Derisa qytetarët e Kosovës e kapërcyen zhurmën e fushatës zgjedhore, ata tash e gati katër muaj shohin deputetët/et e zgjedhur/a tek mblidhen çdo dy ditë e nuk ia dalin as ta zgjedhin kryesinë e Kuvendit — që është parakusht për formësimin e qeverisë. Derisa këto seanca disi janë bërë normalja e re, sektorë qenësorë të jetës në Kosovë, vazhdojnë të përballen me probleme të vjetra.
Këtu përfshihet edhe ai i kulturës, një sektor që është shpërfillur përjetësisht, e edhe së fundmi në fushatën zgjedhore, ku kultura u reduktua në struktura objektesh e premtime për investime qindra milionëshe në parqe kulturore e ku asnjë fjalë, të paktën jo ndonjë të dobishme, nuk u tha për mënyrën se si do të adresohen problemet sistemike që e kanë përkufizuar kulturën qe tash e mbi dy dekada.
Pra, retorika e fushatës dëshmoi sërish që politikanët/et nuk i kanë dëgjuar punëtoret/ët kulturore/ë ndër vite dhe kanë refuzuar ta njohin kulturën në thelbin e vet. Kësisoj, ata/o mirëmbajtën një avaz të njëjtë me atë që qe dy dekada ia ka zënë frymën kulturës, duke e mbajtur kulturën në një terren jokonsistent, të paqëndrueshëm e të pasigurt, pra gjithmonë në zgrip të mbijetesës.
Qeveritë e njëpasnjëshme nuk janë interesuar fort ta ndryshojnë këtë klimë, por, duke vazhduar të sillen me moskokëçarje, kanë përçuar një mesazh se sikur u pëlqen të mbesin në periferi të përgjegjësisë dhe debatit për kulturë. E kur e mban veten në periferi, askush nuk pret asgjë prej teje dhe askujt nuk i ke borxh llogaridhënien për dështimet e tua.
Kështu, ato e kanë përcaktuar në njëfarë mënyre edhe raportin e shoqërisë me prodhimin kulturor në vend — është ushqyer një besim se kultura është luks.
Tash, qeveria e re, kurdo që të zgjidhet, e ka mundësinë që ta ndërrojë rrjedhën e gjërave — ta vendosë veten në qendër të diskutimit për kulturë në vend, jo si zotëruese e saj, por si shtytëse dhe mbështetëse e pakompromis e saj.
Ajo duhet të çlirohet nga vrulli i vendimeve ad-hoc e entuziaste, që nuk e kalojnë as pragun themelor administrativ, por më shumë janë përgjigje ndaj problemeve akute, e nuk i adresojnë problemet sistemike, të cilat janë shkaktare të atyre akute. Pra, duhet ta marrë më shtruar bërjen e politikave për kulturë.
Qeveria e re duhet të mësojë nga praktikat e mira; t’i përshtasë ato dhe të krijojë një terren administrativ e ligjor, që i hapë udhë implementimit të praktikave të reja që u përgjigjen nevojave praktike të punëtorëve/eve kulturorë/e në vend. Thelbësisht, duhet të krijojë një premisë institucionale që kulturës i jep hov e mbështetje, në vend të kësaj ekzistuese, që më shumë i vendos pengesa e sfida.
Një varg urgjencash
Në çdo palë zgjedhje, na premtohen projekte e nisma që ose janë të përfunduara, ose janë në proces të përfundimit, ose në rastin edhe më të përçudëm, janë të panevojshme apo të gabuara që në premisë. Kur lehtësia me të cilën bëhen premtime takohet me përvojën e punëtorëve/eve të kulturës, përfshirë mua, ku sa herë ndërrohet qeveria gjendemi duke i përsëritur nga fillimi të njëjtat kërkesa e problematika, bëhet e qartë se ata që synojnë të udhëheqin me kulturën, nuk e kanë primare mirëqenien institucionale, por trashëgiminë personale e megalomane të tipit: “unë e kam nisur këtë proces” a të atij edhe më praktik “unë i kam filluar punimet në këtë projektin tjetër”.
Pra, si fillim, qeveritë duhet të sigurohen që veprat e tyre — ato që ia vlejnë — të kenë jetëgjatësi përtej mandateve të tyre e njëkohësisht, ato të kenë vetëdije për atë që është bërë para tyre. Nisjen e pafundme prej fillimit të çdo procesi e ndiejmë përditë, teksa nuk kemi kurrfarë zotimi se reformat — ndoshta më mirë t’u themi praktikat — e prezantuara nga një qeveri, do të barten te tjetra qeveri.
