Pikëpamje | Kulturë

Muzetë e Kosovës pas Koronës: Një mundësi për ndryshim

Nga - 05.05.2020

Krijimi i një kulture të re dhe energjike të muzeve në Kosovë.

Përhapja e koronavirusit i ka detyruar shumë institucione kulturore të eksperimentojnë me zgjidhje të reja onllajn për ta vazhduar kontaktin e tyre me njerëzit. Nëpërmjet vizitave virtuale dhe ekspozitave onllajn, muzetë anembanë botës po kontaktojnë me publikun. 

Në Kosovë, Muzeu Etnografik po ofron vizita virtuale. Qendra e Dokumentimit e ka publikuar onllajn ekspozitën e saj “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. Ndërsa Galeria Kombëtare e Kosovës ka vendosur punime artistike dhe tekste të shkurtëra shpjeguese në faqen e saj në Facebook për ta krijuar një ekspozitë virtuale.

Ky është një hap i madh në përpjekjet për t’i bërë muzetë më të qasshëm për publikun. Por çfarë do të ndodhë kur të përfundojë pandemia? A do të kthehemi në normalitet, apo muzetë dhe institucionet kulturore të Kosovës do të zhvillojnë mënyra të reja dhe inovative të punës?

Kjo mund ta sjellë një revolucion për muzetë, në të cilët prania fizike nuk është e domosdoshme për t’i shijuar pasuritë kulturore.

Të motivuar nga numrat e reduktuar të vizitorëve në vitet e fundit, shumë muze në Evropë dhe SHBA janë munduar të gjejnë mënyra të reja për ta tërhequr publikun. Integrimi i teknologjive të reja ka qenë zhvillim i rëndësishëm në disa muze. 

Muzeu i Artit në Cleveland, për shembull, e ka instaluar një studio të artit virtual për ta krijuar një ekspozitë e cila jo vetëm që është interaktive, por është krejtësisht e krijuar nga vizitorët. Gjithnjë më shumë po organizohen edhe turne të realitetit të zmadhuar (augmented reality) nëpërmjet telefonëve mobilë të vizitorëve.

Megjithatë, adaptimi i muzeve në botën moderne shkon përtej teknologjisë. Gjithnjë e më shumë pritet që muzetë të angazhohen me komunitetet lokale të tyre, për t’u larguar nga perceptimi i përgjithshëm i muzeve si institucione elitiste për snoba.

Këto inovacione mund të marrin forma të ndryshme, nga programet speciale për fëmijë, e deri te shkolonizimi i muzeve evropiane në mënyrë që të tërheqin audiencë më të gjerë dhe shumëkulturore. 

Së fundmi, Muzeu i Amsterdamit ka vendosur të mos e përdorë termin “Epoka e Artë” për t’iu referuar Shekullit të 17-të për shkak se ky term nuk i merr parasysh çështjet që kontribuan në pasurinë e Amsterdamit, si lufta dhe trafikimi njerëzor. Gjithashtu mori vendim për të punuar në mënyrë aktive jashtë ndërtesës kryesore të muzeut dhe për t’u bërë partner me organizata tjera në mënyrë që të tërheqë më shumë prej banorëve të qytetit, duke e decentralizuar kështu muzeun.

Podcast-i Konteksti i K2.0 i trajtoi këto çështje në episodën e fundit për “Muzetë”. 

Hulumtuesit kosovarë po punojnë për ta krijuar muzeun e propozuar “Shtëpia e Hërticëve” për të treguar se si u arsimuan fëmijët shqiptarë në shtëpi-shkolla në vitet e 90-ta kur autoritetet serbe i përjashtuan shqiptarët nga shkollat dhe institucionet tjera shtetërore. Faktor kyçë të planifikimit janë qasja në temë në një mënyrë që i tërheqë audiencat më të reja, duke i theksuar aspektet vizuale dhe tregimtarinë, e jo duke e romantizuar historinë. 

