Kur Ministria e Shëndetësisë e Kosovës shpalli një thirrje për mjekë vullnetarë në përgatitje për emergjencën e shëndetit publik lidhur me pandeminë e COVID-19, studenti i vitit të fundit në fakultetin e mjekësisë Gent Jakupi ishte ndër të parët që aplikoi.
Së bashku me një grup profesionistësh mjekësorë, ai u vendos në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Nga 18 marsi, konviktet e qendrës së studentëve u shndërruan në hapësira karantinimi ku njerëzit që dyshoheshin se ishin të infektuar me koronavirusin e ri do të izoloheshin për 14 ditë.
Për Jakupin, kjo ishte përvoja e parë si mjek. “I thashë vetes, ‘Erdh koha me e bë punën për të cilën jam shkollu gjashtë vjet’”, kujton ai.
Si pjesë e ekipit mjekësor, ai kryente kontrolle të njerëzve në karantinë dy herë në ditë duke parë se mos u janë shfaqur simptome që lidhen me COVID-19.
Përvoja e parë e punës në ballë të një sëmundjeje pandemike nuk ishte e lehtë për 25 vjeçin, i cili thotë se mungesa e organizimit, frika nga infektimi dhe trysnia nga njerëzit që rezistonin karantinimin e bënë shërbimin në atë vend mjaft të vështirë. Pavarësisht nga sfidat, ai ia doli ta baraspeshonte punën dhe studimin e njëhershëm.
Mjeku i ri Gent Jakupi thotë se është “dëshpëruese” të mos mund të gjesh gjesh vend pune në Kosovë ndërsa prindërit e moshuar duhet të dalin për të punuar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Në maj, lakorja e rasteve të reja me COVID-19 nisi të sheshohej dhe qeveria e Kosovës nisi t’i lehtësonte disa kufizime që kishin qenë në fuqi për dy muaj. Në fund të atij muaji u mor vendimi të mbyllej hapësira e karantinimit në Qendrën e Studentëve.
Për Jakupin, kjo nënkuptonte fundin e angazhimit si mjek vullnetar. Ai kreu studimet dhe u diplomua në qershor, por prej atëherë është i papunë.
Kjo nuk e befasoi fort meqë i njihte mirë sistemin shëndetësor dhe mundësitë e mangëta në Kosovë për mjekët e rinj. Sidoqoftë, ai s’mund ta fshehë zhgënjimin.
“I sheh prindërit të vjetër që janë ende duke punu, ndërsa unë në kulmin e rinisë, energji plot e i papunë. Qikjo ndjenjë po të gërryen”, thotë mjeku i ri.
Ai është vetëm njëri ndër 600 mjekët e papunë në Kosovë. Dhe si shumë nga kolegët e tij, perspektivat e zbehta për punësim në profesionin e zgjedhur e kanë shtyrë ta shqyrtojë një mundësi tjetër jo aq të dëshiruar: ta lë vendin.
‘S’na ka mbetë mundësi tjetër’
Tash për tash, Jakupi po vijon një kurs privat për gjuhën gjermane me një grup mjekësh të tjerë, të cilët po ashtu planifikojnë ta lënë vendin. Ai thotë se vajtja në Gjermani duket se është opsion i rëndomtë për shumë studentë të mjekësisë.
“Në grupin tim të kursit të gjuhës [gjermane] jemi dhjetë persona, prej tyre gjashtë doktora dhe një infermiere”, thotë ai. “Të gjithë janë tu u bo gati me dalë jashtë. S’na ka mbetë mundësi tjetër”.
Drejtori i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) Pleurat Sejdiu thotë se një numër vazhdimisht më i madh i mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë po e lënë vendin. Sipas Sejdiut, mes vitit 2018 deri sivjet, 286 mjekë kanë marrë certifikata për të kaluarën etike dhe profesionale (certificate of good standing), dokument që kërkohet për punësim në vendet e BE-së.