Ta zëmë shembullin e ndarjes së subvencioneve për kulturë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), që është një nga mënyrat më të rëndësishme përmes të cilave qeveria e pozicionon veten në përkrahje të drejtpërdrejtë të kulturës së pavarur në vend.
Viteve të fundit janë bërë disa përpjekje për reformim të skemës së subvencioneve; buxheti është rritur në thirrjen për projekte në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore dhe mirë që ka ndodhur kjo, si dhe janë prezantuar format e mbështetjes strukturore për organizata me përvojë në skenën e pavarur të kulturës — pra, format e mbështetjes për programe tre-vjeçare dhe një-vjeçare.
Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si do të sigurohet qëndrueshmëria e kësaj praktike, ashtu që ajo të konsiderohet reformë. Që një reformë të quhet e tillë, asaj duhet t’i paraprijnë një varg parakushtesh — ndër tjera, autonomia e pavarësia financiare e institucioneve, fuqizimi i administratës, një kornizë e ndërgjegjshme ligjore e administrative — që sigurojnë se kjo ndërhyrje dhe të tjerat, sado të vogla, të jenë aty përtej partive politike që udhëheqin me kulturën. Këto ndryshime nuk janë bërë.
Në mungesë të një kujtese e vazhdimësie institucionale, kemi ngecur në një cikël vicioz të lansimit të punimeve për këtë apo atë strategji, për këtë apo atë objekt, nga qeveria në qeveri, nga ministri në ministër, deri në pafundësi. Kështu, neve na duhet të mësohemi e çmësohemi çdo mandat të ri.
Ky cikël duhet të këputet, e për këtë duhet të sigurohet pavarësi politike në administratën publike, e cila duhet të jetë në gjendje të ketë dokumentim transparent të proceseve dhe mekanizma të bartjes së tyre, ashtu që institucionet kulturore të mos vuajnë çorientim të plotë me secilin tranzicion politik. Politikat, praktikat e mira e strategjitë shumë-vjeçare duhet të ruhen dhe barten nga një establishment politik te tjetri, sepse ato informohen nga komuniteti kulturor dhe duhet t’i shërbejnë atij, e jo të bëhen subjekt i ambicieve politike e megalomane të këtij apo atij ministri.
Ky fuqizim i administratës publike mund të prodhojë zgjidhjen e një problemi tjetër, që është burokratizimi i thellë të kulturës.
Këtu duhet filluar prej urgjencës absolute që është rikthimi i autonomisë financiare dhe krijuese të institucioneve publike të kulturës.
Institucionet publike të kulturës duhet të jenë fort dhe në mënyrë të qëndrueshme të mbajtura nga buxheti i Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, terreni administrativ, në të cilin ato për momentin funksionojnë, është ngulfatës. Mungesa e autonomisë së menaxhimit me buxhetet e tyre dhe mungesa e një natyre rrjedhëse të buxhetit është në mospajtueshmëri me mënyrën se si funksionojnë këto institucione
T’i marrim për ilustrim teatrot publike, të cilat, anipse i kanë buxhetet e veta, përballen me male burokratike kur bëhet fjalë për shfrytëzimin dhe menaxhimin e këtyre buxheteve.
Në vitin 2017, xhirollogaritë e teatrove publike u mbyllën, duke i vendosur ato në një pozitë thellësisht të varur dhe ambient kufizues. Teatrot, kur duan t’i shpenzojnë buxhetet e tyre, varen nga një institucion tjetër, në këtë rast Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) nga MKRS e teatrot e qyteteve nga drejtoritë përkatëse komunale për kulturë.
Kujtdo që i ka rënë në mend kjo politikë e mbrapshtë, duhet ta zhbëjë sa më parë që të jetë e mundur. Në kuptimin praktik të fjalës, natyra e prodhimit kulturor teatror kërkon shpeshherë blerje të shpejta e të cikërrimta. Këto blerje përfshijnë rekuizita në ndonjë dyqan të vjetër të antikuareve, elemente të skenografisë, riparime të kostumeve, produkte apo efekteve të ndryshme teatrore në uebsajte jashtë Kosovës e ushqime në furrën e lagjes.
Në rrethanat e tanishme të funksionimit, teatrot duhet t’u nënshtrohen disa hallkave të kërkesave e aprovimeve, që nisin nga menaxhmenti, të themi, i TKK-së, e përfundojnë diku në zyra të niveleve të ndryshme të MKRS-së, për t’u kthyer përsëri tek menaxhmenti i TKK-së, që e bën këtë proces të mundimtë dhe pashmangshëm ndikues edhe në procesin krijues të punës.
