Blogbox | Kulturë

Kultura shqiptare ta shkatërron jetën

Nga - 06.07.2020

Duhet t’i njohim gabimet tona nëse duam të ecim përpara.

Zgjedhja e titullit është qëllimisht provokuese. Ky artikull është krijuar për të qenë kritikë konstruktive. Nevoja për ta shkruar një shkrim si ky lindi në kokën dhe zemrën e një 27-vjeçari i cili u rrit shumë larg vendit të tij të lindjes dhe e ka kaluar çdo ditë duke krahasuar bashkatdhetarët e tij me njerëzit e vendit ku jetonte, në Itali.

Pas 27 viteve krahasimesh — dhe pas mbledhjes së fakteve, ngjarjeve, historive jetësore, shembujve — kam përfunduar duke besuar se shumë elemente të kulturës shqiptare kanë pasur, dhe vazhdojnë të kenë, ndikim të fortë negativ në jetën tonë dhe të ardhmen tonë.

Për këtë arsye, vendosa të shkruaj një artikull të njëanshëm që nënvizon dhe kritikon të gjitha pikat e kulturës sonë që mendoj, dhe që në këto vite kam parë se janë të afta për të na shkatërruar jetën dhe të ardhmen. Shkrimi nuk ka për qëllim të sulmojë kulturën tonë, e cila është komplekse dhe e shumanshme, por thjesht për ta tërhequr vëmendjen në pjesë të caktuara dhe për t’i ngacmuar ndërgjegjet tona.

Sepse, pavarësisht nëse duam ta pranojmë apo jo, ka disa pika negative, dhe jam i bindur që në njëfarë niveli të gjithë i dimë. Por fakti që shpesh jemi shumë krenarë na pengon të shikohemi në pasqyrë dhe të pranojmë se kemi pika të dobëta apo se kemi bërë gabime. Ne nuk jemi perfektë; nuk jemi më të mirët (çfarëdo që i bjen kjo); duhet ta mësojmë artin e përulësisë dhe të përpiqemi t’i shndërrojmë dobësitë në fuqi.

Është viti 2020 dhe ne shqiptarët duhet të fillojmë ta pyesim veten nëse traditat dhe idetë tona të jetës na kanë çuar diku apo jo.

Ndjekja e vullnetit të të tjerëve

Të fillojmë me shkëndijën që e nisi këtë shkrim.

Pak ditë më parë, e pashë në rrjete sociale se një shok italian ishte martuar dhe se gruaja e tij është shtatzënë. Mendova për jetën e tij, moshën (30 vjeç), durimin me të cilin ai dhe gruaja e tij kishin arritur në atë vendim. Mendja ime u zhvendos automatikisht në nxitimin dhe presionin që ekziston në shoqërinë tonë në kontekstin e martesës dhe krijimit të familjes.

Duke jetuar në Evropën Perëndimore, ndjenja ime është që çiftet vendosin të martohen dhe të kenë fëmijë kur të jenë kushtet e duhura, veçanërisht ato financiare; kur ata të dy duan të ndërmarrin hapa të rëndësishëm të këtij lloji dhe, mbi të gjitha, pasi të jenë përpjekur të organizojnë të ardhmen e tyre.

Megjithatë, ne shqiptarët duhet të martohemi. Duhet të kemi fëmijë. Duhet ta kemi një djalë. Sepse nëse nuk jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha këto, tregoheni me gisht nga të afërmit, nga miqtë, nga shoqëria në tërësi.

Po flakim tutje gjithçka sepse kemi frikë të veprojmë kundër vullnetit të të tjerëve.

Duhen bërë hapa themelorë si këta për ta treguar veten “të drejtë” në sytë e të tjerëve. Për ta bërë këtë, njerëzit marrin borxhe për martesë, për të lindur fëmijë pa pasur punë ose shtëpi. A e kuptojmë se sa e çmendur është kjo?

Brezi i prindërve tanë nuk kishte shumë zgjedhje, por brezi ynë jeton në kohë tjetër. Kemi në duart tona mjetin më të fuqishëm që është vënë ndonjëherë në dispozicion të qenieve njerëzore: internetin. Ai na mundëson të lexojmë, mësojmë, zbulojmë, të shohim gjëra që janë larg nesh.

