Pikëpamje | Politika

Për Kosovën, demokracia mbetet e paarritshme

Nga - 12.06.2020

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka nxjerrë binarësh progresin demokratik.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i hapi shteg formacionit qeverisës të LDK-së duke mbështetur dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për t’ia kaluar mandatin kujtdo që arrin ta formojë një shumicë të thjeshtë, ka krijuar një precedent shumë të rrezikshëm. Ka mundësi që ai të ketë ndikim dëmtues për të ardhmen e transformimit demokratik të vendit duke miratuar një cikël vicioz të kapjes së shtetit nga elitat politike të korruptuara.

Implikimet politike të përzierjes së fundit janë të shumta. Ndonëse qeveria e tanishme pretendon se ka parandaluar zhytjen e vendit në një krizë ende më të thellë, zhvillimet rreth saj kanë vënë në rrezik njëzet vjet reforma politike dhe përpjekje për të vendosur demokracinë në Kosovë.

Në letër, Kosova duket si demokraci, por institucionet jofunksionale të ndikuara nga shteti i kapur janë pengesa të stërmëdha për ndërtimin e një sistemi demokratik të konsoliduar. Kjo është pasqyruar më së miri në përzierjen e fundit të pushtetit të nisur nga partia e dytë në kuvend LDK dhe nga Presidenti Thaçi, i cili e përkrahu politikisht këtë proces për ta fuqizuar pozitën e tij në politikën e jashtme dhe në dialogun me Serbinë.

Ekziston një tendencë e vazhdueshme te analistët e rajonit për ta parë Kosovën si vend që po përjeton regres demokratik; ky trend është vërejtur gjithandej rajonit të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, termi regres nënkupton që vendi ka qenë demokraci e konsoliduar më herët — gjë që nuk është e vërtetë në rastin e Kosovës. Në fakt, Kosova ka ngelur në një status quo hibride me tendenca autoritare në shtegun drejt demokracisë.

A do të kenë zgjedhjet më kuptim?

Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë parë nga V-Dem dhe Freedom House si indikatorët kyçë për matjen e cilësisë së demokracisë në rrafshin global. Zgjedhjet e lira përfaqësuan një ndër elementet kryesore që — deri në një shkallë — radhitën Kosovën si demokraci e brishtë në zhvillim e sipër.

Zgjedhjet e tetorit u vlerësuan si të administruara mirë, të lira dhe transparente nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Procesi ka dhënë shenja se votuesit kosovarë janë pjekur më shumë për nga aspekti demokratik. Nga pikëpamja rajonale, ndryshimi i pushtetit është parë si hap i mirë në luftën kundër kapjes së shtetit.

Pas një suksesi në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet në Kosovë dhe fitorja e opozitës pritej nga shumë ekspertë rajonalë të kenë efekt domino nëpër gjithë rajonin.

Sidoqoftë, manovrat e skajshme politike nga elita politike për ta rrëzuar qeverinë midis pandemisë së COVID-19 — duke i shfrytëzuar partnerët e huaj strategjikë për konsumim të brendshëm — çoi në shtimin e dëshpërimit dhe të zhgënjimit. Ngjarjet shumëdimensionale dhe famëkëqija që shpunë drejt një krize institucionale dhe kushtetuese e shpëlanë shpresën e ndezur pas fitores zgjedhore të opozitës më 6 tetor.

Nëse qeveria mund të formohet duke e margjinalizuar fituesen e zgjedhjeve, meqenëse partia e dytë mezi doli në krye të oxhakut duke mbledhur 61 vota (shumicë prej një vote) në Kuvend dhe formoi një qeveri të pakicës përmes mbështetjes dhe ndikimit të hapur të Presidentit te anëtarët e Kuvendit, a ia humb kjo kuptimin procesit zgjedhor?

Kjo është pyetja më përcëlluese për të gjithë qytetarët ndërsa ata bëjnë hesap hapat e radhës dhe projektojnë — për së paku edhe një dekadë — kapjen e shtetit. Ky precedent e bën thuajse jorelevant procesin zgjedhor në të ardhmen e afërt.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ia shtroi trasenë margjinalizimit të Vetëvendosjes, përveç nëse i fiton 51% të votave gjë që duket se nuk ka gjasë të ndodhë tash për tash. Pra, kjo situatë mund të rrojë për goxha kohë. Kjo është kryesisht për shkak të faktit se partitë politike që thuhet se mbajnë më së shumti përgjegjësi për kapjen e shtetit do të nxisin vetveten t’i tejkalojnë armiqësitë dhe të bëhen bashkë për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht.

Kalimi i mandatit për partinë e dytë mund të bëhet lehtas burim i jostabilitetit politik, që do ta rriste rrezikun e shtetkapjes së një prej institucioneve më me rëndësi në Kosovë — Kuvendin. Kjo është konfirmuar prej një deputeti që, sipas tij, është bindur personalisht ta ndryshojë votën nga Presidenti Thaçi dhe nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Nëse ky trend i ushtrimit të ndikimit ndaj deputetëve të Kuvendit vazhdon, tendenca për ta ndryshuar qeverinë me qëllim të përmbushjes së “agjendave më të mëdha politike” do të bëhet e pashmangshme.

