S`fundmi | Personat e pagjetur

Mbahet marshi për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës

Nga - 30.08.2018

Familjarët dhe marshuesit nuk pranojnë marrëveshje Kosovë-Serbi pa përfshirë personat e zhdukur gjatë luftës.

Me 4 prill të vitit 1999-të, Rexhep Mazreku ishte tek dajët e tij kur fshati Kralan ishte sulmuar nga forcat serbe. Atë vit ai do mbushte 36 vjeç, por që prej atëherë për të dhe disa familjarë të tij nuk dihet asgjë. Për fatin e Mazrekut dhe 1,647 personave të tjerë të zhdukur në luftën 1998-99 në Kosovë, sot u organizua marsh në Prishtinë.     

Marshit ju kishte bashkangjitur edhe Driton Mazreku, i cili është djali i Rexhepit. Me 29-vjeçarin ishte edhe nëna Ganimetja dhe vëllau Fatoni. Familja Mazreku po marshonte me pankarta në duar me emrin e Rexhepit. Së bashku me ta, prej Sheshit Zahir Pajaziti në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës po marshonin edhe qindra qytetarë. Secili prej tyre mbanin pankarta ku ishin të shënuar gjithë emrat e personave të pagjetur, që vinin nga të gjitha etnitë e vendit.  

Driton Mazreku, i cili po marshonte sot për gjetjen e babait të tij që është zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Dritoni edhe pse ka humbur shpresën se Qeveria e Kosovës do të punojë që të gjejë babain e tij, ai vazhdon të ketë kërkesa ndaj institucioneve. Për K2.0 ai tha se, marshimin e tij e shfrytëzon edhe për thirrje në drejtim të bashkësisë ndërkombëtare ‘‘që të bëjnë presion ndaj qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të zgjidhet fati i personave të pagjetur’’. Kjo sepse ai më nuk u beson asnjërës prej dy qeverive.  

‘‘Boll ma kanë luajtur me ndjenjat tona, me ndjenjat e familjeve’’, tha ai.

Rexhep dhe Ganimete Mazreku në vitin 1996. Rexhepi që prej prillit të vitit 1999-të është i zhdukur.

Ky marshim është organizuar në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur nga OJQ-ja Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me moton ‘‘Marsh për ata/o që ende mungojnë! Marsh për të vërtetën! Marsh për Drejtësi!’’.  

Për Marigona Shabiun, drejtoreshë e YIHR-së, ky marsh është drejtuar kah qeveria e vendit për t’i treguar ‘‘se ka përgjegjësi ligjore për ta zgjidhur çështjen e personave të pagjetur’’. Përveç kësaj, ajo tha se marshi është edhe për të thënë se kjo ‘‘dhimbje nuk është vetëm e familjeve por e gjithë shoqërisë’’.

Sipas saj, të gjitha qeveritë e deritanishme nuk kanë treguar seriozitet dhe kanë neglizhuar detyrat e tyre për zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur. Për Shabiun, qeveritë vazhdimisht kanë hedhur fajin tek autoritetet serbe, por që asnjëherë nuk kanë marr pjesën e përgjegjësive të tyre.

Marigona Shabiu, një prej organizatorëve të marshit të mbajtur sot në Prishtinë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Ne patjetër kërkojmë që kjo të zgjidhet dhe të kërkohet përgjegjësi tek Serbia, por ne duhet të kërkojmë prej institucioneve tona”, tha Shabiu për K2.0. “Qeveria e Kosovës është institucion që udhëheqë këtë vend dhe ne kërkojmë përgjegjësi prej tyre”.

Edhe për Gramos Berishën, i cili foli para ndërtesës së qeverisë ku dhe lexoi kërkesat e marshuesve, institucionet e shtetit kanë dështuar për të mbështetur familjet e personave të pagjetur dhe për të zbuluar fatin e më të dashurve të tyre.

Berisha është i mbijetuari i masakrës së Suharekës në mars të vitit 1999-të, në të cilën mbeten të vdekur 49 persona, përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij, ku për fatin e disa prej tyre ai nuk di ende asgjë.  

‘‘Unë së bashku me familjarët e tjerë të personave të pagjetur… kërkojmë nga shteti i Kosovës ta kthejnë çështjen e personave të pagjetur në prioritet dhe të punojnë në zbardhjen e fatit të tyre pa kompromise’’, tha ai. Sipas tij, kjo temë do duhej të diskutohej në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe të vendosej si kusht.

Gramos Berisha, i mbijetuar i masakrës së Suharekës – anëtarë të ngushtë të familjes së të cilit janë ende të zhdukur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Prej vitit 2011, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar bisedime nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Fillimisht bisedimet ishin quajtur ‘‘dialog teknik’’ dhe që prej tetorit të vitit 2012 ishte ndryshuar formati duke u cilësuar si ‘‘dialog për normalizimin e marrëdhënieve’’. Në kuadër të këtij dialogu janë arritur 19 marrëveshje dhe asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë për personat e pagjetur.

Mospërfshirja e personave të pagjetur në dialog ka shtyrë edhe juristen Ardita Maçastena të ishte pjesë e marshit. Ajo beson se nga qeveria deri më tash ‘‘kjo temë është lënë në hije’’. Për të, është e rëndësishme që çfarëdo marrëveshje përfundimtare që parashihet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, pjesë kyçe të kuptohet se çfarë ka ndodhur me personat e pagjetur. 

Mendimin e njëjtë e ndanë edhe Trina Binaku, një prej organizatorëve të marshit.

‘‘Nuk mund të flasësh për normalizim të marrëdhënieve [mes dy shteteve] kur përafërsisht 2,000 qytetar të një vendi nuk dihet se ku janë’’, tha ajo. Po ashtu, Binaku tha se një marrëveshje e tillë do të haste në rezistencë të familjarëve të cilët nuk është se ju bëjnë përshtypje arritja e marrëveshjeve për ‘‘targat e veturave, telekomin apo energjinë kur në përditshmërinë e tyre është mendimi se ku e kanë vajzën apo djalin e tyre’’. 

Trina Binaku një prej organizatorëve të marshit për personat e pagjetur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Gjatë këtij viti, udhëheqjen e delegacionit kosovar për dialog me Serbinë e ka marr Presidenti Hashim Thaçi. Muajin e fundit, Presidenti Thaci dhe homologu i tij serb Aleksandar Vucic, janë duke propozuar “ndërrim territoresh” si pjesë të një marrëveshjeje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Por përderisa personat e pagjetur po vazhdojnë të mos përfshihen, familjarët e tyre dhe qytetar të tjerë në marsh janë skeptik ndaj çfarëdo marrëveshjeje.

“Dhimbjet tona nuk po e gjejnë fundin, duke mos ditur ku janë më të dashurit tonë ne po jetojmë në agoni të përditshme”, ka thënë Gramos Berisha.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.