Gjerë e gjatë | Maqedonia e Veriut

Mjek në tri luftëra

Nga - 15.07.2022

Nga Greqia në Tashkent, nga Shkupi në Selanik.

Në vitin 1988, gjyshi im Stefanos Houzouris, me shpenzime vetanake e botoi në Selanik autobiografinë e titulluar “Mjek në tri luftëra” apo “Giatros Se Treis Polemous” në greqisht. Kopertina është e bardhë, me një vizatim të një ushtari të ri djaloshar me uniformë bojëkafe dhe me një kapelë partizanësh me yje të kuq të vendosur pjerrët në kokë. Çanta e mjekut me kryq të kuq i rri mbi supe, teksa mban me krenari një pushkë në ajër. Djali në vizatim s’i ngjan aspak gjyshit tim, përkundrazi, i ngjan personazheve të librave socialist për fëmijë të viteve të ’80-ta.

Një grumbull vizatimesh bardh e zi ilustrojnë 58 kapitujt e këtij libri 438-faqësh. Si fëmijë, e kam shfletuar këtë vëllim me qindra herë dhe në mendje më ka mbetur posaçërisht një vizatim. Në të shfaqet një ushtar që vrapon drejt gjyshit tim gjersa avionët e armikut hedhin bomba në prapavijë. Ushtari mban krahun e tij të prerë plot gjak me dorën tjetër të mbetur. Arsyeja pse i njoh kaq mirë këto vizatime është sepse s’kam mundur ta lexoja kurrë librin e gjyshit tim. Deri tash. Ashtu diçka.

E kam bartur këtë autobiografi që kur filloi pandemia, vendosa ta mësoja greqishten dhe ta lexoja, më në fund. Teknikisht, jam gjysmë greke: nëna ime ka lindur në Tashkent, Uzbekistan nga gjyshërit e mi komunistë grekë, refugjatë të luftës civile, të cilët më pas u shpërngulën në Shkup në vitet e ’60-ta. Gjithmonë më është dukur se trashëgimia ime greke është temë tabu në vendin tim, për shkak të dekadave të debatit historik dhe politik mes Greqisë dhe asaj që sot zyrtarisht quhet Maqedoni e Veriut, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës të vitit 2018, e cila zgjidhi mosmarrëveshjet në nivel qeveritar. Përgjatë viteve, ky tension politik ndikoi në familjen time, që rezultoi në nivelin tim të dobët të greqishtes.

Kjo nuk do të thotë se s’flas fare greqisht; ishin gjyshi im Stefanos dhe gjyshja ime, bashkëshortja e tij e dytë jogreke, Marika, që ma mësuan gjuhën si fëmijë. Në atë kohë flisja rrjedhshëm greqishten shtëpiake. Buka është gati! Afroma kripën. A ka më patate? Kush e hëngri akulloren? ishin lloji i fjalive që thuheshin më së shpeshtinë familje. Dija po ashtu një sërë fyerjesh të veçanta që mësova nga gjyshi im kur fliste me zemëratë për kundërshtarët e tij politikë. “Vlakas” (idiot) dhe “gaidouri” (hajvan) ishin të preferuarat e tij. Deri kur vdiq gjyshja ime Marika në vitin 2010, ia bëja disi me këtë nivel të greqishtes, sidoqoftë bisedat e mia edhe ashtu zakonisht silleshin rreth ushqimit.

1849 2560

Por pastaj, disa situata poshtëruese në Greqi më detyruan të përballesha me faktin se nuk isha në gjendje ta flisja gjuhën me të cilën isha rritur. E para ishte kur pronari i një shtëpie pushimi me qira në ishullin Alonnisos më qortoi për nivelin e dobët të greqishtes sime. “Çfarë problemi ke”? pëshpëriti ai, duke shtypur pedalin e gazit me këmbën e tij të zbathur me katër gishta në një rrugë me erë, “Mezi e flet një fjalë”!

Irritimi në zërin e tij erdhi pasi që unë i thashë se isha greke, ose të paktën gjysmë greke. Çfarë gjysmë-greke isha unë nëse krejt çka që mund të pyesja ishte se ku ndodhet plazhi më i afërt? Desha ta mbroja veten, por më mungonin mjetet. Kësisoj, vetëm i mblodha supet.

Përvoja e dytë përfshin tezen time, shkrimtaren Elena Houzouri. Për çudi dhe bukuri, më ndodh që ta kem një teze në Athinë, e cila është një shkrimtare, njësoj si unë dhe ka botuar një roman për gjyshin tim Stefanos bazuar në po atë autobiografi që s’mund ta lexoj. Romani i saj mban titullin e bukur “Patrida apo Vamvaki” ose “Atdheu prej pambuku”.

