Pas një dite të përditshme pune tetë-orëshe, lodhja e Marigona Bujës vërehet në zërin e saj, në pauzat e shpeshta dhe të gjata teksa i lidh fjalitë, e në mënyrën sesi është zhytur në kolltukun e verdhë prej nga flet. Në zyrën e Shoqatës së Prindërve të Ndarë në Prishtinë, ajo dhe shumë prindër të tjerë, shumica nëna, mblidhen shpesh për të shkëmbyer përvojat rreth shkurorëzimeve, si dhe për t’u njoftuar më shumë rreth të drejtave ligjore që u takojnë.
Buja, nga fshati Bujan i Lipjanit, punon në një kompani ndëmjetësimi për organizim ngjarjesh në kryeqytet, teksa gjatë kësaj kohe e lë të bijën pesë vjeçe nën përkujdesjen e prindërve të vet në Bujan, ku jetojnë së bashku.
“Boll zor”, thotë 29-vjeçarja Buja, teksa flet për vështirësitë që t’i mbulojë shpenzimet financiare për vajzën të cilën po e rrit vetë. “Unë e kam vajzën të diagnostifikume me astma. Ajo merr terapi dy herë në ditje. Duhet me pasë shumë kujdes me to, për to. Shumë zor, sidomos në kohën e pandemisë”.
Pas një viti martesë, Buja dhe bashkëshorti i saj kishin vendosur të ndahen më 2016. Që nga nëntori i atij viti, kur gjykata e Prishtinës, dega e Lipjanit, vendosi për alimentacion të përkohshëm, ajo thotë se ish-bashkëshorti nuk i ka paguar detyrimet për bijën e tyre. Fillimisht gjykata ia kishte caktuar 250 euro, e pastaj e kishte zbritur detyrimin në 150 sosh. Sipas Bujës, edhe pas vitit 2019, kur ndarja ishte finalizuar dhe proceset gjyqësore kishin përfunduar, ish-bashkëshorti i ishte shmangur detyrimit.
“Asnjëherë [nuk ka paguar alimentacionin]; asnjë muaj”, thotë Buja. “Kemi ba ankesë [në gjykatë]. Ka ba edhe ai ankesë që iu ka dokë shumë. U kthy prapë në rishqyrtim, prapë në rigjykim. Prapë është caktu alimentacioni, tani 150 euro. Prapë ka bo ankesë. Iu ka refuzu ankesa prapë edhe tash është metë alimentacioni 150 euro prej nëntorit 2016”.
Të njëjtin hall për fëmijën e saj e ka edhe 43-vjeçarja Arjeta Gashi nga Prishtina, e cila ishte ndarë me bashkëshortin pas dhjetë vjetësh martesë. Ajo divorcin me burrin e kishte finalizuar më 2013 kur djali i saj, fëmijë i vetëm, kishte qenë vetëm 10 vjeç.
“Që nga viti 2013 kur edhe është obliguar babai i fëmijës të paguajë alimentacionin, ai asnjë herë nuk e ka paguar atë”, thotë Gashi, e cila e shtyrë nga përvoja personale, në vitin 2018 themeloi Shoqatën e Prindërve të Ndarë, përmes së cilës synohet sigurimi i mirëqenies për fëmijët e prindërve të ndarë si dhe fuqizimi ekonomik i prindërve vetushqyes.
Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, zbatimin e të cilës Kosova e ka të paraparë nëpërmjet Kushtetutës, shtetet palë duhet të marrin “të gjitha masat e duhura për të siguruar marrjen e pensionit ushqimor të fëmijës nga prindërit e tij ose nga personat e tjerë që kanë përgjegjësi financiare ndaj tij, qoftë brenda ose jashtë vendit”. Për më tepër, përgjegjësia për këtë detyrim financiar është e sqaruar te Ligji për Familjen i Kosovës, ku thuhet se “prindit të cilit i është hequr përgjegjësia prindërore nuk lirohet nga detyrat për t’i mbajtur fëmijët e tij”.
Por në Kosovë ekzistojnë arsye të ndryshme që ndikojnë në mospagesën e këtij detyrimi. Mes tyre janë mungesa e efikasitetit të zinxhirit gjyqësor, përfshirë zvarritjet e lëndëve të tilla në gjykata të cilat këto raste nuk i konsiderojnë prioritet apo edhe mangësi në implementimin e ligjeve, e deri te problemet e ndryshme që lindin ndërmjet çifteve të shkrurorëzuara për të evituar obligimet ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj kujdesit të fëmijëve.
Të dyja Buja dhe Gashi i kanë përjetuar për së afërmi këto pasoja.
Sistem gjyqësor pa drejtësi
Bashkëvuajtës të mospranimit të alimentacionit janë fëmija dhe prindi vetushqyes, e që në të shumtën e rasteve rezulton të jetë nëna. Sipas të dhënave të mbledhura nga K2.0 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, mes viteve 2010-2019, prej 3,637 fëmijëve të divorceve, 2,188 prej tyre iu kanë takuar nënave, 1,214 iu kanë takuar baballarëve, 196 të dy prindërve, dhe 38 fëmijë të tjerëve.
