Tregimi i Fatimes dhe Musliut filloi ngjashëm me shumë tregime të njerëzve të moshës së tyre. 47 vite më parë ata u njoftuan nga të afërmit e tyre dhe deri në fund të vjeshtës së vitit 1972 vendosën të martohen. U morrën vesh që familjen ta nisnin në shtëpinë e trashëguar nga babai i Musliut, që gjendej në rrugën ”Abdullah Shabani”, jo shumë larg nga objekti i Komunës së Vushtrrisë.
Në më pak se dy vite martesë, Fatime dhe Musli Melenica u bënë me fëmijën e parë, të cilin e quajtën Lutfi. Në vitin 1977 u lindi edhe Shefkiu dhe, ndër vite, familja u shtua me Avniun, Arlindën e Florinën. Të pestë fëmijët u rritën në të njëjtën shtëpi ku çifti vazhdon të jetojë deri sot.
Por sot, rruga mban një emër tjetër, “22 maji”, si dëshmi e ngjarjeve që do ta ndryshonte jetën e tyre përgjithmonë.
Musliu për vite punoi në Drejtorinë e Arsimit të Komunës, dhe tregon se me Fatimen synim kishin shkollimin e fëmijëve. Diploma e parë në shtëpi atyre u erdhi me 1989, kur Lutfiu përfundoi gjimnazin.
Në më pak se dy vite, ngazëllimi i tyre do zbehej pasi që Musliun do e largonin nga puna së bashku me shumicën e shqiptarëve të tjerë që punonin në institutet publike në vitet ‘90 dhe ëndrra për t’i shkolluar fëmijët hasi në vështirësi.
Ishte koha kur Shefkiu do fillonte gjimnazin dhe të cilin do e përfundonte pas katër viteve, për të ndjekur mëtej studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Gjatë kësaj kohe, ligjëratat po mbaheshin në shtëpi private si pjesë e sistemit paralel të arsimit, pasi studentët dhe profesorët shqiptarë u përjashtuan nga strukturat arsimore të shtetit.
Gjatë atyre viteve, vëllai dhe motrat e tij do vazhdonin shkollimin e mesëm, po ashtu në shtëpitë e njerëzve lokal.
Në të njëjtën shkollë po shkonte edhe fqinji i tyre, 16-vjeçari Rrahim Shkreli. Ai jetonte diç më larg se dy kilometra nga rruga ‘‘22 maji’’, së bashku me prindërit, Xhemilen e Hasanin, vëllanë Bekimin dhe motrat Bukurinë e Lirinë.
Përveç shkollës, Rrahimi, kohë pas kohe, nëpër kafeteritë e rrugës së qytetit të tij, shiste cigare, fara e kikirikë dhe çamçakëzët “Orbita”, që në ato kohë ishin luks.
Babai i tij, Hasani tregon se kishte arritur të ruante punën si rojtar, mirëpo, paga nuk ishte e lartë e shpeshherë edhe vonohej, dhe kjo e bënte të vështirë jetën për familjen e tij gjashtë anëtarëshe. Prandaj çdo fitim që Rrahimi sillte në shtëpi zbuste ballafaqimin për të siguruar jetesën.
Bekimi, djali i madh i Hasanit, veçse po kërkonte mundësi që të largohej nga vendi. Këtë ide ia përkrahën dy prindërit, më shumë të shtyrë nga ajo se deri në vitin 1998 nëpër Kosovë po ashpërsohej lufta. Por para se të ikte, dhe para se lufta të godiste direkt Vushtrrinë, familjen Shkreli e goditën tragjeditë, por që nuk do të ishin të vetmet.
Kah mesi i vitit 1998, Xhemilja pësoi sulm në tru, i cili e la të vdekur në vend. Ndërsa, muaj më vonë, atyre iu vdes edhe vajza, Liria, 27 vjeçare, e cila nuk i mbijetoi kancerit.
Këto fatkeqësi, Hasani do i përballonte vetëm me Rrahimin, i cili po ashtu shpresonte të ikte shpejt nga Kosova, dhe Bukurinë; ndërsa, Bekimi veçse ishte larguar për në drejtim të Gjermanisë, ku veçse kish’ kohë që kishte emigruar edhe Lutfiu, djali i madh i Fatimes dhe Musliut.
Kërkimi për mbijetesë
Në kohën kur familja Shkreli po mbante zi dhe familja Melenica po shqetësohej për udhëtimet e Shefkiut për në Prishtinë, familjes së Ajmane Feratit veçse i’u kishte ofruar lufta te dera. Familja 13 anëtarëshe po mendohej të largohej nga shtëpia e tyre në fshatin Barë pas ofensivave të forcave serbe përreth Mitrovicës.
Ajmanja me nostalgji kujton jetën e familjes së saj para këtyre ngjarjeve. Ajo kujton kohën kur këndonin dhe luanin çiftelinë bashkë me vëllain e saj të madh Dritonin; pastaj punët e bujqësisë së bashku me dy prindërit e pesë motrat. Ajo në veçanti kujton lindjen e vëllait të saj të vogël Rrahmanit në vitin 1981 për shkak të ndikimit që ai do ta kishte në gjithë jetën e tyre.
‘‘E kena rritë para kohe, u kanë disponimi i shpisë’’, thotë ajo.
Ajmanja thotë se si edhe Rrahimi e pëlqente çiftelinë, por që motrat si për ta ngacmuar ia linin vetëm defin. Por detaji që asaj i ka mbetur është dëshira e Rrahimit për tu larguar në Gjermani pak para fillimit të luftës, çka 18-vjeçarit nuk do i plotësohej asnjëherë.
Në tetorit të 1998-ës, familja zhvendoset në Vushtrri, qytet i njohur për Ajmanen, pasi aty përfundoi shkollën e mesme dhe ku punoi për ca vite në postë. Ajmanja tregon se në pesë muajt e ardhshëm lëvizën gati në dhjetë shtëpi të ndryshme, dhe kah prillit i 1999-ës u vendosën në fshatin Studime.
Edhepse erdhën në Vushtrri për t’i ikur luftës, kësaj nuk i’a arritën dot.
Një raport i Human Rights Watch, i vitit 2001, thekson që gjatë asaj kohe forcat serbe i kishin intensifikuar sulmet përreth Vushtrrisë dhe Podujevës dhe flet për ‘‘fushatën sistematike të koordinuar dhe të organizuar nga nivelet më të larta të qeverive serbe dhe jugosllave të asaj periudhe për të terrorizuar, vrarë dhe shpërngulur shqiptarët etnikë të Kosovës’’.
Më 2 maj, fshati Studime dhe fshatrat përrreth ishin sulmuar nga forcat serbe dhe brenda dy orëve u vranë 116 civilë.
Ajmanja dhe familja e saj shpëtuan nga masakra e 2 majit, edhepse skenat do t’i nguliteshin përgjithmonë në mendje.
‘‘Kena ecë nëpër trupa e gjak”, thotë Ajmanja ku kujton rrugën kur u larguan nga Studimja. “Ma mirë mos t’kishum pshtu’’.
Së bashku me qindra të tjerë të mbijetuar u detyruan të shkonin në objektin e kooperativës bujqësore që gjendej në hyrje të Vushtrrisë.