Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

Nevojat e të mbijetuarve duhet të jenë në qendër të debatit për fotografitë e përdhunimit

Nga - 17.05.2019

Jetët dhe traumat e njerëzve nuk duhet kurrë të jenë pjesë e lojërave politike.

Të enjten në Kuvendin e Kosovës u prezantua një fotografi që paraqiste një grua duke u përdhunuar, dhe kjo nxiti debat dhe polemika të mëdha. Pa dyshim ky ishte qëllimi.

Për ata që nuk janë të njohur me faktet, fotografia e pancenzuruar iu prezantua mediave nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, gjatë një debati në Kuvend që përqendrohej rreth një rezolute së Kuvendit për t’i shpallur veprimet e Serbisë në Kosovës si gjenocid, përveç se krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Brovina pretendoi se në fotografi është një grua shqiptare duke u përdhunuar nga tre ushtarë serbë gjatë luftës në Kosovë para familjarëve të gruas, të cilët ishin detyruar të shikojnë – deputetja tha se ishte duke e treguar këtë foto për të marrë drejtësi për viktimat. Shumë shpejt më pas, fotografia u publikua nga media të ndryshme në rrjete sociale, pavarësisht reagimeve dhe lutjeve nga grupet për mbështetje të viktimave që të mos bëhet një gjë e tillë.

Pas kësaj, një medium pretendoi se fotografia e parë as që është nga Kosova, por në fakt është marrë nga një uebfaqe pornografike nga Iraku, pretendim të cilin më vonë Brovina me sa duket e pranoi.

Pasi e zbuloi fotografinë e parë para mediave, ajo më vonë e tregoi një fotografi tjetër para deputetëve prej foltores së Kuvendit në të cilën tha se është një vajzë 7 vjeçare e cila vdiq pasi u dhunua nga ushtarët serbë, dhe deklaroi: “Le të traumatizohet kush të dojë, por kjo është e vërteta”.

Të mbijetuarit e mizorive të tilla dhe familjet e viktimave duhet të jenë në qendër të çfarëdo diskutimi për vuajtjet e tyre.

Pa dyshim do të ketë shumë zhvillime tjera në gjithë këtë aferë derisa vazhdojnë pasojat e saj në ditët e ardhshme. Me sa duket është vendosur se do të sillet kryesisht rreth skandalit politik dhe ndikimit që do ta ketë tek PDK në zgjedhje, kurdo që të mbahen ato.

Por rëndësia e vërtetë e këti veprimi të pamatur qëndron te ajo deklaratë e deputetes së zgjedhur: “Le të traumatizohen”.

Mbase ajo nuk i është referuar drejtpërdrejt të mbijetuarve të përdhunimit të kohës së luftës, dhe më pas i ka kërkuar falje të mbijetuarve pasi e pranoi se fotografia e parë me gjasë nuk ishte nga Kosova, por ky nuk ishte ndonjë gabim i vogël i gjykimit. Një deklaratë e tillë tregon një mospërfillje të pashpirtë për mirëqenien e atyre që padyshim janë prekur nga këto fotografi.

Të mbijetuarit e mizorive të tilla dhe familjet e viktimave nuk duhet të shpërfillen kështu pa respekt. Në vend të kësaj, ata duhet të jenë në qendër të çfarëdo diskutimi për vuajtjet e tyre. Po të kishte fokus më të madh institucional mbi të drejtat dhe nevojat e të mbijetuarve gjatë 20 viteve të fundit, askush nuk do ta kishte ndjerë të nevojshme t’i shfaqë këto fotografi në atë mënyrë.

Ka të tillë që po e mbështesin zëshëm publikimin e fotografive (apo të paktën këtë e bënë para se të zbulohej se njëra nga fotografitë në fakt nuk ishte nga Kosova), duke pretenduar se nevojiten “dëshmi” për mizoritë e kryera nga shteti serb gjatë luftës në Kosovë.

Por në fund të fundit, për çfarë qëllimi u bë një gjë e tillë? Edhe me pikëpamjen më optimiste, çfarë mund të arrihej me prezantimin e asaj fotografie të pacenzuruar para kamerave 20 vjet pas fundit të luftës?

Nuk u bë për hir të të mbijetuarve. Ky argument u rrëzua nga fakti se ky veprim u dënua ashpër nga grupet për mbështetje të të mbijetuarve. Ata që punojnë në organizata të tilla raportuan se morrën telefonata të shumta nga të mbijetuarit të enjten, duke kërkuar mbështetje urgjente psikologjike, pasi që kur e panë atë fotografi për ta ishte sikur ta përjetonin përdhunimin edhe një herë.

Edhe zëri më i shquar në mesin e të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi Goodman, i kritikoi ata që po e përdorin vuajtjen e tyre për qëllime politike.

Fakti që mijëra gra dhe burra u përdhunuan gjatë dhe pas luftës në Kosovë tani është fakt që është dokumentuar shumë.

A u bë për “Kosovën”? Çfarë kuptimi ka kjo në fakt, nëse nuk është për qytetarët që jetojnë këtu? Edhe po të kishte qenë e vërtetë fotografia, çfarë përfitime të prekshme kanë qytetarët e Kosovës nga një fotografi brutale, shpërndarja e së cilës i traumatizon përsëri njerëzit e prekshëm?

Apo u bë “për t’i informuar njerëzit për çfarë ka ndodhur”? Atëherë, kënd saktësisht?

Fakti që mijëra gra dhe burra u përdhunuan gjatë dhe pas luftës në Kosovë tani është fakt që është dokumentuar shumë – ndodhi para 20 vitesh, dhe prej atëherë i kemi pasur disa nisma të profilit të lartë, si dhe dëshmi direkte nga të mbijetuarit, nëpërmjet të cilave kemi filluar ta shpërfaqim këtë tmerr. Nuk është lajm i ri që e sfidon një rrëfenjë mbizotëruese apo që zbulon diçka që më parë nuk kishte qenë e njohur.

Jo që përdhunimet e kohës së luftës nuk duhet të diskutohen, dënohen dhe në fund ndiqen penalisht – sigurisht që po. Por mënyra se si bëhet kjo bisedë është e rëndësisë thelbësore, dhe duhet të jetë e tillë që e ka fuqizimin e të mbijetuarve në thelbin e saj.

Puna e grupeve mbështetëse për shumë vite kanë ndihmuar që kjo temë “tabu” të fillojë të hapet në diskursin më të gjërë publik. Këtë e kanë bërë shpeshherë me pak apo aspak mbështetje institucionale nga të njëjtit njerëz që tani po japin deklarata të guximshme për “drejtësi”.

U deshën dy dekada për ta themeluar një mekanizëm funksional për t’i dhënë kompensim financiar viktimave të dhunës seksuale të kohës së luftës. Dy dekada të punës së madhe prej njerëzve që punuan në terren. Dhe dy dekada të pengesave kur politikanët – përfshirë këtu vet Flora Brovinën – bllokuan dhe vonuan mbështetjen të cilën të mbijetuarit e kërkuan të dëshpëruar.

Në vend se të dëgjojnë deklarata të politizuara ad hoc sa herë që është politikisht e përshtatshme, të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës kanë nevojë për dispozita praktike si qasje në shëndetësi kualitative dhe të specializuar.

Në atë kohë, grupet e ndryshme kanë punuar me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave për t’i ofruar atyre mbështetje komplekse dhe të përditshme në formë të këshillimit, grupeve të mbështetjes, hulumtimeve për gjetjen e të vërtetës dhe mundësive ekonomike. Ata që punojnë drejtpërdrejt me të mbijetuarit e dinë se ata jetojnë çdo ditë me traumën që e kanë përjetuar, dhe se nevojat e tyre janë të shumta dhe komplekse.

Dhe ata e dinë se në vend se të dëgjojnë deklarata të politizuara ad hoc sa herë që është politikisht e përshtatshme, të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës kanë nevojë që t’i ipet fund stigmatizimit të tyre, dhe kanë nevojë për dispozita praktike si qasje në shëndetësi kualitative dhe të specializuar për lëndime fizike dhe nevoja të shëndetit mendor.

Fuqia e rrëfimeve të të mbijetuarave si Marte Tunaj dhe Vasfije Krasniqi Goodman ka dhënë pak shpresë dhe frymëzim për të mbijetuarit e mizorive të tilla.

Po çfarë tash për gratë që kanë filluar më në fund, posaçërisht në vitet e fundit, të ndihen të lira për të folur me zërin e tyre, për t’i shprehur rrëfenjat e tyre?

Si do të ndihen tani pas këti cirku këto gra që më në fund filluan t’i bëjnë hapat e parë për t’u fuqizuar për të folur për diçka kaq traumatizuese? A do të kthehen në fazën fillestare hapat e grupeve mbështetëse dhe aktivistëve për të drejtat e grave për ta kthyer shpresën dhe fuqinë në jetët e të mbijetuarve?

Dhe kush do të guxojë ta ngrisë zërin tani? Moti kanë filluar dhe ende vazhdojnë përpjekjet për t’i inkurajuar gratë për ta ngritur zërin si dhe për t’i bindur njerëzit që t’i besojnë ato pa i detyruar t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe pa i marrë në pyetje; ky proces i brishtë rrezikohet në mënyrë të papranueshme nga veprime të pacipë si ky i fundit të cilat publikisht – dhe gabimisht – shërbejnë për ta dëmtuar perceptimin e kredibilitetit të të mbijetuarve.

Konsideratat e tilla fatkeqësisht janë ende një fusnotë në shfaqjen e mburrjes dhe konkurrencës për të demonstruar kush është “heroi” më i madh, kush ka bërë më shumë për ta mbrojtur Kosovën, dhe kush i ka mbrojtur kufijtë e Kosovës – e madje edhe kush ka bërë më shumë për viktimat e kohës së luftës.

Në lajme dhe debatet televizive që pasuan, mediat e ndryshme ndihmuan ta përjetësojnë këtë rrëfenjë të njejtë nëpërmjet përzgjedhjes së mysafirëve të ftuar dhe rrjedhimisht temave tipike dhe të pritura për këto lloj debate. Ku ishin përfaqësuesit e grupeve të të mbijetuarve? Ku ishin ata që e kanë dokumentuar luftën dhe krimet e lidhura me të? Ku ishin psikologët, sociologët dhe aktivistët për të drejtat e grave? Kush po fliste për nevojat e shumta të të mbijetuarve?

Sigurisht nuk ishin në mesin e burrave që po i politizonin jetët dhe historitë e grave si pjesë e paneleve të analistëve dhe komentuesve të vetëzgjedhur politikë, të cilët demonstruan sa intelegjentë janë deri sa u fokusuan në çështje si ajo se ku ishte UÇK-ja gjatë gjithë kësaj dhe se a është dashur apo kanë mundur të bëjnë më shumë për ta mbrojtur “gratë e tyre”.

Ritmi me të cilin aq shumë media i publikuan pa dyshime fotografitë grafike - dhe të paverifikuara - tregon se në vendimmarrje redaksionale po mungonte një konsideratë jetike për standardet etike.

 

Në përgjithësi, mediat duhet ta pranojnë një pjesë të kritikave. Roli i mediave është për të informuar dhe për të kërkuar llogari nga pushteti. Për ta bërë këtë, ata duhet të sigurohen që shtëpia e tyre është në rregull, përndryshe i dëmtojnë qëllimet e veta, dhe e lënë vetën krejtësisht të hapur për t’u dënuar.

Sigurisht, në mesin e rrëmujës dhe afateve kohore të përditshme, redaksitë mund të bëjnë gabime. Por ritmi me të cilin aq shumë media i publikuan pa dyshime fotografitë grafike – dhe të paverifikuara – tregon se në vendimmarrje të redaksive po mungonte një konsideratë jetike për standardet etike. Dhe idea e “interesit publik” (në kontrast me “atë që është në interes të publikut”), që duhet të jetë në qendër të çdo veprimi të mediave, mungonte krejtësisht.

Veç pse një medium ka qasje në një fotografi dhe leje për ta publikuar nuk do të thotë automatikisht që duhet ta bëjë këtë. Mediat jo vetëm që duhet të ndërmarrin hapa për ta verifikuar vërtetësinë e një fotografie, por duhet gjithashtu ta konsiderojnë pozitën e tyre të pushtetit relativ dhe dëmin e mundshëm që mund të ja bëjnë njerëzve duke e publikuar.

Ky nuk është lidership, por politikë populiste dhe pa bazë që në mënyrë të pashpirtë luan me traumat e njerëzve për hir të përparësisë politike.

Por mësimi më i rëndësishëm këtu vlen për institucionet e Kosovës: Të mbijetuarit e krimeve të tmerrshme duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt, jo si mall politik apo burim i klikimeve.

Zbulimi i dy fotografive ishte pjesë e veprimeve më të gjëra politike të shpalljes së gjenocidit në Kosovë dhe përpjekjeve për ta themeluar një gjykatë ndërkombëtare: Ky nuk është lidership, por politikë populiste dhe pa bazë që në mënyrë të pashpirtë luan me traumat e njerëzve për hir të përparësisë politike. Vuajtjet e njerëzve nuk duhet të shfrytëzohen për hir të projekteve që kanë për qëllim fitimin e pikëve politike, apo si pjesë e përpjekjeve për t’iu shmangur padive të Dhomave të Specializuara që po afrohen gjithnjë më shumë.

Më herët gjatë javës, hapja e një ekspozitës së re në Prishtinë që i përkushtohet 1,133 fëmijëve të cilët u vranë apo ende janë të humbur prej luftës në Kosovë u karakterizua me një ndjesi dërrmuese të emocioneve të fuqishme. Familjet e fëmijëve, të cilat ishin ftuar në hapje, ishin përfshirë në procesin e krijimit të ekspozitës që nga fillimi, kishin dhënë donacion sendet e çmuara të fëmijëve të tyre që i mbanin për kujtim, dhe ishin krenarë që ishin pjesë e një ngjarjeje që kontribuonte në përkujtimin individual dhe kolektiv të tragjedive të tyre.

Të fuqishme ishin edhe fjalët e Vasfije Krasniqi Goodman, dhe rrëfimi i Marte Tunaj. Këto gra i përjetuan rrugëtimet e tyre në kohën e tyre, dhe më pas u ndjenë të forta për ta ngritur zërin dhe për të rrëfyer, duke i fuqizuar kështu gratë tjera dhe duke u treguar atyre që nuk janë vetëm.

Kërkimi i mirëfilltë i drejtësisë për viktimat është proces delikat në të cilin të mbijetuarit duhet të vendosën në qendër. Nuk është lojë në të cilën duhet ta luajmë “heroin”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.