Në dalje të Gjakovës, në Brekocin me rrugë të përbaltura, gazetarja Nora Xhuzi ndalet në oborrin e Mira Jakupit. Aty ndohet një kontejner-shtëpi, as dhjetë metra katrorë, ku tash e dy vjet Mira jeton me familjen e saj gjashtë-anëtarëshe. Ai kontejner për ta është edhe dhomë pritjeje, edhe kuzhinë, edhe dhomë gjumi, por edhe banjo për katër fëmijët e tyre. Në mes të dhomës, tavani metalik mbahet me një shtyllë të drunjtë.
“Mezi e bajmë venin edhe me ra me fjetë”, thotë Mira.
“Qe këqyre me sytë e tu”, më thotë Nora para derës së hapur.
“A ka najsen për shpiat?”, e pyet Mira Norën për procesin e stërzgjatur të aplikimit për ndërtimin e shtëpive për familjet pa shtëpi nga radhët e komuniteteve joshumicë. Po Ministria e Administrimit dhe e Pushtetit Lokal ende nuk ua ka kthyer përgjigjen e shumëpritur asnjërës prej tyre. Edhe më i rëndë, Norës duket se i vie rrëfimi i vjehrrës së Mirës, Hyrës, së cilës mjeku i ka thënë se duhet të heqë njërën veshkë. Gruaja qëndron prapa rrethojës gjembore e Nora me duart mbështetur për beli, e dëgjon në anën e rrugës.
“Aa…”, zgjat fillimisht zanoren e parë të shqipes Nora para se të vazhdojë: “Vështirë është në këto situata me nda emocionin… për shkak se kur e sheh një nanë, një grua të moshuar që qan para teje, edhe që ty t’sheh t’vetmen shpresë, nuk mundesh me kanë indiferente”, thotë Nora.
Që nga viti 2019, Nora e udhëheq emisionin “Ora egjiptiane” në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), që në qendër të përmbajtjes gazetareske ka komunitetin egjiptian në Kosovë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo shpesh është bërë adresa e parë për qytetarët e këtij komuniteti për t’i adresuar shqetësimet e nevojat e tyre.
“M’ka ndodhë ndonjëherë mos me ditë me ba pyetje për shkak se në këto raste mu gjithmonë më ndodhë që fëmijët lypin diçka”, kujton ajo dialogun e saj të ndërprerë me Mirën, të rrethuar nga katër fëmijët e saj, në oborrin e vërshuar nga reshjet e fillimpranverës.
Që nga viti 2019, Nora e udhëheq emisionin “Ora egjiptiane” në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Fotografia: Arkivi i Nora Xhuzit.
Për Norën 37-vjeçare, gazetaria ka qenë dashuri qysh prej shkollës së mesme në vitet 2003-2005 në Prizrenin multietnik. Motiv shtesë ishte fakti se si gazetare do të mund të shndërrohej në zë të fuqishëm të shqetësimeve të komunitetit të saj egjiptian dhe jo vetëm.
“Nuk ka pasur arsye tjera se e kam pa se shumë vajza të reja dhe shumë djem të rinj më kanë pa si mbështetje dhe si model që nuk duhet me të ardhë marre për atë çka je”, thotë Nora përgjatë udhëtimit të kthimit nga Gjakova në Prizren. Përkundër që është rritur në një qytet multientik, Nora kujton përvoja të ndryshme të diskriminimit që i kishte përjetuar — nga trajtimi në sistemin arsimor e deri te jeta e përditshme. Por, asnjëherë nuk ishte dorëzuar.
Ëndrra e madhe e Selamirit të vogël
Selamir Qerimi kishte pasur ëndrra tjera si fëmijë, në qytezën ku ishte rritur, në Magure të Lipjanit.
Sot, 27-vjeçari ka mbledhur rreth pesë vjet përvojë pune si gazetar, por sa ishte i vogël po jetonte për ëndrrën e tij të madhe: Me krenari t’i mbronte ngjyrat e Barcelonës. Anipse nuk shoqërohej me shokët e mahallës që në rrugët e pluhurosura rrokullsnin topin poshtë e lart, nuk i ndahej lojës. I vetëm, topin e tij e shkelmonte në oborr.