E megjithatë po i flakim tutje të gjitha sepse kemi frikë të veprojmë kundër vullnetit të të tjerëve, kundër një xhaxhai i cili na pyet pse ende jemi duke studiuar në këtë moshë, kundër një tezeje që na tregon se do të ishte më mirë të martoheshim me një partner shqiptar. Ky presion po i dëmton si me lidhje të shkurtër jetët e gjeneratave të reja, veçanërisht të atyre që jetojnë në Kosovë.

Kam të njohur dhe të afërm që janë martuar në moshë të re, tashmë kanë fëmijë, dhe për shkak të situatës së vështirë ekonomike baballarët janë detyruar të largohen nga Kosova për të emigruar në kërkim të çfarëdo pune që mund ta gjejnë.

Cili është rezultati? Foshnja rritet pa e njohur babanë e vet, babai vuan në heshtje, e gjithë familja një ditë do të ribashkohet në Evropë, dhe kështu kompletohet edhe një cikël i shqiptarëve kosovarë në Evropë që bëjnë punët më të ndyra të mundshme.

E njëjta situatë si e prindërve tanë të varfër, të cilët — po e përsëris — nuk kishin zgjedhje tjetër, dhe atyre duhet t’u atribuohet mrekullia që kanë bërë. Nëse, megjithatë, nuk kemi qenë në gjendje të arrijmë një hap më lart, është turp sepse kjo është ajo që brezi i tyre donin që ne ta shmangnim. Sakrificat e tyre ishin për një të ardhme më të mirë, ju kujtohet?

Dhe kjo nuk duhet të shërbejë si kritikë e martesës, e fëmijëve, e konceptit të familjes. Është kritikë ndaj vendimit për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë kur nuk ka themel, në një moshë të re, duke qenë të vetëdijshëm për jetën në një vend me perspektivë të kufizuar.

Shtirja me para

Pika tjetër është paaftësia për të vepruar kundër rregullave. Të thuash “Jo” është e ndaluar.

Nëse një martesë e mirë dhe një fëmijë mashkull ju lejojnë të konsideroheni pjesë integrale e shoqërisë dhe e familjes, atëherë ka rregulla të tjera të pashkruara që duhet t’i ndiqni. Një nga to është ndihma financiare nga ata që jetojnë jashtë vendit për familjarët që kanë mbetur në Kosovë. Ky proces është një lloj detyrimi i heshtur.

Filloi, me të drejtë, gjatë luftës — kur ishte e nevojshme dhe e dobishme — dhe ka vazhduar deri më sot. Duhet të ndihmojmë sepse duhet dhe pikë. Mosdërgimi i parave në shtëpi ishte i barabartë me një turp të pamundur për t’u fshirë; ishte i barabartë me harresën e familjes dhe tokës tënde.

Brezi i prindërve që e kanë jetuar më shumë se gjysmën e jetës jashtë vendit është përpjekur të jetojë dy jetë. Një në vendin e Evropës Perëndimore, duke punuar dhe duke luftuar çdo ditë, duke u përpjekur të rrisin fëmijët në një tokë të panjohur dhe duke u përpjekur të integrohen aq sa munden. Një tjetër jetë paralele duke e pritur verën për t’u kthyer në Kosovë. Me shpresën për të jetuar përsëri atje një ditë, përnjëmend.

Në përpjekje për t’i jetuar dy jetë, përfunduam duke mos e jetuar asnjërën si duhet.

Në këtë jetë tjetër paralele, ndihma financiare për të afërmit ka qenë konstante për të gjithë, deshën apo nuk deshën. Rezultati i gjithë kësaj?

Familjet që jetojnë në diasporë shpesh e kanë të vështirë ta ndërtojnë një jetë të qëndrueshme financiarisht për veten e tyre. Në përpjekje për t’i jetuar dy jetë, përfunduam duke mos e jetuar asnjërën si duhet dhe duke e shkatërruar të ardhmen. Në disa raste, njerëzit në të 40-tat dhe të 50-tat po detyrohen të emigrojnë përsëri, duke filluar nga e para për herë të pestë. Nuk është e bukur, nuk është e lehtë, më beso.

Pika e fundit lidhet drejtpërdrejt me fenomenin e diasporës. Por është e zakonshme në kulturën tonë të paraqesim veten si diçka që nuk jemi.