Natyrisht, s’mund të lexoj as ato që ajo i ka shkruar. Por bashkë me të kaluam pak kohë në një pushim mes shkrimtarësh dhe përkthyesish në ishullin e Paros në vitin 2011. Ishte takimi ynë i parë, një përpjekje e planifikuar e nënës dhe tezes sime për të më nxitur të rigjallëroj greqishten dhe ndoshta për të krijuar lidhje me të afërmit e mi në jug, pjesëtarë të familjes që nuk i kisha takuar kurrë më parë. Por çka ndodhi në të vërtetë ishte një infeksion në vesh që më la për një kohë të shurdhër në njërin vesh dhe e dëmtoi edhe më tepër përpjekjen për t’i kuptuar të gjitha gjërat që tezja ime fort inteligjente i thoshte.

“Askush nuk duket se mban mëri ndaj gjyshit, i cili me sa duket i shkaktoi shumë dhimbje familjes duke zgjedhur të luftojë për një kauzë. Ata thonë: Ka shpëtuar jetë! Ishte jashtëzakonisht i sjellshëm! Ishte idealist! Dhe ishte shumë, po shumë i shkurtër”!

Çdo ditë bashkë me tezen ecnim poshtë deri te një fshat përrallor me shtëpi të bardha me dritare të kaltra. Në fund të një rrugice të ngushtë me kalldrëm arrinim tek një kafene në një shesh të vogël, ku nën freskinë e një fiku gjigant shijonim “gliko tou koutaliou”, një kafshatë frutash të ëmbël shërbyer me një gotë ujë të ftohtë.

Aty përpiqesha të bëja muhabet me tezën në greqisht. Më kujtohet se si në një moment më hodhi një vështrim shpues me sytë e saj kaltër kristal dhe më tha: “Çka do të thuash me ‘kjo e mirë, kjo e keqe’? A e di se gjërat s’janë veç të mira dhe të këqija”!

Dua të besoj se i thashë se më mungonin aftësitë në greqisht për ta ditur ndonjë mbiemër tjetër me të cilin mund ta shprehja mendimin tim dhe se nuk pata asnjëherë mundësinë të mësoja më shumë se këto fjalë bazike sepse Greqia në vitin 1949 internoi gjyshin dhe gjyshen time komuniste pas Luftës Civile Greke dhe vazhdoi të mos i linte rehat banorët e Maqedonisë, vendin ku përfunduan dhe kombin dhe identitetin në të cilin linda. Njohuritë e mia të gjuhës ishin njëmend krejt bazike. Kjo — mirë. Kjo — keq.

Por çfarë shkrimtareje e çfarë përkthyese isha kur shprehesha si një dy-vjeçare? Ndihesha e irrituar, e pafuqishme, e vogël. Edhe e turpëruar. E turpëruar që nuk dija njërën nga gjuhët e mia, e turpëruar që nuk arrija ta mbroja gjuhën amtare dhe trashëgiminë time, e turpëruar sepse supozohej të isha një artizane e fjalëve, por s’kisha fjalë.

Përfundoja duke iu thënë "sllavomaqedonisht", që s’është as emër gjuhe — ishte thjesht një formë për t’iu ikur të bërtiturave.

Çka më irritonte më së shumti ishte mungesa e të gjitha aftësive për ta mbrojtur identitetin tim dhe për të ofruar një perspektivë tjetër rreth debatit të zjarrtë të emrit: FYROM, Shkupi, Maqedonia, Maqedonia e Veriut. Pothuajse kudo që shkoja në Greqi, as që bëhej fjalë ta shqiptoja emrin e vendit nga vija, sepse do më duhej t’u shpjegoja gjërat apo rrezikoja të pranoja të bërtitura. Dhe meqenëse shumë pak njerëz dinin gjuhën angleze mjaftueshëm sa për t’u përfshirë në ballafaqime politike verbale, elaborimi u bë i pamundur.

Dhe kësisoj, në Paros, prapë mbajta gojën mbyllur dhe njerëzve u thosha se vija nga “Skopia”, si shumë herëve të tjera më parë, për të shmangur konfliktin. Më bënte të ndihesha fajtore dhe e dobët. Shpesh më ndodhte të më thoshin se maqedone nuk ishte identitet, ishte një konstrukt që njerëzit e mi e vodhën, se ata s’ekzistonin. Më pyesnin se çfarë gjuhe flisja dhe përfundoja duke iu thënë “sllavomaqedonisht”, që s’është as emër gjuhe — ishte thjesht një formë për t’iu ikur të bërtiturave.

Përsëri vazhdonin të pyesnin nëse ishte gjuhe serbe. Jo, përgjigjesha me greqishten time të dobët, e cila përkeqësohej në sekondë. Bullgare? Pyesnin. Jo, përgjigjesha. Është gjuhë më vete. Një gjuhë. Kështu që më jepnin shikime boshe që më dukej se përziheshin me akuzën e pagabueshme se isha duke gënjyer. Nëse kemi gënjyer për historinë tonë —  duke pretenduar siç bëjnë disa nacionalistë maqedonas se jemi pasardhësit e drejtpërdrejtë të Aleksandrit të Madh dhe maqedonasve të lashtë dhe jo sllavë — atëherë me siguri kemi gënjyer edhe për gjuhën tonë.