Lakorja e rënies së besimit

Pak para se të votohej qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë botoi raportin e tyre tradicional të quajtur Pulsi Publik, i cili është sondazh mbi opinionin e qytetarëve të Kosovës lidhur me besimin te institucionet publike. Prej vitit 2014, kur Kosova kishte hyrë në ciklin vicioz të krizës politike, niveli i besimit publik te institucionet shtetërore ka qenë në rënie të lirë. Raportet e botuara nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Barometri Kosovar i Sigurisë tregojnë për një rënie të thekshme të besimit publik ndaj institucioneve publike, gjë që konfirmon më tej gjetjet e raportit të UNDP-së.

Sidoqoftë, raporti i fundit shfaqi nivele të larta të mbështetjes për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin; pavarësisht nga kjo, kishte tendencë për t’i vënë në pyetje rezultatet — sidomos nga udhëheqësi i LDK-së Isa Mustafa. Kjo sigurisht që pasqyron një përkrahje të përgjithshme politike për dyshen Osmani-Kurti.

Është ende herët për të vlerësuar se a do t’i arrijë këto nivele të mbështetjes Qeveria Hoti, sidomos për shkak të debateve mbi legjitimitetin e saj. Përveç kësaj pyetjeje, vendi po ashtu do të përballet me një ndër krizat më të mëdha ekonomike të shkaktuar nga mbyllja e skajshme për më se tre muaj.

Qeveri e dialogut por jo e reformave të brendshme

Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja është formuar me qëllimin e kryerjes së dialogut me Serbinë. Vendimet që janë marrë nga qeveria e re kanë qenë në të mirë të rikthimit të palëve në logun e negociatave — një proces i drejtuar nga ShBA-ja që e përjashton BE-në.

Heqja dorë nga reciprociteti dhe lënia e procesit në dorë të Presidentit Thaçi janë dy shenjat e para të komunikuara për të Dërguarin e Posaçëm Presidencial Riçard Grenell dhe për Presidentin Aleksandar Vuçiq, të cilat tregojnë se jemi gati dhe se topi është në anën e tyre.

Ka pak pritshmëri që kjo qeveri ta luftojë kapjen e shtetit ose të ketë agjendë reformiste. Arsyeja e parë prapa këtij perceptimi është se kjo qeveri është formuar në çast të fundit me asnjë orientim strategjik afatgjatë. Së dyti, Qeveria Hoti përfshin parti politike që thuhet se kanë pasur lidhje me elemente të ndryshme të kapjes së shtetit, të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Shpresat që kjo qeveri do t’i vazhdojë reformat e nisura në të kaluarën janë joekzistente. Reformat e thella të sundimit të ligjit kërkojnë qeveri shumë të qëndrueshme me vullnet politik për ta luftuar kapjen e shtetit. Për Qeverinë Hoti, agjenda reformiste është thuajse mision i pamundshëm.

Kriza ekonomike, trazirat shoqërore dhe jostabiliteti

Pandemia e COVID-19 dhe ngujimi kanë dëmtuar rëndë ekonominë — tashmë të brishtë — të Kosovës. Ndikimi i pandemisë në ekonomi ende nuk dihet meqë vendi ka hequr gjithë kufizimet gjatë ditëve të fundit.

Qeverisë Hoti do t’i bie të përballet me një krizë të paparë ekonomike dhe paaftësia për të pasur sukses në këtë aspekt mund ta dëmtojë rëndë të ardhmen e saj. Pritjet në këtë fushë janë mjaft të larta për shkak të reputacionit të LDK-së si parti teknokratësh, akademikësh dhe ekonomistësh që janë të gatshëm ta mëkëmbin ekonominë e vendit.

Krizat ekonomike shpesh shkaktojnë trazira shoqërore. Bashkë me jostabilitetin politik, kriza ekonomike mund t’i keqësojë shumë probleme të tjera. 

Duke parë trendin global të protestave, të demonstratave masive dhe të rebelimit të turmave të zemëruara pas heqjes së të drejtave bazike nga qeveritë, Kosova mund të goditet nga një valë masive protestash.

Momenti kritik

Kosova ka pasur tri qeveri përgjatë gjysmës së parë të këtij viti. Një krizë politike e ndjekur nga jostabiliteti ekonomik mund të jetë tepër dëmtuese për të ardhmen e vendit. Në anën tjetër, mungesa e unitetit politik në lidhje me dialogun me Serbinë mund ta thellojë polarizimin politik dhe shoqëror.

Është e padiskutueshme që duhet të arrihet një marrëveshje e pranueshme dhe e zbatueshme që do të vinte si rezultat i një procesi gjithpërfshirës me qasje nga poshtë-lart.

Pandemia tashmë i ka dhënë trajte tjetër demokracisë dhe qeverisjes në Kosovë. Por, ndikimi i vërtetë ende mbetet të shihet. Megjithatë, ndërsa përpiqemi t’i rimarrim jetët tona dhe t’i kthehemi normalitetit, duhet më mirë të orvatemi ta ndërtojmë një “normale” të re.

Ç’është lajm i mirë, bazuar në reagimet ndaj zhvillimeve të fundit politike, ka segmente të mëdha të qytetarisë që janë të gatshëm t’i kundërvihen tendencave autoritare.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.