Duke pasur parasysh se çdo vit diplomohen 300 mjekë nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës, Sejdiu thotë se numri i madh i profesionistëve të përgatitur mjekësorë që lënë vendin po paravendos probleme për të ardhmen e shërbimit shëndetësor, i cili tashmë ka një varg problemesh të tjera. Ai thekson nivelin e lartë të papunësisë të profesionistëve të përgatitur mjekësorë, kushtet e dobëta të punës dhe rrogat e ulëta si disa nga arsyet kryesore përse mjekët e lënë Kosovën.
“Me largimin e secilit mjek mbeten boshllëqe, dhe kjo padyshim se vërehet kur kemi të bëjmë me një moshë mesatare mbi 51 vjeçare të mjekëve të punësuar”, thotë ai.
Jakupi pohon se në përgjithësi ka mundësi të pakta në Kosovë për mjekët sikur vetvetja e tij, ndërsa mundësitë për specializim janë të rralla dhe kur paraqiten, shpeshherë janë të papaguara.
Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë hapi një thirrje tjetër për rreth 1,000 mjekë të përgjithshëm për nisjen e specializimit, por do t’i financojë vetëm gjysmën e këtyre pozitave. Thirrja pararendëse ishte në vitin 2016.
Zëdhënësi i Ministrisë Faik Hoti thotë se arsyeja kryesore për këtë boshllëk katërvjeçar sa u përket thirrjeve për specializim ishte buxheti i kufizuar, por ai gjithashtu përmend faktorë të tjerë, përfshirë mungesën e një plani të përshtatshëm për burime njerëzore në shëndetësi — i cili ka afat të kryhet deri më 2021 — dhe ndryshime të shpeshta në kabinetin politik të Ministrisë.
Hoti thotë se shtrëngimet buxhetore po ashtu përbëjnë arsye për faktin se gjysma e vendeve për specializim janë të vetëfinancuara. “Natyrisht që financimi ka peshën e vet, sepse po të kishte financim më të madh, të gjitha specializimet do të mund të ishin me financim nga shteti”, thotë ai.
Por për shumë mjekë të rinj sikur Jakupi, vetëfinancimi thjesht nuk vjen në shprehje.
“[Me këtë] prapë po mbetesh student”, thotë ai. “Të kanë mbajtë financiarisht prindërit 6-7 vjet derisa e ke kry Mjekësinë, tash prapë edhe 4-5 vjet me mbetë barrë për familjen. Është shumë sepse të bjen me e kalu gati gjysmën e jetës pa asnjë rrogë”.
Ndërkohë, pasojat tashmë po ndihen në terren brenda sistemit shëndetësor të Kosovës.
Mungesa e stafit të përgatitur doli në pah veçanërisht në kulmin e parë të infektimeve me COVID-19 gjatë verës, kur spitalet rajonale në Kosovë shprehën shqetësime për pamjaftueshmërinë e specialistëve mjekësorë që duhen për t’u marrë me numrin e madh të të shtrirëve të infektuar me koronavirusin. Në korrik, spitali i Vushtrrisë nuk kishte asnjë specialist të sëmundjeve infektive dhe vetëm një pulmolog, edhe pse ishte përshtatur për t’i shërbyer posaçërisht pacientët me COVID-19.
Prodekani i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës Sefedin Muçaj, i cili njëherësh është epidemiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP), thotë se spitalet rajonale të Kosovës kanë pasur mungesa të mjekëve me specializime të ndryshme, përfshirë epidemiologjinë, mikrobiologjinë dhe sëmundjet infektive, të gjitha prej së cilave janë thelbësore për ballafaqimin me sëmundje sikur COVID-19.
Keqfinancimi shumëvjeçar
Ndonëse pandemia ka shpërfaqur probleme të këtilla strukturore, është sekret publik që sistemi shëndetësor i Kosovës është lënë pas dore për shumë vjet.