Në fund, gjithçka rezultonte kësisoj: në Greqi më turpëronin që isha maqedonase, kështu që mbaja gojën mbyllur dhe ndonjëherë pretendoja se isha amerikane. Në Maqedoni, si figurë publike që kritikonte shpesh qeverinë e krahut të djathtë, mund të etiketohesha si tradhtare nëse do pranoja hapur trashëgiminë time greke. Kështu që e mbaja të fshehur.

Mosha mund të jetë faktor në vendimin tim se isha lodhur nga gjithë këto gjëra të kota, por Marrëveshja e Prespës, e cila hapi rrugën për një mirëkuptim të ri mes dy vendeve të mia, ndihmoi po ashtu. Pikërisht atëherë fillova të ndiqja mësime të gjuhës greke. Si rezultat, tani mund të lexoj pjesë nga libri i gjyshit tim, duke kuptuar ndoshta një të tretën e fjalëve në një faqe, teksa përpiqem ta kuptoj ortografinë djallëzore tejet të ndërlikuar greke. Ulem në tavolinën time dhe lexoj me zë të lartë, duke tingëlluar si nxënëse e klasës së tretë, që mezi arrin t’i kryej dy paragrafë.

Por menjëherë pasi kuptova se mund të flas më shumë se vetëm t’i përshkruaj gjërat si “e mirë” ose “e keqe”, i shkrova kushëririt tim Panagiotis në Selanik (në greqisht!) dhe e pyeta nëse mund të takoheshim. Doja ta shihja përsëri babanë e tij Takis, xhaxhain tim, i cili e mban mend shumë mirë gjyshin. Greqishtja ime po përmirësohej — mbase mund të bëja një kërkim. Nëse do t’i bëj pyetjet e duhura, ndoshta do të mund ta shtyja xhaxhain tim t’i zbulonte disa sekrete nga e kaluara e gjyshit tim. Dhe kështu, më 1 maj, u gjenda rrugës për në Selanik.

Miqësitë marrin kohë

Po vozis nga Shkupi drejt Selanikut me Andrej në “Autostradën e Miqësisë”, e cila mori këtë emër të ri falë Marrëveshjes së Prespës. Më pëlqen ky emër, veçanërisht pasi autostrada dikur mbante emrin e Aleksandrit të Madh. Përpara marrëveshjes, më dukej se gjithçka në Maqedoni emërtohej sipas Aleksandrit të Madh — një figurë historike që s’më lë përshtypje, njësoj si nuk më lejnë përshtypje luftëtarët me ambicie madhështie të fuqishme. Jam e lumtur që po vozis përgjatë një autostrade të mbushur me fusha të blerta plot lulëkuqe, që mban një emër të butë e abstrakt. Dita është e ndritshme dhe premtuese.

E kuptoj se s’po e ndjej më tensionin e zakonshëm përpara se të arrij në kufi. Më kujtohet kur ne —  babai, nëna, vëllai, unë — udhëtonim poshtë për në Selanik në fillim të viteve të ’90-ta për të vizituar gjyshërit e mi që ishin kthyer në Greqi në fillim të viteve të ’80-ta. Nëna ime fillonte të shqetësohej e të nervozohej, një heshtje e tensionuar na kaplonte.

Mua dhe vëllait na urdhëronin të heshtnim. Asnjë fjalë maqedonase nuk dilte nga gojët tona, për të mos e mërzitur policin që na i kontrollonte pasaportat, i cili do të bezdisej kur arrinte te nëna ime. E lindur në Tashkent? Nënës do t’i duhej të dilte nga vetura dhe të diskutonte me policët, duke u përpjekur t’i bindte se ishte etnikisht greke dhe jo sllavo-maqedonase nga veriu i Greqisë. Sepse po që se do të ishte maqedonase sllave nga Greqia, nuk do t’i lejohej të kthehej në vend.

Për dallim nga komunistët grekë që vite më pas u lejuan të ktheheshin, këta njerëz nuk u lejuan të ktheheshin në Greqi për dekada.

Pak grekë kanë njohuri për këtë ndalim, apo për atë se ka kaq shumë maqedonas sllavë nga Greqia veriore që u dëbuan bashkë me komunistët në fund të luftës civile. Për dallim nga komunistët grekë, që vite më pas u lejuan të ktheheshin, këta njerëz nuk u lejuan të ktheheshin në Greqi për dekada, madje as t’i vizitonin të afërmit e tyre. Ndonëse ndalimi jozyrtar u zbut me kalimin e kohës, fyerjet vazhduan.

Teksa unë dhe Andrej po i afroheshim kufirit, u ndieva se po jetojmë në kohë më të mira dhe tensioni i fëmijërisë sime dhe poshtërimi që na ka bërë policia kufitare nuk ekziston më. I them Andrej se më në fund jam e çliruar nga kjo ndjenjë e frikës dhe turpit. Më pas më tregon për nënën e tij.