Në një hulumtim shkencor publikuar më 2014, ku është studiuar cenimi i të drejtave të fëmijëve edhe në ushqim, nga 30 raste ndarjeje sa ishin analizuar, në 24 prej tyre fëmijët i ishin besuar nënës dhe në gjashtë babait. Prej tyre, në vetëm tetë raste prindërit ishin obliguar që ta paguajnë ushqimin. Sipas këtij studimi, vendimi gjyqësor për pagesën e alimentacionit në disa raste nuk zbatohet, ndërkaq në disa raste të tjera has në pengesa të ndryshme.
Sipas avokates Merita Stublla-Emini, e cila përfaqëson gra në procese divorci, problemet me alimentacionin si dhe thyerja e funksionimit të zinxhirit institucional fillojnë pikërisht te vendimet që i marrin gjykatat. Ajo thotë se në disa raste ose nuk e zbatojnë ligjin, e interpretojnë gabimisht atë, apo nuk hetojnë mjaftueshëm.
“Gjykatat e Kosovës përkundër që kanë bazë ligjore, shumë shpesh nuk i kushtojnë kujdes të shtuar interpretimit të drejtë të dispozitave ligjore dhe nuk bëjnë hetime me qëllim që të vendosin drejt dhe saktë lidhur me shumën e alimentacionit me të cilën fëmijës do t’i sigurohet mirëqenia”, thotë Stublla-Emini.
Mungesa e efikasitetit të gjykatave për të trajtuar rastet e alimentacionit është evidentuar edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), i cili specifikisht i konsideron shkelje të të drejtave të njeriut rastet e zvarritjeve të procedurave gjyqësore për të vendosur lidhur me caktimin e alimentacionit si dhe të ekzekutimit të tyre.
“Avokati i Popullit në disa raste ka konstatuar se ka pasur edhe shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe ka kërkuar nga gjykatat që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që rastet që kanë të bëjnë me fëmijë apo prekin të drejtat e fëmijëve të vendosen pa vonesa, brenda afateve të përcaktuara ligjore”, tha IAP-ja në përgjigje për K2.0.
Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes një raporti të vitit 2017 mbi efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore, kishte vlerësuar se ato nuk po menaxhohen me efikasitet, duke cekur midis tjerash edhe grumbullimin e lëndëve të vjetra, shtyrjet e seancave gjyqësore dhe numrin e lartë të rasteve që kthehen në rigjykim. Sa u përket specifikisht lëndëve të alimentacionit, sipas raportit vjetor të vitit 2019 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të dërguar K2.0-së, në gjykata janë pranuar 96 lëndë të reja, duke e çuar në 258 numrin e përgjithshëm të këtyre lëndëve. Ndërkaq, nga këto 258 lëndë, vetëm 82 janë zgjidhur, ndërsa 176 të tjera kanë mbetur të pazgjidhura.
Buja i ka përjetuar vetë pasojat e kësisoj zvarritjesh.
“Mbahen 12 seanca ku unë shkoj, ai [ish-bashkëshorti] nuk vjen”, thotë Buja, ish-bashkëshorti i së cilës jeton kryesisht në Gjermani. “Ai vjen në Kosovë, nuk vjen në gjykatë. E refuzon ftesën, s’vjen edhe nuk jep asnjë përgjegjësi, asnjë përgjigje për këtë send”.
K2.0 ka kontaktuar dy avokatë, Naser Gashin dhe Fehmi Shalën, të cilët e përfaqësonin ish-bashkëshortin e Bujës, por asnjëri nuk pranoi ta komentonte rastin pasi nuk e përfaqësojnë më atë.
Në fakt, një ndër shkaqet e zakonshme se përse lëndët zvarriten në gjykata është mungesa e palës së paditur, ku zakonisht mungon avokati i ish-bashkëshortit apo ish-bashkëshortes. Kjo, sipas Gashit është strategji nga ana e prindërve të paditur në mënyrë që të zvarritet procesi, marrë parasysh edhe që në këtë mënyrë nuk bëhet pagesa me retroaktivitet — pra pasi gjykata vendos për alimentacion, prindërit nuk detyrohen ta paguajnë alimentacionin edhe për muajt para aktgjykimit.
Të mospaguarit e alimentacionit me retroaktivitet, sipas Gashit, bën që prindërit kujdestarë të lodhen dhe pastaj nënat, si raste më të shpeshta, pranojnë edhe një shumë fare të vogël vetëm që çështja të përmbyllet.
Yll Zekaj, përfaqësues i organizatës joqeveritare Instituti për Drejtësi i Kosovës (IDK), thotë që përpos kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore të cilat marrin vite të tëra derisa një aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, problem tjetër është edhe moszbatimi i Ligjit për Ndërmjetësim.
