Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, K2.0 fillon botimin e një serie prej pesë rrëfimesh, të nxjerra nga libri “Fëmijëri të rrëmbyera”.
Ky libër, i botuar prej ForumZFD në Kosovë dhe Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, sjell rrëfimet e 12 njerëzve të etnive të ndryshme, të cilëve u janë vrarë a zhdukur njerëz të dashur, anëtarë/e të familjes në kushte lufte.
Diskutimi rreth ballafaqimit me të kaluarën jo rrallëherë rrezikon të shndërrohet në një diskutim të thatë politik e teknik. Përmes punës sonë në K2.0 dhe bashkëpunimeve të këtilla, përpiqemi që këtij diskutimi jo veç t’ia ndërrojmë kahjen, por të kontribuojmë në pasurimin e përmbajtjes së tij. Kontribuojmë që qendër të tij t’i sjellim përjetimet e njerëzve dhe përpjekjet e tyre të përditshme për ta gjetur së pari, paqe përbrenda dhe pastaj, drejtësi.
Këto përpjekje tonat, i patëm materializuar sidomos në monografinë tonë “Të zhdukurit ndër ne”, botuar në vitin 2020 dhe me ekspozitën tonë “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, realizuar në vitin 2021 bashkë me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Me këto dy nisma dhe me gjithë përmbajtjen tonë rreth ballafaqimit me të kaluarën, përpos që sfidojmë vetë atë se çka do të thotë “i/e zhdukur”, sfidojmë edhe harresën, heshtjen, sidomos kur është fjala për përgjegjësinë, që institucionet e shteteve bartin në kërkimin për drejtësi.
Kështu, këto pesë rrëfime, që do t’i botojmë gjatë javëve në vijim, janë vazhdimësi e përpjekjes sonë gazetareske për të hedhur dritë në një temë, që vazhdon të mbetet e terrtë.
Rrëfimet i përbashkon malli, takimet me të dashurit/at, qoftë vetëm në ëndrra, humbja, zija dhe lëngimi për më shumë –– qoftë një përqafim, një bisedë, një përshëndetje.
K2.0 ka shkurtuar disa nga rrëfimet. Rrëfimet e plota mund t’i gjeni në librin “Fëmijëri të Rrëmbyera”.