Ai thotë se disa vite më parë e kishte dërguar nënën e tij, Konstantina, në Greqi që ta vizitonte një shoqe të saj në anën greke të rajonit të Prespës. Në të 70-at e saj, policia kufitare filloi të traumatizojë Konstantina-n. Ku po shkonte, kë po vizitonte, sa do të qëndronte, kërkuan t’i dinin të gjitha. Pas një grindjeje, polici përfundimisht i la të kalonin.

Poshtërimi ndodhi sepse në pasaportën maqedonase të Konstantinas thuhet se vendi i saj i lindjes është Konomladi, emri sllav i një fshati në rajonin e Kastoria/Kostur të Greqisë, që grekët e quajnë Makrochori. Konstantina ishte një fëmijë refugjat. Kur ishte 10-vjeçe, ajo dhe dy motrat e saj, 14 dhe 15-vjeçe, u larguan nga fshati i tyre në mars të vitit 1948 bashkë me mijëra fëmijë të tjerë, që kërkuan strehim në jetimore të ndryshme në vendet e bllokut lindor si Hungaria, Polonia dhe Çekosllovakia.

Nëna e Konstantinas qëndroi në Greqi me një fëmijë të vogël dhe një bebe. Konstantina dhe motrat e saj përfunduan në jetimore në Budapest, teksa motra e madhe, një luftëtare partizane në luftën civile, u arratis për në Poloni me babain e tyre, i cili ishte pjesë e përpjekjeve të luftës komuniste.

Pesë vjet më vonë, Konstantina u ribashkua me të atin në Budapest. Tha se e njohu atë vetëm sepse kishte vetëm njërin krah. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, u ribashkua me nënën e saj, Alexandra, në Maqedoninë socialiste. Kur bashkuan, Alexandra këmbëngulte se Konstantina s‘ishte vajza e saj. Vajza e saj, tha ajo, kishte flokë të çiltra. Kjo grua e re ishte shumë e zeshkët për të qenë fëmija i saj.

Doja t’u ikja këtyre historive të zymta, kështu që ia kujtoj Andrej se sa e çuditshme është që nëna e tij dhe gjyshi im Stefanos njiheshin me njëri-tjetrin. Dhe se gjyshi im, i cili ishte pediatër, ishte mjeku i Andrej kur ishte fëmijë dhe se motra e Andrej e kujton Stefanos me dashuri. Është histori më e bukur se ajo e fëmijëve të zhvendosur në jetimore në Evropë, të cilëve iu desh të iknin nga bombat napalm.

Në vend të Maqedonisë së Veriut lexohet "Skopia" dhe shkronjat janë dëmtuar.

Arritëm te kufiri dhe po ia dorëzojmë pasaportën punonjësit të policisë. Para Prespës, policia vuloste një copë letre që e bartnim me vete deri në kufi sa herë që udhëtonim. Pas Prespës, pasaportat tona respektohen plotësisht. Kalo taksidi, punonjësi i policisë buzëqesh duke na uruar një udhëtim të mbarë.

Zbresim drejt Greqisë nëpër një rrugë të mbuluar me lule oleandera që shkundeshin nga flladi i lehtë pranveror. Jam e kapluar me ndjenja të shpresës. Tek më vonë e vërej se Greqia nuk ka ndryshuar sinjalistikën rrugore përkitazi me Marrëveshjen e Prespës. E shoh një shenjë mezi të dukshme për dalje në autostradë. Në vend të Maqedonisë së Veriut lexohet “Skopia” dhe shkronjat janë dëmtuar. Si duket miqësitë marrin kohë.

Tradhtia

Tre breza të familjes sime të gjerë, të zhurmshme e të ngrohtë më përshëndesin në shtëpinë e Panagiotis. Më i vjetri aty është Takis, nipi i gjyshit tim. Ata dy ishin të afërt dhe ngjashmëria e tyre është e pabesueshme: flokët të valëzuara, sytë e kaltër, zëri i vrullshëm. Është ashtu siç e kujtoj gjyshin, i cili vdiq në Selanik në vitin 1993, kur prindërit, vëllai dhe unë jetonim në Tempe, Arizona.

Nëna ime s’mundi të shkonte në varrim. Më kujtohet që një ditë e gjeta një zarf pranë telefonit dhe pasi e hapa e ngazëllyer, gjeta një dorë fotografish të gjyshes sime duke qarë mbi fytyrën e zbehtë dhe të gurtë të burrit të saj të vdekur. Gjyshja ime Marika ia kishte dërguar nënës sime fotografitë e varrimit, diçka që siç duket grekët e bëjnë.

Jashtë shtëpisë së Panagiotis gjenden dy tavolina të stërmbushura me ushqime. Takis është i zënë duke bërë skarë copat e fundit të asaj që duken si 10 kilogramë biftek dhe hamburgerë. Më thotë se “fotografinë” e solli për mua: një portret të familjes Houzouris me kornizë të bukur, që qëndronte mbështetur në një karrige plastike të bardhë.

