Një numër i konsiderueshëm familjesh, që nuk e kanë asnjë anëtar të punësuar, të vetmet të ardhura i kanë nga skema për ndihma sociale, e cila financohet nga buxheti shtetëror.
Kosova është një ndër vendet më të varfëra në Evropë me shkallë të lartë të papunësisë prej rreth 26%, derisa 23% të popullsisë që jeton në ose nën kufirin e varfërisë. Vetëm gjatë muajit mars të këtij viti rreth 26,000 familje kanë përfituar nga kjo skemë.
Por, për mënyrën se si është e rregulluar skema sociale që zbatohet që nga viti 2003, është debatuar gjatë. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë premtuar — dhe disa nga ta kanë hedhur hapa para — reformimin e kësaj skeme. Ndërkohë një projektligj i veçantë për ndryshimin e ligjit ekzistues është duke pritur aprovimin nga qeveria.
Kritika kryesore drejtuar kësaj skeme është se ajo nuk i përfshin të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të, shkurajon punësimin dhe se shumat e dedikuara në kuadër të skemës nuk i mbulojnë as për së afërmi nevojat e përfituesve. Megjithatë, kjo skemë mbetet skema e vetme që merr për bazë varfërinë.
Për ta reformuar skemën e ndihmës sociale, qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje!, ka kërkuar mbështetje financiare dhe ekspertizë nga Banka Botërore (BB). Mbështetja financiare në formë të kredisë prej 47 milionë eurosh u nënshkrua me BB-në në fund të tetorit 2021. Por, këtë marrëveshje, qeveria nuk po arrin ta ratifikojë në Kuvend.
Ndonëse nga qeveria thonë se kjo kredi do të përdoret për pilotimin e një reforme të skemës, nuk ka të dhëna se ç’përmban kjo reformë, si do të kryhet pilotimi e as nëse kjo reformë është e ndërlidhur me nismën për ndryshimet ligjore që do të ishin të domosdoshme për zbatimin e reformës. Ndërsa, kundërshtuesit e kësaj marrëveshjeje thonë që kredia do të përdoret vetëm për t’i mbuluar shpenzimet e pagesave direkte të përfituesve të skemës së ndihmës sociale, të cilat përndryshe i kushtojnë buxhetit shtetëror mbi 30 milionë euro në baza vjetore.
Sipas një raporti të Institutit GAP, marrja e rreth 43 milionë eurove kredi për të paguar një pjesë të transfereve për familjet që janë pjesë e skemës është e panevojshme financiarisht dhe mund të shërbejë si precedent jo i mirë në të ardhmen.
Si identifikohet varfëria?
Sipas klasifikimit të BB, ndihma sociale është një nga katër shtyllat e mbrojtjes sociale në një vend, ku përfshihen edhe shërbimet sociale, sigurimi social dhe programet e tregut të punës. Ndihma sociale synon t’i mbrojë njerëzit nga rënia në varfëri dhe t’u ofrojë mbështetje në pika të caktuara të ciklit të jetës apo në përgjigje të ndjeshmërive të veçanta. Në ndihma sociale përfshihen programet që financohen nga qeveria, si pensionet bazike, dhe ndihmat financiare për familjet dhe fëmijët.
Të dhënat për qytetarët që jetojnë në varfëri në Kosovë nuk janë përditësuar që nga viti 2017 dhe përcaktimi i përfituesve dhe i ndihmës që ata marrin ende bëhet me të dhënat e para pesë viteve. Këto të dhëna, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe BB, treguan se shkalla e varfërisë në Kosovë ishte 18%, kurse varfëria e skajshme 5.1%.
Këto dy nëndarje përdorin dy kufij të varfërisë. Qytetarët që jetojnë me 1.85 euro në ditë vlerësohet të jetojnë në kufi të varfërsisë, i cili konsiderohet i mjaftueshëm për përmbushjen e nevojave themelore. Ndërkohë, qytetarët që jetojnë me 1.31 në ditë konsiderohen të jenë në varfëri të skajshme.
