Blogbox | Kulturë

Muzeu “Solomoni” Berat: Muzeu që dokumenton historinë e hebrenjve dhe shqiptarëve

Nga - 16.04.2019

Një muze i rrallë është në rrezik të mbylljes.

I fshehur brenda vitrinës së një dyqani prej druri në një rrugë me gurë kalldrëm në Berat, Shqipëri, Muzeun Solomoni shumë lehtë mund të mos e shohësh. Në dy posterë të vegjël të vënë në mënyrë simetrike, shkruan “Muzeu Solomoni Berat” në shkronja të bardha, që qëndrojnë pezull në një Menorah guri të gdhendur.

Poshtë posterit gjendet një numër i shënuar me dorë dhe bojë shkrimi. I përket Simon Vrushos, pronarit të vetëm, krijuesit dhe ciceronit të muzeut që e dokumenton historinë e hebrenjve në Berat, i cili fatkeqësisht vdiq shkurtin e këtij viti.

Vrusho ia doli të financonte muzeun me anë të penzionit të tij dhe donacioneve modeste. Me vdekjen e tij, Muzeu Solomoni Berat, i cili është muzeu i vetëm i historisë së hebrenjve në Shqipëri, i vetmi muze i hebrenjve në gjuhën shqipe dhe trashëgimi e historive të padokumentuara, është në rrezik të mbylljes.

Kur e vizitova Beratin verën e kaluar, fqinjtë aty afër më ndihmuan të thërrasim numrin e shënuar poshtë posterit dhe gjysmë ore më vonë, Simoni arriti. Një burrë i vogël, energjik me sy që i shkëlqenin dhe një dorështrëngim të fortë, ai me shumë pasion e tregoi historinë e muzeut, një dhomë e ndarë me posterë me korniza të punuara me dorë që japin detaje për praninë e hebrenjve në Berat, ndihmën e shqiptarëve musliman dhe të krishterë gjatë Holokaustit dhe përpjekjet akademike që ta tregojnë këtë histori.

Vrusho gjithashtu e ndau me ne librin e sapopublikuar, “Hebrenjtë e Beratit”, për të cilin shpresonte se do të përkthehej nga shqipja në anglisht. I hapur në maj të vitit 2018, Muzeu Solomoni Berat, ka pasur më shumë se 400 vizitorë ndërkombëtar, nga Lituania dhe Shtetet e Bashkuara deri te Kina, Izraeli, Suedia,Turqia dhe Greqia, të regjistruar në librin shumë të përdorur të musafirëve të mbushur me pikëçuditëse dhe fytyra të qeshura.

Qyteti i Berati është i njohur për përbërjen e tij me shumë kultura të ndryshme, trashëgimi kulturore nga UNESCO për arkitekturën e tij të veçantë të frymëzuar nga trashëgimia antike ilire dhe greke si dhe sundimi i Perandorisë Bizantine dhe Osmane. Ka një histori të gjatë të bashkëjetesës fetare në mes të katolikëve ortodoksë, të krishterëve, bektashinjve, sunitëve dhe hebrenjve. Në qytet mund të gjesh një kombinim të xhamive, faltoreve, kishave ortodokse dhe pjesën që thuhet të jetë vendi i djegies së një figure të famshme mesianike hebreje .

Disa mendojnë se hebrenjtë kanë qenë pjesë e një përzierje të shumëllojshme fetare në tërë Shqipërinë që nga shekulli i dytë, kur hebrenjtë romaniotë u zhvendosën në Shqipëri, sipas zbulimit të një sinagoge të shekullit 15-të në Sarandë. Në fundin e shekullit 15-të, sulltani osman i ftoi hebrenjtë të jetojnë në Perandorinë Osmane si pasojë e inkuizicionit dhe dëbimit spanjoll.

Sabbatai Zvi, një rabin dhe kabalist me prejardhje nga Izmiri, ishte një profet hebre i famshëm i shekullit 17-të.

Kjo shkaktoi një valë të migrimit të hebrenjve sefardikë matanë perandorisë, duke përfshirë këtu Shqipërinë dhe pjesë të Kosovës së sotme. Hebrenjtë më së shumti u vendosën në qytetet bregdetare të Vlorës dhe Durrësit, por më vonë disa u zhvendosën në Berat në shekullin e 17-të. Aty, iu bashkuan përzierjes shumë-fetare me shumicë të popullatës muslimane që jetonin bashkë me të krishterët.

Megjithëse popullata u venit nga konvertimet në islam, bashkësia u forcua nga një valë tjetër e migrimit nga Janina, e cila solli rritjen e popullsisë hebreje në Gjirokastër, Elbasan dhe Shkodër.

Muzeu i ka dy referenca historike të veçanta që e përforcojnë këtë histori tashmë të pasur: figura “heretike” e profetit të shekullit 17-të Sabbatai Zvi dhe roli i shqiptarëve musliman dhe të krishterë gjatë Holokaustit.

Sabbatai Zvi, një rabin dhe kabalist me prejardhje nga Izmiri, ishte një profet hebre i famshëm i shekullit 17-të. Zvi udhëtoi nëpër Izmir, Rodos, Selanik, Kairo, Gazë, Jerusalem dhe Siri dhe në disa vende tjera. Lëvizja e tij mori një përkrahje të madhe ndërkombëtare nga mesi i viteve 1600. Kjo ndryshoi në vitin 1666 kur autoritetet osmane e burgosën Zvi-në në Konstandinopojë dhe Gallipoli nën akuzat për kryengritje.