“Megjithatë kam pasur shokë imagjinarë me të cilët kam lujtë”, thotë Selamiri teksa kthehet mbi dy dekada në kohë. Pavarësisht sfidave me të cilat përballej si fëmijë pas kthimit nga Maqedonia e Veriut si refugjat lufte, besonte se një ditë do të luante në stadiumin e Barcelonës, “Camp Nou”.
Selamir Qerimi qe 5 vjet punon si gazetar. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0
Në Maqedoni të Veriut, familja Qerimi, e përbërë prej tetë anëtarëve do të vendosej në tendat e najlonit në Stankovec. Ai ishte fëmijë dhe rrëfimet për atë periudhë i di nga familja. “Gjyshi, gjyshja, prindërit e mi, dy hallat dhe unë e vëllau kemi nejtë në shatora në një dhomë”, thotë Selamiri, i cili atëbotë ende nuk po mbahej në këmbët e veta. “Krejt e improvizune ka qenë. Një banjo e patën maru vetë tu e improvizu”.
Selamiri thotë se sigurimi i ushqimit nuk ishte sfidë për shkak se ndihmonin organizatat humanitare ndërkombëtare. “Por edhe të afërmit tanë në Gjermani na ndihmonin. Problemi ka qenë banimi”, thotë ai.
Pas mbylljes së kampit të refugjatëve në Stankovec pas kthimit të shumicës së refugjatëve në Kosovë pas mbarimit të luftës, familja Qerimi nuk kishte ku të kthehej mbase shtëpinë ua kishin djegur. Do të vendoseshin në komunën Shutkë të Shkupit, e vetmja komunë me shumicë rome. “Por këtu kushtet kanë qenë ma t’mira. Një gjysë shpie: barakë me dy dhoma, korridor e banjo”, thotë Selamiri.
Në vitin 2001, familja u vendos përkohësisht në Fushë Kosovë, ku jetuan me qira para se të kthehej në Magure pasi e rindërtuan shtëpinë. Në Maguren e sotme me rreth 400 shtëpi, sipas nënkryetarit të komunës e edhe babait të Selamirit, Lulzim Qerimi, pothuajse 50 prej tyre janë të qytetarëve ashkalinj dhe romë. Por, Magurja po zvogëlohet teksa familjet po migrojnë brenda e jashtë Kosovës. Në ditë të ngrohta, ka më shumë gjallëri në fshatin që ngjason me qytezat e zymta të xehetarëve në Shqipëri, që nuk ia dolën të rimerrnin veten ekonomikisht pas ndryshimeve radikale – politike e ekonomike. Dikur, edhe Magurja vlonte prej familjeve të minatorëve.
Në fushën e shkollës, fëmijë të komuniteteve të ndryshme bëhen bashkë rreth qëllimit për fitore në ndeshje futbolli. Selamiri, në fëmijëri, i kishte bishtnuar lojës, ku nganjëherë nuk zgjidheshin fjalët, të cilat me raste edhe pavetëdijshëm lëndonin.
Si fëmijë, Selamiri ëndërronte të luante në stadiumin “Camp Nou” në Barcelonë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0
“Ka pasur raste kur i kanë përdorur termat [denigrues], ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta më shumë fjalë që e ka dëgju në shtëpi”, thotë Selamiri, duke treguar se megjithatë kishte shokë e shoqe të klasës shqiptare, që u dilnin në krah bashkëmoshtarëve nga komuniteti. Qerimi, fajin më të madh për diskriminimin që përjetoi si fëmijë ia lë asaj që e quan racizëm të pavetëdijshëm të fëmijëve të shumicës shqiptare, që i kishin normalizuar shprehjet raciste si pjesë e një mendësie që nuk kishte menduar fort për pasojat dhe ndikimin në mesin e të romëve dhe ashkalinjve të Magures.
Familja Qerimi po jetonte kryesisht prej punës private të babait si elektricist. Babai Lulzimi detyrohej të punonte nëpër fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës me shpenzime të shumta për udhëtimin dhe ushqimin. Mungesa e të hyrave të rregullta dhe të domosdoshme për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe të shumave të përmuajshme nëpër shkolla futbolli jashtë Lipjanit, e shtrëngoi Selamirin të hiqte dorë prej ambicieve fëmijërore.
