kapërcen çdo shprehje tjetër të politikës dhe të jetës së përditshme. Sot, pas 15 vjetësh ulje-ngritjesh në artin kosovar, Kastrati është e vendosur ta plotësojë këtë boshllëk me veprat e saj për vdekjen e punëtorëve.

Çështja më e habitshme me këtë vepër arti të parë mbi punëtorët, klasën dhe papunësinë, është se përqendrohet në elementet më ekstreme të kësaj teme: vdekjen, lëndimet dhe poshtërimin e vazhdueshëm. Unë argumentoj se gjuha ekstreme është e vetmja për t’u përdorë kur flasim për klasën punëtore të Kosovës, e tkurrur që të jetojnë si skllevër. Punëtorët dhe klasa e tyre e padukshme sot këtë lloj gjuhe kërkojnë.

“Me punu 12 orë, 13 orë, 15 orë çdo ditë, çdo dy javë nji ditë pushim... s’mun i përballon kurrkush.”

Gjuha e klasës flitej përmes Engels-it në Manchester, përmes Amiri Baraka-s në New York, përmes Larissa Reissner-it në Hamburg, përmes Rosa Luxemburg-ut në Berlin dhe përmes Frantz Fanon-it në Algjer. E për Kosovën, këtu janë edhe disa shembuj nga dhjetëra dëshmi të punëtorëve, të regjistruara nga Kastrati. 

Doruntina: “E kur keni punu të shtunë e të dielle, a ju kanë kompensu?” 

Milaimi: “Jo absolut hiç kurrgjo. Qatë orarin e punës…”

“Me punu 12 orë, 13 orë, 15 orë çdo ditë, çdo dy javë nji ditë pushim… s’mun i përballon kurrkush”. 

“Janë tutë njerëzit, se krejt pa pare janë, krejt e majnë familjen me nji rrogë; tash edhe ata me u hekë prej punës, kush m’e majtë familjen?”

“Kanë ardhë tani ata supervajzerat edhe na kanë thirrë secilin veç e veç, diku dy orë mbas protestës. Edhe na kanë thonë: ‘Hecni në shpi kush nuk don me punu, po punën mos e pengoni’. Edhe na kanë kërcënu. Edhe na, të pafuqishëm, jena kthy në punë. Jena dëshpru shumë”.K

Ky është fragment nga një shkrim i hollësishëm në botimin tonë të ri në shtyp SHPRESË. Për ta lexuar artikullin e plotë, bleni kopjen tuaj të revistës tani — klikoni këtu për më shumë informata.

Imazhi i ballinës: Pamje filmike nga Doruntina Kastrati.