Kosova aktualisht ka 431 ligje në fuqi, dhe 55 prej tyre nxjerrin obligime për nivelin lokal. Disa ligje janë nxjerrë ekskluzivisht për komuna, disa të tjerë nuk janë nxjerrë për komuna, por i japin obligime edhe këtij niveli të pushtetit.
Pavarësia funksionale e komunave sigurohet përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht Nenit 17 e ku specifikohen kompetencat vetanake që kanë komunat. Ky ligj i miratuar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka paraparë 19 fusha ku komunat e ushtrojnë pushtetin e tyre. Gati 10 vite më vonë, komunave nuk u ka mbetur pothuajse asnjë kompetencë ekskluzivisht e pavarur për ta ushtruar. Ministritë, Agjencitë e Pavarura dhe Ndërmarrjet Publike diku i ushtrojnë vet kompetencat e komunave, e diku kërkojnë që këto kompetenca të ushtrohen në bashkërendim.
Për të argumentuar këtë, po japim 10 shembuj konkretë.
1. Kush ô bosi
Kosova ka rrezikuar të përballet me grevë në arsimin parauniversitar në fillim të shtatorit të këtij viti. Për shkak të komunave, por jo për fajin e tyre.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e cila mbron të drejtat e mësimdhënësve dhe i përfaqëson interesat e tyre në arsimin parauniversitar, ka kërkuar zbatimin e plotë të kontratës kolektive. Në rast të moszbatimit të saj, ata kanë kërcënuar edhe me grevë.
Brenda kësaj kontrate përmenden vetëm dy herë komunat: që ato kanë përgjegjësi të sigurojnë transportin falas për mësimdhënësit dhe njëherazi për të gjithë personelin arsimor që shkon në pension të sigurojnë tri paga suplementare dhe tri paga jubilare (shpërblim ndaj punës së mirë).
Ky është obligim i komunave, por jo obligim i marrë nga komunat.
Nëse do të ndiqej kjo rrugë obligimet nacionale do të bëheshin përgjegjësi institucionale, e jo teket personale të bëhet probleme nacionale.
Është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ajo që ka negociuar dhe ka nënshkruar ketë kontratë me 18 prill të këtij viti me SBASHK-un, madje nënshkrimi i saj është bërë në kohën kur mbizotëronte klima e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. MASHT nuk i ka konsultuar dhe madje as nuk ua komunikuar ketë obligim komunave. Ato e kanë gjetur veten para aktit të kryer.
Kësisoji, greva duket të jetë shtyrë, por nuk është shmangur.
Ministri i asokohe i MASHT-it, Arsim Bajrami, duke i uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor ka premtuar se këtë vit nuk do të ketë grevë, pra vetëm ketë vit, që i bie edhe katër muaj, pas katër muajve premtimi nuk vlen më. Ai ka dhënë edhe një premtim tjetër, që së bashku me komunat do të ulen të shohin se si mund të zbatojnë kontratën kolektive. Ky premtim ndonëse tingëllon hap i duhur, do të mund të bëhej e do të duhet të bëhej para nënshkrimit të kontratës. Nëse do të ndiqej kjo rrugë, obligimet nacionale do të bëheshin përgjegjësi institucionale, e jo teket personale të bëhet probleme nacionale.
2. Zhveshja graduale nga prokurimi publik
Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik në gjysmën e dytë të vitit 2016 ka nisur t’i shpallë tenderët dhe t’i lidhë kontratat me operatorët ekonomik në emër të komunave për kategorinë e buxhetit të mallrave dhe shërbimeve. Për çështjen e derivateve për vetura, lëndeve djegëse në shkolla dhe për material shpenzues komunat më nuk do të mund të shpallin tender, por vetëm do t’i paguajnë paratë, ndërsa procedurat e prokurimit do t’i bëjë Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik.
Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.
Nga kjo do të rezultojë që një operator privat i përzgjedhur nga agjencia për dërgimin e lëndeve djegëse në shkolla t’i dërgojë këto lëndë nga Prishtina në Dragash. Përveç kësaj, nëse Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik shpallë tender për furnizim me naftë për vetura dhe operatori ekonomik e ka selinë në Prishtinë, një veturë zyrtare nga Juniku ose Dragashi do të duhet të vijë në Prishtinë për t’u furnizuar me naftë.
3. Zëvendësimi i juristëve lokalë
Deri tash, secila komunë ka pasur një person të angazhuar për të mbrojtur dhe për ta përfaqësuar komunën në rastet e kontesteve gjyqësore, qoftë kur komuna është e paditur, qoftë në rastet kur komuna ka parashtruar padi. Tani, Ministria e Drejtësisë po pretendon që këta persona të menaxhohen nga kjo instancë e pushtetit, dhe jo nga komunat.
Nëse kjo kalon në përgjegjesi të Ministrisë dhe ajo cakton një person për të mbrojtur një Komunë në Gjykatë, ai person mund të mos ketë njohuri për problemet e asaj Komune, vështrimin historik të linjës së një problemi ose kontesti, prioritetet dhe kapacitetet e saj. Krejt këto japin përparësi që avokati të mbetet personel i Komunës, dhe jo të kalojë në përgjegjesinë e nivelit qendror.