Por një tjetër ëndërr nisi t’i jetësohej vite më pas, në ditën e diplomimit në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Atë ditë do t’i kujtonte rrugët që e kishin çuar deri aty.
Një ditë para se të mbyllej konkursi për pranim në Universitetin e Prishtinës në vitin akademik 2016-2017, Selamiri dëgjoi këshillën e babait të tij.
“Baba tha: ‘Pse s’po shkon në gazetari?’ Edhe meno, meno…”, merr frymë pak më thellë krahas qeshjes së lehtë, për të vazhduar: “Edhe pse kur isha i vogël e kam pasë pak qejf kur vinte mixha i babës me do gazeta, por nuk e lexojsha politikën, por e lexojsha gazetën prej fundit – sportin dhe fjalëkryqat kisha qejf me i plotësu”.
Selamiri nuk e kishte menduar ndonjëherë gazetarinë si profesion. Fotografia: Atdhe Mulla/K2.0
Krahas mbështetjes së babait, vendimtare ishte edhe përkrahja e Fatmir Grajqevcit, mësimdhënës i filozofisë në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, ku Selamiri kishte vijuar shkollën e mesme. Roli i tij do t’i kujtohej gjatë provimit pranues në Departamentin e Gazetarisë, ku kandidatëve u kërkohej të shkruanin edhe një ese.
“E di që eseja ka qenë diçka për ndikimin e rrjeteve sociale dhe e di që ka pasë ma s’shumti pikë”, kujton ai duke e ndërlidhur historinë e pranimit në gazetari me një detyrë shtëpie vite më parë. Grajqevci u kishte dhënë për detyrë klasës së tij ta shkruanin në grupe një opinion rreth dhunës në familje.
“Edhe na tha ‘kur vini javën tjetër në orë, keni me u çu me lexu dhe kemi me shpallë grupin ma të mirë’”. Në javën tjetër, asnjëri prej grupeve nuk e kishte kryer detyrën. “Por e mbaj mend, se filozofi kishim në orën e tretë, edhe në orën e parë thamë si grup: ‘A e kena ba? S’e kena ba. Ça me ba?’ Thashë: ‘Po e marr edhe po e shkruaj’”.
Dy orët e para në lëndën e gjuhës shqipe, Qerimi nuk do ta vriste fare mendjen çfarë do të ligjëronte kujdestari, derisa po hidhte në letër mendimet për rëndësinë e vetëdijësimit kolektiv në luftën kundër dhunës në familje.
Shoku i tij, Egzoni, e lexoi më pas detyrën. “Profa tha: ‘Kush e ka ba këtë?’ Prapë mendova se ia kemi huqë diku. Egzoni tha: ‘Kejt e kemi ba o profesor’. ‘Jo’, tha profesori, ‘është dikush që ndoshta është mundu ma shumë’”, kujton Selamiri me qeshje.
Ai ende i ruan kontaktet me profesorin Grajqevci. Takohen së paku dy herë në vit.
“Selamiri nuk ka pasur fjali të kota kur përgjigjej”, kujton Grajqevci. “I pata thanë se është ese e jashtëzakonshme. Selamiri më pat fascinu. Selamiri e ka meritu dhe mandej e ka kuptu se mundet me ec kjo puna e eseve dhe e shkrimeve se profesori e paska vlerësu”.
“Me m’pas thanë atëherë dikush se ki me marrë mikrofonin dhe ki me dalë në shesh, kurrë s’i kisha besu”, thotë Selamiri.
Romano Avazo — oaza e kulturës rome në Kosovë
Në Prizren, radiostacioni “Romano Avazo” (“Zëri Rom”) është kthyer në zërin kryesor të romëve në media. Redaktori Fatmir Menekshe, njëherësh drejtor i organizatës joqeveritare “Durmish Asllano” që është boshti i organizimeve kulturore të romëve në Prizren, nuk është i sigurt për vitin, por këmbëngul se emisionet e para romisht në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP), në të vërtetë ishin të parat në gjuhën rome në mbarë radiostacionet evropiane.
Organizata joqeveritare “Durmish Asllano” është boshti i organizimeve kulturore të romëve në Prizren. Fotografia: Majlinda Hoxha.
