Për dy vite, Kosovo 2.0 dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian kanë eksploruar aspekte të ndryshme të drejtësisë tranzicionale për të mbuluar sa më shumë nuanca të debateve lidhur me këtë çështje. Duke e ditur rëndësinë asaj se si ndërhyrjet kulturore, siç ështe filmi dhe dokumentari, i kontribuojnë drejtësisë tranzicionale, dy organizatat kanë prodhuar filmin dokumentar “Water and Candles” me regji të Leart Ramës dhe producent Luca Tesei Li Bassi.
Dokumentari, i cili përbën edhe aktivitetin e fundit të punës dy-vjeçare të Kosovo 2.0 dhe FDHK-së, në avokimin për familjet e personave të pagjetur dhe të drejtën e tyre për të ditur, u shfaq të martën, 27 qershor, në “Kino Armata” në një premierë të mbyllur, derisa së shpejti do të jetë i qasshëm për publikun.
Në qendër të dokumentarit janë Bekim Gashi, dhe Jasmina Živkovic, të dy familjarë të personave të zhdukur gjatë luftës, respektivisht pas luftës në Kosovë.
Bekimi është i mbijetuar i masakrës së Tërnjës, ku u vranë të paktën 30 persona e prej tyre 22 ishin familjarë të tij. Katër motrat e tij, Blerta, Lumturia, Selvetja dhe Luljeta, dhe nëna e tij Hyra u vranë dhe u zhdukën me forcë nga forca serbe me 25 mars 1999.
Me 28 shtator 1999, Paun Živkovic, babai i Jasminas, shkoi ta vizitojë shkollën e mesme teknike në Ferizaj ku kishte punuar si drejtor shkolle për t’i mbledhur dokumentet e nevojshme për ta vazhduar vitin e ri shkollor në Štrpce. Kjo ishte edhe hera e fundit që ai u pa.
Në këtë podcast bisedojmë me regjisorin Rama rreth përpjekjes së tij artistike për t’i bërë të qasshme përvojat e Bekimit dhe Jasmines dhe t’u ofruar hapësirë intime për të diskutuar rreth familjarëve të tyre.