Numri i familjeve që jetojnë në varfëri apo në varfëri të skajshme në Kosovë mund të jetë rritur pasi me rritjen e çmimeve, rriten edhe kufijtë e varfërisë. Në maj të këtij viti, çmimet ishin për 12.5% më të larta se në majin e vitit të kaluar, derisa pagat si në sektorin privat, si në atë publik, kanë mbetur thuajse të pandryshuara. Çrregullimi i zinxhirit të furnizimit global si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë e ka prekur Kosovën dukshëm për shkak të importit të lartë.
Sipas raportit të BB për Kosovën për vitin 2022, rreth 7% e popullsisë së përgjithshme përfiton nga skema e ndihmave sociale, shkalla zyrtare e varfërisë është rreth 20%, ndërkohë që vetëm një në katër persona në kuantilin e ulët — shtresën me të ardhurat më të ulta — marrin ndihmë sociale.
Ndihmë e varfër
Në sistemin e ndihmës sociale të Kosovës përfshihen rreth 20 skema që synojnë grupe të caktuara. E vetmja skemë e ndihmës sociale e cila prek një grup më të gjerë të shoqërisë është ajo e pensionit bazik, e cila financohet nga buxheti shtetëror dhe përfshin të gjithë qytetarët e Kosovës prej moshës 65-vjeçare. Për të gjitha skemat tjera, përfituesi duhet të plotësojë kritere të caktuara.
Të gjitha skemat sociale, përfshirë ndihmën sociale, i kushtojnë buxhetit shtetëror mbi 400 milionë euro në vit, ku mesatarisht vetëm 32 milionë prej tyre shkojnë për ndihma sociale.
Ligji për skemën e ndihmës sociale është hartuar dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2003. Sipas tij, familjet, të cilat do të mund të aplikojnë për këtë skemë, duhej t’u takonin një prej dy kategorive.
Kategoria e parë përfshin familjet në të cilën të gjithë anëtarët e familjes janë të varur, pra nuk janë në gjendje të punojnë.
Kateogria e dytë përfshin familjet me një anëtar/e të aftë për punë, por i/e cili/a është i/e papunë dhe ka nën përkujdesje të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeçe ose një jetim nën moshën 15 vjeç.
Për t’u përfshirë në skemat sociale, familjes i duhet të shtrojë kërkesë tek institucionet relevante lokale dhe të prezantojë dokumentacionin e nevojshëm për kategorinë përkatëse. Familjet aplikuese e kalojnë një test të “varfërisë” — mjeteve — ku pikët merren në bazë të burimeve të të ardhurave, përbërjen e familjes, pronësinë e disa llojeve të aseteve dhe karakteristikat e vëzhgueshme të jetesës/strehimit. Për më shumë, institucioni përgjegjës kontrollon të ardhurat formale të raportuara nga familjet përfituese në Administratën Tatimore në baza mujore dhe nëse ato janë mbi kufirin e përshtatshmërisë, familjet largohen nga programi.
Familjet që hyjnë në kategorinë e parë kanë të drejtë në ndihmë sociale të përkohshme për një vit, ndërkohë ato të kategorisë së dytë për gjashtë muaj. Për ta ripërtërirë këtë ndihmë, familjeve të kategorisë së parë u duhet të aplikojnë çdo vit, ndërsa atyre të kategorisë së dytë çdo gjashtë muaj.
Por, sipas Bankës Botërore, kushte dhe kritere të tilla kufizuese përjashtojnë të varfërit që punojnë dhe mund të krijojnë stimuj për përfituesit për të punuar joformalisht dhe/ose për të marrë statusin e aftësisë së kufizuar për të ruajtur përshtatshmërinë për skemën.