Specialisti i shëndetit publik Ilir Hoxha, i cili ligjëron në Kolegjin Heimerer dhe shkollën e mjekësisë të Dartmouth në ShBA, thotë që keqfinancimi është një ndër arsyet kryesore për situatën e tanishme të sistemit shëndetësor.
“Duke pasur parasysh që GDP-në e kemi pasur të vogël, rrjedhimisht edhe buxheti për shëndetësi ka qenë më i vogël”, thotë ai, duke shtuar që Kosova shpenzon rreth 8% të buxhetit të vet vjetor për shëndetësinë. “Ky 8 përqindësh i bie rreth 250 milionë euro në vit buxhet për shëndetësi, që është më i vogli në rajon”.
Buxheti i Kosovës për shëndetësi, i cili kryesisht mblidhet përmes taksave, përmbush vetëm pjesërisht nevojat e popullatës për kujdes shëndetësor. Shumica e shërbimeve shëndetësore në sistemin publik të Kosovës në fakt ofrohen falas nga shteti, përveç disa pagesave shtesë (të përdoruesve) të cilat kryhen nga pacientët. Por ç’është e vërteta, rreth 40% e shpenzimeve mbulohen nga vetë pacientët përmes pagesave të drejtpërdrejta.
“Problemin kryesor e kemi me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, pasi që shumica e shërbimeve nuk janë në dispozicion”, thotë ai. “Kur i ke në dispozicion duhesh me i pagu, pasi që ose i ke në privat ose jashtë vendit”.
Sistemi i shëndetësisë i Kosovës ka pësuar prej vitesh nga keqmenaxhimi dhe keqfinancimi, kurse qytetarëve u mbetet t’i vuajnë pasojat. Photo: Atdhe Mulla / K2.0.
Mungesa e pajisjeve të mirëfillta mjekësore po ashtu ka qenë e vërejtjshme gjatë pandemisë së COVID-19, duke marrë parasysh që Kosova kishte vetëm 95 respiratorë kur u konfirmuan rastet e para të COVID-19 në mars. Prokuroria e Kosovës po ashtu po heton vdekjen e disa pacientëve me COVID-19 pas problemeve me pajisjet e oksigjenit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në korrik.
Ndërkaq, një studim nga viti 2018 vlerëson se brenda një viti, 80% e shtëpive në Kosovë shpenzojnë para për barna, prodhime farmaceutike, pajisje mjekësore dhe shërbime diagnostike ose jashtëspitalore, shumica e të cilave mbulohen formalisht nga sistemi i shëndetësisë publike. Ata që nuk mund ta përballojnë pagesën mbeten pa kujdes të mirëfilltë.
Ky problem nënvizohet në raportin e fundit vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën.
“Shkalla e varfërisë do të thotë që rreth një e pesta e popullsisë ka qasje shumë të kufizuar në kujdes shëndetësor”, thotë raporti. “Qasja në kujdes themelor shëndetësor është falas, por shpenzimet për shërbime diagnostike dhe barna nuk kompensohen”.
E kaluara e trazuar dhe e ardhmja e paqartë
Sistemi i tanishëm shëndetësor ka rrënjët në periudhën jugosllave, kur Kosova ishte provincë autonome brenda federatës socialiste. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, ofrimi i shërbimeve shëndetësore u rrit dukshëm, me ç’rast u përmirësua shëndeti i popullsisë.
Sipas të dhënave historike në librin e Oliver Schmitt-it “Kosova: Histori e Shkurtër e një Treve Qendrore Ballkanike”, para vitit 1945, Kosova kishte vetëm 21 mjekë dhe 390 shtretër në të gjitha qendrat shëndetësore, ndërsa në vitet e 70-ta kishte afro 500 mjekë dhe më se 3,000 shtretër.