Pasi mbaroi me skarën, Takis ulet pranë meje dhe më pyet se çfarë dua të di. S’di greqisht mjaftueshëm sa t’i them se dua ta di se si ndihen për historinë tonë familjare dhe se jepem më shumë pas përshtypjeve, sesa fakteve. Teksa e sheh përpjekjen time për të komunikuar, Panagiotis vazhdon ta ndërpresë lehtazi bisedën, duke i kërkuar babait të tij të më përshkruajë gjyshin tim. Edhe të tjerët na bashkohen. Gjyshi im ishte jashtëzakonisht qesharak, i sjellshëm, idealist, thonë ata, por edhe “tejet i shkurtër”. Krejt këto të vërteta.

Familjet e gjyshes dhe gjyshit të autores në periudhën ndërmjet dy luftërave, para se të ndaheshin nga tre luftëra. Foto: Arkivi i familjes së autores.

I dëgjoj disa pjesë të historisë që tashmë i di: se gjyshi im u lind në vitin 1918 në fshatin Kolindros në pjesën qendrore të Maqedonisë greke. Babai i tij Dimitris ishte mësuesi vendas dhe nëna e tij me sa duket ishte trashëgimtarja e pasur e fshatit. Ishte i pesti nga gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Vendosi ta ndiqte shkollën për mjekësi në Athinë në vitin 1935, ku u bë komunist në vitet e vështira të diktaturës së Metaxas, duke e zhgënjyer tepër shumë babain e tij.

Në vitin 1940 e thërrasin për të luftuar në luftën greko-italiane dhe më pas në Luftën e Dytë Botërore. Teksa refuzoi atë që mund të kishte qenë një jetë paqësore dhe e begatë si mjek, ai iu bashkua Ushtrisë Demokratike të Greqisë (komuniste në thelb) dhe më vonë luftoi në Luftën Civile Greke, pas së cilës u dëbua në Tashkent, Uzbekistan, atëherë pjesë e Bashkimi Sovjetik, së bashku me shumë komunistë të tjerë grekë dhe maqedonas. Këtu e takoi gjyshen time Chrisoula. Dhe këtu u lind nëna ime.

Takis më tregon se si babai i tij u burgos, se si gjyshi i tij Dimitris u shpall tradhtar për shkak të djalit të tij komunist Stefanos.

E pyeta Takis, pasi që e dija se askush tjetër në familje nuk ishte me orientim politik të majtë më të vendosur se ai, nëse dikush nga familja e pësoi për shkak të gjyshit tim Stefanos. “Sigurisht!” qan ai. Takis më tregon se si babai i tij u burgos, se si e futën në listën e zezë të policisë për dekada të tëra, se si gjyshi i tij Dimitris u shpall tradhtar për shkak të djalit të tij komunist Stefanos. Ma kapë krahun dhe sytë e tij të kaltër të çiltër fillojnë të rrjedhin lot. “Do të qaj”, thotë ai, me sy të përlotur, gjë që edhe mua më bën të qaj.

Familja nuk vihet në siklet kur fillojmë t’i shprehim emocionet tona. Po bisedonin pak më tutje dhe ushqimi po mbaronte me shpejtësi. Aty-këtu na ndërpresin me ndonjë pyetje a koment se çfarë përshtypje të jashtëzakonshme u kishte lënë gjyshi im. Askush nuk duket se mban mëri ndaj njeriut, që me sa duket i shkaktoi shumë dhimbje familjes duke zgjedhur të luftojë për një kauzë. Ata thonë: Ka shpëtuar jetë! E ka diagnostikuar fëmijën tim! Ishte jashtëzakonisht i sjellshëm! Kishte sens të pabesueshëm humori! Ishte idealist! Dhe ishte shumë, po shumë i shkurtër! 

Fillon të bie shi, kështu që shkojmë e grumbullohemi nën tendë në verandë, ku në tryezë përzihen një tortë gjigante me çokollatë, tre lloje akulloresh dhe dy tabaka të mëdha me kek çokollate dhe jogurt luleshtrydhesh.

Gjindem e ulur pranë burrit të kushërirës sime Poleta, një burrë i pashëm, gojë plot, me flokë të thinjur të mbajtura mirë. Teksa bisedonim miqësisht për ëmbëlsirat, e shtroj pyetjen: Si ndihen grekët për Marrëveshjen e Prespës, për ndryshimin e emrit të vendit tim në “Maqedoni të Veriut”? Më shikon dhe më thotë me ton të prerë, por butësisht, grekët mendojnë se kjo ishte “prodosia”. Prapë, si shumë hera të tjera, nuk e kuptoj fjalën kyçe. “Çfarë është prodosia”? Iu thërras nipave të mi të zgjuar dhe të bukur 20-vjeçarë, të cilët përkthenin në gjuhën angleze gjatë gjithë ditës. “Tradhti”! ma presin.