Linda Gusia, sociologja e cila i ka drejtuar këto përpjekje, tha për Kontekstin: “Unë po shpresoj që muzeu i shtëpive-shkolla nuk ka me ra në këtë farë grackën e përpjekjeve për mitizim, edhe për me i dhanë përmasa heroike angazhimit të viteve të 90-ta. Sepse mendoj që te na ekziston një farë kryerrëfimi apo metanarracioni i cili bjen menjëherë, apo kolapson në fakt, në këtë konceptin e heroizmit.”

Krijimi i qasshmërisë dhe përfshirjes

Ekspozitat onllajn janë vetëm një pjesë e këtij procesi që ka për qëllim t’i bëjë muzetë më të hapur. Ato sjellin përparësi praktike, pasi që nuk duhet të presësh në rend dhe ke mundësi ta vizitosh muzeun kur të duash.

Edhe më e rëndësishme është që u jep qasje njerëzve që nuk mund t’i vizitonin muzetë në të kaluarën, përfshirë njerëzit që nuk kanë mundësi të udhëtojnë dhe njerëzit me aftësi të kufizuara që mund të jenë dekurajuar nga mungesa e lehtësimeve në objekte. Prandaj kjo mund ta sjellë një revolucion për muzetë, në të cilët prania fizike nuk është e domosdoshme për t’i shijuar pasuritë kulturore.

Muzeut Kombëtar të Kosovës iu plaçkitën shumë pasuri para dhe pas luftës, dhe sot është ende i skamur me burime dhe ekspertizë.

Ekspozitat onllajn mund ta demokratizojnë qasjen fizike në muze, por angazhimi real i publikut kërkon edhe qasshmëri intelektuale.

Ta marrim për shembull Muzeun e Kosovës. Aktualisht, ekspozita kryesore e tij nuk ofron narracion për vizitorët. Objektet brenda tij janë të shoqëruara vetëm me etiketa që tregojnë se çfarë janë dhe në cilën periudhë e kanë origjinën. Kjo përfaqëson një qasje më të vjetër, tradicionale, në të cilën interesimet e vizitorëve vendoseshin nën ato të kuratorëve.

Nëpërmjet të menduarit modern muzeologjik avokohet për shpjegime të qarta për atë se pse objektet janë të rëndësishme, në mënyrë që vizitorët t’i vënë në kontekst. Kjo nuk do të thotë se duhet t’u tregosh vizitorëve çfarë të mendojnë, por shpjegimet me tekst ose video duhet ta kenë për synim nxitjen e të menduarit dhe pyetjeve, dhe t’i theksojnë një mori mendimesh. 

Pasi u renovua nga 2003 deri në 2018, Muzeu Kombëtar i Serbisë në Beograd tani ka tekste që u shtrojnë drejtpërdrejt pyetje vizitorëve. Një tekst që shpjegon kulturën parahistorike Vinça jo vetëm që tregon për zhvillimin e civilizimit, por pyet “A kishte tensione ndërmjet komuniteteve Vinça? A e rrezikonin banorët e njërit vendbanim stabilitetin e fqinjëve të tyre? Si ndikonin detyrat e përditshme në pozitën e individëve dhe grupeve? A ndaheshin punët në bazë të gjinisë?” Kjo i fton vizitorët jo vetëm ta shikojnë ekspozitën në mënyrë pasive, por edhe të angazhohen me të. 

Sfidimi i konceptit të muzeve

Muzeu i Kosovës ballafaqohet me sfida të mëdha që e pengojnë zhvillimin e koncepteve më të reja muzeologjike, përfshirë këtu një mungesë të kahmotshme të burimeve dhe ekspertizës. Para pavarësisë së Kosovës trajtohej si muze krahinor që shërbente pjesërisht për kanalizimin e artefakteve në Beograd. 

Në edicionin e parë të revistës së muzeut, që u publikua më 1956, drejtori i muzeut ankohet për “qëndrimin jokooperativ dhe të pabesë të stafit të Muzeut Etnografik të Republikës Qendrore në Beograd, të cilët marrin objekte nga zona jonë, pa bashkëpunim me institucionin tonë.”