Kanuni thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mysafirit. Kjo mënyrë e të kuptuarit të nikoqirllëkut bëri që familja e babait tim dhe supozoj shumë familje tjera të bëjnë gjëra si ruajtja e sheqerit ekskluzivisht për mysafirët. Zakonisht, me mysafirë pihet çaji, të cilit i shtohet sheqeri. Nëse jeni të varfër, siç ishte familja e babait tim, ata nuk mund ta përballonin blerjen e sheqerit rregullisht sepse ishte e shtrenjtë, kështu që e ruanin atë vetëm për mysafirët.

Vuani dhe mos i lejoni vetes asgjë, sepse më me rëndësi janë mysafirët. Shenjë respekti? Jo, marrëzi e pastër!

Kjo nevojë për t’u treguar të pasur është e dukshme çdo verë kur kosovarët e diasporës kthehen në shtëpi. Nëse “thirrja e tokës” është arsyeja që shumë njerëz përdorin për të kaluar pushimet e tyre në Kosovë, nevoja për t’u dukur të pasur në sytë e të afërmve që jetojnë në një vend ku paga mesatare është 500 euro është burimi që lëviz gjithçka.

Nëse jeni pjesëtarë të diasporës, mund ta mohoni, por sa mirë ju bën të ndiheni kur vozitni makinën tuaj të re, të blerë me një hipotekë që e paguani me paratë që bëni duke pastruar tualetet e Evropianëve Perëndimorë? A ishte ky qëllimi kryesor i jetës tuaj?

Kjo ka çuar në prishjen e marrëdhënieve familjare, ndërsa të afërmit distancohen çdo ditë e më shumë nga njëri-tjetri sepse disa e kuptojnë që të tjerët “i duan” për paratë që dërgojnë, ndërsa disa të tjerë frustrohen duke e parë tërë atë pasuri të rreme që u gjuhet në fytyrë.

Koha për ta vënë gishtin në kokë

Si përfundim, qëllimi i këtij artikulli është të na bëjë të ndalemi, t’i hapim sytë dhe të përpiqemi të kuptojmë se ku na ka prurë kultura dhe mënyra jonë e të kuptuarit të jetës.

Pse një djalë i ri i martuar me fëmijë vlerësohet më shumë sesa një student beqar 30 vjeç? Pse duhet t’i bëjmë presion brezit të ri për t’u martuar dhe për të filluar një familje? Pse gjykimi i të tjerëve është më i rëndësishëm se llogaria jonë bankare?

Pse gratë konsiderohen ende si orendi në shtëpi, të dobishme vetëm për t’u shërbyer nevojave të burrave të tyre? Gratë shqiptare mund të bëhen kirurge, drejtore të kompanive, kryesuese qeverie. Pse vajzat duhet të jenë të kënaqura duke u shërbyer çaj mysafirëve gjatë gjithë jetës? A nuk kemi mësuar asgjë nga shembulli i bukur i Majlinda Kelmendit?

Do të ishte mirë të fillojmë t’i lexojmë emrat shqiptarë të cituar për mbështetjen e këtij planeti.

Pse duhet të ndërhyjnë baballarët e vajzave në një marrëdhënie që sapo ka filluar dhe ta detyrojnë djalin të fejohet me vajzën e tij, madje as pa e njohur siç duhet? Pse nuk e kuptojmë që të gjitha këto gjëra na pengojnë të përparojmë?

Dostoyevsky shkroi se burrat janë të ndarë në dy kategori: ata që shërbejnë për të rritur individë të ngjashëm me ta dhe ata që kanë dhuratën e aftësisë për të thënë një fjalë të re në mjedisin e tyre. Të parët e ruajnë botën, ndërsa të dytët e çojnë përpara.

Do të ishte mirë të fillojmë t’i përkasim kategorisë së dytë. Do të ishte mirë të fillojmë t’i lexojmë emrat shqiptarë të cituar për mbështetjen e këtij planeti. Fatkeqësisht, për momentin, ndjenja që kam kur shikoj bashkëqytetarët e mi është se ne po shkojmë prapa, ndërsa e gjithë bota po ecën përpara.   

Nëna dhe babi janë optimistë — ata më thonë që edhe ne do të përmirësohemi, se ndryshimi tashmë po ndodh. Unë jam pesimist, megjithatë. Kam frikë se asgjë nuk do të ndryshojë kurrë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.