Muzgu bie dhe familja fillon të këndojë. S’mund t’iu bashkohem aq shumë sepse nuk di asnjërën nga këngët greke. Ndoshta është koha për të shkuar, them me vete. Futem brenda në shtëpi për të shkuar në tualet dhe mbyll dyert e mëdha të ballkonit pas meje. E vetme në sallonin e madh e të errët, zërat më tingëllojnë si të largët dhe shqisat e mia kthjellen. Kjo pjesë e shtëpisë është e vjehërrisë së kushëririt tim, të cilët tash janë rreth të 80-tave.

Mbyll sytë dhe marrë frymë thellë nga hunda, pasi e ndieva aromën e banesës së gjyshërve të mi. Pyes veten se nga buron kjo erë e veçantë. Kërkoj mes një përmbledhjesh hekurash të stilit të vjetër në madhësi të ndryshme mbi një vatër dhe një duzinë bishtash barinjsh në një kovë; më shumë se tridhjetë pjata dekorative të varura në mure mbi një shumëllojshmëri të madhe hajmalish për nafakë. Qindra xhingla miniatura prej porcelani dhe qelqi grumbullohen në raftet e dollapëve të vjetër të bërë prej druri të errët e cilësorë.

Në majë të gishtave futem në dhomën e gjumit dhe gjej muret e mbuluara me fotografi familjare të dasmave dhe pagëzimeve. Në një cep pranë krevatit, disa ikona dhe kryqe e zbukurojnë murin. Qirinj të vendosur mbi thasë me tyl ngjyrë rozë rrinin si të harruar në cepin tjetër të dhomës, sipër një karrige të vjetër kashte. Dhe ngadalë e kuptoj se aroma e njohur e kaq shumë shtëpive greke ku kam qenë, është aroma e një kishe.

Shtëpia e pastër e një nëne

Një rrëmujë e këndshme me xhingla, suvenire dhe objekte të çuditshme mbushnin edheshtëpitë e gjyshes sime Marika. E kisha zakon ta tërhiqja një sirtar ku gjeja një palë çorape deri tek gjunjët pranë një grumbulli prej çarçafësh për jastëk dekorativ të qëndisura dhe një kuti plot me pulla ose karamele bajamesh të ndenjura.

I kam, apo i kam pasur, dy gjyshe. Njëra ishte Marika ime e dashur, gruaja e dytë e gjyshit tim, e cila s’ka pasur kurrë fëmijë. Dhe tjetra Chrisoula Pouliou, gjyshja ime biologjike, e cila vdiq gati një dekadë para se të lindja dhe jeta e vështirë e së cilës ishte, besoj, pa rrëmujë dhe pa kënaqësi të vogla.

Marika ishte sllave maqedonase nga qyteti i Giannitsa në Greqinë veriore. Burri i saj i dashur Andon kishte vdekur disa vjet përpara se ta takonte gjyshin tim vejan në Shkup në fund të viteve të ’70-ta.

Historia e gjyshes sime Chrisoula, e cila ishte vetëm 48 vjeç kur vdiq në vitin 1973, kushtëzohet tragjikisht nga të qenit grua. E lindur në vitin 1924 në fshatin Mavreli të Thesalisë, ishte njëra nga gjashtë fëmijët. Si gjyshi im, edhe ajo vinte nga një familje me të ardhura të mira: gjyshi i saj ishte kryetar komune, babai i saj mjek dhe nëna e saj, të cilën njerëzit e quanin “giatrina” (gruaja e mjekut) themeloi mullirin e parë në rajon dhe arriti t’i shpëtojë familjet nga uria gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më i madhi nga vëllezërit e gjyshes sime, Giorgios, shkoi për t’i ndjekur studimet për drejtësi në Athinë në fund të viteve të ’30-ta dhe u bë komunist. Dy vëllezërit e tij më të vegjël Sterios dhe Vasilis e ndoqën shembullin. Pas luftimeve në Luftën e Dytë Botërore, iu bashkuan komunistëve në Luftën Civile Greke. Çfarë ndodhi pastaj ishte tragjedi: Njësia e Georgios u zu në pritë dhe ai bëri vetëvrasje duke u hedhur mbi një granatë.

Xhaxhai i madh i autores Sterios (në këmbë, në mes) ishte luftëtar komunist në luftën civile, para se të internohej në Uzbekistan. Foto: Arkivi i familjes së autores.

Lufta civile po merrte një fund të përgjakshëm për komunistët dhe gjyshja ime me nënën e saj u urdhëruan të iknin për në mal për t’ju bashkuar partizanëve, ku ndodheshin dy vëllezërit e mbijetuar. Duke u përpjekur të shpëtonin ndonjë gjë nga shtëpia, dy gratë fshehën disa nga sendet e tyre shtëpiake te fqinjët. Por të nesërmen, rojalistët i frikësuan fshatarët që të hiqnin dorë nga çdo gjë që mbanin të familjes Poulios. Grumbulluan gjithçka në mes të fshatit dhe i dogjën. Pastaj i vunë zjarrin shtëpisë së tyre.

