Blogbox | COVID-19

Korona dhe Kosova: ta menaxhosh krizën me pak burime

Nga - 17.03.2020

Pse Kosova është në pozitë më të cenueshme nga kjo pandemi?

Edhe pse jetojmë në një botë globale, gjetja e zgjidhjeve për koronavirusin po ndryshon nga shteti në shtet. Shtete si Kina e Italia u detyruan të marrin masa “agresive” duke futur popullsinë në karantinë, Korea e Jugut krijoi sistemin e testimeve masive në popullsi, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe morën më shumë kohë për t’i mbyllur shkollat e për të vendosur masa izoluese. Në këtë mes, Qeveria e Kosovës po mundohet ta minimizojë dëmin përmes masave të hershme për vetë-izolim.

COVID-19 nuk dëmton të gjithë njëjtë — shëndeti u rrezikohet më së shumti të moshuarve, atyre me sëmundje kronike dhe atyre me imunitet më të dobët që infektohen nga virusi.

Përveç dallimit në sistemin imunitar të njerëzve, ka edhe dallime mes atyre që janë detyrimisht më të ekspozuar ndaj virusit për shkak që punojnë në shëndetësi, polici, shitore, furra të bukës dhe barnatore. Por ka dhe do të ketë edhe biznese private që detyrojnë punëtorët të shkojnë në punë mes një pandemie, gjë që i bën këta punëtorë më të cenueshëm. Prandaj edhe vetë mundësia për t’u infektuar ka një element klasor; dikush mund të blejë harxh për një muaj e të punojë nga shpia, e dikush tjetër që ka më pak të ardhura duhet të shkojë në punë dhe rrjedhimisht është shumë më i ekspozuar ndaj infektimit.

Është ngjashëm sikurse në filmin “Parasite” që e fitoi çmimin Oskar për 2019 — në një skenë të filmit, shiu që bie pandërprerë ia prish pushimin e fundjavës një familjeje të pasur, e familjes së varfër ia vërshon shtëpinë në një bodrum të errët banesor. Pra i njëjti shi ndikon shumë ndryshe në shtresën e pasur e të varfër të popullsisë.

Si individët e familjet, ashtu edhe shtetet dallojnë për nga burimet që kanë për ta luftuar virusin. Përderisa disa shtete përdorin teknologji, si Korea e Jugut që e bën përcjelljen e lëvizjeve të të infektuarve përmes telefonit dhe që ua ka mundësuar njerëzve të vozisin deri te vendi i testimit e të mos dalin nga kerri për t’u testuar.

Singapor po përdoret contact tracing (ndjekja e kontakteve) për të gjurmuar njerëzit e infektuar. Punëtorët shëndetësorë krijojnë protokolle se ku kanë qenë personat e infektuar gjatë dy javëve të kaluara, nëse dikujt nuk i kujtohet, atëherë policia hulumton përmes kamerave madje edhe se cilët taksistë i kanë vozitur personat e infektuar.

Mirëpo vendet më të varfëra që zakonisht kanë sisteme shëndetësore më të dobëta, e kanë më të vështirë ta përballojnë pandeminë.

Çka mund të bëjë Qeveria e Kosovës tash për tash është të vazhdojë me masat për ta parandaluar shpërndarjen e menjëhershme, në mënyrë që sistemi i plogësht shëndetësor ta përballojë pandeminë sa më mirë.

Nëse Kosova do të kishte numër më të madh të infektimeve të konfirmuara, atëherë do të ishte e pritshme që tejkalimi i krizës të bëhej shumëfish më i vështirë. Në përgjithësi, kushtet në spitalet publike të Kosovës janë më të vështira se në vende të zhvilluara — ka më pak mjekë, infermierë, shtretër për pacientë, madje edhe barna.

Zhvillimi, testimi dhe vënia në dispozicion e vaksinës merr kohë, kështu që vaksina për COVID-19 sipas shumë gjasave mund të jetë e gatshme tek pas një viti e gjysmë. 