4. Përplasje ligjore rreth punësimit në shkolla
Komunat kanë përgjegjësi për rekrutimin dhe menaxjimin e stafit në shkollat fillore dhe ato të mesme. Ky proces bëhet përmes shpalljes së konkurseve. Aty përcaktohen kriteret e vlerësimit dhe të pranimit.
Por, ajo që ndodh në praktikë dëshmon dykuptimësinë e ligjeve dhe mungesën e harmonizimit të veprimeve brenda vetë nivelit qendror, e që padyshim pasqyrohet negativisht në nivelin lokal.
Kur komunat shpallin konkurs dhe i referohen Ligjit për Arsimin Parauniversitar — që monitorohet nga MASHT — ndërhynë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duke kërkuar që komunat të respektojnë Ligjin e Punës. Ndërsa kur komunat shpallin konkurs duke iu referuar Ligjit të Punës, ndërhynë MASHT duke kërkuar respektimin e Ligjit të Arsimit Parauniversitar.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.
Kjo ka ndodhur me krejt komunat. Për shembull, Komuna e Malishevës ka shpallur konkursin për pranimin e stafit mësimor në shkolla dhe iu ka referuar kritereve që kërkohen në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, menjëherë ka nderhyrë MPMS duke kërkuar të anulohet konkursi dhe të merren parasysh kriteret që ceken në Ligjin e Punës. Të dy këto ministri — MASHT dhe MPMS — kanë inspektorate përkatëse. Në fushën e arsimit komunat nuk e dinë cilit inspektorat t’i pergjigjen: atij të punës apo atij të arsimit.
5. Ndalja e zjarrit
Deri në vitin 2013, njësitë e zjarrfikëseve në secilën qytet janë menaxhuar nga komunat. Nga fillimi i vitit 2014 kjo ka kaluar në përgjegjësi të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Por jo krejt kompetencat kanë kaluar në këtë agjenci. Disa kanë mbetur në kuadër të komunave e disa i janë bartur agjencisë. Tani as agjencia as komunat nuk e kanë krejt të qartë se ku fillojnë kompetencat e njërës e ku të tjetrës.
Rreziku që komunat të mbesin pa njësinë e zjarrefikësve është e madhe.
Komunat obligohen kryesisht t’i servisojnë automjetet, të pagujanë naftën dhe t’i ndërtojnë objektet për zjarrëfikësit, ndërsa Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave t’i paguajë pagat e zjarrëfikësve dhe të përzgjedhë stafin për pozita të reja të punës.
Një automjet i përdorur i zjarrëfikësve zakonisht kushton deri në 200,000 euro dhe nevoja për riparimin e tyre është e shpeshtë. Pjesa më e madhe e komunave nuk arrin t’i përballojë shpenzimet që kërkon riparimi i automjeteve të tilla.
Rreziku që komunat të mbesin pa njësinë e zjarrefikësve është i madh, duke marrë parasysh edhe mundësitë e kufizuara të këtyre njësive për të ofruar shërbime cilësore.
6. Pa pronë, s’ka projekte
Pjesa më e madhe e komunave të Kosovës nuk kanë prona komunale, përfshirë edhe disa nga komunat e mëdha të vendit. Pronat nëpër komuna ose janë shoqërore që menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ose janë publike që menaxhohen nga KEDS, PTK, ose ndërmarrjet regjionale, ose janë prona që menaxhohen nga Agjencia e Pyjeve e Kosovës.
Janë dhjetëra raste nëpër komuna kur ato i janë drejtuar nivelit qendror që disa prona ta ndërrojnë destinimin e të kalojnë në pronësi komunale, por kryesisht kanë rezultuar pa ndonjë efekt në favor të komunave. Për shembull, Gjilani e ka të pamundur të gjejë një pronë në zonat urbane për të nisur ndërtimin e një kopshti për fëmijë. Ose rasti i Komunës së Hanit të Elezit që nuk e ka asnjë pronë komunale në zonat urbane. Kjo komunë edhe nëse do të kishte buxhet, nuk do të kishte ku ta ndërtonte një shkollë, një çerdhe, një qendër të mjekesisë familjare apo një qendër rinore. Njësoj është gjendja në Junik.
Ndarja e pakjartë dhe e përgjegjësive nuk kontribuon aspak në përmirësimin e politikave publike ahd vetëm vetëm sa e forcon ‘lojën’ e zhvendosjes se fajit për mos punë ose për punë të këqija.
Për me tepër, ka pasur raste kur ndonjë investitor i huaj ka synuar të investojë në ndonjë komunë, por në mungesë të pronës është tërhequr. Rast i fundit i kësaj natyre ishte në Pejë, ku një investitor gjerman ka kërkuar 20 hektarë tokë në zonën e quajtur “Peja 4” për të instaluar makinerinë për prodhimin e energjisë së pastër, por prona ka qenë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, dhe për pasojë Komuna ka kërkuar nga AKP dhënien e pronës, por procedurat e stërzgjatura dhe hezitimet e shfaqura kanë bërë që investitori gjerman të tërhiqet.