Deri në fund të luftës civile, gjyshja ime dhe nëna e saj kujdeseshin për partizanët e fshehur nëpër pyje dhe male. Gjyshja ishte infermiere, stërgjyshja kuzhiniere. Pasi u internua, Chrisoula vazhdoi të punonte si infermiere dhe mami në një spital grek në Tashkent. Një fotografi që e kam të saj, e buzëqeshur me uniformë të bardhë me dy mami të tjera dhe me gjinekologun, duket se është jashtëzakonisht e gëzuar; zakonisht, fotografitë e grave të pasluftës janë të zymta, duke i shfaqur ato të veshura me të zeza, të rraskapitura, të uritura, të përhumbura.

Chrisoula u martua me gjyshin tim Stefanos në vitin 1952 në Tashkent. S’jam e sigurt nëse kjo ishte martesë nga dashuria, apo thjesht martesë si komoditet midis dy refugjatëve që i mbijetuan getos greke në Bashkimin Sovjetik. Gjyshja ime vazhdoi ta siguronte kujdesin dhe të shtonte jetë siç edhe pritej nga gratë: lindi dy vajza, nënën time Eleni dhe tezën time Alexandra-n dhe ia doli ta mbante një gjendje të përsosur pastërtie, diçka shumë e zakonshme në familjet greke.

Ironikisht, ishte kjo besëtytnia në pastërti që pjesërisht ia shkaktoi asaj vdekjen e hershme. Duket se Chrisoula nuk shkonte mirë me gruan e vëllait të saj, Sterios, Anna-n. Anna ishte ruse dhe grekëve refugjatë iu dukej e paturpshme sa i përket stilit të ‘përparimit të saj’. Ajo vishej ndryshe dhe, më e frikshme, nuk e mbante shtëpinë me shkëlqim të pastër. Kjo ndikoi që gjyshja ime dhe nëna e saj ta thërrisnin “Anna, kutërbuesja”. Diçka që, në anën tjetër, çonte në grindje me Sterios.

Gjyshërit e mi, me nënën dhe tezen në krahë, u nisën nga Tashkent për në Shkup në vitin 1967 për t’iu afruar Greqisë. Prisnin që komiteti ushtarak grek të binte, të mallëngjyer të ktheheshin e t’i bashkoheshin familjeve të tyre. Gjyshja u largua nga Uzbekistani pa i thënë lamtumirë vëllait të saj.

Refugjatët komunistë nga Greqia formuan një komunitet në Tashkent. Chrisoula është e dyta nga e majta në të dyja fotot.
Foto: Arkivi i familjes së autores.

Tri vite më vonë mori vesh se ai po vdiste nga kanceri, kështu që mori rrugëtimin e gjatë për në Tashkent, ku u kujdes për të për tre muaj deri sa vdiq. Kur u kthye në Shkup, nuk e njihnin. Obligimi për t’u kujdesur për vëllain e saj, dhe po supozoj, vitet e jetës, të humbura në një debat të kotë, e bënë të vetën. Shumë shpejt edhe ajo u diagnostikua me kancer në gji dhe vdiq ngadalë dhe me dhimbje në Shkup. Është e varrosur në një qytet që ishte i panjohur për të, në një vend ku s’e mësoi kurrë gjuhën. Është vetëm. Herë pas here, nëna dhe babai im e vizitojnë varrin e saj të vetmuar. Dhe e pastrojnë atë.

Pagëzimi, riemërtimi dhe thirrja e emrit

Kur ndodhi pandemia, bashkë me Andrej u vendosëm në shtëpinë në male, të cilën gjyshi e kishte ndërtuar në fillim të viteve të ’70-ta me një shok të luftës civile. Gjyshi im dhe shoku i tij Petar Sarakinov vinin të dy nga Greqia veriore, por gjyshi ishte grek-maqedonas dhe Petar ishte sllav-maqedonas. Shtëpia ndahet vertikalisht në gjysmë, kështu që praktikisht të dy familjet jetonin së bashku.

Pasi kaloj çdo verë aty, jam e bindur se të gjithë flasin greqisht dhe maqedonisht. Dy shtëpi më poshtë ndodhet shtëpia e Dimitar Vrandeliev, një tjetër luftëtar komunist që përfundoi në Tashkent përpara se të transferohej në Maqedoninë socialiste. Dy shtëpi të tjera më poshtë, ishin një çift komunist maqedono-grek që flisnin të dyja gjuhët me fëmijët e tyre, duke përzier  pak rusishten, aty-këtu.

Pastaj, gjatë një vere, kur isha rreth tetë vjeçe, u grinda me njërën nga vajzat fqinje, Viki. Ajo iu kthye nga Beti, nga familja Vrandeliev dhe përqeshi “po luan me fëmijët e grekëve”. Kjo ishte hera e parë që e vërejta secilin lloj ndryshimi në mes nesh. Po atë verë, djemtë merrnin bajgat e lopës dhe me të zhytnin dorezën e shtëpisë së vetme shqiptare në lagje.