Sipas këtij ligji, rastet e alimentacionit hyjnë në kategorinë e rasteve të ndërmjetësimit të detyrueshëm — pra pasi të inicohet padia, gjyqtari fillimisht e dërgon rastin në procedurë të ndërmjetësimit ku një ndërmjetësues i licencuar, i zgjedhur dhe paguar nga vetë palët, tenton që ta zgjidhë rastin me anë të pajtueshmërisë ndërmjet dy palëve. Nëse kjo nuk arrihet brenda 90 ditësh, atëherë lënda kthehet në gjykatë për procedurë të rregullt.
Zekaj thotë që edhe pse ky ligj ka hyrë në fuqi më 2018, gjyqtarët nuk respektojnë këtë dispozitë ligjore dhe lëndët e kësaj natyre kryesisht nuk referohen në procedurën e ndërmjetësimit.
Problematikë tjetër është edhe mospërmbarimi gjyqësor, apo thënë më thjesht, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore në rastet e alimentacionit — pasi që gjykata duhet të sigurohet që obligimet që dalin nga aktgjykimi të kryhen ose vullnetarisht, ose dhunshëm.
Në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas të krijuar nga IDK-ja, Zekaj rrëfen se ka pasur raste kur ndonëse ekzistonte aktgjykimi i plotfuqishëm me të cilën përcaktohej alimentacioni, pala e cila kishte përfituar këtë të drejtë nuk kishte arritur ta realizojë atë edhe pas pesë vjetësh të nxjerrjes së këtij aktgjykimi.
“Përmbarimin e vendimeve nga marrëdhëniet familjare ligji e ka përcaktuar në kompetencë të gjykatës e jo të përmbaruesve privatë”, thotë ai. “Kjo ka ndikuar që të kemi zvarritje të procedurës në rastet kur alimentacioni nuk paguhet vullnetarisht dhe e njëjta duhet të procedohet përmes procedurës së përmbarimit”.
Zekaj potencon se moszbatimi i Kodit Penal përbën një tjetër problem, dhe thotë që prokuroria duhet të jetë proaktive në ndjekjen penale të atyre që shpërfillin gjykatën duke mos i ekzekutuar vendimet gjyqësore.
“Nga praktika jonë e monitorimit nuk kemi hasur në asnjë rast kur është iniciuar procedurë penale për raste të tilla”, thotë ai.
Ligjëruesi i së Drejtës Familjare dhe Trashëgimore në Universitetin e Prishtinës, Bedri Bahtiri, tregon që gjykata gëzon autoritet të mjaftueshëm që në mënyrë ex officio, apo sipas detyrës zyrtare, të iniciojë hetime lidhur me ndonjë rast kur dyshohet se njëri prind nuk po i përmbush detyrimet financiare ndaj fëmijës, e e cila përbën vepër penale sipas Kodit Penal. Mirëpo, sipas tij, deri më tani nuk është identifikuar ndonjë rast kur gjykata civile ka njoftuar prokurorinë lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve lidhur me alimentacionin.
“Një gjë e tillë i mbetet palës së dëmtuar”, thotë Bahtiri. “Në këtë rast gjykata civile do të duhej të inicionte procedurën penale duke njoftuar prokurorin e shtetit lidhur me këtë vepër penale, e cila do të ndikonte pozitivisht si preventivë dhe pastaj si masë ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që i shmangen detyrimit ligjor të pagesës së alimentacionit”.
Obligim për monitorimin dhe marrjen potenciale të masave ndaj gjykatave dhe prokurorive kur ato nuk e kryejnë punën si duhet, e kanë përkatësisht Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës. Sa i përket Këshillit Gjyqësor, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2017 tregon që ky institucion nuk është treguar efikas në monitorimin e progresit të gjykatave, pasi ka krijuar mekanizma të përgjithësuar, jo të matshme dhe jo konkrete të cilat e vështirësojnë procesin monitorues. Mes problemeve të potencuara të gjykatave në këtë raport janë edhe zvarritja dhe numri i lartë i rasteve që mbeten të pazgjidhura, shpërndarja jo uniforme e lëndëve civile te gjyqtarët, parregullsitë në kompletimin dhe precizimin e lëndëve, vonesat e shqyrtimit të tyre në Gjykatën e Apelit si dhe numri i lartë i lëndëve që kthehen në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Por raporti cek që monitorimi i progresit të gjykatave nga Këshilli Gjyqësor është kryesisht i bazuar në statistikat e lëndëve që janë raportuar nga gjykatat themelore.
Në përgjigje për K2.0, Këshilli Gjyqësor thotë se ky raport është tri vjet i vjetër dhe tani gjendja është rregulluar pasi ata arrijnë të monitorojnë përmes organizatave joqeveritare me të cilat kanë lidhur memorandum — përfshirë BIRN, Instituti për Drejtësi i Kosovës si dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Mirëpo këto memorandume nuk janë domosdoshmërisht të dobishme sa u përket rasteve të kontesteve nga marrëdhëniet familjare pasi ato seanca janë të mbyllura për publikun.