Jetëgjatësia mesatare në Kosovë po ashtu u rrit gjatë kësaj periudhe, nga 47 vjet në vitin 1952 në 61 sosh më 1968. Sidoqoftë, prapë ishte më e ulët sesa në republikat e Jugosllavisë, ku jetëgjatësia mesatare ishte 66 vjet.
Çdo zhvillim në sistemin shëndetësor të Jugosllavisë ishte penguar rëndë nga luftërat dhe konfliktet që shoqëruan zhbërjen e saj. Kjo u ndie sidomos në Kosovë, ku vazhdimësia e sistemit publik të shëndetësisë — si dhe pjesës tjetër të jetës publike — pothuajse u ndërpre për popullsinë me shumicë shqiptarë për një dekadë.
Pasi regjimi i Milošević-it e suprimoi autonominë e Kosovës në mars të vitit 1989, qeveria serbe mori nën kontroll sistemin shëndetësor të Kosovës dhe e mbylli Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Shkollimi i shqiptarëve u ndrydh brenda një sistemi të improvizuar paralel që veproi në shtëpi dhe bodrume private, kurse studentët e mjekësisë shpeshherë dërgoheshin fshehurazi në Shqipëri për të bërë përvojë praktike.
Më se 60% e punëtorëve mjekësorë shqiptarë — të cilët numëronin rreth 2,400 — u larguan ose i lanë vendet e punës si rezultat i masave nga Beogradi. Në ndërkohë, për t’i mbuluar nevojat e kujdesit shëndetësor, shqiptarët organizuan një sistem shëndetësor paralel të quajtur Shoqëria Nëna Terezë, e cila veproi deri në fund të luftës më 1999.
Pas viteve të 90-ta, Kosova dhe shtetet e tjera të reja që u formuan pas rënies së Jugosllavisë bënë reforma në infrastrukturat përkatëse shëndetësore që kishin për qëllim modernizimin. Sidoqoftë, në shumicën e vendeve, këto reforma ishin të ngathëta dhe çuan drejt pakënaqësive të tjera për sistemin.
Sot, shëndetësia në rajon shpeshherë përmendet krahas listave të gjata të pritjes, sistemeve publike joefektive e korrupsionit dhe sikur Kosova, shumica e vendeve të rajonit vuajnë nga ikja e mjekëve nga sistemet e çrregullta shëndetësore, në kërkim të perspektivave më të mira jashtë.
Rreth 300 mjekë lënë Serbinë çdo vit, ndërsa Oda Mjekësore e Bosnjës dhe Hercegovinës raportoi se 267 mjekë kanë lënë vendin vetëm në vitin 2018. Një trend i ngjashëm është shënuar po ashtu në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Shqipërinë fqinje, ku më se 200 ikin çdo vit.
Si rrjedhojë, numri i mjekëve aktivë në Ballkan është më i ulëti në Evropë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Shqipëria ka numrin relativisht më të vogël të mjekëve në kontinent, me 128 mjekë për 100,000 banorë. Bosnja dhe Hercegovina ka 188, Mali i Zi ka 234, Maqedonia e Veriut ka 280 dhe Serbia ka 307. Për krahasim, vendet e BE-së kanë mesatarisht 369 mjekë për 100,000 banorë.
Kur flet për të ardhmen e sistemit të shëndetësisë në Kosovë — për të cilën OBSh-ja nuk jep të dhëna të veçanta — mjeku i sapodiplomuar Gent Jakupi tingëllon pesimist. Ai thotë se me trendin e ikjes së mjekëve, do ta arrijmë një pikë ku nuk do të ketë mjaftueshëm personel mjekësor për t’i mbuluar nevojat e popullatës.
Nëse gjithçka shkon sipas planit të tij, këtë kohë në mot Jakupi do të punojë në një ndër spitalet e Gjermanisë. Por ai thotë që kjo nuk është e ardhmja që kishte në mendje kur u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 2013.
“Nuk është që po kemi shumë qejf me dalë”, thotë ai. “Po duhet prej zorit”.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.