Pikëpamje | COVID-19

A mund të bëhet përdorimi i maskave pjesë e normalitetit të ri në Kosovë dhe në rajon?

Nga - 06.05.2020

Mposhtja e virusit është edhe çështje sociale, jo vetëm biologjike.

Pandemia e tanishme e koronavirusit ka trazuar tërë botën na ka detyruar të gjithëve të bëhemi ekspertë të internetit mbi tema që kurrë nuk do të na shkonin ndër mend para disa muajve.

Një prej këtyre temave që ka nxitur shumë diskutime në botë është përdorimi i maskave. Në Kosovë, përdorimi i maskave asociohej me ajrin helmues, por tani, maskat gjatë përhapjes së virusit nuk janë vetëm mjet për ta mbrojtur veten nga një infektim i mundshëm, por edhe mënyrë për t’i respektuar njerëzit rreth nesh dhe për t’u kujdesur për më të cenueshmit. 

Në kohë si këto, nëse shohim komunitetin si ekip, ne duhet ta zhvillojmë mendësinë që dështimi i njërit sjell dështimin e ekipit. Në mënyrë që ta tejkalojmë krizën aktuale të shëndetit publik, ne duhet të veprojmë si ekip dhe të jemi të gatshëm për skenarin më të keq. Nuk kemi llogari të jemi të vetëkënaqur.

Shumë hulumtime tanimë në tregojnë se maskat mund të jenë mjete të dobishme për ta zvogëluar përhapjen e COVID-19. Por është e rëndësishme të theksojmë se këshillat zyrtare për përdorimin e maskave ende dallojnë nga njëra-tjetra.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) “nuk ka dëshmi që përdorimi i maskave nga personat e shëndetshëm në mjedisin e gjerë komunitetit, përfshirë përdorimin e përgjithshëm të maskave në komunitet, mund ta parandalojë infektimin me viruse që sulmojnë frymëmarrjen, përfshirë COVID-19”. 

Kjo është pjesërishst e bazuar në disa pasiguri dhe faktorë të rrezikut, si vendosja e maskës në mënyrë të gabuar apo rritja e numrit të prekjeve të paqëllimshme të fytyrës, si dhe në faktin se maska mund të jep një ndjenjë të gabuar të sigurisë dhe kështu njerëzit munt të relaksohen ndaj zbatimit të masave të tjera mbrojtëse që janë dëshmuar si të efektshme, përfshirë distancimin fizik. Gjithashtu ka shqetësime që nëse këshillohen të gjithë të përdorin maska, atëherë nuk do të kishte furnizime esenciale të pajisjeve mbrojtëse për punëtorët mjekësorë që janë në ballin e luftës kundër COVID-19 dhe kanë më së shumti nevojë për to. 

Së fundi, ekspertët vazhdimisht po thonë se përdorimi i përgjithshëm i maskave mund të ndihmojë me parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Pra këshillat zyrtare nga OBSh janë që, si rregull e përgjithshme, maskat duhet t’i përdorin vetëm njerëzit që shfaqin simptoma apo që janë të cenueshëm ndaj sëmundjes.

Por me përkeqësimin e pandemisë, disa kanë pohuar se udhëzimi që vetëm personat simptomatikë të përdorin maska është në thelb kërkesë që njerëzit t’ia vënë vetes një shenjë që nxit frikë dhe armiqësi. Dhe tani dëshmitë tregojnë se njerëzit mund ta përhapin COVID-19 disa ditë para se të shfaqin simptoma. Kjo do të thotë se, në fakt, ne nuk e dimë se a jemi të infektuar dhe se a jemi duke e përhapur virusin pa qëllim apo jo.

Së fundi, ekspertët vazhdimisht po thonë se përdorimi i përgjithshëm i maskave mund të ndihmojë me parandalimin e përhapjes së sëmundjes. 

Maskat si të tilla nuk mund t’i zëvendësojnë të gjitha mënyrat e tjera që janë të nevojshme për ta luftuar virusin COVID-19, si larja e duarve dhe mbajtja e distancës fizike. Por ndryshimi i qasjes sonë ndaj maskave mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

Për këtë mund të mësojmë nga Azia Lindore, ku përdorimi i maskave është dukuri e përhapur. Azia Lindore pati ndër rezultatet më të mira në fillim të luftës kundër kësaj pandemie, duke qenë rajoni i parë ku ishte përhapur sëmundja. Shumë pjesë të këtij rajoni kanë pasur një shtim më të ngadalshëm të infektimeve, veçanërisht të rasteve të rënda. 

Ndërsa një pjesë e madhe e kontinentit tonë kanë shumë viktima dhe rritje rekorde të rasteve të infektimit. 

Arsyet për këtë dallim mbase janë të shumta e të ndryshme dhe ende ka shumë pasiguri për të dhënë përgjigje konkrete. Megjithatë, një faktor që mund të jetë relevant është përdorimi i gjërë i maskave në publik, që kishte qenë normë e pranuar shoqërore në shumë pjesë të Azisë Lindore.

Këtu kemi të bëjmë me biheviorizmin shoqëror.

Paramendoni një skenar ku jemi në luftë. Qeveria na kërkon të jetojmë në terr gjatë natës në mënyrë që bombarduesit armiq të mos na shohin. Si do të ndiheshit për ata njerëz që i mbajnë dritat të ndezura? Me këtë po ballafaqohemi këtu. 

Përdorimi i maskës nuk është vetëm sjellje individuale, por ka edhe implikime shoqërore. Shkencëtarët ndonjëherë e shpërfillin këtë, sepse shpeshherë mbështeten vetëm në rezultatet e eksperimenteve shkencore. Për ta mposhtur këtë koronavirus na duhet edhe një dozë e shkencës shoqërore. 