Në kuptimin zhvillimor të fjalës, kjo mungesë e autonomisë financiare e udhëheqëse ua pamundëson apo le të themi më butësisht, ua vështirëson tej mase teatrove dhe menaxhmenteve të tyre qasjen në fonde e mundësi që paraqiten nga pjesëmarrja në rrjete të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, e cila ndikon edhe në mundësinë për shkëmbim e mobilitet të artistëve e punëve artistike të këtyre institucioneve.
Kjo infrastrukturë ligjore i bën institucionet publike të kulturës financiarisht plotësisht të varura nga buxheti i shtetit, i cili mund të ndryshojë për arsye objektive. Pos kësaj, ua pamundëson atyre që atë buxhet që u ndahet nga buxheti shtetëror, e i cili herë është më i madh e herë më i vogël, por pothuajse gjithmonë më i vogël se nevojat aktuale të institucioneve, ta plotësojnë përmes qasjes në fonde e mundësi të tjera financimi.
Pra, pengohet edhe bashkëpunimi me, të themi, skenën e pavarur kulturore përmes projekteve të përbashkëta, që na sjell të një urgjencë tjetër vlerore e parimore — inkurajimi i bashkëpunimit të skenës së pavarur të kulturës me skenën publike, si dhe akademinë. Momentalisht, këto tri komponente jetike për funksionimin e jetës kulturore në vend funksionojnë kryesisht secila veçmas dhe krijimi i mekanizmave shtetërorë që e inkurajon komunikimin e shkëmbimin ndërmjet tyre përmes thirrjeve që prioritizojnë bashkëpunimet ndëmjet këtyre tri shtyllave, do të ishin fort të nevojshme.
Por kjo nuk mund të bëhet pa u siguruar qëndrueshmëria funksionale e buxhetore e të gjithë këtyre sektorëve, teksa ajo e institucioneve publike të kulturës përmirësohet dukshëm me një autonomi buxhetore e udhëheqëse.
Kur është fjala te skena e pavarur, vjen urgjenca tjetër: statusi i artistit për artistët/et e pavarur/a. Ata/o duhet të kenë qasje në statusin e artistit, i cili duhet të rregullohet konform pagës mesatare në Kosovë e të përfshijë edhe rishikim të shkallës së taksave që artistët e pavarur obligohen t’i paguajnë shtetit.
Për këtë ka plot modele nëpër shtetet tjera të Evropës, një prej tyre është modeli i Kodit të Praktikës Fer të Holandës. Ky Kod, i realizuar për të “dizajnuar dhe mirëmbajtur një treg të shëndetshëm të punës në sektorin kulturor dhe kreativ”, shërben si një kornizë për kushte të qëndrueshme të punës për industritë kreative dhe kulturore, duke synuar të promovojë praktika etike dhe kompensim e trajtim të drejtë për punonjësit kulturorë.
Artistët e artistet individualë/e në Kosovë operojnë në një terren plotësisht të pasigurt të punës, pa standard të mbijetesës, që i bën ata e ato subjekte të angazhimeve sporadike. Një moment kur u shpërfaq ky terren i pasigurt ishte sidomos gjatë pandemisë Covid-19, kur shumë artistë/e mbetën pa kurrfarë mbështetjeje përballë kufizimeve e pamundësisë për ta bërë artin e tyre e për të gjeneruar të ardhura nga ai.
Një kod i praktikës që merr parasysh të gjitha specifikat praktike, administrative e ligjore të punës së artistëve e artisteve, do të siguronte qasje gjithëpërfshirëse si për artistët/et e pavarur/a, si për ata e ato të angazhuara në institucione publike të kulturës, duke reduktuar pabarazitë dhe pasiguritë me të cilat përballet skena e pavarur.
Përpos kësaj, një ndër çështjet më të moçme që vazhdon të mbetet e pazgjidhur është qasja në hapësirat publike. Duhet të sigurohet një komunikim i shëndoshë ndërinstitucional ndërmjet institucioneve lokale e qendrore, ashtu që të lehtësohet qasja e institucioneve të pavarura të kulturës në hapësira publike me qëllim ridestinimin kulturor të tyre.