Fatmiri dhe kolegu i tij, Sejnur Veshall, i cili është kthyer në “Durmish Asllano” në vitin 2022 si menaxher i programeve, pasi u lirua nga posti i zëvendësministrit të kulturës në korrik të atij viti, punojnë në “Romano Avazo” që kur ishin filloristë. Ata thonë se emra të shumtë të romëve kishin kontribuuar në media të ndryshme të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, duke promovuar dhe ruajtur traditat dhe kulturën rome. Disa prej tyre ishin intelektualët më të njohur romë, si poeti e deputeti i ndjerë, Kujtim Paçaku, dramaturgu e aktivisti i ndjerë, Nexhip Menekshe — emrin e të cilit e mban teatri amator rom i Prizrenit, profesori universitar, Ibrahim Elshani, autor dhe përkthyes i shumë librave, profesori tjetër, Selajtin Kryeziu, studiuesi Ibrahim Karanxha.
“Edhe u ba si një zanat, si një profesion i dashtun për intelektualët e asaj kohe për me ngritë zanin, për me ba përshkrime, shkrime për me rujtë gjuhën dhe për me informu komunitetin e tyre”, thotë Fatmiri në redaksinë e “Romano Avazo” në Prizren. “Edhe deri sot, pothuajse çdo intelektual rom është në të njëjtën kohë edhe gazetar”.
Fatmiri tregon se personi që e ka themeluar shoqërinë kulturore artistike, Nusret Saharsoj, ka qenë gazetar në RTP, korrespodent në Beograd dhe, duke qenë albanolog, ka mbajtur emisione edhe në gjuhën shqipe.
Fatmiri ruan në zyrë një ekzemplar të revistës “Romano allav” (“Fjala rome” ), botim i vitit 1992 nga “Durmish Asllano”. “Ky është numri i tretë. Kjo nënkupton se para vitit 1992 ka pasur botime tjera”, thotë Fatmiri, derisa ngadalë nisë shfletimin e saj. Pjesë e redaksisë ishin Paçaku, Kryeziu, Karanxha, Elshani dhe Njazi Çollaku. Ishin botuar 500 ekzemplarë.
Intelektualë të shumtë romë kontribuuan në ruajtjen e promovimin e kulturës rome. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Shkrimet nisin me himnin me tekst dhe me nota, “Gelem Gelem”, këngë e kompozuar nga Žarko Jovanović, këngëtar rom serb, që përdoret shpesh si himn i romëve. Pastaj është alfabeti me 25 shkronja. “Pra në shumicën e rasteve, edhe na çfarëdo që botojmë, e botojmë edhe në gjuhën zyrtare”, thotë ai duke iu referuar shqipes pasi merr shkas nga përkthimi në serbisht i shkrimeve në “Romano allav”. “Edhe në atë kohë, gjuhë zyrtare ka qenë serbishtja dhe këta i kanë botu në gjuhën rome dhe serbisht”, thotë Fatmiri.
Në “Romengi buqi” flitet për jetën rome. Shkrimi “Romane egipçajna” tregon sesi në disa vende romët njihen si egjiptas. Fatmiri lexon romisht një shkrim tjetër për “ngjashmërinë e gjuhën rome me gjuhën e Indisë”.
Fatmiri dhe Sejnuri ishin filloristë kur morën përsipër drejtimin e emisonit “Sporti, ne dhe ju” në “Romano Avazo”, të themeluar në vitin 2007 nga dramaturgu Nexhip Menekshe. Sejnuri është krenar që pothuajse të gjithë politikanët dhe intelektualët romë të Prizrenit kanë punuar e kaluar nëpër dyert e “Romano Avazos”, që 24 orë në ditë transmeton muzikë e emisione në romisht.
Rrëfime suksesi
Nora u kushton emisione edhe pjesëtarëve të suksesshëm nga komuniteti i saj, edhe pse thotë se ka redaktorë që kërkojnë të përqendrohet në storie që portretizojnë komunitetet joshumicë në kushte të rënda jetese. Nora mendon se duhet të ndryshohet qasja dominuese në mediet kosovare, që për bosht të temave për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kanë varfërinë. Ajo thotë se secili komunitet ka tradita dhe vlera, të cilët jo vetëm që i dallojnë prej të tjerëve, por njëherësh e pasurojnë edhe më shumë kulturën e vendit në përgjithësi. Këtë anë po e sheh më rrallë te mediet në gjuhën shqipe.