Është e rëndësishme t’i kuptojmë pandemitë jo vetëm si ngjarje biologjike, por edhe si procese shoqërore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ta përmbajtur me sukses virusin.

Shumë vende në Azinë Lindore kanë pasur më shumë sukses se ne në shtypjen e kurbës së infektimeve, pjesërisht për shkak se si kulturë kanë më shumë vullnet për të vepruar në mënyrë kolektive. 

Ata e kanë përjetuar një sëmundje ngjitëse në vitet e fundit dhe tashmë i zbatojnë mësimet e mëparshme.

Këto ditë, nëse del jashtë pa maskë në Hong Kong apo ndonjë qytet tjetër të madh në Azinë Lindore, njerëzit t’i ngulin sytë nga mospëlqimi. Kushdo që nuk përdor maskë rrezikon të përjashtohet e të dëbohet nga shoqëria. 

Një studim për transmetimin brenda komunitetit i kryer në Pekin të Kinës gjatë përhapjes së sindromit akut të frymëmarrjes në vitet 2002-04 gjeti se “përdorimi i vazhdueshëm i maskave në publik u asociua me një zvogëlim prej 70% të rrezikut nga infektimi me SARS”.

Përhapja e epidemisë SARS ua mësoi qytetarëve të Azisë Lindore rëndësinë e përdorimit të maskave, posaçërisht në Hong Kong ku pati shumë vdekje njerëzish. Dallimi kyç ndërmjet nesh dhe këtyre shoqërive është se ata e kanë përjetuar një sëmundje ngjitëse në vitet e fundit dhe tashmë i zbatojnë mësimet e mëparshme. 

Studime të ndryshme për epideminë SARS kanë treguar se përdorimi i maskve ka krijuar besim në ballafaqimin me rreziqet e pandemisë. Sipas njërit prej tyre, epidemia SARS e krijoi të ashtuquajturën kulturën e maskave, që e kultivoi një ndjenjë të detyrimit civil dhe të obligimit të përbashkët. 

Një kulturë e maskave i bashkon të gjithë që ballafaqohen me një rrezik të përbashkët. 

Në Ballkan, masat e vendosura në prill nga qeveria në Kosovë kërkojnë që qytetarët të përdorin maska apo shalle për ta mbuluar fytyrën në ambiente të jashtme. Gjithashtu, së fundi Maqedonia e Veriut e ka bërë të detyrueshëm përdorimin e maskave. Pavarësisht masave zyrtare, në nivel shoqëror, ende është e pranueshme të bredhësh pa maskë.

Përsëri, kjo e thekson se nuk ka të bëjë krejt me direktivat dhe këshillat mjekësore që vijnë nga autoritetet qendrore, por ka të bëjë edhe me kulturën dhe historinë.

Por me përhapjen e pandemisë së COVID-19, a do të ndryshojë kjo sjellje shoqërore në Kosovë dhe në Ballkan?

Mund t’i merrni me shpërfillje masat kaq të rrepta të qeverive të ndryshme. Ka mospajtime edhe për atë se a e parandalojnë të gjitha llojet e maskave depërtimin e koronavirusit të ri, madje edhe se a e zvogëlon përdorimi i maskave rrezikun e përhapjes së virusit prej atyre që janë të infektuar. Por është gabim që të tallemi me masat e tilla. Janë veçanërisht të rëndësishme për njerëzit që nuk mund t’u shmangen ambienteve më të ngjeshura me njerëz, ku rreziku i infektimit është më i lartë. 

Përdorimi i maskës mund të ndihmojë duke i kujtuar njerëzit, në mënyrë pamore, për rreziqet e pandemisë, e kjo mund të shërbejë si shtysë për ndryshimin e sjelljeve të shoqërisë. Nuk do të sihte vetëm mjet për t’iu shmangur sëmundjes, por gjithashtu një mënyrë për të treguar se të gjithë duam të jemi të bashkuar kundër fatkeqësisë së kësaj sëmundjeje ngjitëse. 

Para vaksinës, ajo që na mbetet të bëjmë është t’i ndryshojmë së bashku sjelljet si shoqëri

Vendosja e maskës çdo ditë para daljes do të bëhet ritual si veshja e këpucëve, apo tani për tani shmangia e vendeve të ngjeshura me njerëz dhe zbatimi i distancimit fizik. 

Secila kulturë ka standard tjetër sa i përket përcaktimit të sjelljeve të pranueshme, por pa marrë parasysh prej nga vjen, disa vlera themelore lidhur me respektin, me lirinë dhe me përgjegjësinë e përbashkët mbesin të pandryshuara. 

Mos harroni, maskat nuk janë ilaç, por janë masa të parandalimit dhe të lehtësimit. Vështirë se do të gjendet ilaçi i vërtetë para se të aprovohet vaksina. 

Pra, para vaksinës, ajo që na mbetet të bëjmë është t’i ndryshojmë së bashku sjelljet si shoqëri. Nëse nuk duam të kemi masa të rrepta si karantina e centralizuar dhe kontrolli drakonian i popullsisë, atëherë duhet të bëhemi më seriozë në përpjekjet tona për t’i ndryshuar sjelljet që mund t’i kontrollojmë individualisht. 

Pikërisht me këtë merret teoria e veprimit kolektiv: nëse të gjithë ndihmojnë për qëllimin kryesor, të gjithë do të kenë sukses.

Pasi që kushdo mund të jetë bartës i COVID-19, qoftë me ose pa simptoma, në frymë të solidaritetit, ne duhet ta mbrojmë njëri tjetrin.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0