E shndërruan muzeun në pjesëmarrës aktiv në bisedën politike, në vend të një shikuesi pasiv.

Ky qëndrim vazhdoi me dekada, duke arritur kulmin më 1999 kur shumë prej ekspozitave të muzeut u shfaqën në Beograd dhe nuk u kthyen kurrë. Pas pavarësisë, muzetë thjesht nuk kanë qenë prioritet për asnjë qeveri. Kjo mbase tregohet më së shumti nga fakti se Muzeu i Kosovës nuk ka marrë statut zyrtar për ta zëvendësuar atë Jugosllav deri më 2018. 

Gjithashtu, e ka barrën e të qenit “muze kombëtar” de fakto. Muzetë e tillë shpesh pritet ta tregojnë një histori të posaçme kombëtare që ndihmon ta justifikojë ngritjen e një shteti komb, në vend se ta paraqesin një mori të pikëpamjeve të ndryshme apo interpretimeve të historisë. Madje edhe muzetë që kanë më shumë burime shpeshherë i përshtaten kësaj lufte e pritjeje për ta zbatuar një qasje me më shumë nuancë ndaj të kaluarës.

Fatmirësisht, janë disa nisma të shkëlqyeshme në Kosovë që mund të na çojnë në drejtimin e duhur. Shumë prej tyre janë onllajn dhe mund të shijohen pa e prishur vetizolimin. Nisma Oral History Kosovo, për shembull, jep një pikëpamje bazike të historisë së shekullit të 20-të në Kosovë nëpërmjet intervistave personale. 

Nismat si këto e largojnë historinë nga një interpretim unik që është i shtyer nga elita, dhe japin perspektiva pluraliste. Muzeu i Kosovës aktualisht e ka një projektor për t’i shfaqur intervistat nga Oral History Kosovo, por zakonisht nuk është i futur në përdorim. 

Për më tepër, sfidë për muzetë në Shekullin e 21-të nuk është vetëm përfshirja e perspektivave të ndryshme në një seksion të muzeut, por ta thurin pluralitetin në tërë ekspozitën. Për shembull, një përpjekje për ta rivitalizuar Muzeun kombëtar të Polonisë në Varshavë rezultoi në riorganizimin nga rendi tradicional dhe kronologjik në ekspozita tematike. Punimet artistike u renditën për ta treguar ndikimin e homoeroticizmit në artin klasik.

Ekspozita shkaktoi polemika të mëdha për shkak të temës seksuale. Megjithatë, kuratorët ishin të mendimit që kjo vëmendje ishte më e mirë se apatia dhe numri i reduktuar i vizitorëve, të cilat i kishin përjetuar më parë. Ata demonstruan se të njejtat objekte mund të adaptoheshin për një qëllim tjetër, për të ilustruar pikëpamje të ndryshme.

Muzeu Kombëtar i Polonisë e shndërroi muzeun në pjesëmarrës aktiv në bisedën politike, në vend të një shikuesi pasiv. Ekspozita i angazhoi njerëzit në nivel intelektual, madje edhe emocional, në vend që thjesht të shfaqte objekte. 

Është e qartë që muzetë nuk mund të jenë më thjesht koleksione fizike të objekteve të shoqëruara me përshkrime të shkurtëra. Ato duhet të përpiqen të japin diçka më shumë se një narracion historik unik, apo një paraqitje të artefakteve që janë vetëm për ekspertë. Ato duhet të shtrojnë pyetje dhe ta nxisin publikun të mendojë, dhe të ndryshojnë me kohë. Në botën pas Koronës, ekspozitat onllajn sigurisht që janë një fillim i mirë për t’i bërë muzetë e Kosovës më të qasshëm dhe për t’i sjellë në shekullin e 21-të. Megjithatë, janë vetëm aq: një fillim. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

Ky artikull është pjesë e hulumtimeve më të gjera të mbështetura nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur në kontekstin e projektit “Ndërtimi i Njohurive për Kosovën (v.3.0), gjetjet e së cilit do të publikohen së shpejti.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.