Një numër organizatash të skenës së pavarur dhe organizata tjera jo-qeveritare e kanë kryer punën e vet avokuese duke iu ofruar edhe zgjidhje qeverive për këtë çështje e, në të njëjtën kohë, duke i sfiduar ato nëpërmjet këmbënguljes për marrje në shfrytëzim të hapësirave publike. Sidoqoftë, pak është bërë në këtë drejtim për t’i përkthyer këto praktika me të cilat punëtorët/et kulturorë/e i kanë ballafaquar qeveritë, në praktika institucionale të qëndrueshme.
Pra, përkundër asaj që disa organizata e kanë marrë mundin të navigojnë terrenin e pamundur administrativ e të luftojnë beteja për marrjen në shfrytëzim të hapësirave publike, përsëri sa herë që një organizatë a kolektiv i ri i futet këtij procesi, shoqërohen me të njëjtat paqartësi, bllokada e telashe.
Kjo mbajtje e kulturës, sidomos skenës së pavarur, në periferi të diskursit e në zgrip të mbijetesës ushqen edhe në një klimë rivaliteti ndërmjet vetë punëtorëve/eve kulturorë/e.
Së pari, ndërmjet artistëve/eve të pavarur/a, të cilët/at, në mungesë stabiliteti financiar dhe qasjeje në mundësi, kultivojnë rivalitet me artistët/et e angazhuar/a në institucione publike, të cilët sado kudo kanë një burim më stabil të të ardhurash. Dhe së dyti, udhëheqës të institucioneve publike të kulturës flasin për atë se kush ka korrur më shumë suksese përbrenda kësaj infrastrukture ligjore, administrative e fizike, që thellësisht nënkupton, kush ka qenë më i aftë të gjejë metodat për të naviguar një sistem të pamundur e pengues.
Në vend të kësaj, do të duhej të ekzistonte artikulim i qartë i problemit: që mu kjo infrastrukturë ligjore, administrative e fizike, është e vjetëruar dhe dëmshme. Sidoqoftë, në një realitet vështirë të shpjegueshëm, ky terren i bërjes kulturë dhe ky qëndrim i qeverive të Kosovës ndaj kulturës, për çudinë e madhe, nuk i ka penguar punëtoret e punëtorët kulturore/ë, sidomos ato e ata nga skena e pavarur e kulturës, që të shkëlqejnë në punën e tyre. Fatkeqësisht, ky shkëlqim nuk është meritë e qeverive.
Kultura dhe arti kërkojnë politikbërje, jo politikë
Një pjesë të këtyre çështjeve, supozohet se në një mënyrë a në një tjetër do t’i adresojë Ligji i Ri për Artin dhe Kulturën, i cili shfuqizoi një varg ligjesh para-ekzistuese që lidheshin me aspekte të ndryshme të kulturës. Mirëpo, sado premtues të jetë ligji, pa u siguruar e pa u investuar në mënyrë intensive në ndryshime themelore strukturore, vështirë se mund të imagjinohet një e ardhme e sigurt e e qëndrueshme për kulturën në vend.
Kur krijohet një infrastrukturë sistemike, ligjore e administrative, e cila e njeh dinamikën e kulturës, u hapet udhë edhe investimeve kapitale, e edhe ndërhyrjeve shumë specifike. Duhet të krijohet një sistem i qëndrueshëm, por jo i ngurtë, një sistem që e njeh fluiditetin e zhvillimit e prodhimit kulturor në vend dhe është i gatshëm të reagojë përkitazi me të.
Kur të sigurohet ky themel i qëndrueshëm, do të krijohet edhe mundësia për zgjidhjen e dhjetëra problemeve tjera që s’përmenden këtu — themelimi i fondeve të hapura të mobilitetit për artistë/e e prodhime kulturore; sigurimet shëndetësore për artistë/e, përkitazi shkallës së rrezikshmërisë në punë; sisteme shtetërore të arkivimit të veprave artistike audiovizuele të qasshme për të gjithë; digjitalizimi i skemës për subvencione; e shumë punë të tjera që do ta bënin më të lehtë funksionimin e kulturës.
Dhe para se dikush të thotë se politikanët nuk kanë shkop magjik, po, nëse ekziston një e vërtetë që na është bërë e qartë dhembshurisht shpesh si punëtorë kulturorë në Kosovë, është që politikanët nuk kanë shkop magjik. Ama bash për këtë, krijimi i një vazhdimësie e qëndrueshmërie institucionale sistemike do t’i çlironte edhe ata nga presioni i shkopit magjik, sepse do t’i hapte udhë funksionimit të kulturës në vend, pa u trazuar rrënjësisht sa herë ka ndryshime politike.
Politikanët le të jenë politikanë gjatë fushatave zgjedhore, por le të bëhen politikbërës në qeverisje.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.