Sulltan Mehmedi i IV-të e bëri Zvi-në të zgjedh mes konvertimit apo vdekjes; ai u konvertu më vonë atë vit në Adrianopolje (Erdinja e sotme). Pas kësaj herezie, Zvi, ishte dënuar nga autoritetet rabine. Në fillim u punësua nga sulltani dhe jetoi në Adrianopolis dhe Konstandinopojë, por më vonë mërgoi në Dulcino (Ulqini i sotëm) pasi u zbulua se përkrahësit besnikë vazhduan ta vizitojnë dhe të këshillohen me të.

Në arrati si një zyrtar i penzionuar osman, Zvi jetoi tri vjet e gjysmë të fundit të jetës së tij në Dulcino. Disa thonë se e vizitoi Beratin në këto vitet e fundit dhe disa thonë se vdiq në Dulcino.

Pas konvertimit të tij dhe pas vdekjes, Sabbatai ende kishte përkrahës, disa prej të cilëve u konvertuan në islam dhe njiheshin si donmeh, kripto-hebrenj (hebrenj të fshehtë) që nga pamja e jashtme dukeshin musliman ndërsa në fshehtësi e praktikonin judaizmin. Këta përkrahës ekzistojnë edhe sot edhe pse numri i tyre është më i vogël.

Të shpërndara kudo në Ballkan janë vendet e ndryshme të pelegrinazhit të lidhura me udhëtimet e Sabbatait brenda Perandorise Osmane, prej Izmirit, ku ai u rrit dhe studioi, në Ulqin ku i kaloi vitet e fundit të jetës dhe në pjesën rreth Beratit dhe fshatrave të tij, ku disa thonë se është varrosur. Vendi i djegies së Sevi-t thuhet të jetë në oborrin mes Xhamisë së Mbretit të Beratit dhe Teqes së Helvetive.

Muzeu Solomoni Berat është i vetmi vend në këtë zingjir që në mënyrë të vazhdueshme dhe të qartë e përmend Zvi-në. Skema e muzeut Solomoni që ka fotot e Zvi quhet: SABBATAI ZEVI. “Ku varroset një hebre, Vendi bëhet i shenjtë,” duke sugjeruar se Vrusho besoi se Zvi ishte varrosur në Berat.

Kur Shqipëria ishte në fillim nën kontrollin e Gjermanisë në vitin 1943, qeveria e saj refuzoi t’ua japë listën e hebrenjve që jetonin në Shqipëri.

Historia tjetër e rëndësishme dhe ajo që përmendet më së shumti, është se muslimanët dhe të krishterët e Shqipërisë i shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit. Kjo histori tash së voni u zbulua si pasojë e rënies së Republikës Popullore të Shqipërisë në vitin 1992.

Forcat italiane e pushtuan Shqipërinë në vitin 1939, por sundimi i tyre dëshmoi të ishte më i butë në krahasim me zonat e pushtuara nga forcat gjermane. Rasti i njëjtë nuk ishte në Kosovën fqinje e cila e ndarë në mes Serbisë dhe Italisë dhe e përfshirë në Shqipërinë fashiste në vitin 1941. Kur qindra hebrenjë nga Kosova e okupuar nga Gjermania u dërguan në kampet e koncentrimit në Serbi, Austri dhe Gjermani, autoritetet vendore iu ndihmuan hebrenjve të ikin në pjesët rurale të Shqipërisë.

Në vitin 1942, rreth 600-1200 hebrenjë ikën dhe shkuan në Shqipëri ku familjet shqiptare i morën dhe i fshehën përreth Beratit, Kavajës, Krujës, Tiranës, Fierit, Shijakut dhe Shkodrës. Muzeu Solomoni i tregon ngjarjet e banorëve musliman dhe të krishterë  që rrezikuan jetët e tyre për t’i ndihmuar hebrenjtë.

Muzeu Solomoni Berat është trashëgimi e rrallë e këtyre historive pak të treguara si dhe rezultat i interesimit të pamasë të një njeriu.

Përderisa disa prej refugjatëve hebrenjë në Shqipëri patën fate mizore gjatë okupimit italian, të gjithë këta që jetonin në Shqipëri që nga kontrolli i Gjermanisë në vitin 1943, përveç një familjeje, u mbrojtën. Kjo ndodhi sepse kur Shqipëria ishte së pari nën kontrollin e Gjermanisë në vitin 1943, qeveria e Shqipërisë refuzoi t’ua japë listën e hebrenjve që jetonin në Shqipëri.

Veprimet e marra nga qeveria bashkëpunuese e Shqipërisë, si dhe nga qytetarët e saj për t’i mbrojtur hebrenjtë ka qenë në mënyrë të famshme e lidhur me idenë e besës. Për shkak të kësaj, numri i hebrenjve në Shqipëri u rrit pas Holokaustit prej rreth 200 deri në 1,500 persona falë banorëve të Beratit.

Muzeu Solomoni Berat është një trashëgimi e rrallë e këtyre historive pak të përfaqësuara dhe rezultat i interesimit të pamasë të një njeriu. Më kujtohet gëzimi i  Simon Vrushos kur e kuptoi se njerëz prej dy vendeve të reja kanë nënshkruar në librin e tij të musafirëve. Ai madje u ul t’i bëjë foto ngjarjes, duke buzëqeshur.

Shpresoj se ky institucion i veçantë do ta marrë financimin e nevojshëm që të vazhdojë të mbledhë vizitorë të rinj dhe të prodhojë njohuri të re edhe pas vdekjes së njeriut që e bëri këtë të mundur.   

Foto kryesore: Rachel Pafe