“Por si pushtet i katërt, jemi për me i pasqyru jo vetëm anët negative të komunitetit, por ndoshta edhe me i shfaqë edhe sukseset që i arrijnë ndër vite”, u ka thënë Nora të rinjve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të Gjakovës në një ligjëratë më herët këtë vit për rëndësinë e edukimit medial, organizuar nga mediumi “Reporteri.net”.
Nora dëshiron ta ndërrojë mënyrën se si flitet për komunitetin e saj në medie. Fotografia: Arkivi i Nora Xhuzit.
Më 19 shkurt, redaksia qendrore e RTK në Prishtinë e kishte telefonuar Norën, për ta mbuluar vdekjen e dyshimtë të një vajze egjiptiane katër-vjeçare. Vajza nga Gjakova vdiq në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë (QKUK), dy ditë pasi u dërgua atje nga Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës. Rasti menjëherë mori vëmendje të madhe publike për shkak të paqartësive dhe deklaratave kundërthënëse rreth rrethanave të vdekjes. Pati dyshime se rasti ishte neglizhuar për shkak të etnisë së katër-vjeçares.
Redaksia i kishte thënë Norës që në në hyrje të raportit të thoshte se babai i të ndjerës, Haxhi Shala, ishte duke mbledhur kanaçe kur e mori vesh lajmin — ashtu që të përshtatet në kallëpin që mediet shpesh e zgjedhin kur prodhojnë përmbajtje për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Pas vizitës në “Koloni” të Gjakovës, ajo e takon Haxhiun. Ai i tregon se nuk ka para për të marrë udhë drejt Prishtinës, sikurse i është kërkuar, për ta marrë certifikatën e vdekjes së vajzës.
Nora thotë se pavarësisht sukseseve personale që mund të kenë korrur individë nga komunitetet joshumicë, ata nuk e kanë fituar plotësisht luftën kundër paragjykimeve ndaj komunitetit të tyre. Dhe sipas saj, kjo i bën që ata të zmprapsen nga jeta publike. Ajo thotë se gazetarët/et dhe mediet në gjuhën shqipe duhet të jenë edhe më të zëshëm në përpjekjet për luftimin e paragjykimeve racore e etnike.
Për rrezikun e gjuhës së urrjejtes në diskursin publik, sidomos në mediet sociale, ka paralajmëruar sivjet edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në raportin e tyre për parandalimin e gjuhës së urrejtjes. Grupet si komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, vazhdojnë të mbesin një prej caqeve kryesore të sulmeve.
“Për trajtimin e çështjeve të komuniteteve, që janë politike, mendoj se duhet me i marrë me i trajtu televizionet që janë shumë më të mëdha”, thotë Sejnuri nga “Durmish Asllano”. Me i ftu njerëzit, me ftu Fatmirin me folë për shoqërinë civile patjetër, tani diskutimi bëhet më i madh. Na kemi një enigmë për komunitetet, shumë pak njihen”.
Mentor Gjergjaj, kryeredaktor i Reporteri.net, po punon në finalizimin e platformës Factorial, kushtuar komuniteteve joshumicë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
Reporteri, medie online, krahas trajnimeve për çrregullimin informativ për 125 të rinj, mes tyre shumë nga komunitetet joshumicë, ka lansuar një platforme kushtuar krejtësisht komuniteteve. Ata kanë zgjedhur gjashtë prej pjesëmarrësve për të punuar në këtë platformë, Factorial, që do t’u mundësojë të kryejnë punë praktike me synimin që të jenë profesionistë të ardhshëm të mediave në Kosovë.
“Po ashtu në platformë lexuesit do të mund t’i shprehin pikëpamjet e tyre nëpërmjet rubrikave të veçanta që i ofrojnë hapësirë të dëgjohet zëri i qytetarëve romë, ashkali dhe egjiptianë”, thotë Mentor Gjergjaj, kryeredaktor i Reporteri, pas ciklit të trajnimeve, ku kanë ligjëruar gazetarë, aktivistë e studiues të fushës së mediave.