Shuma e dhënë për familjet përfituese të kësaj skeme varet nga numri i anëtarëve të familjes. Në vitet 2003-2004, shuma e ndihmës sociale shkonte nga 34 euro për një familje me një anëtar deri në 112 euro për familjet me 15 anëtarë. Gati dy dekada më pas, kjo shumë është rritur për vetëm 26 euro për familjet me një anëtar — tash ata marrin 70 euro, ndërkohë vetëm 68 euro për familjet me 15 anëtarë — tash ata marrin 180 euro. Familjet që përzgjidhen në këtë skemë, marrin pesë euro në formë të shtesës për fëmijë deri në 18 vjeç.
Por, shuma e ndihmave sociale nuk është rritur përkitazi me nivelin e rritjes së standardit të jetesës ndër vite. Nëse i marrim shumat e ofruara për person, i bie që nga ndihmat sociale një familje me tre anëtarë merr 1 euro në ditë për anëtar. Ndërkohë, një familje me 15 anëtarë merr 0,40 euro në ditë për anëtar. Këto shuma janë nën kufirin e varfërisë.
Çka pritet?
Në vitin 2017, kur po qeveriste koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës, ishte aprovuar Strategjia Sektoriale e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) 2018-2022, e cila përveç që identifikonte problemet e skemës së ndihmave sociale, parashihte edhe plotësim-ndryshimin e kornizës ligjore për këtë skemë. Kjo strategji solli edhe hartimin e një koncept-dokumenti, i cili u miratua nga qeveria në vitin 2020 dhe që parashihte ndryshimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale. Por, me ndërrimin e shpeshtë të qeverive gjatë tri viteve të fundit, ende nuk ka ligj të ri.
Koncept-dokumenti parashihte masa për largimin e kritereve që parashihen me kategoritë e parë dhe të dytë të ligjit aktual; mundësi përzgjedhjeje dhe përfitimi për të gjitha familjet, të cilat vlerësohen se janë të varfra dhe të cilat nuk kanë mundësi të plotësojnë nevojat bazike të konsumit.
Sipas këtij koncept-dokumenti, përveç përfitimit monetar, përfituesit e skemës së ndihmave sociale do të kenë të drejtë edhe në një sërë përfitimesh dhe lirimesh tjera, si subvencionimin e një shume të caktuar të shpenzimeve të energjisë elektrike, të ujit, të ngrohjes qendrore, pagesave shëndetësore apo arsimore dhe lehtësime të tjera.
Sipas BB-së, nëse kjo reformë zbatohet dhe vlera totale e përfitimeve të shpërndara për përfituesit e skemës e ndihmave sociale mbetet e pandryshuar, përfituesit e varfër do të identifikoheshin me saktësi më të madhe dhe numri i familjeve të varfra me fëmijë do të rritej me 25%. Sipas tyre, një reformë e tillë do të ishte alternativa më e qëndrueshme dhe më ekonomike për trajtimin e varfërisë së fëmijëve në Kosovë.
Projektligji për ndryshimin e skemave sociale ka qenë pjesë e programit legjislativ për vitin 2021 por nuk është aprovuar në qeveri. Projektligji është pjesë edhe e programit legjislativ të vitit 2022 dhe parashihet që të aprovohet në qeveri në fund të muajit nëntor.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/K2.0
Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian
Pse kjo klauzolë?
Prsh
Jam gentjana korra jam me aftesi te kufizuar kam femije pa asnje te ardhur po ju lutem me ndihmoni dritat mi ka prere keshi per arsyje se skam te paguaj kam jetuar gjithe dimrin pa drita pa ngofje duke qendruar ne per spitale me femijet emi ju lutem me ndihmoni tani jam shtatzane nuk kam mundesi te paguaj operacjonin e lindjes jetoj me nje shpi me ternite car bie jashte hyn mbrenda buri nuk punon per arsyje qe kujdeset per mua dhe femijet emi kemi borxhe buri nuk ka mundesi ti laj se eshte I semure vuan me depersjon ju lutem vini doren ne zemer per femijet emi dhe per mua ju lutem me ndihmoni allahu ja shperblefte