Fillova t’i mbaja mend sharjet e kohëpaskohshme që po dëgjoja. Disa maqedonas përdorën shprehjen “Egeec” ose “Egejka” si fyerje për grekët dhe maqedonasit nga Greqia. Pastaj ishte shprehja “Shiptar” apo “Shiptarka” e pashmangshme për shqiptarët. Në ditët e sotme di një repertor edhe më të madh të fyerjeve, që fqinjët e mi maqedonas përdorin këtu kur ankohen se familjet shqiptare kanë blerë disa nga shtëpitë në këtë zonë. Përdorin fjalë që përkthehen në “indianë”, “shoshoni”, “fise” dhe shpeshherë, thjesht “ata”.

Pjesën më të madhe të verave që i kalova këtu, i kaloja me kushëririn tim më të vogël që tani jeton në Phoenix, në Arizona. Kur u lind, e pagëzuan me emrin sllav Borjan. Kur ishte gjashtë-vjeçar, ai dhe tezja ime u shpërngulën në Selanik, për të qenë pranë gjyshit Stefanos, i cili ishte riatdhesuar në Greqi në vitet të ’80-ta dhe kishte hapur një ordinancë atje. Gjyshi im vdiq disa muaj pasi kushëriri dhe tezja u shpërngulën atje.

Për t’u pranuar dhe për të mbuluar identitetin tjetër të tij tjetër, tezja ime ia ndryshoi emrin e kushëririt tim në Ioannis. Por kjo s’kreu punë dhe aq. Në shkollë u përqesh, veçanërisht mësuesit e tij dhe u quajt “turkosllav”. Kushëriri im më thotë se edhe fëmijët shqiptarë përqesheshin nga mësuesit. Një rast që ma tregoi, një mësues e kapi për flokë Enon, një shok klase, shqiptar dhe e detyroi të qëndronte para klasës, duke e rrahur dhe e shau duke i thënë “gamo tin Alvania sou” ose “ta qifsha Shqipërinë tënde”. ” Në moshën 16-vjeçare, kushëriri im u shpërngul në Shtetet e Bashkuara. Aty ndryshoi sërish emrin. Tani quhet John.

Kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, në qershor të vitit 2018, qava nga lehtësimi. Më dukej si një hap i parë për t’i afruar në harmoni të dy anët e familjes sime, të vetes time.

Maqedonia ime është një vend i vogël dhe i varfër me komplekse të thella inferioriteti dhe një problem të rëndë me nacionalizmin toksik. Por të gjitha problemet tona janë përkeqësuar nga nënçmimi që vije nga fqinji jonë më i fortë në jug. Pavarësisht se Marrëveshja e Prespës ishte rezultat i këtij nënçmimi, kur u nënshkrua në qershor të vitit 2018, qava nga lehtësimi. Më dukej si një hap i parë për t’i afruar në harmoni të dy anët e familjes sime, të vetes time.

Por tash e shoh se pasojat janë serioze, pasi Bullgaria për momentin po ndjek precedentin e Greqisë duke bllokuar rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe duke u përpjekur të na imponojë pikëpamjet e veta historike, gjuhësore dhe ideologjike. Kjo ka rezultuar në një rritje të nacionalizmit maqedonas dhe, tragjikisht, në tensione më të mëdha etnike midis maqedonasve etnikë të Maqedonisë së Veriut dhe pakicës së madhe shqiptare.

Megjithatë, ende besoj se Marrëveshja e Prespës ishte e vetmja mënyrë për të ecur përpara. S’mund të mos mendoj për gjyshërit e mi dhe jetët e tyre në të dy anët e kufirit. Me siguri, besoj unë, do të ndiheshin të lehtësuar kur t’i shihnin përsëri të dy popujt duke shkuar mes vete, kur e di se sa shumë i kanë urryer nacionalistët dhe çfarë sakrificash kanë bërë ata dy për hir të idealeve të tyre.

Teksa jetoj në shtëpinë që e kanë ndërtuar gjyshërit e mi, prania e tyre vazhdon ende me aromën që s’venitet nëpër qoshe të ndryshme. Dhe unë ende po i sillem përreth librit serioz të gjyshit tim, duke lexuar fragmente të vogla aty-këtu. Si shkrimtare, përkthyese dhe profesore e letërsisë, më pëlqejnë sidomos fjalitë e fundit të librit — një nga të vetmet seksione që kam gjetur kuptimin e saktë — ku zëri i gjyshit tim kumbon ende i gjallë dhe i vërtetë:

“Lexo, lexo, lexo: kjo është pikërisht ajo që armiqtë tanë dashakeq s’duan që ne të bëjmë. Kur lexon mund ta vëresh lehtësisht dallimin mes aromës së mirë dhe kalbjes nga era e keqe, mes qenieve të gjalla dhe të pajeta; do t’i dallosh hajdutët dhe gënjeshtarët, do ta dallosh dritën nga errësira dhe të vërtetën nga gënjeshtrat e maskuara”.

 

Imazhi i ballinës: Arkivi i familjes së autores.


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?