7. Ndërtim pa përfitim
Në disa lokalitete të caktuara nëpër komuna si në Dragash, Ferizaj, Deçan, Kaçanik, Shtërpcë ka pasur protesta të banorëve gjatë këtyre katër viteve të kaluara kundër nismave të kompanive private për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhat e lumenjve të komunës. Lejen për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve e jep Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, një pëlqim e jep Komisioni për Miniera dhe Minerale, ndërsa një pëlqim tjetër e jep Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Në të gjitha fazat komuna është larguar nga çdo përgjegjësi.
Komunat do të duhet të kishin një përgjegjësi sado minimale e teknike, qoftë edhe në dhënien e pëlqimit të saj për ndërtimin e hidrocentraleve të tilla. Dëmi që këto vendime u sjellin komunave janë të shumëfishta.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.
E para, komunat janë të pafuqishme të ndalin degradimin ose devijimin e rrjedhës së ujit; e dyta, komunat nuk mund t’i përmbushin vërejtjet ose ankesat e banorëve lokalë; dhe e treta, komunat nuk po arrijnë t’i shfrytëzojnë këto hidrocentrale në favor të Komunës dhe zhvillimit të saj, ngase rregullat e operimit po i vendos ZRRE. Nëse komunat do të ishin më të integruara në proces, ato do të mund të bënin marrëveshje që të sigurojnë benefite lokale, ta zëmë, duke përfshirë që komuna përfiton aq megavat energji elektrike për të furnizuar sistemin e ndriçimit publik.
8. Shpenzim i kotë i letrës
Ligji për Vetëqeverisje Lokale e cakton çështjen e ofrimit të shërbimit të ujit dhe menaxhimit të mbeturinave si përgjegjësi të komunave, por në praktikë asnjëra nuk është përgjegjësi e saj. E ndërkohë komunat shpenzojnë me miliona euro në përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe largimin e deponive të egra të mbeturinave.
Përgjegjës për menaxhimin e rrjetit të ujësjellësit janë Kompanitë Regjionale të Ujësjellësve, të cilat janë themeluar nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i saj mund të shkarkohet nga kjo instancë e pushtetit. Njësoj ndodh me menaxhimin e mbeturinave. Qeveria përmes vendimeve ketë kompetencë e ka bartur të niveli regjional dhe jo si përgjegjësi e nivelit lokal.
9. Kush do t’i mbrojë pyjet?
Rreth 42% e Kosovës është e mbuluar nga pyjet, ndërkohë shpyllëzimi vazhdon të mbetet problem i madh. Por, pjesa më e madhe e komunave nuk i ka të qarta përgjegjësitë që i ka në fushën e mbrojtës së pyjeve.
Kjo ndodh ngase me ligj kompetencat në ruajtjen, shfrytëzimin dhe menaxhimin e pyjeve ndahen ndërmjet komunave dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Në një hulumtim të zhvilluar nga Instituti GAP në fillim të vitit 2016, nga 30 komuna, 47% prej tyre kanë deklaruar se ato nuk i menaxhojnë pyjet, ndërsa 53% kanë konsideruar se i menaxhojnë pyjet.
10. Inspektimin e zbatimit të ligjit
Komunat nuk e kanë të qartë se përgjegjësisë e kujt është inspektorati i tregut: përgjegjësi e tyre apo e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ligji për Inspektimin dhe Mbikëqyrjen e Tregut këtë përgjegjësi e bartë nga komunat të niveli qendror, ndërsa niveli lokal ka refuzuar që kjo përgjegjësi të bartet te ky nivel i pushtetit. Vetëm komuna e Gjakovës e ka bartur Inspektoratin e Tregut të saj nën menaxhimin e MTI-së ngase Ligji që është nxjerrë në kohën kur kryetarja e tanishme e komunës ka qenë në detyrën e ministres së MTI-së.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.
Inspektorati i tregut ka për obligim t’i largojë shitësit ambulantë nga rrugët dhe sheshet si dhe të kujdeset për mbarëvajtjen teknike të shitjes (mbarëvajtjen e kushteve të shitjes, mosekspozimin e mallrave në vendet joadekuate, largimin e mallrave të rrezikshme për shendetin ose sigurinë e qytetarëve). Nese kjo përgjegjesi do t’i kalonte MTI-së, inspektorati nga niveli qendror në Prishtinë do të duhej të kujdesej që në rrugët e Gjilanit ose të Deçanit të mos ketë shites ambulantë.
***
Pra, çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto çështje? Mungesa e konsultimit, e bashkëpunimit dhe e komunikimit nga niveli qendror, si dhe prirja për të cenuar dhe për t’i kufizuar kompetencat komunale.
Ndarja e paqartë e përgjegjësive nuk kontribuon aspak në përmirësimin e politikave publike dhe vetëm sa e forcon ‘lojën’ e zhvendosjes se fajit për mos punë ose për punë të këqija.K
Ilustrimi: K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia për Zgjedhjet Lokale 2017