Në një kthesë interesante të fatit, këtë platformë do ta menaxhojë pikërisht Selamiri, karriera gazetareske e të cilit nisi përmes një emaili.
Letra e mundësive
Para ceremonisë së diplomimit në fakultet, në vitin 2019, Selamiri do t’i shkruante një email gazetarit Vehbi Kajtazit, i cili atëherë ishte pjesë dhe bashkëthemelues i mediumit online Insajderi. Me të do të takohej në ditën e diplomimit. “Kur dola në treg të punës e pashë se funksionon pak më ndryshe”, thotë Selamiri. “Mendoj se ka qenë përvoja ma e mirë, sepse përvoja e parë është shkollë e mirë”.
Aty do të punonte më shumë se një vit para se të kalonte në shoqëri civile në zyrën për komunikim me media në një organizatë joqeveritare. Por, kjo punë nuk i flente. “Nuk mujsha me nejtë se puna shumë burokratike, edhe pse pata kriju shumë kontakte. Por kur i shihja shokët në media, thosha: ‘Këqyri këta, këqyrëm mu’”, tregon Selamiri.
Në shkurt 2021 do ta paraqiste dorëheqjen pa pasur asnjë alternativë të negociuar për kthim në media. “Isha i sigurt se kam me gjetë punë në media, por kisha nevojë me pushu pak”, thotë ai.
Zhurma e një makine sportive përgjatë rrugës kryesore të Magures, nuk e shkëput Selamirin nga linja e rrëfimit. Një email që ia kishte shkruar Arsim Lanit, ishte bërë shkas që kryeredaktori i televizionit T7 ta ftonte në takim në një të enjte fillimmarsi të atij viti.
Selamirit i pengonte që në shumicën e kronikave televizive e raporteve të shkruara që lidheshin me problemet e komuniteteve, dominonin pamjet e gjendjes së varfërisë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0
Selamiri tregon se Lani i kishte thënë se në medie private ishin mësuar të mos kenë gazetarë nga komunitetet joshumicë. “Edhe e di që i pata thanë Lanit se nëse mendon se duhet me m’marrë veç pse jam i komuniteteve, i thashë: ‘S’vij’”. Por ai tha: ‘Mos keqkupto se nëse s’je profesional, nuk të marr’”, thotë Selamiri. Puna në televizion ishte sfidë e re. Në ditën e parë e kishte shoqëruar një kolege gazetare. “Në ditën e dytë ma dhanë kamermanin vetë”, thotë Selamiri.
I pengonte që në shumicën e kronikave televizive e raporteve të shkruara që lidheshin me problemet e komuniteteve, dominonin pamjet e gjendjes së varfërisë. “Kuadri i parë, bërllogu, ‘Lagja 28’ në Fushë Kosovë dhe faktikisht kam pasur qejf me ndryshu këtë”, thotë ai.
Ai megjithatë është kthyer në adresë të rëndësishme për konsulta për kolegët për tema të ndryshme të komuniteteve joshumicë. Përvoja dhe paragjykimet për komunitetin e tij e kanë bërë tani më të drejtpërdrejtë me kolegët dhe më kritik se si trajtohen komunitetet joshumicë.
Ndërkohë, Lani, kryeredaktori i T7, i kishte rekomanduar Selamirit që të merrej me tema të ndryshme pavarësisht etnisë së qytetarëve.
“Dhe kjo më pat pëlqy se unë jam i komunitetit, por s’do të thotë se duhet me u marrë vetëm me çështje të komuniteteve”, thotë Selamiri.
Prej ëndrrës për lojën në “Camp Nou” kur shkelmonte topin në oborrin e shtëpisë së tij në Magure, Selamiri këtë muaj mori një përgjegjësi shtesë në televizionin ku punon. Pos raportimit nga terreni, ai do ta kryejë edhe detyrën e ndihmës–redaktorit në T7.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Ky artikull është publikuar me mbështetjen financiare të Këshillit të Evropës në kuadër të projektit ‘Promovimi I të drejtave të njeriut dhe parimeve kundër diskriminimit në nivel lokal’ faza II, financuar nga UNMIK dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës Zyra në Prishtinë. Opinionet e shprehura në këtë publikim janë përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën zyrtare të Këshillit të Evropës.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.