Çka mund të bëjë Qeveria e Kosovës tash për tash është të vazhdojë me masat për ta parandaluar shpërndarjen e menjëhershme gjithandej nëpër vend, në mënyrë që sistemi i plogësht shëndetësor ta përballojë pandeminë sa më mirë. Është bërë e ditur që distancimi shoqëror funksionon për ta minimizuar dëmin duke e “rrafshuar lakoren” e infektimeve të reja; Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i mbyllur shkollat dhe hapësirat tjera ku mblidhen shumë njerëz më 11 mars, dy ditë para konfirmimit të rasteve të para në Kosovë. 

Shoqërisë i mbetet ta bëjë pjesën e vet

Në qeverisjet e kaluara në Kosovë prioritet i është dhënë infrastrukturës rrugore e jo asaj shëndetësore, kështu që pandemia e COVID-19 na gjen me spitale të pafurnizuara, me staf mjekësor të vogël, e me burime të pakta për të krijuar testime masive. Prandaj mënyra më e mirë e mundshme për ta kaluar këtë pandemi është me distancim shoqëror. Me fjalë tjera, duke ndejtë në shpi. 

Këtu ka përgjegjësi secili — dalja në kafe sepse po nxen dielli është papërgjegjësi e madhe që rrezikon pa ndonjë nevojë përhapjen e virusit. Ashtu është edhe ardhja në masë e bashkatdhetarëve nga Italia, Gjermania, e Zvicra; në këto vende pandemia veç është përhapur në përmasa të mëdha dhe ardhja në Kosovë rrezikon të sjellë edhe raste të virusit, duke e rënduar sistemin shëndetësor.

Duhet të edukohemi bashkërisht për seriozitetin e gjendjes dhe të mundohemi ta mbajmë njëri-tjetrin përgjegjës për përcjelljen e këshillave të autoriteteve shëndetësore dhe për ruajtjen e qetësisë.

As blerja me grumbull e harxhit të panevojshëm s’i bën mirë ndokujt. Përveç rrezikut të infektimit që shfaqet kur njerëzit mbledhen në hapësira të mbyllura dhe ngarkimit që u bëhet punëtorëve nëpër shitore, blerja e tepërt e artikujve të caktuar i lë njerëzit e tjerë pa ta. Po ashtu, blerja me grumbull bën që të harxhohen përkohësisht artikuj të nevojshëm si maskat mbrojtëse e dezinfektuesit, duke i shtyrë njerëzit të kenë panik. 

Prej kur u shfaqën rastet e para me COVID-19, njerëzit filluan të blejnë miell në sasi të mëdha duke i lënë shitoret të pafurnizuara e njerëzit e tjerë në ankth për ta blerë këtë produkt. Prandaj ndoshta edhe është mirë që shteti ta kufizojë blerjen e miellit, ashtu siç kanë filluar të bëjnë disa shitës me nisma vetanake. Ka mullinj që e kanë kufizuar në dy thasë sasinë e miellit që mund ta blejë një person; kështu personi i parë në rend nuk blen më shumë se që i duhet e personi i fundit nuk mbetet me gishta në gojë.

Ndërmarrja e hapave të ngutshëm e të pamenduar përhap panik, e paniku jo që e lehtëson situatën, por vetëm sa e rëndon. Prandaj duhet të edukohemi bashkërisht për seriozitetin e gjendjes dhe të mundohemi ta mbajmë njëri-tjetrin përgjegjës për përcjelljen e këshillave të autoriteteve shëndetësore dhe për ruajtjen e qetësisë. 

Suksesi i masave vetë-izoluese varet nga disiplina e njerëzve. Nëse disiplina nuk ekziston,  atëherë duhet të merren masa shtrënguese. Në Shqipëri ka patrulla policore që kontrollojnë lëvizjet e panevojshme, ndërsa në Singapor janë shqiptuar dënime për njerëz që kanë gënjyer në aeroport kur janë pyetur se a kanë qenë në Kinë apo në ndonjë vend tjetër me shumë raste të konfirmuara. 

Vendet e punës në të cilat shumë njerëz punojnë në një vend, sikurse call centers, duhet ta ndalojnë punën përkohësisht. Sado i madh që mund të jetë dëmi ekonomik i shkaktuar nga COVID-19, dëmi në shëndet dhe jetë të njerëzve është pakrahasimisht më i madh.

E për të gjithë të tjerët, amani rrini në shpi. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO