Sot koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) pranoi se nuk i kishte siguruar votat e nevojshme për ta zgjedhur kandidatin e propozuar të tyre për Kryetar të Kuvendit. Enver Hoxhaj i PDK-së dha lajmin nga foltorja e Kuvendit gjatë përpjekjes së gjashtë për ta përmbyllur seancën themeltare. Këtë herë, deputetët e PAN-it dhe ata të partive minoritare zgjodhën të marrin pjesë në seancë.
Disa javë pretenduan që kishin mbështetjen e nevojshme për ta zgjedhur kandidatin e tyre, por njëkohësisht bojkotuan seancën themeltare në të cilën zgjedhet Kryetari i Kuvendit. Hoxhaj tha se koalicioni i tij kishte siguruar vetëm 60 vota, e për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit nevojitet mazhorancë e thjeshtë me 61 vota.
“Në javët e fundit, por edhe sot, nuk e kemi patur mazhorancën me më shumë se 61 ose 61 deputetë, për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit”, tha Hoxhaj. “Ne e kemi kandidatin, por jo mazhorancën”, tha ai. U dëgjuan ofshamat e deputetëve tjerë.
Tri javë pasi ishte nisur seanca e inaugurimit me 3 gusht, Hoxhaj tha se PAN-i kishte nevojë për dy javë shtesë që t’i siguronte votat e nevojshme.
Shumëkush po pret që PAN-i ta zgjedhë liderin e PDK-së, Kadri Veselin, si kandidat për Kryetar të Kuvendit. Kjo zgjedhje po shihet si e papranueshme nga partitë tjera. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër, Albin Kurti, e përsëriti qëndrimin e partisë së tij se janë të gatshëm ta votojnë për kryetar të Kuvendit një tjetër “deputet të respektuar të PDK-së”, por jo Veselin.
“Matuni”, tha Kurti. “Nëse nuk i ka votat Z. Veseli, unë jam i bindur që në mesin tuaj ka shumë kandidatë që i kanë votat – provojeni! [sic]”.
Veseli reagoi duke thënë se, si lider i PAN-it, ai ishte i gatshëm t’i lejonte të tjerët që besojnë se mund t’i sigurojnë 61 vota që ta nominojnë dikë për kryetar të Kuvendit. Në dukje ai ofroi që të heqë dorë nga e drejta e PAN-it për të nominuar i pari, si entiteti më i madh pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.
“Ditën si t’i bëni 61 [vota]… kush t’i bënë në këtë Kuvend, le t’e krijon institucionin e Kuvendit edhe Kryetarin [sic]”, tha ai, pasi fillimisht kishte kërkuar nga Mikullovci që të mbante evidencën.
Megjithatë, pas pak, Veseli me sa duket e hodhi poshtë ofertën e tij duke thënë: “Ky shtet është shumë i shenjtë; nuk do ta lëshojmë aq lehtë që të manipulohet me këtë shtet”.
Në teori, Lëvizja Vetëvendosje, me 32 deputetë, bashkë me koalicionin LDK-AKR-Alternativa (LAA), që i ka 29 deputetë, mund t’i kenë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit në qoftë se arrijnë marrëveshje. Megjithatë, Teuta Rugova e LDK-së – e cila përsëri mungoi në seancën e sotme të Kuvendit – pritet që të mos votojë si partia e sajj, por të votojë me PAN-in.
Meqë 20 deputetët që i përfaqësojnë partitë minoritare me sa duket po e mbështesin PAN-in (që i ka 39 deputetë), ekuilibri i pushtetit në Kuvend është i ndarë në mënyrë të barabartë.
Kurti gjithashtu e akuzoi liderin e LDK-së dhe ish-kryeministrin Isa Mustafa për bllokim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet partive të tyre. “LDK-ja e ka emëruar Mustafën si udhëheqës të bisedimeve, e jo udhëheqës për pamundësim të bisedimeve”, tha ai. “Nëse ai nuk takohet me PAN-in, siç edhe ka deklaruar disa herë, dhe vetëm një herë është takuar me Vetëvendosjen, atëherë shtrohet pyetja: Cilat bisedime po i udhëheqë ai?”
Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.
Më pas ai e ftoi LDK-në që të bëjnë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje. “Të nderuar deputetë të koalicionit LAA, ne e shtrijmë dorën e bashkëpunimit për harmonizimin e qëndrimeve dhe për veprime të përbashkëta”, tha ai. “Kemi nevojë për Kuvend e qeveri të re – është në dorën tonë. Le ta themi e le ta bëjmë”.
Veseli i kujtoi Kurtit se Lëvizja Vetëvendosje po kërkonte koalicion me LDK-në, partinë me të cilën kjo Lëvizje ishte përplasur publikisht në të kaluarën. “70 dosje… pastaj shkon i lutet”, tha Veseli, duke i referuar rasteve të korrupsionit që i dorëzoi Lëvizja Vetëvendosje kundër administratës së Isa Mustafës në Prishtinë, para se t’i përmendte protestat që i bënë ata para shtëpisë së familjes së Mustafës.
“Ja kanë sulmu familjen, me akte terroriste e kanë sulmu këtë Kuvend”, tha ai, duke folur për rastin ligjor (që ende është në vazhdim e sipër) kundër katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë të akuzuar për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit me mortajë.
Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.
Kandidati për kryeministër i koalicionit LAA, Avdullah Hoti, tha se bisedimet pas zgjedhjeve kanë qenë të ndyra, dhe se disa individë kishin ushtruar presion kriminal ndaj disa deputetëve. “Nuk krijohet kështu shteti. Nuk krijohen kështu institucionet”, tha ai. “Shteti krijohet me përkushtim, me gatishmëri. Institucionet mund të formohen me një marrëveshje ndërmjet fuqive politike”.
Hoti e përdori fjalimin e tij për të theksuar vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet Kosova për shkak të ngërçit të vazhdueshëm, si dhe nevojën për ta tejkaluar këtë krizë me shpejtësi. Ai tha se LDK-ja do të vazhdojë organizimin e takimeve jashtë Kuvendit me partitë tjera politike, në përpjekje për të gjetur mënyra për të tejkaluar ngërçin legjislativ.
Ende nuk dihet kur do të bëhet përpjekja e radhës për ta mbyllur seancën e themelimit të Kuvendit.K
Foto kryesore: Eraldin Fazliu / K2.0.